Ilmi S.Qazimi: Josif Ziu, nxënës i normales së Elbasanit, mësues në monarki, antifashist në luftë dhe prift e mësues në socializëm

 Josif Ziu (1897-1982)

-Josif Dhimitër Ziu, mësuesi- prift që punoi në fshatrat e Skraparit,Myzeqesë, Beratit, Fierit, por edhe si nëpunës i qeverisë së Fan Nolit-

Sigal


Kush ishte atdhetari Josif Ziu?

Josif Ziu, biri i Dhimitrit dhe i Llambrinisë lindi më 1897 në Poshnjë të Beratit.Që në vogëli kishte dëshirën e madhe për të mësuar, ndaj familja e dërgoi në shkollën qytetëse rrreth 14 km larg vendlindjes. Aty Josifi mori mësime edhe nga patrioti i madh  Babë Dudë Karbunara, duke u vlerësuar si një ndër nxënësit më të përgatitur.Vazhdoi më tej duke ndjekur mësimet në shkollën e mesme të Normales në Elbasan.Edhe këtu u paraqit  një ndër nxënësit me dëshirë dhe kërkesa të larta për të rritur dituritë e tij. Fati e ndihmoi që të merrte mësim nga mësuesi dhe drejtuesi i kësaj kohe Profesor Aleksandër Dhimitër Xhuvani. Me mbarimin e Normales së Elbasanit në 1917 u emërua mësues në Myzeqe, në shkollën e fshatit Kallm. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, transferohet në Drenovicë të Beratit. Në punën e tij si mësues, bindjet politike  e demokratike vinin gjithmonë duke u forcuar, por takimi dhe bashkëpunimi me atdhetarin Naun Çobo, mësues nga fshati Strum i Roskovecit, bëri që të rreshtohet me forcat demokratike të kohës dhe bashkë me të mori pjesë në kryengritjen për të përmbysur regjimin e mbretit Zog. Ata u takuan me vullnetarët e tjerë të armatosur që vinin nga Berati e Skrapari të drejtuara nga demokrati Riza Cerova. Me vendosjen e qeverisë demokratike të Fan Nolit në qershor 1924, Josifi u vu në shërbim të qeverisë në Tiranë deri në dhjetor 1924; me të rënë qeveria e Fan Nolit, Josifine larguan si kundërshtar i regjimit dhe u caktua të punojë si mësues  në shkollën e fshatit Vërzhezhë të Skraparit, në kohën kur aty ka qenë nxënës edhe  kryeministri më jetëgjatë shqiptar Mehmet Shehu. Përsëri Josifin e transferojnë nga kjo shkollë dhe e caktojnë të punojë mësues në shkollën e fshatit  Çepan, po të rrethit të Skraparit ku qëndroi deri në vitin 1931. Në vitin 1943 Josifin e zgjodhën anëtar të këshillit antifashist të fshatit Poshnje. Ai ndihmoi në organizimin dhe formimin e batalionit partizan të Mesit të Urave së bashku me patriotë të tjerë. Në vitin 1946 iu propozua Mitropolisë së Beratit për ta shuguruar prift. Këtë detyrë ai e kreu deri në 1967, vit kur institucionet fetare pushuan së vepruari në Shqipëri. Deri në vitet e fundit të jetës së tij u aktivizua me detyra nga seksioni i arsimit. Josif Ziu u nda nga jeta më 9 maj 1982, duke lënë pas kujtime të paharruara si mësues, intelektual, klerik dhe atdhetar i spikatur.

Ja çfarë rrëfejnë bashkëkohësit dhe ata që e kanë njohur

Më datë 28 shtator 2017 u përurua në Poshnjë lapidari kushtuar dëshmorit çepanlli 21 vjeçar Hysen Zyka,që u ideua, financua dhe u rindërtua nën drejtimin e atdhetarit Petraq Toli. Ishte aty edhe veterani Gaqi Josif Ziu. Ai rrëfente “Atë natë të 9 gushtit 1944 që, të nesërmen e ktheu në ditë lufte, në shtëpinë tonë fjetën dy djem partizanë. I kish marrë babai. Njëri ishte nga Çepani i Skraparit, atje ku babai kishte dhënë mësim dikur nga vitet njëmijë qw nëntëqind e tridhjetë dhe që e mbante mend Dilaverin, të atin e partizanit me emrin Hysen Zyka. Dy partizanëve u dha nënia qumësht. Skraparliu e kërkoi me kripë se sheqeri mezi gjendej. Ata fjetën pak dhe u ngritën. Nga dreka e datës 10 gusht mësuam se djali nga Çepani që mbante automatik ishte vrarë në luftimet më gjermanët.” Gaqi Ziu tregonte edhe se si “u bë prift” babai i tij:”Fjalën e merr xha Kola i mençur, të cilit i dëgjoheshin këshillat në atë kuvend. Ashtu siç e kish zakon, ai loste me bastunin, por kur e ngulte atë në tokë, s’kishte kthim prapa. Këtë plak e njihte tërë zona dhe të gjithë e dëgjonin me vëmendje fjalën e tij. “Kisha kërkon prift, pse shkojmë më tej?’ – tha ai.”Ja ku e kemi priftin, më të mirin, më të zotin ,më të aftin e më të shkolluarin, Josifin, të birin e Dhimitër Ziut”! Propozimi i tij  u pranua njëzëri dhe iu dërgua Mitropolisë së Beratit për ta shuguruar prift. Kështu u bë dhe u vendos Josifi nga 1946 deri 1967, vit kur institucionet fetare pushuan së vepruari në Shqipëri.” “Në seminaret që organizonte Mitropolia, Perikliu tregon, se i mbanin sytë te papa Josifi, se vetëm ai na shpëtonte nga diskutimet.Kërkonim dhe luteshim që papa Josifi të mos mungonte nëpër seminare, se ne të tjerët , ç’të diskutonim, ne nuk ishim të aftë për të diskutuar! Josifi jo vetëm që i trajtonte me mjeshtëri problemet, por na jepte mend edhe ne të tjerëve”. Në kujtesën time papa Josifi mbetet njeri i respektuar edhe tek fëmijët e asaj kohe.Ai i afronte dhe komunikonte shumë mirë me të vegjëlit dhe i respektonte e i dëgjonte edhe ata. Kam parasysh kurorën që vinte Thimi Dhana në tetor 1949 me papa Josifin. Duke më parë aty më thërret pranë vetes e më mban si ‘manar’ e unë ndiqja shërbesën e tij si ‘ndihmës’Z. Qemal H. Bego,partizan, Hero i Punës Socialiste, tashmë 99 vjeç, para 18 viteve kujtonte: “Josif Ziu më ka dhënë mësim në Çepan. Dhe e solli fati, le të themi, që e takova përsëri në vitin 1974 në Kutalli, Drenovicë ku mua më caktuan në detyrën e kryetarit të kooperativës bujqësore. Ishte po ai mësues: Njeri i kulturuar, me peshë fjale, me figurë të pastër e që gëzonte respekt nga gjithë banorët.”Z.Petraq Toli, tregon. Në një ndër shkrimet e botuara në gazetën lokale”Çepani” të muajit mars 2012 nga kryeredaktori i saj, me rastin e 7 marsit, midis të tjerash zenë vend edhe portreti i këtij mësuesi, i ardhur nga rrethinat e Beratit dhe që punoi pa u kursyer për afër pesë vjet  për t’iu dhënë dituri e kulturë fëmijëve të zonës së Çepanit. Aty thuhet se “Dokumentarisht vërtetohet se Josif Ziu ka dhënë mësim në fshatin tim të lindjes, por më të fuqishme janë thëniet e të paktëve nxënës që janë ende gjallë e që kujtojnë zërin e butë të mësuesit të thjeshtë, kur ndonëse në kushte shumë të vështira për dhënie mësimi , ai u fliste për gjuhën, mëmëdheun, për të parët që luftuan për mbrojtjen e trojeve dhe lirisë. Gjithashtu, mësuesi i nderuar Josif Ziu , që është i njohur andej nga Skrapari edhe me mbiemrin Stefa,sipas një shënimi në arkivin e shtetit shqiptar, në vitin 1930 zhvillonte një bisedë me materiale që i kish të shkruajtura, me fshatarët e Çepanit për  zhvillimet demokratike të kohës. Është interesante të përmendet se në atë kohë në shkollën e Çepanit vinin për të mësuar shkrim e këndim, jo vetëm djem, por edhe vajza; jo vetëm të vegjël, por edhe të rritur. Për mësuesin e nderuar kanë folur edhe ish-nxënës të tij , më pas kuadro të lartë si Skënder Malindi, i cili thoshte: ”Mësuesi i shkollës në Çepan ishte Josif Stefa. Mësues shumë kërkues, serioz dhe nuk bënte asnjëherë lëshime për këdo qoftë.” Z.Luçi Th. Stefa,kuadër i lartë pedagog ushtarak në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve ”Enver Hoxha”tregonte për Josif Ziun:”Pa mbushur dy vjet në Kolonjë, në 1932 e transferojnë në shkollën e Marinzës së Fierit dhe asnjëherë pranë shtëpisë në Poshnje. Lidhjet me njerëzit përparimtarë ai nuk i rreshti asnjëherë. Në Kolonjë bashkëpunoi me atdhetarin revolucionar Llazar Bozo.  Kryengritja e Fierit, në gusht të vitit 1935 e gjeti së bashku me shokët në ballë, por me dështimin e saj, Josifi u kap dhe u burgos. Falë kërkesës popullore dhe të disa shokëve të tij, e nxjerrin nga burgu, por e pushojnë nga puna si mësues me motivacionin: “Element trubullues për regjimin e kohës”. Karriera e Josifit-mësues u mbyll përgjithmonë, por përkushtimi dhe gjurmët e tij për t’iu mësuar brezave gjuhën shqipe,në Skrapar e Myzeqe, mbeten vlera historike. Papa Josifi, si njeri i vlerave shumëplanëshe që gëzonte respekt të thellë nga të gjithë ata që e njihnin, pavarësisht besimit të tyre nuk epet. Madje edhe kundërshtarët politikë të kohës e vlerësonin, sepse ishte njeri i drejtë,i ndershëm, i ditur. Kishte një urrejtje të madhe kundër fashizmit si ideologji dhe si pushtues; ishte për këtë arsye që pushtimin fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939 e kundërshtoi i pari në zonën e Mesit të Urave. Shtëpia e tij ishte baza e parë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe si mbështetës i asaj lufte në vitin 1943, Josifin e zgjodhën anëtar të këshillit antifashist të fshatit Poshnje. Ai ndihmoi në organizimin dhe formimin e batalionit partizan të Mesit të Urave së bashku me patriotë të tjerë”. Mësuesi i palodhur dhe prifti atdhetar Josif Ziu (Stefa) përveç vlerave intelektuale ka qenë edhe prind i shkëlqyer. Ai ka edukuar fëmijë me cilësi e virtyte të larta morale; djemtë e tij Vasili (dëshmor i atdheut), Llazari, Gaqi e Jovani dhe vajzat Vita, Parashqevia dhe Drita, të cilët janë pensionistë kanë qenë ndër të parët kuadro drejtues. Gaqi në kooperativë dhe Jovani oficer. Po ashtu edhe nipërit e mbesat e tij ecin në gjurmët e mësuesit të paharruar. Josif Ziu u nda nga jeta në moshën 85 vjeçare, duke lënë pas kujtime të paharruara si mësues, intelektual, klerik dhe atdhetar i spikatur.