Frank SHKRELI/ 50-vjetori i vrasjes së Presidentit Xhon F. Kenedi

691
Sigal

50-vjet më parë, më 22 Nëntor,1963 Presidenti amerikan Xhon F. Kenedi u vra në Dallas të shtetit Teksas. Ishte ditë e premte, ora 12:30 pas dreke kur plumbat qëlluan në qafë presidentin e ri amerikan Xhon Kenedi. Kombi amerikan po shënon 50-vjetorin e vrasjes së tij me evenimente dhe shërbime të ndryshme anë e mbanë vendit. Televizionet kanë paralajmëruar programe të posaçme dokumentarë, ndërsa media në përgjithësi është plotë e përplot me shkrime e komente mbi jetën dhe veprimtarinë e tij në kujtim të vdekjes së tij tragjike. Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama bëri sot nderimet e tij duke vendosur një kurorë me lule tek varri i Presidentit Xhon Kenedi së bashku me ish-presidentin Bill Klinton në varrezat kombëtare në Uashington. Pak më herët, Presidenti  Obama,  duke hapur një koncert në këtë përvjetor, foli për “Jetën e pambaruar” të Presidentit Kenedi dhe shtoi se, fjalët e tij me rastin e inaugurimit President, përfshirë thirrjen e tij drejtuar amerikanëve për t’i shërbyer atdheut, “na frymëzon dhe na ndriçon gjithnjë  në udhën tonë.”

Xhon Kenedi qe zgjedhur President në një periudhë, plotë turbullira të brendshme dhe të jashtme, të historisë së Shteteve të Bashkuara.  Në politikën e jashtme ai përballua me luftën e ftohët që po bëhej gjithnjë e më e ashpër midis vendeve demokratike perëndimore dhe komunizmit ndërkombëtar. Brenda vendit, tensionet raciale kishin përfshirë shumë qytete dhe shtete anë e mbanë Amerikës, ku një numër gjithnjë më i madh zezakësh kërkonin, me anë të protestave, trajtim të barabartë me të bardhët. Në këtë atmosferë pasigurie ndërkombëtare dhe tensionesh të brendshme, që karakterizonte Amerikën dhe botën në fillim të 1960-ve, Presidenti më i ri i Amerikës për nga mosha dhe i pari President katolik i këtij vendi me një shumicë protestante, ringjalli një frymë idealizmi dhe aktivizimi e angazhimi për bashkëkombësit e tij duke i frymëzuar ata që t’i shërbejnë, jo vetëm kombit të vet, por edhe botës. Thirrja e tij me rastin e inaugurimit si President i 35-të i Shteteve të Bashkuara, në janar të vitit 1961, ”Mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet veten se çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”, janë fjalë që kanë marrë tanimë, përmasa biblike, dhe jo vetëm në Amerikë. Në atë fjalim, që konsiderohet një ndër 3 ose 4 fjalimet më të rëndësishme të inaugurimit, Presidenti i ri i Amerikës Xhon Kenedi angazhohet për një politikë të jashtme në mbështetje të lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës. Në fjalimin drejtuar vendit dhe botës, ai theksoi rëndësinë që ai i jepte “mbrojtjes së lirisë kudo dhe në momentin kur asaj i kanoset rreziku më i madh”. Me atë rast, ai njëkohësisht u kërkoi vendeve të botës që së bashku të luftojnë ato që ai i quajti, “armiqtë e përbashkët të njerëzimit: tiraninë, varfërinë, sëmundjet dhe luftën”, i vetëdijshëm se këto ishin objektiva, që sipas tij, nuk mund të realizoheshin brenda një kohe të shkurtër, dhe “as në mandatin e administratës së tij dhe ndofta as në jetën e këtij planeti, por të paktën le të fillojmë”,-tha ai.  Gjithnjë, duke iu drejtuar  amerikanëve dhe popujve të botës, Presidenti i ri, Xhon Kenedi, tha se, “qofshi ju qytetarë të Amerikës apo qytetarë të botës, kërkoni prej nesh të njëjtat standarde të larta angazhimi dhe sakrificash, që ne kërkojmë prej jush.” Politika e jashtme e administratës së Xhon Kenedi-t që prej fillimit u karakterizua nga ballafaqimet me Bashkimin Sovjetik në fushën ndërkombëtare. Si një paralajmërim mbi faktin se në cilën anë të luftës së ftohtë do të ishte Amerika dhe si një angazhim i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur vendet që dëshirojnë liri e pavarësi, ai qe shprehur se, “ne i përkrahim ato sepse edhe ne kemi themeluar një komb të rilindur nga revolta kundër kolonializmit”. Kriza e raketave sovjetike në Kubë e për pak e solli  botën në prag të luftës bërthamore, por më në fund arsyeja fitoi mbi arrogancën dhe si rrjedhim,  Presidenti Kenedi fitoi kredibilitet dhe njëkohësisht edhe imazhi amerikan u përmirësua në botë.  Historianët thonë se, Xhon Kenedi mësoi shumë mbi luftën dhe paqen gjatë krizës së raketave në Kubë.  Kjo vihet re edhe në njërin prej fjalimeve më me rëndësi të tij si President, fjalimi që ai mbajti në Universitetin Amerikan në Uashington, ku ai tha se, dëshironte të fliste për paqen në botë, duke thënë se, “në një periudhë kur helmet vdekjeprurëse nga një shkëmbim bërthamor do të përhapeshin anë e mbanë botës nga era, toka dhe farërat dhe të afektonin gjenerata të tëra… unë dua të flas për paqen si një qëllim i nevojshëm dhe racional i njerëzve të arsyeshëm”. Ai shtoi se, “paqja në botë, si dhe paqja në një komunitet, nuk nevojit që çdo njëri të dojë të afërmin e vet, por vetëm nevojit që ata të jetojnë së bashku duke toleruar njëri- tjetrin. Problemet tona, -shtoi ai- janë krijuar nga njerëzit dhe si të tilla mund të zgjidhen nga vetë njerëzit”.

 Në fillim të luftës së ftohtë kur komunizmi kishte robëruar Europën, Presidenti Kenedi me 26 Qershor, 1963, si udhëheqës i botës së lirë, shkoi në Berlinin Perëndimor për të mbështetur Gjermaninë nga kërcënimet komuniste dhe nga agresioni sovjetik në lindje. Ai u prit nga më shumë se një milion banorë të Berlinit dhe gjatë fjalimit anti-komunist të rastit, që tani njihet si fjalimi, i titulluar “Edhe unë jam berlinas”, ai kritikoi ndërtimin e Murit të Berlinit nga komunistët sovjetikë, duke e karakterizuar atë mur si asgjë tjetër veçse një shembull të dështimit të sistemit komunist.   “Liria”,- tha ai me atë rast në Berlin- “ka shumë probleme dhe demokracia nuk është një sistem i perfeksionuar. Por ne nuk detyrohemi të ndërtojmë një mur si ky për të mbajtur popullin tonë të rrethuar ose për të ndaluar njerëzit tanë të largohen nga vendi ynë në qoftë se dëshirojnë një gjë të tillë.”  Me fjalimin e tij në Berlin, Presidenti Kenedi vuri në dukje për të gjithë botën  absurditetin e Murit të Berlinit dhe njëherazi theksoi shpresën se, ai mur eventualisht do të zhdukej dhe se Europa nuk do të qëndronte e ndarë përgjithmonë.

Arritjet e Presidentit Xhon Kenedi në politikën  e brendshme dhe në arenën ndërkombëtare, duke marrë parasysh mandatin e shkurtër të administratës së tij, janë të shumta, por krijimi i Korpusit të Paqes dhe angazhimi i tij ndaj programit të hapësirës së lartë Apollo, për të dërguar njeriun në Hënë, mbeten si kryesore ndër trashëgimitë e përjetësuara të tij. Në fillim të administratës së tij, ai i kërkoi Kongresit  miratimin për themelimin e Korpusit të Paqes, që sot njihet si një program, i cili rekruton amerikanë të profesioneve të ndryshme që dërgohen për të ndihmuar vendet në zhvillim e sipër në fusha të ndryshme, përfshirë bujqësinë, arsimin, përkujdesjen shëndetësore, ndërtimtarinë e të tjera.  Mbi 250.000 amerikanë, anëtarë të Korpusit të Paqes kanë shërbyer dhe shërbejnë në rreth 140 vende anë e mbanë botës. Një ndër aktet e para të Presidentit Xhon Kenedi ishte angazhimi i tij largpamës dhe i vendosur për të dërguar një amerikan në Hënë, fundin e dekadës së 1960-ve. Ai i tha Kongresit se, ky program do të jetë shumë i rëndësishëm për njerëzimin dhe për eksplorimin afatgjatë të hapësirës, duke shtuar se: “Ne kemi vendosur për të shkuar në Hënë brenda kësaj dekade dhe për të ndërmarrë shumë gjëra të tjera, jo sepse ato janë të lehta, por përkundrazi, për arsye se ato janë ndërmarrje të vështira. Sepse një ndërmarrje e tillë do të shërbejë si një qëllim për të organizuar dhe për të venë në dukje energjitë dhe aftësitë tona më të mira.  E kemi ndërmarrë këtë sfidë pasi jemi të gatshëm të përballemi me të, një sfidë të cilën e pranojmë dhe të cilën do e fitojmë.”

Ëndrra e Presidentit Kenedi u realizua ashtu si parashikonte ai. Brenda një dekade, Shtetet e Bashkuara, pothuaj gjashtë vjet pas vrasjes së Presidentit Kenedi dërguan me sukses në Hënë anijen “Apollo11” me astronautë dhe i kthyen ata në tokë shëndosh e mirë.

 Fjalimet e Presidentit Xhon Kenedi konsiderohen si ikonike, ndër më të mirat ndër fjalimet më të dalluara të udhëheqësve të të gjitha kohërave të këtij vendi, ndërkohë që, amerikanët edhe sot e kësaj dite e konsiderojnë Presidentin Xhon Kenedi si njërin prej presidentëve më të admiruar të këtij vendi, duke e krahasuar atë me Xhorxh Uashingtonin, Abraham Linkolnin dhe Franklin Ruzveltin. Vrasja e Presidentit Kenedi më 22 Nëntor, 1963 në qytetin Dallas të shtetit Teksas, 50-vjet më parë, fiku realizimin e një ëndrre, shënoi mbarimin parakohshëm të jetës së një princi të politikës amerikane dhe njëherazi edhe përfundimin e përgjakshëm të mandatit të tij plot premtime për Amerikën dhe botën, si President i Shteteve të Bashkuara.  Por trashëgimia dhe idealizmi me të cilin ai qeverisi dhe frymëzoi miliona amerikanë dhe popuj anë e mbanë botës,  nuk ka vdekur me të. Siç ka thënë edhe ish-Presidenti Ronald Reagan duke folur për Presidentin Kenedi se: Historia ka shumë burra të mëdhenj, por shumë pak prej tyre magjepsin imagjinatën dhe frymën e kohës. Ata që bëjnë një gjë të tillë, nuk harrohen kurrë. I tillë, -tha ai, -ishte edhe Xhon Kenedi”.