Prof. Dr. Ago Nezha/ Moisiu presidenti model

673
Sigal

Rrënjët e blerta të familjes Moisiu, një kështjellë e madhe në truallin e familjeve të shoqërisë shqiptare

Familja e Moisive të Kavajës, është një kështjellë e madhe në truallin e familjeve të shoqërisë shqiptare. Nga trungu i saj i fuqishëm ka dalë aktori i madh me famë botërore, Artist i Popullit, Aleksandër Moisu. Ai, me talentin e tij  mbresëlënës pushtoi skenat më prestigjioze të botës duke interpretuar me mjeshtëri  të rrallë në rolet më të spikatura të kryeveprave madhore. S”kishte si ndodhte ndryshe, nga zjarri i fuqishëm i Moisive do dilte edhe Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional -çlirimtare, Gjeneral Spiro Moisiu, Hero i Popullit. Familja patriote e Moisive, me qytetarinë dhe edukatën  atdhetare, bëri që Spirua të rritet me ide përparimtare, aspirata të thella për liri, pavarësi dhe prosperitet shoqëror. Ai, ka qenë aktiv qysh në moshë të re si pjesëmarrës në revolucionin demokratiko-borgjez të Qershorit të 1924, si fanolist, përkrah forcave të Fan Nolit. Ishte i shkolluar jashtë shtetit. Kishte kryer shkollën e oficerëve madhor në vitet 1937-1938 në Itali. Njëkohësisht kishte studiuar në Vels të Austrisë, me bursë në Gjimnaz Ushtarak. Pra, ishte i përgatitur në artin ushtarak në shkolla me prirje perëndimore. Falë origjinës familjare, karakterit të tij stoik dhe formimit të tij në shkolla prestigjioze, manifestonte frymën patriotike, pedantizmin për ligjin, disiplinën ndaj detyrës, qëndrimin e ndershëm e korrekt, dashurinë për njerëzit dhe familjen. Ishte antizogist dhe ka luftuar me armë kundër Mbretërisë zogiste. Ka qenë pjesëmarrës në luftën italo-greke në 1940, në drejtim të Batalionit  “Tomorri”, ku u kap në Rakickë dhe u dënua me vdekje. I shpëtoi vdekjes dhe se ndali luftën për asnjë çast, deri në çlirimin e Shqipërisë. Megjithëse i shkolluar jashtë shtetit në perëndim, me kulturë të lartë ushtarake, me gradën Gjeneral, pas çlirimit u nxor në pension në moshën më aktive, 47 vjeçare. Kjo nuk ishte një rastësi, por një qëndrim refraktar që u mbajt nga Partia Komuniste pas çlirimit të vendit ndaj shumë kuadrove me integritet dhe nivel të lartë intelektual e politik, që idealet kombëtare i kishin të shenjta dhe kontributi i tyre në luftë ishte i veçantë. Gjeneral Spiro Moisiu, u shkarkua nga Enver Hoxha, në vitin 1946, për të vetmin fakt se nuk pranoi që këshilltarët ushtarak të viheshin nga radhët e jugosllavëve. Ai u shpreh:” Ne po të jetë puna për kaçak kemi sa të duash, i kishte thënë Enverit. Ndaj mendoj, që këshilltarët Sovjetikë kanë traditë dhe nuk kanë interesa e armiqësi me ne sa serbët. Veç kësaj akademitë ushtarake të tyre janë profesionale dhe ushtarakët tanë të rinj kanë se çfarë mësojnë”. Kjo deklaratë u desh që të paragjykohej dhe jo vetëm të shkarkohej nga detyra, por të kishte dhe pasoja të tjera në vazhdimësi. Por falë karakterit të tij stoik, ai jo vetëm që nuk u ankua e ligështua, por qëndroj krenar dhe me dinjitet deri në ditët e fundit të jetës së tij. Gjeneral Moisiu vdiq në 1980, në moshën 80 vjeçare. Për meritat e tij të luftës, ju bënë nderimet më të larta. Veç të tjerave, ajo që dua të theksoj, është se ai rriti dhe edukoi një familje model, tre fëmijë, Alfredin, Arqilenë dhe Jolandën, (bashkëshorten e aviatorit të njohur Niko Hoxha) falë edhe përkujdesjes së bashkëshortes, Aspasi Druga, që rridhte nga një familje patriote. Në kujtesën time e mbaj mënd si një grua të urtë, të sjellshme, të dashur, me pak llafe, por shumë e vëmendshme për të respektuar njerëzit dhe në gënjen e saj buronte vetëm mirësi. Ndryshe nga Spiro Moisu, që ishte, i shkathët, ekspresiv dhe me shumë humor në muhabet, që dinte ti përshtatesh çdo lloj moshe dhe mjedisi.

Rrënjë të thella, degë të fuqishme

Nga kjo familje e shquar Kavajase doli edhe Ushtaraku Alfred Moisiu që do ngjiste shkallët e karrierës dhe një ditë do bëhesh kreu i shtetit shqiptar. Jeta nuk është rrugë e thjeshtë dhe e rrafshët gjatë së cilës mund të ecësh lirisht dhe pa pengesa. Ajo është një arenë cirku, ku duhet të vërtitesh rrotull, e të futesh në një labirint të ndërlikuar përmes të cilit duhet të gjesh rrugën për të ngjitur shkallët në karrierën më të lartë.  Alfred Moisiu, ka lindur në Shkodër, në 1 Dhjetor të vitit 1929. Kjo i takon historisë së ushtarakëve, që e kishin shtëpinë lëvizëse, nga jugu në veri si “Ciganët”. Ai, mbaroi Gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, duke qenë pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes dhe më vonë i Luftës NÇL 1942-1944. Pas çlirimit të vendit, në vitet 1946-1948, dërgohet për studime në Shkollën Ushtarake, në Moskë-Petërburg. Pasi kthehet nga Rusia, kryen detyra ushtarake deri në Akademinë Ushtarake në Tiranë. Nga viti 1952-1958, ndjek studimet e larta në Akademinë e Inxhinierisë Ushtarake në Moskë, ku përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera me “Medalje të Artë”. Ky kalorës, që tërë jetën e tij, ka luftuar me djersë dhe mund të pushtojë kalanë e suksesit në çdo detyrë që i ka dalë përpara, e ka arritur, pasi ka qenë i pajisur me cilësi e virtyte të qenësishme, që burojnë nga edukata familjare, nga mjedisi social, nga potencialet intelektuale,  arsimore dhe kulturore, e rrethi shoqëror. Alfred Moisiu, e dinte mirë se për të pushtuar lartësitë e një kështjelle, i duheshin disa “armë të rënda”, si dija, kultura, vullneti, morali, arsimi, dhe një karakter i fortë, i pa lëkundur para çdo vështirësie. Në gjerdanin e tij ushtarak, si ka munguar asnjë “municion”, për të përballuar baticat dhe zbaticat e jetës përderisa kishte mbaruar si rrallë kush me “Medalje Ari”. Në këto kushte, fatin njeriu e rrotullon me dorën e vetë. Ai ka kryer disa detyra të larta në ushtri para viteve 1990, si Drejtor i Xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes dhe zv/Ministër i Mbrojtjes. Për një kohë, u dërgua me ulje në detyrë në Korpusin e Burrelit, kur ndodhën goditjet në sferat e larta në ushtri. Me gjithë goditjen e pa merituar që pësoi, ai ka mbajtur një qëndrim konsistent për të gjitha fenomenet shoqërore dhe kombëtare. Alfred Moisiu, ka qenë aktor aktiv i tre kohëve, si pjesëmarrës në Luftën Nacional Çlirimtare, pas çlirimit në rrugën 50 vjeçare të sistemit monist dhe në vitet e demokracisë. Vlerësimi për çdo periudhë ka qenë real, korrekt dhe i palëkundur. Ai ka vlerësuar LANÇ se ajo është: “Nderi, lavdia dhe historia e kombit shqiptar”. Për çështje madhore ai nuk ka bërë kompromis kurrë me ndërgjegjen e tij, por ka treguar identitet dhe integritet, që përfaqëson shkallën e lartë të karakterit dhe genit të tij familjar. Pas viteve 1990, ka kryer detyra të larta si Ministër i Qeverisë Teknike, këshilltar i Ministrit dhe z/vendës Ministër i Mbrojtjes. Më vonë organizon Shoqatën Shqiptare të Atlantikut, ku zgjidhet President i saj deri në vitin 2002.

Familja, kristali i shoqërisë

Alfred Moisiu, si shumë të tjerë hallkat e karrierës i ka ngjitur se ka pasur në krahë një familje të shëndosh, një grua të kujdesshme dhe fëmijë të mbarë, që i kanë sjellë kënaqësi dhe jo vështirësi. Bashkëshortja e tij Milica, një grua energjike, tepër e shkathët, dinjitoze, me një dinamizëm të admirueshëm në familje e shoqëri. Mësuese në liceun artistik, ku nxënësit e donin dhe e respektonin si edukatore dhe si prind. Por fatkeqësisht, ajo u nda e re nga jeta. Këtë goditje të jetës që e tkurr ose e forcon njeriun në përpjesëtim me kurajën vetjake, Alfredi e kapërceu jo lehtë, duke lënë gjurmëhije në botën e tij shpirtërore, por jo atë intelektuale. Kjo fatkeqësi ju zvogëlua duke pasur pranë djalin Admirin dhe tre vajzat: Rubenën që sot është drejtoreshë e maternitetit “Koço Glozheni”, Anën, inxhiniere elektronike në OST dhe Mirelën, që vazhdon në traditën e të ëmës, mësuese. Burri kur humbet gruan, i pritet njëri krahë i jetës, humbet qetësinë dhe sigurinë për të jetuar.   Por nga njëherë jeta tregohet tinëzare e hileqare duke të dhënë goditje të pamerituara, nga nuk e pret të keqen.  Ai, papritur përjetoi një fatkeqësi tjetër, tepër të rëndë, duke humbur djalin e vetëm, Admirin, në një aksident rrugor. Kjo ishte një shigjetë shumë e helmatisur, që i plagosi trupin, shpirtin dhe zëmrën, këtij burri fisnik. Fati është si cunami, që shkatërron çfarëdo që gjen përpara,duke prekur çdo hierarki vlere. Atë s’e ndalon dot as me forcën e mendjes, e as me atë fizike, pasi të sjell fatkeqësi S’ka sinoptikë të jetës, që ta parashikoj fatin e njeriut. Në këtë përballje të rëndë bëjnë diferencën burrat me karakter të dobët nga ata me karakter të fortë. Alfredi, e përjetoi me dhimbje të thellë humbjen e djalit, një plagë që nuk shërohet kurrë, por falë karakterit të tij burrëror, ai u ngrit mbi këtë fatkeqësi dhe ka bërë një jetë aktive në shërbim të kombit. Është dhunti e individit kur ringrihet në këmbë, edhe në ato raste kur e nëpërkëmb fati. Jeta merr kuptim kur jeton edhe për të tjerët, ndryshe e shpërdoron jetën.

Moisiu si burrë shteti.

Më 24 Qershor të 2002, në një marrëveshje politike e djathtë e majtë, u zgjodh nga Parlamenti President i Republikës së Shqipërisë Dr. Alfred Moisiu, detyrë që e kreu deri më 24 korrik të 2007. Gjatë kësaj periudhe pesë vjeçare, Alfred Moisiu, në krye të shtetit tregoi personalitet, individualitet dhe integritet, në kryerjen e detyrës. Kanë kaluar shumë vite dhe ai mbahet mënd si burrë shteti me identitet të shprehur, që do radhitet në gjerdanin e artë të atyre burrave shteti, që do jetojë gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Çdo individ, zotëron disa parime të fituara e trashëguara nga mjedisi familjar që i manifeston në tërë veprimtarinë e tij shoqërore, ku te Alfredi, spikatën: inteligjenca, ndjeshmëria, ndershmëria, vullneti këmbëngulës dhe karakteri i pa epur. Shqetësimet, ngacmimet, inatet, ankthet, sulmet cinike të politikës së mbrapshtë shqiptare, i ka përballuar me dinjitet. Ai, ka qëndruar si një aristokrat i vërtet para tre versioneve të aristokracisë: Aristokracisë që vjen nga pozita shoqërore, aristokracisë që e ka burimin te paraja dhe aristokracia që vjen prej shpirtit. Shumë prej personaliteteve në krye të shtetit në vitet e demokracisë, kanë lënë një shije të hidhur  në sytë e opinionit shoqëror. Kjo përshtypje vjen nga ndryshimi i opinioneve dhe sjelljes, me të njëjtën shpejtësi me të cilën ndryshojnë dhe interesat e tyre. Alfred Moisiu në të gjitha momentet e karrierës së tij politike, ka qenë i palëkundur në lartësinë e detyrave më të larta në mbrojtje të interesave të shenjta kombëtare. Në asnjë rast, nuk ka bërë kompromis për interesa vetjake, në cenim të interesave të gjëra shoqërore. Në historinë e jetës demokratike, ai do mbetet një nga personalitetet e shquara të politikës, Aleancës Ushtarake Atlantike, si një përfaqësues i një prej familjeve më fisnike e kontribuuese të historisë së Shqipërisë. Ai, e ka treguar veten si politolog vizionar, intelektual me njohuri të gjëra ushtarake, ekonomike e sociale. Me qëndrimin e tij permanent, është treguar gjithmonë një intelektual me integritet, jo vetëm kur ishte në krye të shtetit, por gjatë gjithë qëndrimit të tij politik, si një veprimtar i palodhur në mbrojtje të  drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare. Ai, ka ruajtur ekuilibra të balancuara politike, pa u bërë shërbëtor i rrymave autoritariste e bajraktariste, që kanë dashur të ushtrojnë aktorë të ndryshëm politik. Ka treguar qëndresë parimore, ndaj çdo presioni që është ushtruar për ta nënshtruar nën diktatin partiak, të forcave të ndryshme ekstremiste. Siç thotë filozofi Persian Sadiu: “ Të marrët ushqejnë kundra të mençurve një mllef njëqind herë më të madh, sesa ai që provojnë të mençurit kundër të marrëve”. Kjo filozofi e ka shoqëruar Presidentin Moisiu, në tërë veprimtarinë e tij politiko-shoqërore. Po të dialogosh me Dr. Alfred Moisiun, mbi gjendjen e ekonomiko-shoqërorë të popullit tonë, do shohësh se ai është tepër i shqetësuar për standardet e jetesës, që shpreh një ndjenjë të theksuar keqardhje dhe dhimbje për varfërinë që ka pjesa dërmuese e Shqiptarëve. Ky popull më tha ai gjatë një bisede, ka tre plagë të rënda, që duhet shumë punë për ti shëruar. Ka varfërinë,mungesën e kulturës dhe ndjenjën e hakmarrjes. Një opinion gjithëpërfshirës i shqiptarëve flet se Alfred Moisiu, është një personalitet i spikatur që gëzon respektin dhe një reputacion të gjerë, që me qëndrimin e tij, u ngrit mbi palët politike dhe i dha figurës së Presidentit, mishërimin e unitetit të popullit.

DR. Alfred Moisiu, në autostradën e dijes

Një student që ka mbaruar me medalje Ari, s’ka si të mos ketë ambicie që të kërkojë të bëhet dikush në jetë. Këtë lajtmotiv Alfred Moisiu, e ka pasur si udhërrëfyes gjatë gjithë karrierës së tij, si ushtarak, si kuadër dhe burrë shteti. Në këtë rrugë të gjatë, ai ka ndjekur kurse kualifikimi: si kursin për VIP pranë Kolegjit të NATO-s në Romë, dhe seminarin Ndërkombëtar në Paris, pranë Akademisë Ushtarake Franceze. Falë përgatitjes së tij si ushtarak, ai ka qenë president I Shoqatës Shqiptare të Atlantikut. Ka shkruar një sërë studimesh dhe artikujsh mbi problemet ushtarake, mbi çështje të mbrojtjes dhe sigurisë në rajon. Është tepër aktiv në fushën e botimeve duke filluar nga libri: “Kosova mes luftës dhe paqes”, në 2004 dhe në vazhdimësi me librat Kujtime vëllimi i parë, i dytë dhe i tretë “Midis Nanos dhe Berishës”. Ka botuar 5 vëllime, me fjalime, mesazhe dhe intervista të ndryshme gjatë viteve 2002-2005. Në vazhdimësi, ka botuar dhe vazhdon të botojë shkrime të ndryshme në shtypin shqiptar dhe atë të huaj, për zhvillimet politike në Shqipëri dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Mban Titullin Doktor i Shkencave Ushtarake, prej vitit 1979. Puna e tij intensive me vlera të shquara kombëtare, ka bërë që të nderohet me shumë tituj dhe urdhra brenda dhe jashtë vendit. Dr. Alfred Moisiu, ka marrë disa dekorata e tituj nderi, si Qytetar Nderi: i Bajram Currit, i Vlorës, i Gjirokastrës, Komunës së Martaneshit, i Komunës së Lipjanit (Kosovës). Krahas vlerësimeve brenda vendit ka marrë edhe Qytetar Nderi i Barit të Italisë. Ndërsa urdhrat dhe medaljet janë të shumta.

Ndër to do veçoja: “Urdhrin e Shën Mikelit dhe të Shën Gjergjit, akorduar nga Madhëria e saj, Mbretëresha Elisabeta e II-të në -2003. Medalje e Artë e Lidhjes së Prizrenit,(akorduar nga Presidenti I Kosovës Ibrahim Rugova në -2004), Urdhri i Mbretit Tomisllav (akorduar nga Presidenti i Kroacisë Mesiç -2007), Urdhrin e Meritës i Kryqit të Madh (akorduar nga Presidenti Polonisë Kaçinskij-2006, Urdhri i Mbretit “Vyrtutas së Madh” (akorduar nga Presidenti i Lituanisë Adamkus-2007), Medalje e Veteranit të luftës së Dytë Botërore ( akorduar nga Presidenti Jelcin -2000), medalje e Veteranit të Luftës së Dytë Botërore (akorduar nga Presidenti Putin- 2005), Medalje e veteranit të Luftës së Dytë Botërore (akorduar nga Presidenti Medvedjev-2010), si dhe Medalja “Për shërbime Ushtarake”, Urdhri i Yllit të Kuq, Urdhri i Skënderbeut Klasi i II dhe i III, Urdhër Për Shërbime Ushtarake, Medalje e Çlirimit dhe Medalje e 10 Vjetorit të Ushtrisë, etj.  Të gjitha këto vlerësime e të tjera, tregojnë për reputacionin, personalitetin dhe integritetin që ka treguar Dr. Alfred Moisiu, në tërë jetën dhe veprimtarinë e tij të pasur intelektuale, shoqërore dhe atdhetare, që e ka përjetësuar me qëndrimin dhe punën e tij të ndershme.