Dr. Shyqyri HYSI/ Marrëveshja Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit 1924

945
Sigal

29 nëntori dhe bashkëpunëtorët e fashizmit. E vërteta e një marrëveshjeje që cënoi territorin e Shqipërisë

Gjatë rrjedhave të historisë së njerëzimit dhe historisë sonë kombëtare njihen disa marrëveshje të fshehta, të cilat për publikun e gjerë janë marrë vesh pas shumë kohësh. Një prej marrëveshjeve të fshehta me pasoja të rënda kombëtare për shqiptarët është marrëveshja Pashiç-Ahmet Zog e lidhur në gusht të vitit 1924. Njoftimet publike për këtë marrëveshje pa dhënë detajet e saj, fillimisht u botuan në faqet e shtypit të diasporës shqiptare në Gazetën “Dielli”. Më e shpejtë për të siguruar tekstin e kësaj marrëveshje u tregua pala italiane, e cila brenda një kohe relativisht të shkurtër siguroi tekstin në dy kopje. Kopjen e parë e siguroi atasheu ushtarak italian në Beograd, në nëntor të vitit 1925 dhe të dytën e përcolli për në Romë më 9 janar 1926, i ngarkuari me punë në Tiranë Tomas Asereto. Historiografia shqiptare megjithëse ka pasur dijeni këtë marrëveshje, nuk e ka publikuar për ta bërë prezente. Pas viteve nëntëdhjetë, marrëveshja është botuar e plotë nga studiuesit Marenglen Verli dhe Shyqyri Hysi. Studiuesi Marenglen Verli (drejtor i HI), në mars të vitit 2007, prezantoi faktin në punimin “Kosova, sfida shqiptare në historinë e një shekulli” (faqe 126-140 me titull “Rreth një marrëveshje të A.Zogut të vitit 1924”). Po të njëjtin fakt në muajin shkurt, të po atij viti, pedagogu i universitetit të Gjirokastrës, Shyqyri Hysi, e botoi në monografinë “Rauf Fico shtetar dhe diplomat i shquar” (faqe 74-78, me titull “Marrëveshja Pashiç-Ahmet Zogu e gushtit 1924”). Dokumenti i zbuluar nga studiuesi Marenglen Verli është në gjuhën italiane, ndërsa dokumenti i bërë prezent nga Sh. Hysi, është në gjuhën shqipe. E përmendim këtë fakt për të theksuar prezencën e dokumentit në dy forma. Pala greke që ishte në sinkron me Beogradin për çështjen e Shqipërisë, pasi u njoh me marrëveshjen, nxitoi dhe mori premtimet përkatëse prej Zogut. Për dijeninë e palës geke me këtë marrëveshje, na njofton M. Frashëri (Ministër fuqiplotë i Shqipërisë) në vitin 1925, me anë të një telegrami të dërguar nga Athina në Tiranë, në të cilin theksonte: “Kollokotroni …më bëri fjalë për do premtime që paska bërë z. Ahmet Zogu kur ishte në Beograd”.

I pari shqiptar që u njoh me këtë dokument ishte diplomati gjirokastrit Rauf Fico, i cili më 1928 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Beograd. Rauf Ficua gjatë bisedës me ish-Ministrin e Punëve të Jashtme Jugosllave, Ninçiç, do të dëgjonte për herë të parë se “Zogu ishte kthyer në Shqipëri në bashkëpunim dhe me ndihmën e Qeverisë së Beogradit….se Zogu kishte firmosur me Qeverinë e Beogradit një akord të vërtetë politik, duke premtuar në shkëmbimin e Shën Naumit”. Pas afro dhjetë vjetësh në vitin 1937 kur Ficua ishte ministër fuqiplotë në Athinë, gjatë debatit me palën greke, për hapjen e shkollave private greke në Himarë dhe shkollave publike në gjuhën shqipe në Çamëri, i përmendet edhe fakti se midis Zogut dhe palës greke kishte një marrëveshje si ajo me jugosllavët. Megjithatë deri më sot një marrëveshje e tillë nuk është publikuar, duke mbetur në potencë çështje për zbardhje. Studiuesi i parë që e ka trajtuar këtë marrëveshje në mënyrë të plotë ishte italiani P. Pastoreli. Dokumenti me 16 pika i marrëveshjes Pashiç-Ahmet Zogu, që ai ka analizuar, gjendet në AQSH në gjuhën italiane dhe konsiderohet një tekst i plotë sikurse edhe ai në gjuhën shqipe, që gjendet në arkivin e MPJ. Pas tij edhe Avramovski përmend këtë marrëveshje, por thekson se nuk ka asnjë dokument të shkruar, çka nuk është e vërtetë. Mesa duket atëherë ai nuk e kishte mundësinë për ta njohur këtë dokument tepër sekret.

Marrëveshja theksonte:

“1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.

2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njohu dinastinë Caragiorgvitch.

3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njohë Ahmet Zogun si kryetar shteti …dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.

4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.

5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundra Ahmet Zogut dhe kundra regjimit të vendosur prej tij.

6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rus të ish ushtrisë të Gjeneralit Ërangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.

7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerët jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranoi në interes të dy vendeve.

8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmjet kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve.

9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllav do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.

10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Klementit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.

11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopulit dhe të bashkohet gjerarkisë Ortodokse të Beligradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave.

12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranoi në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.

13. Për çdo konçesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.

14. Në qoftëse Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.

15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.

16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy anëve”.

Vlen të përmendim se kjo marrëveshje është kontestuar prej disa studiuesve. Pas vitit 1990 në disa shkrime mbrohet ideja e hedhur nga Foreign Office, se kjo marrëveshje është hedhur për konsum diplomatik prej MPJ Jugosllave për ta vënë Zogun në pozita. Gjithsesi mbetet një dokument arkivor që kërkon një angazhim të veçantë, sikurse është fakt që disa pika të saj Zogu i zbatoi me përpikmëri. Duke e dërguar për herë të parë në faqet e shtypit shqiptar këtë marrëveshje, të padekonspiruar për publikun e gjerë më parë, nuk synohet as denigrimi as rivlerësimi i figurës së Zogut, por informimi objektiv, i diplomacisë, politikanëve dhe publikut të gjerë shqiptar. Le të shpresojmë se dokumente të tilla origjinale, të pabotuara më parë, do t’u shërbejnë sadopak studiuesve të kësaj periudhe.

2-

Luan Shmilli

 Shumë ish bashkëpunëtore të nazifashizmit u pushkatuan dhe ne Itali!

Bile dhe Musolinin e pushkatuan partizanet italiane!

Askush nuk ankohet sot nga italianët pse u pushkatuan ish bashkëpunëtorët dhe eksponentët e fashizmit!

Ne Genova, për shembull, ne mes të qytetit janë me të kuqe skalitur emrat e partizaneve të rene kundër fashizmit! Dikur, shumë prej tyre kishin qenë fashiste!
Çdo 25 prill ne ditën e Çlirimit të Italisë, ish fashistet e kthyer ne partizane nderohen me kurora me lule!
Ne Romë presidenti organizon parade për nder të Çlirimit…
Ne Shqipëri të pabindurit për gabimet e të parëve vazhdojnë sharjet? Fajësojnë partizanet, shtabin e tyre të luftës, mohojnë ditën e Çlirimit( sikur ata të kishin luftuar dhe jo ata që kanë të drejtën dhe e kanë vendosur )

Dhe flasin për luftë civile(“kur ka pushtues ne një vend, nuk ka luftë civile”-Rusvelt)
Sokrati i madh i lashtësisë i ka lënë një thënie filozofike, që studiuesit thonë se ndau lashtësinë nga koha e re:”Njih veten!”
Ajo epokë është mbyllur, por pasardhësit e të pushkatuarve me të drejtën e ligjeve te kohës(sot padyshim e tepruar) nuk njohin dhe as duan të njohin veten!

Njëlloj sikur Italia të akuzonte SHBA dhe sot pse pushkatoi ish fashiste, pse bombardoi ne Genova, dhe vrau mbi 300 të pafajshëm , njëlloj sikur Japonia të akuzojë rëndë perse SHBA hodhi bomba atomike ne Hiroshima-Nagasaki,dhe rrafshoi qytete me mijëra njerëz…njëlloj sikur tu thuhej amerikaneve sot:
“Perse nobelistin e letërsisë Ezra Pound e mbyllet në kafaz në mes të qytetit dhe urdhëruat ta pështynin mijëra njerëz, pse ishte bashkëpunëtor fjale (ai bashkëpunoi me fashizmin, por nuk shkrehu asnjë pushke kundër SHBA) dhe e vdiqët ne poshtërim?(dhe çfarë intelektuali ishte nobelisti Pound)
Dhe jemi pas lufte!
Besohet se ne arkivat shqiptare ka një letër të tillë nga amerikanet, për ndëshkim të gjithë intelektualeve shqiptare dhe të tjerëve që bashkëpunuan me nazifashizmin…

Është menjëherë, pas mbylljes ne kafaz të hekurt të nobelisti Ezra Pound, me siglen” të paguajnë të gjithë bashkëpunëtoret lidhjen me nazifashizmin” Italia e ka publikuar, bijtë e të pushkatuarve kanë heshtur!

Le ta gjeje Nishani nëse Berisha nuk e ka asgjësuar! Osé Rama!

Ezra Pound u flet mirë gjithë të pushkatuarve dhe bashkëpunëtor e të dënuar për bashkëpunim me nazifashizmin!

Është historike dhe lehjet mbarojnë,si kanë mbaruar ne Itali!

Duhet lënë pas ajo kohe,ku këta shqiptare të pushkatuar nuk do të thotë se nuk e donin Shqipërinë,(unë i respektoj për ëndrrën) por ata u vendosen gabim nga kupolat e tyre që pushtuesi i paguante!)

28-29 nëntori dy ngjarje epokale që nderojnë Shqipërinë!

Kapitulli me përplasjet e idiotëve mbyllet këtu!

Fitimtaret i njeh historia !

3-

Përparim Kabo

 Ati im është 29 nëntori 2014, ju ikët nga kjo botë që në 1982-shin, shumë shpejt, shumë i ri, ende pa realizuar të gjitha detyrimet që njeriut i ngarkon jeta. Ike se mëlçia ishte dëmtuar rëndë, dy herë gjatë luftës për shkak se pinit ujë vend e pa vend kishe kaluar jo hepatit të thjeshtë, por verdhëzin e zi si thoshte populli.

Dhe jeta tu shkurtua. Porse kurrë nuk dëgjova nga goja jote një shfryrje dhe qejfmbetje. Lufta të kishte maturuar aq shumë sa ajo eksperiencë vlejti për të gjithë jetën. Por nuk dëgjova ta tregoje atë për mburrje, për lavdërim. Ajo çka mbaj më shumë mënd ishte shqetësimi yt për ndarjen në dy grupime që mbolli urrejtjen dhe një luftë pa vlerë edhe kur lufta kishte mbaruar. Ajo që mbaj mend ishte se si ligështoheshe kur disa mburreshin me luftën, me dëshmorët në familjet e tyre dhe se si fal këtij “kurbani” përfitonin privilegje. Prej teje mësova se si edhe në luftë por sidomos pas saj, filloi që krahinizmi dhe klanet punonin tinëz që të merrnin “llokmën” duke mos u sjellë sinqerisht ndaj kontributit të cilido që rrëmbeu armën për çlirim pa ditur se ç’ ishte Partia Komuniste dhe pa pasur haber se kush ishte Marksi Lenini, Stalini apo Molotovi e Çurçilli…Ja ati im sonte është 70 vjetori çlirimit, një natë pa formë dhe pa shije, pa kujtimin tuaj por me disa drita dhe këngë britanike, me njerëz që dalin në rrugë pa ditur pse. Në 26 gusht 2014 ishte çlirimi i Parisit, 70 vjetori i tij, e pashë ceremoninë , ishte riprodhuar gjithçka deri në detaje si shtatë dekada më parë, dhe kujtimi ishte një sublimitet dhe jo një siklet. Ati im më fal që të lëndova. Mbase Ju atje po e festoni më bukur, së paku me më shumë dinjitet. Sa keq kur historia krijohet nga njerëz me vlera dhe mbetet në duart e atyre që vetëm të tilla nuk kanë. Sa shumë u fol për luftën dhe për antiluftën, por se të dy palët nuk e respektuan sa duhet martirizimin…të jesh luftëtarë i një lufte botërore dhe të dalësh gjallë e fitimtarë prej saj është më shumë se heroike, është sublime. Mirënjohje,(me fal ati im këtu do flas në shumës) për të gjithë ju luftëtarët antifashistë të Luftës së Dytë Botërore, vajza e djem shqiptarë të thjeshtë dhe atdhetarë…sa modestë ishit sa modestë jeni …Historia vazhdon!

Lavdi veprës heroike të bijve dhe bijave tona

 Iliriana Koleka

Të dashur e të nderuar veteranë shqiptarë!

Kam nderin e veçantë, në këtë ditë të shënuar për historinë kombëtare, të 29 nëntorit 2014, të shtatëdhjetë vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazistë dhe fashistë, nga tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e tyre, t’ju përshëndes, partizanë dhe partizane, familjarë dhe pjesëtar e të afërm të dëshmorëve të Shqipërisë.
Unë nuk e mendoj se kjo ditë është një ditë e thjeshtë përkujtimore, përkundrazi, duke vlerësuar përmasat e jashtëzakonshme të kontributit të shquar të popullit tonë në Luftën e Dytë Botërore, sakrificat e panumërta dhe gjakun e derdhur, 29 Nëntori për të gjithë ne është dhe do të mbetet një ngjarje me rëndësi të madhe historike. Lavdia mbetet e pandryshuar përsa i përket veprës heroike të bijve dhe bijave tona të lavdishme, që në këtë epope të madhe, dhanë për liri dhe çlirim kombëtar gjënë më të shtrenjtë: jetën e tyre. Lufta e lavdishme Antifashiste Nacional-Çlirimtare ka qenë dhe është një nga ngjarjet në të mëdha historike, që në historinë kombëtare dhe do të mbesë një “kurorë e artë” në vargun e gjatë të luftërave të popullit tonë për liri, pavarësi dhe demokraci. E udhëhoqi udhëheqësi ynë, Komandanti i Shtabit të përgjithshëm, gjenerali Enver Hoxha, atij do t’i shkoje gjithmonë lavdia dhe mirënjohja jonë e përhershme.
Në këtë epope historike, gjithë popullit shqiptar, nga veriu deri në jug të Shqipërisë ka dhënë kontributin e vet. Mijëra djem e vajza vunë në altarin e lirisë gjakun dhe jetën e tyre, duke qenë të bindur se nga liria dhe çlirimi i atdheut nga pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët dhe kolaboracionistët vendas, do të fitonte atdheu ynë i dashur.
Nder dhe lavdi të përjetshme bijve dëshmorë të popullit shqiptar, atyre që në këtë Luftë madhështore dhanë jetën e tyre. Unë jam e bindur se sa më shumë kohë do të kalojë, aq më shumë do të ndrijë madhështia e kësaj lufte legjendare e popullit tonë, aq më shumë do të rivlerësohet kontributi ynë, i bijve e bijave të Shqipërisë që në atë kohë ditën të orientohen në rrugën e duhur, duke u bërë aleatë të Koalicionit të Madh Antifashist Botëror. Çdo përpjekje të turpshme dhe antikombëtare për të errësuar lavdinë dhe madhështinë e saj, për të zbehur vlerat dhe zvogëluar madhështinë e veprës suaj të lavdishme të dashur veteranë, është padyshim përpjekje e kotë, e dënuar, e pasuksesshme.
Lavdi dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare!
Lavdi veteranëve të nderuar të Luftës së Dytë Botërore!
Lavdi Komandantit të ushtrisë Nacional-Çlirimtare, gjeneralit Enver Hoxha!