Ilmi S.Qazimi: Mjaft me krahasime bajate, o qeveri!

215

Në vend që të japësh llogari se ku venë të ardhurat, që gjeneron uji, druri e guri i territorit tonë , toka dhe nëntoka e Shqipërisë sonë, ju guxoni e bëni krahasim me Zvicrën, e cila është konsoliduar si konfederatë dhe shtet në vitin 1291 dhe nuk ka parë asnjë herë luftë me sy në territorin e saj qysh para dy shekujsh!?

Sigal

 Krahasimomania është një dukuri e grupeve shoqërore, që duan të ngrejnë më lart dikë e të ulin dikë tjetër; po ashtu e atyre njerëzve të analizave objektive që nxjerrin në pah të mirat e kësaj apo asaj veprimtarie prodhuese a shkencore, organizate shoqërore, sistemi ekonomiko-shoqëror a një lloji tjetër subjekti në raport me të ngjashmin e vet në kohë e në hapësirë.

E dimë të gjithë se krahasimi është metodë pune e suksesshme, por edhe e keqpërdorshme, e për pasojë mashtruese e dezinformuese dhe regresive. Politikanët tanë, pra kollarombajtësit në kolltuqe, ekrane dhe në mikrofona na kanë ngopur kaq shumë me krahasime sa jemi mbivelur. Emrat e lakuar të politikës tashmë na vjen ndot t’i përmendim se duket sikur duam t’i riciklojmë për fshesa gënjeshtrash, por ata që janë në qeveri meritojnë të stigmatizohen, sepse kanë në duart e tyre bukën, naftën, energjinë elektrike dhe sigurinë tonë.

Këto vitet e demek demokracisë ala amerikane në Shqipërinë tonë, krahasimomania po lulëzon si ves i njerëzve mashtrues më tepër se sa një veti e atyre që janë të sinqertë. Si i mençuri i mirëfilltë, ashtu edhe ai që ‘ka dy pare mend’ e bën vetë krahasimin e nuk ka nevojë që t’i thoni ju, zoti kryeministër i një qeverie femërore, se Zvicra paska marrë një vendim-apo, ligj, ju e dini më mirë se ne!?- që të dënojë deri me tre vjet burg këdo që përdor ngrohje më tepër se 19 gradë!? Apo që Gjermania do të fikë dritat e rrugëve dhe vitrinave nga ora 22 deri në mëngjes! Kurse ne, këtu në Shqipëri nuk i kemi marrë këto vendime! Uff, sa keq!

Apo të thuash se ju, qeveria jonë, paskeni marrë një vendim, si asnjë vend tjetër në rajon dhe në Europë, që të mos e rrisim çmimin e energjisë elektrike!? Ne jetojmë këtu dhe e dimë mjaft mirë se sa duhej të ishte dhe sa është çmimi i energjisë elektrike. Në vend që të japësh llogari se ku venë të ardhurat, që gjeneron uji, druri e guri i territorit tonë , toka dhe nëntoka e Shqipërisë sonë, ju guxoni e bëni krahasim me Zvicrën, e cila është konsoliduar si konfederatë dhe shtet në vitin 1291 dhe nuk ka parë asnjë herë luftë me sy në territorin e saj qysh para dy shekujsh!? Kurse ju, o z.kryetar, gjatë qeverisjes tuaj po e përjetoni luftën çdo ditë. Në mënyrën tuaj folkorike e kujtoni luftën që ka bërë ky popull i vogël dhe i paasimilueshëm, me okupatorët nga Roma, Bizanti, Osmani, Greku prej shekujsh dhe nga gjermani, italiani gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. E tani, përsëri ky popull i vogël, lufton me vetveten, mot për mot, edhe sot, kur numëron deri 25 të vrarë në muaj të kësaj vere! Me amerikanin që ju ia keni falur të tëra tokë, ajër, ujë dhe emër, nuk bën luftë, por e quan (e ai të quan po ashtu)”partner”!? Më lejoni që të bëj edhe unë një krahasim: A ka bukuri më të madhe se sa partneriteti i një mushkonje me një elefant?

Krahasime të atilla me Zvicrën, me atë shtet amalgam, por pikë nevralgjike e kapitalit dhe imperializmit botëror ka pasë bërë edhe emërharruari S.Berisha. Një ministër i juaj bën krahasime edhe me Francën për një lloj biçim argumentimi! Franca ka sunduar e shfrytëzon edhe sot e kësaj dite kolonitë e saj, kurse ne mezi u bëmë shtet para një shekulli!

Krahasimet më të rëndomta, bajate dhe që mundohen të mbulojnë diellin me shoshë janë ato që bëhen nga qeveritarët tanë me shtetet e Europës për arsimin, edukimin, prodhimin…dhe posaçërisht me demokracinë amerikane.

Shqipëria, zoti kryetar, nuk është as e varfër e as e vdekur, por vetëm e mashtruar dhe e vjedhur. E mashtruar nga qeveritë e saj postkomuniste, e vjedhur nga disa bij plangprishës të ish-komunistëve të shitur e të blerë tek kapitali i huaj që kanë qeverisur në këto tridhjetë vjet. Ka vite që në Shqipërinë tonë lulëzon dukshëm moskokëçarja e administratës për shqetësimet qytetare, shpërfillja dëndur e detyrave shtetërore që kanë të bëjnë me hallet e popullit, anashkalimi i ankesave dhe kërkesa për ryshfet në forma të stërholluara, pranimi i parave nën dorë për blerjen apo përfitimin e gjithçkaje nga  mishi e bananet deri te posti i deputetit e drejtorit, madje edhe vetë drejtori e deputeti, vetshitet dhe mashtron. Dhe pakkush e ngre zërin. Por shpesh e më shpesh dëgjon shprehjen amorale :” mos e rruaj!”

Për të mos shkuar deri atje sa të sundojë gjithkund vesi, vjedhja, vrasja dhe vdekja në vend të qëndrimit kritik, ligjor, mospajtues me të metat, na duhet të ndryshojmë rrënjësisht konceptimin e asaj të mire, e cila duhet të dominojë mbi të keqen. E kjo do shumë punë, zbatim ligji dhe ndjenjë përgjegjësie; kërkohet atdhetari dhe edukatë morale që nga kryetari i shtetit, tërë institucionet, strukturat,drejtuesit dhe deri tek roja i portës. Nuk na duhen aspak krahasimet, por veprimet konkrete për një Shqipëri të përparuar, të lirë, të pavaruar, të zhvilluar nga ana ekonomike, por jo të vjedhur dhe mashtruar.