Inflacioni matet si mujor, tremujor, gjashtëmujor, apo vjetor. Nga inflacioni preken të gjithë që blejnë mallra në treg, por problemi është kush e vuan më shumë. Natyrisht ata që marrin më pak të ardhura, si ata me ndihmë ekonomike, pensionistët, invalidët, punonjësit me paga të ulta etj.

Qeveria indeksoi pensionet me 4,1%, duke filluar nga Tetori i këtij viti. Këtë indeksim e përfitojnë të gjithë pensionistët, disa edhe për shtesa të veḉanta, që do të thotë dy përfitime një person. Në pamje të parë, kur thuhet se qeveria indeksoi pensionet 4,1%, aq sa pretendohet të jetë dhe inflacioni, duket sikur qeveria është në rregull me këtë masë dhe përfituesit të kënaqur. Them të kënaqur, jo nga masa e përfitimit, por mendohet se qeveria ka plotësuar detyrimin e saj e nuk ka ḉ’të kërkojnë më shumë. Jo rrallë indeksimet janë propoganduar si suksese të partive që kanë drejtuar qeveritë ndër vite, kur në fakt kjo ka qënë detyrim ligjor, për shtresat me të ardhura të pakta. Por indeksimi në përqindje nuk jep kufirin e qartë se deri në ḉ’masë të ardhurash është detyrim e kur është rritje reale e pensioneve. Edhe pse shifra e indeksimit është e njëjtë me inflacionin, sasia e lekëve që përfitojnë pensionistët me të ardhura të ulta është e papërfillshme për të përballuar rritjen e ḉmimeve. Pensioni i quajtur mesatar prej 18340 lekë, përfiton nga indeksimi 752 lekë, ai me pension social 9320 lekë, përfiton 381 lekë, ndërsa ka pensione më të ulta në zonat rurale, përfitimi tyre është edhe më i ulët. Por nga ana tjetër kemi pensione të larta që përfitimi shkon edhe deri në 6 mijë lekë e më tepër, aq sa disa pensionistë në fshat kanë gjithë pensionin mujor. A është e drejtë kjo, kur themi për indeksim pensionesh dhe jo rritje të mirëfilltë e tyre?
Le t’a analizojmë më poshtë përse është diskriminuese dhe aspak e drejtë indeksimi në përqindje.
Së pari duhet të dimë ḉ’është Inflacioni dhe pasojat e tij!
Inflacioni është përqindja me të cilën rriten ḉmimet e mallrave dhe shërbimeve. Për të njëjtën shumë parash blihen më pak mallra se sa ke blerë më parë, sepse kur rriten ḉmimet fuqia blerëse zvogëlohet. Inflacioni matet me indeksin e ḉmimeve të konsumit. Kjo tregon se sa para do shpenzonte dikush për të blerë në kohë të caktuar në krahasim me një kohë më parë. Inflacioni matet si mujor, tremujor, gjashtëmujor, apo vjetor. Nga inflacioni preken të gjithë që blejnë mallra në treg, por problemi është kush e vuan më shumë. Natyrisht ata që marrin më pak të ardhura, si ata me ndihmë ekonomike, pensionistët, invalidët, punonjësit me paga të ulta etj. Por edhe brenda këtyre kadegorive ka grupe sociale që marrin më pak të ardhura rrjedhimisht dhe pasojat e më të mëdha. A mund dhe a duhet të përfitojnë më shumë ata që marrin më pak!? Në mos më shumë të paktën në mënyrë të barabartë. Kjo mënyrë indeksimi bën të kundërtën e asaj që duhet të zgjidhë qeveria, pasi i jep më pak atij që e ka më shumë të nevojshme e i jep më shumë atij që e ka më pak të domosdoshme.
Duhet kuptuar se, nëse inflacioni është 4,1%, dhe indeksimi me këtë shifër nuk është e njëjtë, pasi të ardhurat e personave përfitues nuk janë të barabarta, ndërsa dëmi në lekë i shkaktuar nga inflacioni është i njëjtë, ndërsa ata me pagesa të ulta edhe shëndetësor pasi nuk blejnë shportën e nevojshme të ushqimeve. Nëse marrim mishin me ḉmimin 1200 lekë ḉmimi, si productin kryesor të ushqimit, e të shohim sa do blejnë pensionistët me lekët e indeksimit! Pensonisti me pension social do të blejë 310 gramë mish ose 10 gram në ditë, ai me pension mesatar do blejë 620 gram, 20 gram në ditë, ai me pension të veḉatë 3,2 kg mish, 100 gram në ditë, dhe ai me pension të lartë 5 kg mish ose 170 gam në ditë. Ndërsa ai me pension të ulët nuk përballon dot ḉmimet as me pensionin mujor që merr, për ironi të këtij fati përcaktuar padrejtësisht, përfiton edhe më pak nga indeksimi. Dhe kjo diferencë thellohet vit pas viti duke bërë indeksimin në përqindje.
Nëse qeveria ka detyrim për të bërë indeksimin nga inflacioni, duhet përcaktuar për cilat shtresa e shtresëzime të popullsisë, apo dhe deri në ḉ’masë përfitimi të të ardhurave të tyre duhet të bëjë indeksimin. Nëse bën indeksimin e pensioneve përse nuk e bën këtë edhe për kadegori të tjera me të ardhura më të pakta se pensioni mesatar, siḉ janë, jetimët, personat me aftësi ndryshe, ata me ndihmë ekonomike, përfitimet e bursave, e kategori të tjera sociale, që përfitojnë si persona jo active për punë. Më së shumti qeveria është e obliguar të kombësojë inflacionin për ata me të ardhura më pak se minimumi jetik pasi këta e vuajnë më shumë. Për fat të keq këta ose nuk indekson, ose në rast indeksimi në këtë mënyrë përfitojnë shumë pak, nga kjo masë e rëndësishme e qeverisë.
Meqënëse pensioni mesatar është i përafërt me minimumin jetik i gjithpranuar tashmë, rreth 200 euro, të paktën kjo shumë të merret si bazë për të bërë indeksimin e inflacionit. Disa shtete e kanë sa 50% e pagës minimale, por që në Shqipëri kjo shumë është gati e njëjtë me pensionin mesatar. Pra nëse marrim si shembull indeksimin e Tetorit 4,1%, përfitimi nga pensioni mesatar është 752 leke, kjo të ishte shuma e indeksimit për të gjithë pensionistët pavarësisht masës së pensionit që ata marrin. Do të ishte më e drejtë, më e arsyeshme, më e pranueshme, e më e thjeshtë në zbatim. Nëse më parë për pensionet kishte një minimum përfitimi dhe dyfishi i saj, maksimumi, prej disa vitesh është hequr kufiri ndalues i maksimumit. Sot kemi pensione deri në dhjetëfishin e pensionit mesatar, po kështu dhe pensione të veḉanta sa dhjetëfishi i pensionit social, që e kalojnë pagën minimale disa herë. Me të drejtë mund të thuhet se, nëse ka pensionistë që e kanë masën e përfitimit më të lartë se rroga minimale, dhe përfitojnë nga indeksimi, përse punëtorët me këto paga nuk e kanë këtë të drejtë? A nuk është kjo një tjetër anomali? Siḉ nuk indeksohen edhe shumë persona jopensionistë, por që përfitojnë nga shteti pagesa nën pensionin mesatar e më keq akoma, ata që marrin më pak se pensioni social. Këta të fundit e vuajnë më tepër rritjen e ḉmimeve e nuk indeksohen asnjëherë. Familjet me ndihmë ekonomike, të cilat nuk e kalojnë pensionin social edhe sikur të jenë me pesë antarë e më tepër, jetimët, nënat me shumë fëmijë, ato në proces divorci, e mjaft grupe të tjera sociale. Në këtë vendim nuk përfitojnë as personat me aftësi ndryshe. Pra, nëse kemi persona që përfitojnë nga indeksimi sa 20-fishi i asaj që merr pensionisti me pension social nga kjo masë e qeverisë, ka grupe të tjera sociale që marrin pagesa më pak se ky pension dhe nuk indeksiohen.
Edhe pse e drejta për jetën është e garantuar me kushtetutë, dhe në nenin 18 të saj thuhet, se “Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore,”: por grupet sociale e përmendura më lart janë të diskriminuara ekonomikisht, jo vetëm nga pagesat e ulta mujore që marrin përherë, por edhe nga indeksimi i përvitshëm. Ndoshta miratimi i një ligji për mbrojtjen e këtyre shtresave sociale, do detyronte çdo qeveri pavarësisht nga ngjyra e partive në pushtet, të tregoheshin më të arsyeshme qoftë për të ardhurat e tyre edhe indeksimin e përvitshëm. Kjo do bënte të mundur ndarjen në dy shtylla në buxhetin e shtetit, të indeksimit ndryshe nga ajo e rritjes së pagave dhe pensioneve. Ndërsa indeksimi duhet të jetë detyrim, deri në një masë të catuar përfitimi që të mos cënohet cilësia e jetës, rritja e pagave dhe pensioneve si mundësi nga programet e partive që janë në pushtet ose e synojnë atë në prag zgjedhjesh. Nga mënyra se si do bëhet e mundur krijimi fondeve të nevojshme dhe masa e rritjes së pagave e pensioneve do të dukej performanca e ḉdo qeverie, por pa prekur fondin e indeksimit të përvitshëm.






















