Ilmi Qazimi: Sindroma e pazëvendësueshmërisë 

225
Sigal

Edhe gjallesat, qofshin kafshë, insekte apo bimë, të ujit dhe të nëntokës e mbitokës, që jetojnë në grupe të mëdha fisnore e familjare e njohin dhe e zbatojnë me”fanatizëm” ligjshmërinë natyrale të bindjes ndaj një kryetari, i cili është gjithnjë i zëvendësueshëm. E shohim këtë ligjësi tek majmunët, zogjtë në tërësi, familjet e maceve të mëdha të Afrikës, tek balenat, elefantët, bletët, pyjet me shumëllojshmëri bimësie etj. E pastaj edhe tek njerëzit, që janë qenie me vetëdije, të cilat presupozohet të jenë në një nivel shumë më të lartë zhvillimi. Ndërkohë, me disa nga politikanët tanë, këtu në vendin tonë, ndodh ndryshe. Çudi tej çudisë.

“Nuk jam më i miri, por më të mirë se unë nuk ka”

Ky mendim, shprehur me ‘rregullim të bukur’ fjalësh shoqëruese, që përmban një mendësi primitive kalorsiake përsëritet jo rrallë nëpër hallka të zinxhirit tonë shtetëror tashmë të ndryshkur. “Erdha këtu në krye të vendit e nuk do të iki më, ngase, jo se unë jam më i miri por se nuk ka të tjerë më të mirë se unë!?” Kjo shfaqje me vepra e me fjalë e Edi Ramës si kryetar (dhe para tij akoma më furishëm Sali Berisha), që vendos për tërçka i takon Shqipërisë, ka sjellë dukshëm lulëzimin e një sëmundjeje të rëndë: atë qe kryetari të etiketohet ‘i pazëvendësueshëm’. Dhe ne të tjerët, na mbetet që vetëm të brohorasim për të, sot e për jetë e mot! Jo vetëm kur punon mirë, por edhe kur ai qesh, qan, lodron, gabon, dëmton, tradhton.

Për hir të së vërtetës, duke vuajtur nga kjo sindromë, kemi arritur deri atje sa, është e pabesueshme edhe për ne vetë.Thuajse tërë bota që e njeh po i thotë Sali Berishës:” Ti e bëre punën tënde në historinë e Shqipërisë dhe tani duhet që t’ua lësh vendin të tjerëve, ndaj ‘largohu me të mirë nga skena, se koha jote perëndoi’. Mirëpo ai, me një shpurë përkrahësish shqiptarë të zellshëm, gërmuqërisht bredh nëpër sokaqe, media e zyra për të rrëmbyer përsëri postin e kryetarit, fillimisht të partisë e pastaj të qeverisë. E quan veten të pazëvendësueshëm!

Kur kryetarit i thuret dhe i ushqehet kulti i individit, ai realisht, humbet cilësitë e të qenit drejtues për ata që e zgjodhën, pa le udhëheqës që jo se jo. Ne për këto 32 vjet nuk kemi pasur asnjë udhëheqës pavarësisht se fjala’ lider historik’ u ka mbirë në gojë mjaft gazetarëve televizivë. Pafytyrësia,sjellja servile me të huajt dhe prepotent me vartësit e t’u vendas, etja për fitime e lavdi, mashtrimi, mbledhja rreth vetes të paaftët ‘më të aftë’, të të dy gjinive, për verbëri, dinakëri e hipokrizi, pa harruar edhe shumë vese të tjera, kanë bërë që tek kryetarët tanë të krijohet një figurë morale pa moral. Janë të shumta arsyet përse ne e vuajmë akoma, si popull dhe si individ, këtë lloj sëmundjeje, pra atë të të qenit “kryetar i pazëvendësueshëm”. Le të sjellim disa syresh qoftë edhe sa për kujtesë, për t’i luftuar e jo stimuluar.

Ndjenja e përgjegjësisë dhe ndërgjegja në punë janë dy koncepte që ne i kemi parë dhe përjetuar përgjatë socializmit; tani fatkeqësisht,  janë fshirë nga fjalori, nga jeta e përditshme dhe nga edukata e shumëkujt. Ato i ka zëvendësuar etja e pashuar për sa më shumë pará, pasuri dhe qejf, pavarësisht nga mjetet për të arritur tek këto qëllime. Këtë gjendje i pari që duhej ta luftonte ishte kryetari i qeverisë. Karakteri i tij duhej të kishte të paktën e të paktave këto dy cilësi: praktikisht i ndërgjegjshëm se po i shërben popullit që e zgjodhi dhe plotësisht i ndershëm në ato që bën e që thotë. Por e kundërta po ndodh në realitet.Tërë hallkat e zinxhirit të sistemit shtetëror, nga kryetari deri tek portieri, tek ne janë molepsur nga servilizmi, militantizmi, paaftësia, vjedhja e hapur. Dhe kryetarit i është mbushur mendja e shpirti se vetëm ai është i plotfuqishëm e nuk ka tjetër në këtë truall! Edi Ramës, me kaq sa ka thënë e sa ka bërë që shihen, më shumë dëmtime se sa të mira për kombin tonë, i duket vetja se ai është ‘strumbullari’ më i fortë në histori që mund të mbajë lidhur edhe partinë, edhe qeverinë, edhe Shqipërinë. Këto e të tjera hynere i pati shfaqur ashpër edhe Sali Berisha në kohën e vet. Por ja se si ka degraduar! Tek ne, kryetarët dhe anëtarët, qenien në parti, me apo pa tesëra, madje edhe me shumë tesera në xhep,e kanë mburojë të parë për të siguruar vijimësinë në punë (lexo: të vjedhin rroga të mëdha ngase janë të paaftë, thjesht militantë). Një nipi im punonte në një kompani të huaj që shërbeu (lexo: na shfrytëzoi deri në palcë) këtu prej 12 vjetësh me kapital 51 me 49 me ‘demek shtetin’ tonë. Pas mbarimit të kontratës, ajo u largua e nipi, me tri diploma e katër gjuhë të huaja të marra jashtë shtetit me djersë e mund, mbeti i papunë sepse nga punëmarrësit e tipit që porsa përmendëm, nuk iu lexua jetëshkrimi por u pyet ” me cilën parti je?!”

Kontroll dhe vënie me shpatulla për muri

Kontrolli nga poshtë lart dhe nga lart-poshtë sipas ligjeve që tashmë njihen, realisht është i zbehtë e i mekur gjer atje sa thuajse nuk ekziston. Tërë administratën e ka mbytur korrupsioni, me shukë parash, ryshfete të majme, favore të gjithanshme. Edhe në socializëm kishte, sado pak,të tilla shfaqje e raste, por atëkohë, kryetari, nga ai i kooperativës bujqësore deri tek ai i qeverisë, i nënshtrohej kudhrës së partisë së vetme dhe të ligjit të fortë realisht të zbatueshëm. Edhe tërë kryetarët, sado’ kaposh’ që të tregoheshin, kishin frikë nga ligji. Po! Kishin frikë nga ligji, sepse ai praktikisht shprehte vullnetin e popullit dhe forcën e diktaturës së proletariatit. Ndërsa në këto tridhjet vjet kapitalizëm, tipa si Sali Berisha, Edi Rama etj.-edhe pse nuk mund futen kurrsesi në të njëjtin kallëp- po bëjnë çfarë t’iu dojë qejfi dhe asnjë ligj nuk i kap.

Dëgjojmë nga media se Kontrolli i Lartë i Shtetit, një institucion pagëlartë emërmadh, publikon dëmet që i ka sjellë ekonomisë administrata e qeverisë së Edi Ramës, në shifra aq të larta sa nuk mund të imagjinohet. Në miliarda lek! Po kush po dënohet? Po cili nga ata që kanë dëmtuar po paguan nga xhepi i vet për të rivendosur gjendjen e rregullt të punëve në ekonomi? Si është e mundur që asnjë gjemb në këmbë nuk i hyn ndonjë qeveritari nga më i thjeshti deri te kryetari? Kjo ndodh se kryetari, konceptohet i pa ndëshkueshëm dhe i pazëvendësueshëm!

Për mbi tridhjetë vjet populli dhe vendi ynë, dikur me një gjendje ekonomike shoqërore përgjithësisht jo shumë të vafër, por të barabartë, ka pësuar një polarizim aq të tejskajshëm, në të shtypur e në shtypës, në arsimim e analfabetizëm, në skllevër modernë dhe pronarë pa kollare, në zhvillim urban dhe prapambetje rurale, të varfër e të pasur, që shumë shteteve të tjera kapitaliste iu janë dashur qindra vjeçarë ta arrijnë; e pastaj ato janë munduar më kot ta zbutin nga pak. Kjo,veç të tjerash, sepse këtu sundon sindroma e pazëvendësueshmërisë. Aftësitë mafjoze organizative dhe zotësitë profesionale për mashtrim e korrupsion, pothuajse të gjithë llojeve të kryetarëve tanë, nga blloku në lagje deri tek qeveria, janë dy tregues të tjerë që dëmtojnë rëndë shoqërinë dhe Shqipërinë. Ka ardhur koha që të zbatohet rregullisht rotacioni katërvjeçar dhe ligji. Është koha që populli dhe veçanërisht intelektualët të ngrihen e të godasin fuqimisht, pa frikë, publikisht, në të gjithë mediat dhe mundësitë e tjera, shfaqjet e kryetarëve të cilët vetë quhen të pandëshkueshëm dhe të pazëvendësueshëm. Të ngrihemi, pa u frikësuar edhe kundër vetë sistemit shoqëror që është burimi i tërë të këqiave të shoqërisë njerëzore.