Intervista/ Ylli Asllani: UNESKO, hapi më i rëndësishëm i vlerësimit të vlerave arkitektonike të Gjirokastrës dhe rrugëtimi i bashkisë për aprovimin

Ylli Asllani

Ja si hartuam planin deri në arritjen e vlerësimit të Gjirokastrës nga UNESCO-ja, si një shembull të rrallë të qytetit të mirëmbajtur që ruan vlera unikale arkitekturore dhe muzeale për kulturën shqiptare, atë europiane dhe më gjerë…

Intervistë me Ylli Asllani, ish kryebashkiak i Gjirokastrës

– Kanë kaluar 20 vjet nga dita e përfshirjes së Gjirokastrës në listen e pasurive te trashegimisë kulturore botërore UNESKO! Si lindi idea!

Sigal

Gjirokastritët kanë qenë përherë të vetëdijshëm për bukurinë e trishtë dhe vlerat arkitektonike të vendlindjes, ashtu dhe për adhurimin dhe dashamirësinë e të tjerëve ndaj magjisë së saj!

Pas shpalljes së qytetit muze në vitin 1961, ata janë mikluar gradualisht nga idea e përfshirjes së qytetit në pasurinë kulturore botërore UNESKO, si hapi më i rëndësishëm i vlerësimit të vlerave arkitektonike të vendlindjes së tyre!

Në ato momente unë besoja se për të udhëhequr një komunitet duhet një lejtmotiv kryesor..! Një objektiv konvergues, i cili do të përfshinte energjitë dhe do të integronte gjithë projektet e tjerë të qytetit.

Në rastin e Gjirokastrës kush më mirë se beteja për UNESKON do ta kryente këtë rol !

Fillimisht dëshira e qytetit për listën e UNESKO-s u mendua si certifikim i kësaj hijeshie monumentale… Por në në vitet 97-të u konsiderua si një këmbanë alarmi për të sensibilizuar rënimin e vlerave të saj monumentale, dhe së fundmi u konceptua si një mundësi zhvillimi në projektin e një turizmi kulturor.
Gjirokastra

Sidoqoftë, edhe pse gjirokastritët e ëndëronin këtë shans, kërkush nuk e kish kërkuar zyrtarisht një gjë të tillë, të paktën deri në castet kur unë u zgjodha Kryetar Bashkie.

Dëshira për UNESKO doli më në pah në demokraci, pasi diktatura nuk ka qenë e prirur dhe e tunduar shumë prej këtij vlerësimi nga bota kulturore e konsideruar “ borgjeze”…

Fati monumenteve gjatë monizmit, sikurse vetë metamorfoza e diktaturës kishte njohur promovimin, lulëzimin, por dhe degradimin e rënien e tyre .

Demokracia në Shqipëri erdhi e brishte, dhe investimi në monumente dukej për momentin luks i tepert perpara varfërise së tejskajshme të trasheguar. Ne këtë menyrë shumë vlera të trashegimisë sonë kulturore u gjenden para rrezikut të asgjësimit.

Situata u keqësua akoma me tepër në krizën e vitit 1997. Gjirokastra përjetoi dëmtime e shkatërime të mëdha krahas të tjerash dhe në monumente. Anarkia i zuri vendin shtetit ligjor. Askush nuk e kish mendjen tek monumentet.

Kështu për të dalë nga kjo situatë, vec përpjekjeve vendore e shtetërore u pa e nevojshme se duhej një solidaritet ndërkombëtar.

Vizitën e parë në 1996, në zyrën time si Kryebashkiak e patën kryer një nga specialistët më të mirë bashkëkoohor të trashëgimisë monumentale, arkitekti Bernard Buzu dhe një tjetër personalitet i UNESKO-s. Të dy adhurues të banesës tonë karakteristike dhe miq të Gjirokastrës! Nuk ka të qytet të dytë në botë, më shprehej Z. Bernard duke më ngacmuar idenë e UNESKOS sa herë e takoja…!

Ndaj në rrokopujën e kohës, UNESKUA ishte i pari institucion që më erdhi ndërmend, edhe pse na duhej të udhëtonim në një terren të panjohur…

Në ndihmë na erdhi Ministria Franceze e Kulturës. “La maison de culture du monde” . Miqtë francez enkas më siguruan një muaj trajnim 1 mujor për gjestimin e trashëgimisë në Francë. Të cilin do të mund ta shfrytëzonim për të trokitur në dyert hijerënda të UNESKO-s…

Në fillim të vitit 1998 hartuam një plan me miqtë e mi, Paskal Hamon te shoqatës Francë – Shqipëri dhe atasheun kulturor të Ambasadës së Francës Z. Michel Tarran:

Ideja ishte që përtej formalizmave burokratik të synonim dorëzimin e dosjes së Gjirokastrës direkt në zyrat e UNESKO-s, nëpërmjet një Konference sensibilizuese në Paris, para një auditori me të gjithë ambasadorët evropianë të akredituar ne UNESKO,

Kjo ishte dhe zgjidhja me origjinale, por dhe me efikase e me vlerë. Me këtë plan ne dorë Tetorin e vitit 1998 udhëtova posaçërisht drejt Parisit për të dorëzuar kërkesën për përfshirjen e qytetit ne gjirin e UNESKO-s. Konferenca u zhvillua në pallatin e Burbonëve, pranë Parlamentit francez.

Me tepër se një medalje për bukuritë e humbura ne fakt kërkesa jonë modeste ishte një sinjal alarmi për frenimin e shkatërrimeve te vlerave monumentale te qytetit.

Jo pa qëllim dosjen e dorëzuar pranë autoriteteve të UNESKO-s e quajtëm ” Gjirokastra Sos”.

Në atë konference me vete kisha një dosje të kompletuar nga bashkëpunëtoret e mi, inxhinieret e talentuar te bashkisë Arben Lenja , Pilo Koçi e Njazi Çobani si dhe nga specialistet e mirënjohur te monumenteve te kulturës Emin Riza, Eli Buka, Latif Lazimi e Jorgo Xuhano.

Në konference u kujdesëm që krahas shefit të UNESCO-s Fredriko Major dhe trupit diplomatik te merrte pjesë gjirokastriti me i famshëm Z. Ismail Kadare, ambasadori ynë ne UNESKO Z. Jusuf Vrioni si dhe shume dashamirës të Gjirokastrës ne Paris.

Nga debati konstatova se qyteti ynë dhe sidomos banesa gjirokastrite ishte mjaft e dashur për te gjithë të pranishmit. Ndërkohë Kadareja ishte idhull letrar i pothuajse te gjithë te pranishmeve dhe kishte padyshim një ndikim te padiskutueshëm.

Ne përfundim të Konferencës Z. Frederiko Major, Drejtor i përgjithshëm i UNESKOS pasi vlerësoi shqetësimin, më njohu me bashkëpunëtorët e tij dhe theksoi hapat e mëtejshme që duhet të bënim, si dhe na siguroi për angazhimin e tij ne ndjekje te problemit…

Kështu në kthim, krahas vlerësimeve e solidaritetin për qytetin, kishim me vete edhe paketën e plote teknike qe duhet te plotësonim, lobingjet e mundshme si dhe hartën e rrugës sonë te re qe duhej te përshkonim.

Na duhej pas kësaj te ndiqnim skenarin e rekomanduar tyre.

– Sa kohë u desh deri në pranimin përfundimtar ?

Paraprakisht do të theksoja se përpjekja jonë nuk ishte thjesht një retorikë apo një lutje e emcionale, por një marrje përgjegjësie dhe detyrash të vështira!

Në Tetor 1998 udhëtimi drejt UNEKOS sapo kishte nisur dhe rruga ishte e gjatë. Do të duheshin edhe 5 vjet te tjerë përpjekje në arritjen e qellimit.

Deri në vitin 2001 përpjekjet e Bashkisë ishin të vetme dhe realizuan gjithë kërkesat që i takonin si qytet përfitues.

Projekti dhe Dosja e parë e aplikimit zyrtar u përpunua në periudhën 1998 – 2000 nga bashkia e Gjirokastrës.

Duhet theksuar se UNESKO nuk mund të trajtonte kandidatë pa plotësuar disa kushte paraprake.

  • Së pari qyteti duhet të kishte një plan menaxhimi urban dhe planifikim territori, i cili duhej harmonizuar me idenë dhe rregulloren e ruajtjes së vlerave të trashëguara.
  • Duhej së dyti rekomandim zyrtar nga Site monumentale të përfshira në listën UNESKO.
  • Së treti duheshin gjetur dhe kontraktuar specialistë ndërkombëtar te certifikuar nga UNESKO të gatshëm për të dhënë asistencë teknike për Gjirokastrën.

Të tre këto kushte ne i plotësuam brenda 2 vjetëve me ndihmën e miqve te qytetit të cilët nuk mungonin edhe në sferat më të larta të vetë UNESKO-s.

Këtu gjej rastin të shpreh mirënjohjen për mbështetjen dhe rekomandimin qe dhanë Ministria Franceze e Kulturës, ICOMOS-i Italian dhe Grek, Bashkia Materës ne Itali , Bashkia Athine me kryetar Dhimitër Avramopullin, Universiteti Peskarës, studio Fabricio Toressi, Fondacioni Pakard si dhe në veçanti Rajoni Markeve dhe mikun tim të dashur Kryetarin Massimo Rosi, të cilët realizuan në këtë kuadër Hartën aerofogrametrike, Studimin sizmiologjik, Projekt rregulloren e Hartimin e planit të menaxhimit te zonës historike, si dhe pasaportizimin e te gjithë monumenteve kategorisë së parë e të dytë…

Pas vitit 2001 largimi i stafit të parë të bashkisë do ta vështirësonte perspektivën. Qeveria dhe posacerisht ambasada jonë në UNESKO ende nuk ishte involvuar institucionlisht. Duhej patjetër që dikush të vazhdonte zyrtarisht partneritetin…

Ishte fat, që në vitin 2001 në UNESKO fillon misionin si ambasadore Zj. Tatjana Gjonaj.

Ajo do ti jepte impulse dhe dinamizëm projektit, si dhe do të realizonte me mjeshtëri një diplomaci efikase deri në arritjen e objektivit final!

Presidenti Mejdani dhe Kryeministri i kohës Meta pas kësaj do të vizitonin selinë e UNESKO-s dhe do ti jepnin një rritëm të ri kauzes gjirokastrite.

Vendimin përfundimtar për shpalljen e qytetit muze të Gjirokastrës, Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore, e mori Komiteti i Trashëgimisë Botërore i mbledhur në sesionin e 29 të tij në Durban të Afrikës së Jugut, nga data 10-17 korrik 2005.

Cili ishte reagimi UNESKO-s pas këtyre hapave nga bashkia e Gjirokastrës?

Sinjali shumëpritur i pranimit erdhi prej Drejtorit te Përgjithshëm te UNESCO-s japonezit Koichiro Matssura!

Ne Shtator te vitit 2001, Shefi UNESKO-s erdhi posacerisht në Gjirokastër edhe me nxitjen e idhullit të tij Ismail Kadaresë.

Aty ai deklaroi se Dosja Gjirokastra ka përkrahje e tij dhe meritonte të hynte në Listën e Pasurive Botërore!

Këto hapa do të zgjonin interesin tashmë edhe të qeverisë shqiptare të kohës, duke u përfshirë diplomatikisht, nëpërmjet inisiativës efikase të ambasadores tonë në UNESKO Zj. Tatjana Gjonaj.

Ne vitin 2003 dosja e Gjirokastrës do të kërkohej të elaborohej me tej nga, ekspertet e UNESKO- s drejtuar nga Prof. Emin Riza si dhe ekspertë të licencuar ndërkombëtar.

Maj 2004, vizitojnë Gjirokastrën 5 ekspertë të UNESCO-s, të cilët verifikojnë nga afër problematikën e ruajtjes së monumenteve në Gjirokastër.

Në këtë delegacion bënin pjesë ish-drejtori i UNESCO-s për Evropën Juglindore Horst Godicke, arkeologu francez Prof. Pierre Cabanes, Sekretari i Përgjithshëm Ndërkombëtar i ICOMOS kanadezi Dinu Bumbaru, bizantologu italian Gianclaudio Macchiarella dhe përfaqësuesi i zyrës së UNESCO-s në Venecia, kroati Damir Dijakoviç.

15 Korrik 2005 erdhi vendimi final i pranimit pas një lobimi impresionues, në veçanti të ambasadores sonë në UNESKO Zj. Tatjana Gjonaj.

– Të rikthehemi tek idea e fillimit të përfshirje së Gjirokastrës. Kush ishte qëllimi dhe cilat ishin përfitimet e qytetit nga kjo pjesëmarrje në listën e pasurisë botërore!

Momenti i formulimit të kërkesës sonë nuk ishte shumë frymëzues, pasi kishte disa vite që SHBA ishte tërhequr nga donacionet e saj ( rreth 64% e buxhetit)… Këtë fakt, ma tha me keqardhje një nga miqtë e mi francez, dhe me këtë sikur donte të maste vendosmërinë tonë…

Por qëllimi ynë në përfshirjen ne UNESKO nuk kishte të bënte thjesht në ndihmat monetare. Ai synonte në tre drejtime:

  • Së pari, hyrja në të këtë listë do të sillte vëmendje, përkujdesje më të madhe ndaj trashëgimisë sonë dhe si rrjedhojë edhe frenim të shkatërrimeve dhe rritjen e investimeve në monumente.
  • Së dyti, një emblemë e UNESKOS në portën e qytetit do te ishte ftesa me efikase e thithjes se donatoreve dhe turizmit ndërkombëtar.
  • Së treti, mbykqyrja nga UNESKO e restaurimeve, apo çdo projekti dhe studimi në qytet.ishte i shumë i rëndësishëm për ne.

Koha vërtetoi se benefitet ishin të pa imagjinueshme.

Në fushën e turizmit në këto 20 vjet ka patur një rritje galopante. Nga 10 mije turistë në vit numri tyre ka shkuar në 350 mije, me tendencë rritje. ( Pa marrë parasysh këtë vit …)

Numri i Hoteleve është rritur nga 5 hotele ne gjendje jo te mirë në mbi 25 Hotele të shkëlqyer dhe përshtatjen e qindra Gest House ne gjithe qytetin.

Pjesa më e madhe e tyre janë ndërtuar në banesat karakteristike…

Gjithashtu është rritur ndjeshëm vëmendja e donatorëve. Banka Botërore, Fondi Shqiptaro Amerikan, Dojce Bank dhe shumë agjensi investuan miliona dollar në monumente, infrastrukturën dhe shërbimet publike të qytetit.

Nëpërmjet fondeve të tyre u restaurua Pazari Gjirokastres, Keshtjella, Rrjeti inxhinierik i ujësjellësit e kanalizimeve, Ndricimi monumental, Sinjalistika, Parkingu nentokësor në Sheshin e Cercizit etj…

Nga një qytet shpresë prerë Gjirokastra ka kapur fillin e një zhvillimi të ri me qendër turizmin kulturor.

Natyrisht një destinacion turistik si Gjirokastra është i rëndësishëm për gjithë rajonin dhe ciklet e tij turistik.

Gjirokastra tashmë i jep jetë dy cikleve turistikë të rëndësishëm :

I pari: Gjirokastër-Sarandë-Korfus-Janine dhe së dyti Sarandë-Butrint- Gjirokastër- Vlorë-Berat. Pa përmendur ciklin turistik kombëtar.

– Pse Gjirokastra meritonte të regjistrohej në listën e trashëgimisë botërore?

Arsyet e përfshirjes së Gjirokastrës në UNESKO ishin të shumta.

Arma më e fortë ishte vlerësimi që kishin specialistët ndërkombëtar për banesën karakteristike gjirokastrite. Ajo konsiderohej e pakrahasueshme dhe një shembull unikal në gjithë hapësirën evropiane.

Dua të theksoj se një nga detaj që i ka tërhequr studjuesit e UNESKO-s ka qenë dhe kuturisja e themeluesve Gjirokastrës për të ndërtuar një qytet në një truall, ku nuk ekzistonin kushte normale vendbanimi…! Ishte një lloj sfide, që gjirokastritët ja kishin dalë ta krijonin aq me mjeshtri e finesë! Pra kishte lindur një qytetërim në shpatin e thatë të një mali pa ujë, bimësi, dhe aq më tepër që një bashkësi e tillë vlerash arkitektonike ishte e organizuar aq mjeshtërisht e me shumë guxim në një reliev tepër të përthyer. Ky fakt i pezmatonte adhuruesit e qytetit sa herë që binin në kontakt me historinë e tij

Problemi i vetëm që i shqetësonte adhuruesit të qytetit ishte tek lashtësia, pasi UNESKO fokusohej më tepër në qytetet e lashtë antik…

Për këtë ne u ofruam shumë fakte e argumente që Gjirokastra përveç vlerave mesjetare mbarte dhe histori të lashtë. Duke filluar me zanafillën e saj 3-4 shekuj p.e.s. Vetë specialistët e UNESKO-s konstatuan se Qëndra Historike konsiderohet një banim ende i pazbuluar plotësisht… Themelet dhe disa mure mbajtës të Kalas, si dhe shumë artifakte flisnin për vendbanim me të njëjtën moshë me qytetin Antigonesë së Piros së Epirit. Katakombet e pazarit ishin tepër mbresëlenëse dhe përmbajnë ende gjurmët e një qendre më të lashtë se mesjeta.

Ndërkohë për të treguar lashtësinë bizantine të qytetit, i cituam pohimin e vetë kronikanit turk Evlia Celebi në shek. 15-të… Ai shkruante atëhere se, “ Kemi mbërritur në një qytet të çuditshëm me shtëpi, obori i të cilave rrethohet me mure të mëdha, të cilët janë ndërtuar nga të pafetë shumë kohë para ardhjes së turqve në Ballkan…”

Megjithatë përkundrejt fakteve të sipër përmenduar UNESCO-ja u përqëndrua më shumë tek mjeshtëria arkitektonike e banesa karakteristike dhe e vlerësoi Gjirokastrën, si një shembull të rrallë të qytetit të mirëmbajtur otoman, që ruan vlera unikale arkitekturore dhe muzeale për kulturën shqiptare, atë europiane dhe më gjerë…

-Gjirokastra dhe Berati, cilat janë ngjashmëritë dhe ndryshimet midis dy qyteteve?

Në fakt arsye e ngjashmërisë së dy qyteteve ishte argumenti që u përdor përfshirjen edhe të Beratit në listën e UNESKO-s.

Së pari të dy qytetet e kanë zanafillën në konceptin e krijimit të Qyteve – Kështjellë. Ngjashmëria tjetër konsistonte tek stili arkitektonik i ndërtimit, pamjet e fasadave të banesave, përdorimi i gurit dhe drurit si materiale bazë ndërtimi, mënyra e kultura e njëjtë e jetesës në këto objekte muzeore, dhe shumë anë të tjera konstruktive.

Dallimi kryesor midis dy qyteteve është se Berati ka vetëm dy lagje me vlera muzeore, kurse trashëgimia në Gjirokastër përfshin pothuaj gjithë lagjet.

Gjirokastra ndryshe nga Berati është qytet unicentrik mjaf i organizuar nga ana urbane. Pazari Gjirokastrës është unikal dhe poshtë tij egzistojnë katakombe si askund tjetër.

Kurse ndërtimet në Berat janë uniformë në formë blloqesh dhe të vendosura poshtë kalasë jo sipas një qendre.

Duhet përmendur se Kalaja e Beratit është më e lashtë se e Gjirokastrës dhe ka qenë dhe vazhdon të jetë përherë e banuar.

Dallimi tjetër është tek forma, funksioni dhe madhësia e banesave. Banesa gjirokastrite është tip kështjellë, e rrethuar me mure të lartë, me oborre dhe bahçe, si dhe vend banimi për shërbyesit. Ndërsa banesa beratase vjen më e thjeshtë, fine dhe pa shumë hapësira ndihmëse.

– A keni punuar me qytetin e Beratit për të arritur në UNESCO?

Jam involvuar indirekt si detyrim shtetëror, por edhe i bindur për vlerat e mëdha të trashëgimisë monumentale të Beratit. Në atë kohë kam qenë Këshilltar i Kryeministrit për Qeverisjen Lokale dhe Trashëgiminë rajonale. Nderkohë vazhdoja të mbaja lidhje me ambasadoren tonë në UNESKO Tatjana Gjonaj, një gjirokastrite tepër me intuite dhe aktive, e cila zhvilloi një fushatë të paparë në dobi të Beratit.

Kryeministri Berisha kishte gjithë kulturën dhe vëmendjen e nevojshme për involvimin e siteve shqiptarë në pasurinë e njerëzimit. Pas Gjirokastrës dhe isopolifonisë synimi i qeverisë së tij, në vitet 2006-2008 ishte përfshirja edhe e Beratit në listën e pasurisë botërore.

Instituti Monumenteve drejtuar nga Z. Apolon Bace e Z. Lorenc Bejko dhe sidomos Ministrat e Kulturës, Z. Bujar Leskaj dhe Z. Ylli Pango ishin fokusuar intesivisht dhe kishin plotësuar argumentet teknike e kulturorë të Beratit.

Kështu në fund të Shkurtit t 2006 dosja e Beratit u nis nga Ministria e Kulturës drejt betejës në UNESKO për tu finalizuar me sukses në verën e vitit 2008!

Po kështu, Prefektura dhe Bashkia po bënin goxha sensibilizim dhe diplomatik. Prefekti Bejko dhe Kryebashkiaku Nasufi, si dhe stafet e tyre kishin tashmë gati një dosje të kompletuar me specialistët më të mirë për te gjithë obligimet e bashkisë dhe rajonit…

Për UNESKON, klima e bashkëpunimi dhe detyrat e autoriteteve vendore ishin prioritare në realizimin e objektivit të tyre, ne listimit në pasurinë kulturore të njerëzimit!

Por, problemi për pranimin e Beratit ishte se Komiteti vendimmarrës i UNESCO-s nuk pranonte qytet tjetër nga Shqipëria në harkun e kaq pak kohe. Në këtë pikë ata ishin të prerë!

Pikërisht, kur shpresat u venitën, erdhi në ndihmë ngjashmëria mes dy qyteteve dhe diplomacia kulturore. Në këtë mënyrë nga dashamirësit tanë në UNESKO, nëpërmjet ambasadores Gjonaj na u sugjerua që kërkesa për Beratin të formulohej në trajtë patronazhimi tek i njëjti sitë me Gjirokastrën.

Kështu u desh që Instituti Monumenteve dhe Kryetarët e Bashkive të dy qyteteve të nënshkruanin një akt mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe partneriteti. Do të vlerësoja këtu fisnikërinë, dashmirësinë dhe gadishmërinë e Gjirokastrës…!

Mbi këtë bazë u formulua edhe kërkesa dhe në datën 8 Korrik të vitit 2008 në konferencën e rradhës të mbajtur në Kanada u krye regjistrimi i Beratit në Listën e UNESKO-s .

– UNESKO i regjistroi të dy qytetet si të njëjtin site. A jeni ju personalisht dakord me këtë vendim?

Natyrisht! Lajmi që UNESKO do të pranonte edhe Beratin si pjesë e trashëgimisë Botërore të kulturës na entuziazmoi, pavarësisht se ishte në sitin e Gjirokastrës. Kjo do të ishte një arritje e madhe për trashëgiminë tonë monumentale!

Nuk duhet ta humbisnim këtë shans për meskinitete pa kuptim. Madje në formë demonstrative në këtë situatë Bashkitë dhe Prefekturat e dy qyteteve organizuan shumë aktivitete të përbashketa sensibilizuese dhe solidarizuese, krahas marëveshjes së mirëkuptimit të kërkuar nga UNESKO .

Nga ana tjetër personalisht ndjeja edhe nje obligim më shumë…Pasi kur po prezantoja Dosjen e Gjirokastrës, miqtë e mi francez më kërkuan taktikisht të mos përmendej Berati apo ndonjë ceshtje tjetër, pasi shperqëndrohej audienca, dhe dihej që UNESKO pranonte vetëm një sitë…

I thoja me humor Kadaresë, duhet ta porositim edhe Z. Vrioni mos ngatërohet në fjalën e tij dhe fillon të flasë për Beratin, qytetin e tij të lindjes… Gje e cila sikurse u pa ishte e pamundur për Ambasadorin e nderuar…! E dua Gjirokastrën për bukurinë, por edhe se ngjan si dy pika ujë me vendlindjen time Beratin…! tha ai mbyllur fjalën e tij.

– A ka një garë midis dy qyteteve në ditët e sotme në lidhje me turizmin?

Nuk mendoj se ka arsye për konkurrencë të dëmshme, përkundrazi dy qytetet plotësojnë dhe kanë shumë nevojë të bashkëpunojnë me njëri tjetrin.

Gjirokastra dhe Berati janë destinacione të veçanta, por edhe pjesë e cikleve të njëjtë turistike.

Arritjet e secilës janë një bazë e mirë për shkëmbimin e eksperiencave, rritjen e bashkëpunimit dhe nxitjen e konkurshmërisë së pastër.

– Nëse Gjirokastra nuk do të regjistrohej në sitin e trashëgimisë botërore, si do të dukej qyteti tani (në lidhje me zhvillimin, ekonominë, turizmin …)

Gjirokastra është një qytet që i ka mbijetuar kohërave. Por duhet theksuar se shumë nga arsyet të cilat atë e kanë shndërruar dikur në kryeqendër të jugut të Shqipërisë po zveniten dita-ditës. Në harkun e një dekade prej saj janë larguar të gjithë institucionet rajonale, si gjykata, arshiva e shumë drejtori të tjera… Shumë degë të ekonomisë, zejeve tradicionale, bujqësisë, artizanatit janë lenë pas dore dhe po shuhen gradualisht ….! Universiteti dhe Spitali po atrofizohen! Kështu e ardhmja duket e turbullt dhe dhe jo shume optimiste. Prandaj duhen alternativa energjike përkrah ndihmës që po i jep turizmi kulturor dhe ai i monumenteve!

Nga 15 Korriku 2005 qyteti nuk është më i vetëm në përpjekjet e tij për mbijetesë! Përfshirja në UNESKO i ofroi mundësinë e një zhvillimi të ri e të qëndrueshëm, në bazë të të cilit do të ishte industria e turizmit kulturor. Prezenca në UNESKO i dha një dimesion të ri ëndrës së magjisë gjirokastrite, dhe nëse përdoret me racionalitet do të jetë një garanci për një zhvillim afat gjatë.

Faktori UNESKO-s e ka shndërruar atë në një treg kulturor të kërkuar, dhe po e bën edhe më tepër tërheqës për donatorët dhe investitorët. Mendoj se nëpërmjet turizmit duhet të marrin jetë edhe shumë degë të ekonomisë si agro bisnesi, manifaktura, nënproduktet blegtorale dhe gjithë infrastruktura në përgjithësi.

Pavarësisht vështirësive të momentit, Gjirokastra do të jetë e aftë ti sigurojë brezave të ardhshëm mbijetesën dhe do të nxisë dëshirën për ta vizituar dhe jetuar në këtë qytet.

Mendoj se edhe në të ardhmen do të mund të ekzistoje dhe ti rezistojë rrebesheve të fatit!

Ndonjë detaj nga 15 Korriku i vitit 2005…!

Ditën e përfshirjes së Gjirokastrës më telefonoi Ambasadorja Gjonaj ! E emocionuar më dha lajmin dhe tregonte cdo detaj të shpalljes nga UNESKO të fituesve. Atë ditë krahas pranimit të Gjirokastrës u përfshinë në Pasurinë Kulturore të Njerëzimit edhe 32 këmbanoret e famshme të Flandrës nga Belgjika…

E bukura ishte se procedura e njoftimit për to kaloi e qeë dhe pa ovacione, por kur u përmend emri Gjirokastrës entuziazmi i gjithë pjesëmarrësve ishte shpërthyes e plot brohëritje… Kolegu Belg i cili nuk e provoi këtë simpati, i cuditur i thotë ambasadores sonë, se nuk e kisha kuptuar më parë që qyteti juaj ka patur kaq shumë fansa..!

Gjirokastra ka shumë adhurues në gjithë botën! Duhet vetëm të dish ti ftosh…! Jam i bindur që ata do të rikthehen perherë e më shumë për ta vizituar qytetin e bukurisë së përjetshme!

– Ju falenderoj për bisedën e cila e pasuron edhe më tej tabllon e qytetit të gurtë! Për ta mbyllur!

Në vitin 2006 do të rikthehesha sërish në Paris. Këtë rradhë për të takuar Drejtorin Përgjithshëm te UNESCO-s japonezin Koichiro Matssura. Ai që në vitin 2001 na premtoi hyrjen në UNESKO dhe që në vitin 8 Korrik 2005 e bëri fakt!

I kisha kërkuar kryeministrit Berisha 500 mijë $ për Gjirokastrën si angazhim dhe përkujdesje e qeverisë shqiptare ndaj vendimit të UNESKO-s.

Së dyti i sugjerova që këtë shumë tja kalonim UNESKOS, si shenjë falenderimi në rradhë të parë; por dhe si kontributi i partnerit vendas në projekte të ardhshme, dhe së treti ti kërkonim UNESkO-s që brenda brenda kësaj shume të ofronte ekspertizën e saj të lartë në reabilitimin e disa banesave të shquara si Angonatë, Kadare, Kabilatë etj. Ashtu sikurse edhe ndodhi në vitet që pasuan.

Kryeministri me shumë dashamirësi, këtë shumë e rriti në 1.3 milion $, dhe në këtë mënyrë unë së bashku me kolegun Pteraq Milo, që mbulonte financat publike u nisëm dhe takuam Z. Matssura. Një takim i papërsëritshëm! Gjesti ynë u mirëprit dhe ishte sinjal i një mirëkuptimi të më vonshëm për Beratin e më tej..!

Përfshirja në listën e pasurisë kulturore botërore ishte një arritje e madhe për qytetin e gurtë! Por dihet se suksesi nuk është asnjëherë përfundimtar, ndaj duhet punuar cdo ditë ndaj sfidave të reja…

Si po shkojnë punët sot?

Sot sfondi është po aq i bukur dhe tërheqës për vizitorë të huaj dhe turistë! Por qendra historike po e humb thelbin e vet dhe shpirti qytetit po shuhet dalëngadalë nën ritmin e një pseudo zhvillimi! Në pazarin karakteristik nuk ka më aktivitete zejtare, bankare, juridike apo administratë e ndërmarrje shërbimesh publike që mbanin të ndezur dikur flakën e qytetarisë e të zhvillimit!

Banorët e paktë që i kanë shpëtuar shpopullimit janë kthyer në dëshmimtarë të një farse të re me emrin turizëm muzeal!

Dita ditës dyqanet plot dhurata, bizhuterish, kinkalerish, lokalet, shërbimet e hotelet e qendrës po bëhen përherë e më të shtrenjta e më të huaja për gjirokastritët! Banorët e paktë që i kanë shpëtuar shpopullimit janë kthyer në dëshmimtarë plot dhembje të një farse të re turistike!

Tregu i sotëm turistik, bashkë me mikpritjen, më shumë se kurrë ka nevojë për produktet bio të blegtorisë, vreshtarinë, artizanatin e zejet tradicionalë të krahinave jugore! Por ka më shumë nevojë edhe për kulturë jetese, ujë, pastërti e mundësi zhvillimi!

Në këtë kuptim Pazarit shumë shekullor duhet ti rikthehen administrata gjyqësore, shërbimet ndaj qytetarit, zejet si dhe të gjithë institucionet e shërbimeve publike të larguar në këto dekada!

Mos harrojmë! Cdo koncert ka një fund dhe realiteti fillon aty ku mbaron ëndrra..!