Kastriot MYFTARAJ/ Misteret e Pusit Shpiragu 2

1095
Sigal

    Në Shqipëri lajmi se në Pusin Shpiragu 2 në Berat u zbulua naftë në sasi shumë të madhe, u mirëprit si nga qeveria ashtu dhe nga opozita. Ish-kryeministri Berisha në një status në Facebook e quajti këtë si një arritje të qeverisë së tij, pasi kishte qenë ai që e kishte bërë marrëveshjen për kërkime nafte dhe gazi. Por edhe qeveria e sotme nuk kishte si të mos e mirëpriste këtë lajm, se tekefundit do të ketë të ardhura nga kjo që ndodhi. Media në Shqipëri e dha lajmin gjerësisht, por duke u kufizuar vetëm në të dhënat teknike. Në Pusin Shpiragu 2 u gjet naftë në thellësinë rreth 6000 metra, por qartësisht duhet “gërmuar” shumë më thellë për të gjetur të vërtetat e fshehura të atyre që morën me koncesion nga qeveria shqiptare këtë dhe të tjera zona naftëmbajtëse.

    Kur në dhjetor 2007 qeveria shqiptare nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore kontraktoi kompaninë DWM Petroleum AG për të bërë kërkime dhe eventualisht shfrytëzimin e naftës dhe gazit në ato që në gjuhën teknike njiheshin si blloqet (zonat) A, B, D dhe E, edhe dashamirësit e qeverisë vështirë se panë këtu diçka më tepër se një operacion të qeverisë në marrëdhëniet publike, nga ato të llojit “Shqipëria 1 euro”, që duhej t’ krijonin përshtypjen shqiptarëve se në vend po dyndeshin investimet e huaja. Kompania DWM Petroleum AG mori një tjetër koncesion nga qeveria shqiptare në korrik 2009, pak kohë para se Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, e cila i jepte këto licenca, ta merrte LSI-ja, që do të bënte koalicion me PD-në pas zgjedhjeve të qershorit të atij viti. Këtë herë u dhanë me koncesion blloqet 2 dhe 3 (përfshijnë edhe zonën Patos-Marinzë). Sipas vlerësuesve autoritarë botërorë në zonat për të cilat u licencua kjo kompani kishte rezerva që arrinin mbi 800 milion fuçi nafte.

   Kushishte DWM Petroleum AG, kompania që mori këto koncesione? Kjo kompani ishte krijuar në Baar të Zvicrës në vitin 1992, si një kompani që supozohej të merrej me kërkimin e naftës dhe gazit. Fjala “supozohej” është pikërisht fjala e saktë, siç do të tregoj më tutje. DWM Petroleum AG ishte një subsidiary, ose kompani-bijë e kompanisë Manas Petroleum. Nuk mund të mos pyesësh se përse kompania Manas Petroleum nuk doli vetë për të marrë koncesionin në Shqipëri, por u paraqit me një maskë që ishte DWM Petroleum AG. Qeveria shqiptare e dinte se po lidhte PSC (Production Sharing Contracts) me një kompani-bijë të një kompanie tjetër. Këtu kishte shumë arsye për të dyshuar. Të gjitha të dhënat që do të paraqes më tutje tregojnë se DWM Petroleum AG ishte një kompani e krijuar me qëllim për t’ u përdorur në një aferë të vetme, një gjë e njohur kjo në botën e offshores. Kompania-amë, Manas Petroleum ishte edhe më e dyshimtë se kompania-bijë. Manas Petroleum ishte një kompani e krijuar dhe regjistruar në shtetinNevadatë SHBA. Në SHBA ka dy shtete që janë famëkeqë për praktikat e offshores, si të thuash onshore: Delawere dheNevada. Por, derisa shteti Delawere është parajsa e kompanive të mëdha, si të thuash të hapura, që i bëjnë të ditura të dhënat e tyre,Nevadaështë parajsa e kompanive të vogla dhe të mbyllura hermetikisht, për të dhënat dhe aksionerët e të cilave nuk dihet asgjë. Manas Petroleum ishte një korporatë e Nevadës (SHBA), e cila më parë kishte mbajtur emrin Express Systems Corporations.

    Një nga mënyrat më të rëndomta me të cilat ata të cilët kanë investuar paratë në afera fitimprurëse, por që dëshirojnë të fshehin gjurmët e parave dhe të vetë personit të tyre, është që ajo që zotërohet të kalojë si nëpër duart e një iluzionisti (prestidigjiatori) nëpër një labirint kompanish fiktive, ashtu që të humben gjurmët e origjinës së parave dhe të personave. Nëse kërkon nëpër këtë labirint, mund të hysh në shumë “dhoma” (kompani), por gjithmonë kur kërkon emrat e personave që janë mbajtës të aksioneve, pra që kanë investuar paratë, si dhe origjinën e parave, do të ndeshesh me dyer të mbyllura hermetikisht, që përfaqësohen rëndom nga dera e ndonjë studioje ligjore që përfaqëson interesat e personave në fjalë, të cilët mbeten anonimë. Qyteti Baar, ku e kishte qendrën DWM Petroleum AG është një qytet i vogël në Zvicrën qendrore, që ka më pak se 10 mijë banorë, por që sipas praktikës zvicerane llogaritet të këtë 25 mijë banorë, të cilët jetojnë në zonën municipale që përfshin 25 km², pjesa më e madhe e të cilave janë toka bujqësore dhe pyje. Qytetet si Baar shërbejnë si corporate havens (parajsa të korporatave), siç quhen në fjalorin e botës së offshores (botës së errët të biznisit dhe financës të që është ndërtuar në rang global për të mundësuar qarkullimin dhe investimin e parave me prejardhje nga krimi dhe korrupsioni, si dhe për të shmangur pagimin e taksave). Zvicra ofron për investitorët gjithandej botës atë që quhet si flag of convenience në botën e offshores ekuivalenti i ofrimit të flamurit të një vendi në lundrim, për anijet tregtare, që në këtë rast do të thotë që mund të regjistrosh një kompani në këtë vend, e cila të paraqitet si zvicerane, duke u ruajtur sekreti për aksionerët e saj të vërtetë. Në qytetin Baar industria kryesore deri vonë ishte prodhimi i lodrave për fëmijë, por që tashmë është zhvendosur prej vitesh jashtë Zvicrës, për të ulur koston e prodhimit. Por industria tjetër, ajo e “lodrave” të prodhuara për botën e offshores, e tipit DWM Petroleum AG, vazhdon të lulëzojë, pa njohur krizë. Tashmë edhe Manas Petroleum, kompania që ishte në origjinë të transaksioneve të ngatërruara me  PSC-të (Production Sharing Contracts) për naftën dhe gazin shqiptar, e kishte qendrën po në Baar të Zvicrës dhe supozohej të merrej merrej me kërkimin e naftës dhe të gazit, në një kohë që merrej vetëm me ushtrime transformuese të offshores.

    Në 7 dhjetor 2009 DWM Petroleum AG, duke qenë vetë një kompani-bijë, krijoi një kompani tjetër me emrin Manas Adriatic GmbH. Me këtë rast DWM Petroleum AG ia kaloi PSC-të (Production Sharing Contracts) të saj me Shqipërinë kompanisë Manas Adriatic GmbH. Tashmë biznisin e DWM Petroleum AG në Shqipëri e zotëronte Manas Adriatic GmbH. Edhe këtë herë qeveria shqiptare nuk pa asgjë të dyshimtë në këtë transaksion, ndonëse ishte fjala për një lëvizje klasike të botës së offshore-ve. Përse duhej që një kompani, e cila vetë ishte kompani-bijë, t’ ia kalonte biznisin e saj më të rëndësishëm një kompanie-bijë të saj, ose si të thuash një kompanie-mbesë të asaj kryesore, që ishte Manas Petroleum? Kjo në një kohë që këto kompani nuk kishin bërë asnjë punë në terren në Shqipëri! Që kompania Manas Adriatic GmbH ishte fiktive, kjo gjë u kuptua nga fakti se DWM Petroleum AG i dha 9.5 milion dollarë kanadezë hua kompanisë Manas Adriatic GmbH që ajo të mund të punonte për projektet që kishte marrë përsipër. Në të vërtetë Manas Adriatic GmbH nuk bëri asnjë punë. Në 24 shkurt 2010 DWM Petroleum AG ia shiti kompaninë Manas Adriatic GmbH kompanisë WW 1 Resources Ltd, me qendër nëVancouver, Kanada, e cila ishte krijuar në 6 mars 1998. Vlera e shitjes në letër ishte 57.850.918 dollarë kanadezë. Në realitet, WW 1 Resources Ltd i dha DWM Petroleum AG vetëm 2 milion dollarë kanadezë në cash, si dhe 100 milion aksione, me vlerë 0.25 dollarë secili, çka do të thotë një vlerë e përgjithshme e supozuar prej 25 milion dollarë. Por mbajtësi i çdo aksioni kishte të drejtë që deri në shkurt 2015 të blinte një aksion tjetër me vlerë 0.45 dollarë. Gjithashtu WW 1 Resources Ltd i dha DWM edhe 9.5 milion dollarë për huanë që kjo e fundit i kishte dhënë Manas Adriatic GmbH. Pas këtij transaksioni WW 1 Resources Ltd ndryshoi emrin në Petromanas Energy Inc., me qendër nëCalgary,Alberta, Kanada. Merret vesh, ata që qëndronin pas këtyre kompanive, për momentin qenë më të interesuar që të fshihnin gjurmët e tyre dhe të parave të tyre, se për të nxjerrë naftë në Shqipëri.

    Pas zotërimit të kontratave në Shqipëri, duke nisur që nga 25 shkurti 2010 Petromanas u kuotua në TSX Venture Exchange, që është Stock Exchange (bursa) me qendër në Caligary (shtetiAlberta) në Kanada. Ajo punon vetëm në mënyrë elektronike, pra nuk ka një ndërtesë ku kryhen transaksione, si bursat klasike. Kjo bursë është një degë e Toronto Stock Exchange (bursa kryesore në Kanada). Në këtë bursë elektronike bëhen punët e pista të offshore-ve. TSX Venture Exchange është krijuar vetëm në 1999. Në kohën e marrjes së kontratave shqiptare, Petromanas njoftoi se siguroi 25 milion dollarë nga një transaksion privat. Në botën e offshores kjo do të thotë se në kompani u kanalizuan 25 milion dollarë, të cilët qenë paguar si mitë, apo rryshfet, për atë që iu dhanë koncesionet nga qeveria shqiptare. Tani mitëmarrësi, ose mitëmarrësit po hynin si aksionerë në këtë investim. Origjina e parave dhe investitori nuk u bënë të ditur, por kuptohet se këto para qenë endur nëpër labirintin e offshores për të humbur gjurmët, deri kur kishin arritur në cakun e parashikuar. Në maj 2010 Petromanas njoftoi se siguroi 75 milion dollarë të tjerë nga një tjetër investitor privat konfidencial, që qartësisht përbënte të njëjtin lloj transaksioni. Mund të thuhet me siguri se qeveritarë të papërcaktuar në Tiranë morën 100 milion dollarë kanadezë si shpërblim që ta jepnin me koncesion pasurinë kombëtare të Shqipërisë, naftën dhe gazin, sipas praktikës së offshore-ve. Prandaj qeveria shqiptare heshti kur me PSC-të (Production Sharing Contracts) që ajo kishte lidhur me një kompani fiktive, nisi të luhet me mënyrat e cirkut të botës së offshore-ve. Por nuk është e vështirë që të identifikohen me emër këta qeveritarë se këto kontrata nuk mund të bëheshin veçse nga kryeministri i kohës, Berisha dhe ministri Genc Ruli.

    Në përfundim të transaksionit të ngatërruar që kam përshkruar më lart, nga ku lindi ashtu si Venusi nga shkuma e detit (në këtë rast nuk mund të themi ende ngafontanae naftës, se për të dalë ajo nuk po punohej ende) kompania Petromanas Energy Inc., kompania Manas Petroleum, e cila ishte në origjinë të këtij cirkusi offshore nuk u zhduk por vazhdoi të ekzistonte duke mbajtur 30.46% të aksioneve të Petromanas. Për ata që kuptojnë se si bëhen punët në botën e offshores, ky është një tregues shumë domethënës. Kjo tregon se ç’ përqindje të këtij koncesioni zotëronin ata të cilët i mundësuan këto kontrata, pra qeveritarët shqiptarë. Por edhe kompania Petromanas Energy Inc. ishte një mirazh i botës së offshores, e krijuar jo për të nxjerrë naftë dhe gaz, por për një qëllim tjetër. Raporti financiar i Petromanas për vitin 2012 tregon se kjo kompani ishte thjesht një fiksion. Sipas këtij raporti asetet e kompanisë për vitin 2012 qenë:Paracash dhe ekuivalente: 23 125 dollarë kanadezë; Investime afatshkurtra: 17 774 dollarë; Prona dhe pajisje: 572 dollarë; Share capital (vlera e gjithë aksioneve të shpërndara- ajo shumë që do të arrihet nga shitja e aksioneve): 152 264 dollarë; Shpenzimet (Të përgjithshme dhe administrative): 3344 dollarë. Në 31 dhjetor 2012 kompania kishte 693 694 733 aksione (shares). Por Share capital (vlera e gjithë aksioneve të shpërndara) ishte vetëm 152, 264 dollarë. Kuptohet se me këta tregues, kompania ishte krejt e paaftë për të bërë sadopak punën që kishte marrë përsipër në Shqipëri. Për t’ u dukur si kompani e rëndësishme, ajo përdorte disa hile të rëndomta të botës së offshores. Në 31 dhjetor 2012 kompania kishte 18.6 milion në tituj krediti me të cilat pretendonte të garantonte realizimin e kontratave të saj. Por këto nuk qenë para që mund të investoheshin dhe vlera e tyre reale qe shumë e dyshimtë. Kjo kuptohej dhe nga fakti se kompania kishte si para të ngrira (restricted cash), të depozituara si kolateral për këto letra krediti vetëm 19 361 dollarë! Deri më sot Petromanas nuk ka paguar dividendë për mbajtësit e aksioneve.

    Duke qenë se Petromanas nuk mund të realizonte kurrsesi punët që kishte marrë përsipër në Shqipëri, se i mungonte ekspertiza, personeli dhe teknologjia e nevojshme, ajo në shkurt 2012 bëri një marrëveshje me kompaninë gjigande të naftës Royal Dutch Shell. Sipas kësaj marrëveshjeje Shell bëhej ortake me 50% në blloqet 2 dhe 3, në Shqipëri, duke paguar në këmbim 50.3 milion dollarë. Në qershor 2013, Petromanas i dorëzoi Shell edhe 25% nga pjesa e vet e aksioneve në Blloqet 2-3 në Shqipëri. Pra, kompanisë Petromanas i mbeti vetëm 25% e biznesit të saj në Shqipëri, dhe këtu duhet shënuar se 30% të këtij 25 përqindshi e zotëronte kompania Manas. Pas kësaj ekspozeje që bëra besoj se gjithkush e ka të qartë se qeveria shqiptare mund të kishte bërë një punë shumë të dobishme nëse do të kishte kontraktuar kompaninë Shell që në vitet 2007-2009. Shell e arriti suksesin brenda 20 muajve nga angazhimi i saj në Shqipëri, dhe brenda pesë muajve që nga dita kur mori pjesën e kërkuar prej saj. Merret vesh, Pusi Shpiragu 2 do të ishte hapur e shumta që në 2010, dhe gjatë këtyre tre viteve në vazhdim do të ishin hapur dhe puse të tjerë, çka do të thotë se kanë humbur shumë të ardhura publike.

    Në 5 nëntor 2013, një ditë para se të shpallte lajmin për daljen e naftës në Pusin Shpiragu 2, Petromanas Energy Inc njoftoi se disa prej mbajtësve të aksioneve të saj, ndër të cilët dhe anëtarë të bordit të drejtorëve, dhe zyrtarë të kompanisë blenë aksione (shares) nga të cilat donte të lirohej kompania DWM Petroleum AG. Lexuesi duhet të kujtojë se kjo ishte kompania-bijë e Manas, pikërisht ajo kompani-bijë që kontraktoi me qeverinë shqiptare në 2007-2009 për koncesionet e naftës dhe gazit. DWM Petroleum AG tani shiti 46 milion aksione të tilla, nga të cilat drejtorët dhe zyrtarët e tjerë të Petromanas blenë 15 669 500 aksione. A nuk është e çuditshme që një kompani të shesë me çmim të ulët aksione që tashmë duket qartë se janë shumë fitimprurëse? Drejtori ekzekutiv i Petromanas, Glenn Mc Namara (shumë kompani offshores kujdesen të marrin në punë njerëz me emra anglosaksonë) e shpjegoi këtë transaksion të çuditshëm me atë se DWM kishte nevojë për para, për të zbatuar projekte të tjera të saj dhe shtoi se blerja e aksioneve nga anëtarët e bordit dhe zyrtarët e tjerë të Petromans tregonte besimin në rritje te kompania pas rezultateve të arritura në pusin Shpiragu-2 në Shqipëri. Por nuk kuptohet se përse DWM shiti aksione që do të jenë në rritje. Por ajo që duket e palogjikshme në botën tonë, ka një kuptim sipas logjikës që sundon në botën e offshores. Kjo shitje paradoksale ishte rezultat i një marrëveshjeje paraprake juridike, sipas së cilës përfitonin ata të cilët kishin mundësuar këto koncesione. U tha se në 60 ditët e ardhshme nuk pritet shitje tjetër. Kjo qartësisht ndodhte për të evituar kontrollet e mekanizmave shtetërore kanadeze. Por DWM mban ende 50 milion aksione të Petromanas, ose rreth 7% të aksioneve të saj. Kështu që në të ardhmen do të dëgjojmë gjëra të reja.

    Sot në botë ekziston një autoritet ndërkombëtar që njihet si Extractive Industries Transparency Initiative. Ky është një standard ndërkombëtar i krijuar me synim arritjen e transparencës për vendet që kanë burime nafte, gazi dhe mineralesh, dhe që keqpërdoren nga qeveritarë të korruptuar në bashkëpunim me korporatat ndërkombëtare. Kompanitë nxjerrëse i raportojnë EITI, që e ka qendrën nëOslotë Norvegjisë, mbi nxjerrjet dhe pagesat. Kryeministri Berisha me urdhërin nr. 156 dt. 12 dhjetor 2008 emëroi një Grup Pune Ndërinstitucional për të punuar për anëtarësimin e Shqipërisë në EITI. Kryetar u emërua zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë, Energjitikës, Neritan Alibali. Ky ua kishte marrë dorën detyrave nga të cilat nuk kuptonte asgjë. Pas ardhjes së PD-së në pushtet, në 1992, Alibali, si përfaqësues i një partie aleate (Partisë Republikane) u emërua Drejtor i Teatrit Kombëtar, ndonëse kishte qenë punëtor në Uzinën “Partizani” para se të hynte në politikë. Ish-drejtori punëtor i Teatrit Kombëtar tani thirrej të luante një rol në teatrin e offshores. Përveç tij, në këtë grup pune ishte dhe Tetis Lubonja, vajza e moralistit të ekraneve, Fatos Lubonjës, e cila ishte drejtoreshë në Ministrinë e Drejtësisë. Në Grupin e Punës bënin pjesë edhe anëtarë nga “shoqëria civile”: Erald Kapri (Qendra Shqiptare për Rininë dhe Median), Ilir Aliaj (Qendra Shqiptare për Zhvillim dhe Demokratizim të Institucioneve), Anila Hajnaj (Qendra Shqiptare për Zhvillim Institucional), Sami Neza (Qendra Shqiptare për Transparencë dhe Informacion të Lirë). Kuptohet se të gjithë këta nuk kuptonin asgjë nga mënyra se si duhej bërë transparenca e industrisë nxjerrëse në Shqipëri, por e kuptonin shumë mirë se në këto borde do të kishin të ardhura të mira, prandaj hynë me dëshirë në to. Në 16 janar 2009, Kryeministri i kohës, Berisha i dërgoi një letër kryetarit të EITI, Peter Eigen, ku shprehte angazhimin e Shqipërisë për të zbatuar EITI. Shqipëria bëri kërkesë zyrtare për t’ u bërë vend kandidat për anëtar i EITI në mars 2009. Në 7 korrik 2010 me vendimin 540 të Këshillit të Ministrave u krijua Sekretariati i EITI në Shqipëri.

    ALBEITI, ndryshe dega shqiptare e EITI duhej të nxirrte raporte mbi transparendën e industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Të dërguar nga qendra e EITI do të vlerësonin punën e ALBEITI. Ironikisht, autoritetet shtetërore të Shqipërisë, në atë që supozohej të ishte një raport transparence mbi kërkimet e naftës, gazit dhe ato minerare në Shqipëri (raporti final i vlerësimit, viti 2011- f. 22) thuhet fjalë për fjalë: “Petromanas është blerë 100% e Manas Adriatic GmbH prej DWM Petroleum, një filial tërësisht i zotëruar nga Manas Petroleum”. Gabimet frazeologjike janë në tekstin origjinal të raportit dhe janë simptomë e qartë intelektuale e paaftësisë së hartuesve të raportit për t’ u orientuar në botën e offshores. Ekipi i Validimit (vlerësimit) i EITI, i përbërë nga tre vetë, qëndroi në Shqipëri nga 17-23 prill 2011 dhe bëri një raport që meriton të etiketohet me atë shprehjen popullore “as mish as peshk”. U mbajt dhe një workshop i ALBEITI në korrik 2011 me ç’ rast u promovua dhe Klubi i Gazetarëve ALBEITI. Natyrisht organizatorët u kujdesën që të ftojnë vetëm gazetarë që nuk do t’ u krijonin shqetësime. Por nuk është e lehtë t’ u krijosh shqetësime njerëzve të EITI dhe atyre të offshores që janë pas tyre. Në qarqet e offshores qarkullon një shprehje: Those who know don’ t talk. And those who talk don’ t know.

    Qeveria shqiptare edhe sot ka detyrim të nisë një hetim për krejt këtë aferë dhe madje të kërkojë bashkëpunimin e EITI. Ajo që ka ndodhur me PSC-të Production Sharing Contracts të lidhura mes qeverisë shqiptare dhe këtij oktapodi të offshores që përshkrova më lart, është rasti klasik i abuzimit për luftën kundër të cilit është ngritur EITI. Asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk mund t’ i mbrojë ata që kanë përfituar abuzivisht në këtë mënyrë, se edhe vetë EITI është një institucion ndërkombëtar. Ato abuzime të ish-qeverisë së Berishës me të cilët po merret qeveria e sotme duken vogëlsira qesharake para humbjeve që kanë ardhur nga afera që tregova më lart. Është e mundshme që një pjesë e madhe e këtyre humbjeve të rikuperohen. Nëse qeveria e sotme nuk ka vullnet të bëjë asgjë për këtë çështje, atëherë nuk mund të mos arrihet në përfundimin se ajo thjesht do të marrë mitën nga ata kanë marrë këto koncesione.

    Në përfundim të këtij shkrimi do t’ i përgjigjem pyetjes së shumë lexuesve që me siguri po mendojnë se përse nuk i kam thënë këto gjëra më parë. Eh, mirë, as unë nuk besoja se në zonat e dhëna me koncesion do të kishte kaq shumë naftë në thellësi, por ata që morën koncesionet e dinin këtë gjë. Ata kishin të dhëna të sigurta. Pastaj, në atë kohë as unë nuk e kisha të qartë tablonë. Njerëzit e botës së offshores të cilët i bëjnë këto punë veprojnë në atë mënyrë që nuk është aspak e lehtë të orientohesh në labirintin e krijuar qëllimisht prej tyre.