Kastriot Islami:A ka një kërkesë formale për “non gratën”

291
Sigal

 

 Nga Kastriot Islami

Ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë

 Kohët e fundit, mjedisi politik e qytetar shqiptar, ka shfaqur ndër të tjera interes për 5 çështjet e mëposhtme:

Së pari, përcaktimi nga sekretari i DASH, “non grata” për Sali Berishën, e cila gjykohet se përbën një çështje të brëndshme të SHBA dhe shqiptarët, përfshi edhe vetë Sali Berishën e kanë trajtuar atë si të tillë, duke mos u marrë fare me të.

Së dyti, dërgimi në Gjykatën e Parisit, nga ana e Sali Berishës të sekretarit të DASH, për “shpifje”, të “cilësimeve” nga ana e Blinken të Sali Berishës, të cilën vetë Berisha e ka trajtuar vetëm si çështje private e personale duke mos implikuar fare PD.

Së treti, “akti” i ambasadorit Philip Reeker të referuar nga media, që, bazuar në përcaktimin e DASH për shpalljen “non grata” nga sekretari Blinken, i kërkon PD përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD.

Së katërti “akti” i Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD, i cili është trajtuar si një akt politik e qytetar, mbi bazën e të cilit Sali Berisha ka nisur bashkëbisedimin”foltoren” me demokratët, pra që mendohet se askush, përfshi edhe vetë Berishën, nuk ka të drejtë ta konsiderojë akt personal privat.

Së pesti, në vijim të “faltores”të zhvilluar në disa qytete të vëndit, të drejtuar nga Sali Berisha, në përputhje me dispozitat e statutit të PD janë grumbulluar firmat e anëtarëve të Kuvendit dhe është programuar që në 11 dhjetor 2021 të realizohet mbledhja e kuvendit kombëtar të PD.

Në vijim jepen detaje vetëm për çështjen e tretë..

Në 19 maj 2021, Ambasada e SHBA në Tiranë, vendosi në faqen e saj të internetit, përcaktimin zyrtar të Anthony J. Blinken, Sekretar i DASH, me shënimin:  “Veprimet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri. Unë publikisht e caktoj Berishën dhe anëtarët e tij të ngushtë të familjes si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara (në anglisht: “… as ineligible for entry into the United States…”).

Kjo më tej është “përkthyer” në media shqiptare se “SHBA e ka shpallur Sali Berishën person non-grata”…

  1. Të gjithë pa përjashtim, përfshi edhe vetë Sali Berishën, që reagoi menjëherë të nesërmen në datën 20 maj 2021 në një konferencë shtypi “… s’kanë kërkuar asnjë shpjegim për këtë akt të DASH, me argumentin logjik se a) ky “akt” është një e drejtë e shtetit amerikan; dhe b) ky “akt” është një çështje e brëndshme e shtetit amerikan..”…
  2. Berisha në konferencën e tij për shtyp në datën 20.05.2021, nga njëra anë është shprehur se “ky është një akt i brëndshëm i shtetit amerikan dhe prandaj s’do të merrem fare me të”, por nga ana tjetër ka bërë me dije se e ka ngarkuar avokatin e tij të ngrejë padi në Gjykatën Korrektuese të Parisit kundër sekretarit Blinken thjesht për “shpifje” lidhur me “argumentat” që ka thënë Blinken për të justifikuar përcaktimin e tij “non-grata”, duke kërkuar ndërkohë zyrtarisht e publikisht prova/fakte që sekretari Blinken ftohet t’i përcjellë në gjykatën e Parisit… Më konkretisht Berisha ka deklaruar se: “…kam qenë President i Republikës, Kryeministër i Shqipërisë. Unë kam qenë përgjegjës për dinjitetin e popullit tim dhe kam bërë gjithçka që kam në dorë për ta mbrojtur atë. Sot jam përgjegjës për dinjitetin tim…,duke insistuar e deklaruar se “do ta ndjekë çështjen privatisht dhe s’do të implikojë fare PD në këtë çështje…”.

 

 Pra çështja e dërgimit në Gjykatën e Parisit, kundër “shpifjes” është cilësuar private nga vetë Berisha, i cili ka deklaruar se do ta ndjekë personalisht atë pa implikuar PD.

 

  1. Nga njoftimet e mëvonshme të medias rezulton se “në 30 qershor 2021, vjen për një vizitë në Tiranë Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker, i cili në mesditën e 30 qershorit, i shoqëruar nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, ka hyrë në selinë e Partisë Demokratike, për të zhvilluar një takim rreth 60 minuta me Lulzim Bashën. Të pranishëm në takim kanë qënë edhe Jorida Tabaku e Gazmend Bardhi”.
  2. Disa ditë më vonë, pasi Lulzim Basha ka shpallur “aktin” për të larguar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD, media informon https://albaniandailynws.com/news/basha-explains-to-dp-group-why-berisha-was-excluded) ka deklaruar ndër të tjera se : “….Po ju them diçka që kam Gazmend Bardhin dhe Jorida Tabakun dëshmitarë. Kur ka ardhur Philip Reeker që më ka takuar në seli, ka ardhur vetëm me kërkesën për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar i PD dhe s’pranonte asnjë negociatë…”

Aktin e përjashtimit nga PD, të shpallur nga Basha, Berisha duket e ka cilësuar jo më si një akt privat e personal, por një akt politik e qytetar; prandaj i gjithë reagimi tij ndahet në dy pjesë

 

  1. Fillimisht, privat e personal, duke ndjekur pa implikuar PD çështjen e “shpifjes” kundër sekretarit të DASH të dërguar përmes avokatit të tij në gjykatën e Parisit dhe;
  2. Më tej, pas aktit të Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, si akt politik e qytetar, duke denoncuar vendimin për përjashtimin nga grupi parlamentar i PD, përmes mbajtjes së “foltores” për t’i shpjeguar demokratëve qëndrimet e tij e moskompetencën statutore të Bashës për këtë “akt”…

 

Me këtë rast lindin disa pyetje:

 

A ekziston një kopje e “kërkesës/aktit formal” të sjellë nga Uashingtoni  nga ambasadori Philip Reeker, me porosi të sekretarit të DASH dhe bazuar në përcaktimin e tij,  siç thuhet në media, apo bëhet fjalë për një “kërkesë gojore” të ambasadorit Reeker në takimin me drejtues të lartë të PD dhe me prezencën e ambasadores së SHBA në Tiranë, për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD?

Nëse “akti formal” ekziston, kush e zotëron dhe ku gjëndet kopja e saj? A është arshivuar kjo kopje e “aktit”?

Nëse ka pasur gjatë takimit vetëm një “kërkesë gojore” por jo një “akt formal” nga ana e ambasadorit Reeker, siç është thënë në media nga disa drejtues të PD, sepse kjo është një praktikë e aplikuar nga SHBA, shtrohen pyetjet se ‘ku është kopja e proces-verbalit të takimit të realizuar në selinë e PD ku evidendohet ky “moment i rëndësishëm”..”? Dhe se “a është arshivuar një kopje e proces-verbalit apo s’është mbajtur fare proces-verbal”?!

Nëse deklarohet se s’ka pasur “kërkesë me shkrim”, por vetëm një “kërkesë gojore”dhe nuk është mbajtur proces verbal i takimit në selinë e PD për “kërkesën me gojë”, a mundet pjesëmarrësit në takim (drejtuesit e PD) të ulen sot e të formulojnë një “dokument të shkruar” lidhur me kërkesën formale ose gojore të ambasadorit Reeker dhe një kopje e këtij “dokumenti të zbardhur” të depozitohet në arshivën e PD me shënimin “top sekret”? Dhe madje një kopje e “kërkesës së zbardhur” e të firmosur nga kryetari i PD apo dikush tjetër i autorizuar prej tij t’i jepet të interesuarit Sali Berisha, që me shumë gjasa do ta përdorte sa herë do t’i nevojitej, natyrisht duke respektuar në mënyrë strikte rregullat e depozitimit “top sekret”..?!