Jam hije, tashmë duhet të mësohem….

749
Prof. Përparim Kabo

Nuk ishte shumë vonë por edhe si ndodh në dimër në mbrëmje rrugët zbrazen herët, njerëzit mbyllen në shtëpi kur bie shi…Ajo po kthehej për në banesën e saj. Ishte vetëm ose më saktë ishte Ajo dhe trishtimi saj…Qëkurse nuk ishte më qeveritare ndjente, se sa herë dilte në rrugë e shikonin ndryshe, si me keqardhje, sikur i thoshin pas shpine …”E shkreta kjo e hoqi udhëheqësi nga ekipi vetë”…Edhe kur ato fjalë nuk ia thoshin ajo i mërmëriste vetë së brendshmi, dhe më tej shtonte…,madje më përdori, bëra gjithçka që më tha, më tha, them…po çne më tha, më urdhëroi, ose më mirë, që të jem e sinqertë me veten së paku, më ulëriti:… Bëji…Sa herë e mendonte këtë gjë po aq herë ndjente se diçka i këputej brenda vetes. Dhe ja kjo natë dimri tek i afrohet banesës së saj aty pari kaloi Ai që kishte kohë që as shikimin nuk i hidhte. Ajo u bë gati t’i fliste, madje edhe buzët mërmëritën një mirë mbrë…ma…por jo nuk ndodhi… Ai kishte qenë dinjitoz në çdo kohë dhe rrethanë. Ajo solli në mendje atë ditë të konkurrimit për një detyrë të lartë, ku ishin paraqitur 10 kandidatë, njëri prej të cilëve ishte Ky/Ai që as shikimin nuk i hidhte më. Një ditë më pas udhëheqësi i thirri në zyrë dhe bënte be rrufe, se ishte e vështirë kë do zgjidhte, dhe Ajo që ishte kryetare e komisionit dridhej se e dinte që gjithçka ishte paracaktuar, konkursi ishte farsë. Ai që nuk i hidhte dhe shikimin më, ia përveshi udhëheqësit pa iu dridhur qerpiku…Krenaria e tij, qetësia në argument e kishte lënë atë gjithnjë gojë hapur. Si u shkëmbyen këtë mbrëmje ai mori kthesën dhe i la shpinën. Ajo hyri në shkallën e pallatit ku banonte dhe mori ashensorin. Në pasqyrën e tij vetja iu duk si hije, një gjë e zbehtë, pa jetë, e fikur. Kur hyri në shtëpi gati sa nuk ia dha të qarit. Tani nuk e kishte me atë që nuk i foli, e kishte me veten. Ato katër vite si qeveritare të gjithë i flisnin, telefoni nuk pushonte, ftesa pa fund, vetja i dukej e bukur, komplimente ngado për flokët, për lookun, për veshjen, madje i bënin komplimente pa fund edhe për ecjen, për theksin e anglishtes…edhe për ajrin që e rrethonte. Sa ra nga korrikja e postit, gjithçka humbi, u shkri si dëbora kur del dielli…Telefoni nuk dinte më të binte, tek parukierja kishte radhë, shumë harruan dhe për Vitin e Ri ta uronin…O zot tha me vete, kush jam unë?! Mbase jam hije dhe ndjeu se kishte bërë shumë gabime, por më i madhi gabim kishte qenë se një ditë kaloi pragun për të mos qenë vetja, dhe e la dinjitetin për një post qeveritar. Mallkuar, tha ajo ditë dhe ndjehu në grykë një lëmsh që donte të shndërrohej në lëng dhe përmes syve të dilte jashtë…Ashtu ndodhi, e mbyti dënesa…Jam hije, tashmë duhet të mësohem, tha me vete…! 
Nga cikli ” Jeta sa një episod”


Sigal