Adem Ismaili: Me rastin e 77-vjetorit të krijimit të Forcave të Kufirit që u bë legjendë 50-vjeçare

 Heronjtë e parë të rënë për mbrojtjen e paprekshmërisë së tyre Ram Sadria e Nik Pjetër Ndreka

 Në vitin 1945, u krijuan forcat e rregullta për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit. Këtu mund të them me bindje dhe me respektin më të madh, se krijuesi i Forcave të Kufirit, është veterani, partizani i orëve të para të çlirimit të vendit, i nderuari Skënder Alikaj. Që nga krijimi i këtyre forcave ka qenë njeri nga kuadrot kryesorë, deri me daljen e tij në pension. Që nga ajo kohë, deri në ndryshimet e vitit 1990, Forcat e Kufirit kanë një rrugë të lavdishme dhe heroike, të cilën e kanë përmbushur me heroizma, trimëri e guxim të rrallë, deri dhe në flijimin e jetës së tyre. Unë do ndalem në disa prej tyre, që i kam jetuar vetë dhe i mbaj mend, se po t’i kujtojmë të gjitha duhet të kesh edhe materiale që nuk ekzistojnë, por edhe që s’përshkruhen dot edhe me romane të tëra. Por dua të them se pati edhe vështirësi, se qenë pa eksperiencë, pa kushte, pa strehim.

NOA

Fillimisht u vendosën në shtëpitë e fshatarëve, qe ishin në afërsi të kufirit. Unë mbaj mend, megjithëse kam qenë shumë i vogël, në vitin 1950-1952. Posta e Kufirit ka qenë e dislokuar në shtëpinë e babait tim, në Dragobi, dhe familja ime kishte kaluar në një familje tjetër aty në lagje. Që atë kohë ndieja një afërsi  me kufitarët, por asnjëhere nuk më shkonte mendja, se do ta jetoja dhe unë jetën e Kufitarit, as që do arrija të bëhem oficer i Kufirit, apo të shkruaja ndonjëhere për to në këtë moshë, rreth të ’80-ve. Babai im ka qenë i internuar në Kampin e Përqendrimit  nga gjermanët në Prishtinë, vëllai Haziri, ka qenë partizan në Brigadën e 25-të Sulmuese, është plagosur, në Sanxhak të Jugosllavisë. Kjo ka qenë dhe arsyeja e lirimit të shtëpisë për Forcat e Kufirit. Këto pak fjalë i thashë për të krijuar një ide, sesi më lindi ideja dhe si m’u  rrenjos dashuria  për këtë armë. Më kujtohet data 22 gusht 1962, vëllai  im, Hazir Smajlaj në minutat e fundit që do të hipja në makinë më tha: “Rrugë të mbarë vëlla, por një porosi, – ose mund t’i themi popullorçe amanet: – Mos na turpëro, se gjakun e kam lënë në Sanxhakun e Jugosllavisë si partizan dhe babanë e kam pasur në Kampin e Perqendrimit në Prishtine!”. Por mua aq m’u desh, nuk më duheshin  porosi të tjera. Unë i vura detyrë vetes për të mbajtur deri më sot me nder këtë amanet, dhe sot po i shkruaj këto pak fjalë, por me shumë përmbajtje dhe me bindje të sigurta, se duhet ruajtur dhe mbajtur amaneti i tyre, të cilin do ua le pasardhësve të mi. Ashtu si unë ka dhe shumë të tjerë, mund të themi, të vendosur, deri në pikën e fundit të jetës së tyre për të plotësuar detyrën.

Tani do flas aq sa mbaj mend dhe njoh nga afer per jeten, heroizmin, luften e

sakrificat e kufitareve, si dhe heroizmat e tyre në dekada, që ranë në krye të detyrës, “Dëshmorë të Atdheut”, për ruajtjen dhe mbrojtjen e paprekshmërisë së Kufijve të Atdheut tonë të dashur. Ata janë shume, po t’i përmendësh të gjithë duhen vite te shkruash dhe romane të tëra, por unë do përmend disa prej tyre, që mund t’i përfaqësojnë të gjitha Forcat e Kufirit.

Do filloj me dy heronjtë e parë, njeri nga radhët e Forcave të Kufirit, Ram Sadrisë, dhe i dyti, heroi me i ri në moshë, Nik Pjetër Ndrekës.

Ram Sadria lindi në Dragobi të Tropojës, në vitin 1925, aty u rrit e u edukua me virtytet më të mira prej atdhetari. Në moshë të re mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare në B.25. U dallua në luftë gjatë çlirimit të vendit dhe kreu detyra të rëndësishme, ndërsa pas çlirimit u aktivizua në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit dhe u caktua si Komandant i Postës Kufitare në fshatin kufitar  Cerem, ku qëndroi nga viti 1945, që kur u kthye nga lufta, deri më 13 korrik 1953, ku ra në krye të detyrës, për të mos u harruar kurrë, kur bandat e UDB-së  jugosllave, në bashkëpunim me agjentët e tyre brenda vendit tonë, ia prenë jetën, por ai nuk ra, por u përjetësua, duke i dhënë titullin “Hero i Popullit”. I përjetshëm kujtimi i tyre!

Nuk mund ta le pa e përmendur dhe heroin më të ri të Kufirit, Nik Pjetër Ndreka nga Vermoshi, i cili u masakrua nga armiqtë e këtij populli, në moshën më të njomë të jetës së tij. Por me trimëri e guxim ia morën hakun, Forcat e Kufirit në bashkëpunim me popullin heroik të Vermoshit, bënë asgjësimin e tradhtarëve të shitur e të pabesë, të cilët pa iu bërë varrimi akoma, u asgjësuan komplet banda e armatosur. Populli i dha titullin “Hero i Popullit” pas vdekjes, por ai ngelet i pavdekshëm në zemrat e popullit dhe të historisë së Kufirit. Janë me qindra shembuj dhe heroizma të popullit tonë në ruajtjen dhe mbrojtjen e kufijve. Shembuj të tillë ka dhënë edhe populli i zonës e brezit kufitar, patrioti Hamdi Bogdani, që i vuri zjarrin shtëpisë së tij për të djegur brenda tre  banditë të UDB-së jugosllave.

Jetën kanë dhënë shumë dëshmorë për të mos u harruar kurrë, siç janë: Ramazan Isaku e Llesh Pal Çupi, në përpjekje me bandat e Kosta Filit, në jugun e vendit; Myzafer Lipellari nga Shkodra, nga agjenturat e Jugosllavisë dhe bandat e Markagjonëve. Tre kufitarë në postën e Ceremit, po nga agjenturat e Jugosllavisë dhe kryesisht nga të arratisurit nga Tropoja, Hysni e Niman Kadria, Tahir Hoxha e të tjerë në zonën e verilindjes, vepronin Zenel Shehu e Hamit Matjani, në zonën e lindjes vepronte Irfan Koskova, me bandat e tij, ku kanë asgjësuar me dhjetëra kufitarë. Gjithë kanë përfunduar në duart e forcave tona dhe kanë dhënë llogari para popullit, ose kanë përfunduar në gojën e “ujkut si tradhtarë”. Por në Forcat e Kufirit, në bashkëpunim me Forcat e Ndjekjes janë asgjësuar dhe/ose janë kapur gjallë dhe kanë pohuar gjithë veprimtarinë e tyre.

Shembull i rrallë i Hajdar Tafës nga Berati për të asgjësuar bandën si e kishte rrethuar. Hodhi granatën e tij në mesin e bandës dhe e asgjësoi atë së bashku me veten e tij. Ose heroiku i rrallë i heroit të heshtur, Gani Shabani, nga Tropoja, me guxim e trimëri asgjësoi bandën e Irfan Koskovës. Me granatën e tij, që hodhi banda për ta asgjësuar njësinë që drejtonte, Ganiu me guxim, trimëri, mençuri, kapi granatën e ndezur dhe ia hodhi bandës dhe e asgjësoi plotësisht. Që të dy janë dekoruar me titullin e lartë “Urdhrin e Trimërisë” dhe të Mbrojtjes së Atdheut. Jetën kanë dhënë në zbatimin e detyrave, pesë kufitarë me komandantin e tyre, në Qafën e Doberdolit, Tropojës, për të zbatuar detyrën e ngarkuar.

Shembuj të tillë ka me qindra, por këta janë disa. Forcat e Kufirit kanë një rrugë të lavdishme në zbatimin e detyrave të ngarkuara, në shërbimin e Atdheut. Jo vetëm kufitarët, por edhe kuadrot. Si nga ana fizike, shpirtërore dhe familjare. Familjet e kufitarëve kanë jetuar pranë bashkëshortëve të tyre, për vite të tëra, Iarg familjeve të tyre, larg qyteteve. Postat e Kufirit kane qenë nëpër fshatra në vende të izoluara, me shumë vështirësi. Kanë qenë pa punë, pa kopshte, pa shkolla, në shumicën e tyre. Prandaj, edhe ato kanë kontribuar në zbatimin e detyrave nga bashkëshortet e tyre. Me gjithë vështirësitë që kishin, asnjëherë se neglizhuan, por qëndruan si heroina së bashku me bashkëshortet e tyre, krah për krah. Veprimtaritë e shumta armiqësore, përveç futjes së bandave dhe diversionit, në gushtin e vitit 1949, në kufirin e jugut dhe juglindjes, armiqtë e betuar dhe pretenduesit e Vorio-Epirit, monarko-fashistët grekë, morën një agresion ndaj vendit tonë. Por ata s’ia arritën qëllimit të tyre. Hasën një rezistencë të paparë, ku Forcat e Kufirit, megjithëse janë të pakta në forca e në mjete, ia arritën qëllimit me trimëri e guxim jo vetëm t’i thyenin, por iu shkaktuan humbje të konsiderueshme në njerëz e forca. Një rol të rëndësishëm luajtën dhe e shkruan me lavdi Epopenë e 36-ve. Tridhjete e gjashtë kufitarë të Postës së Vidohovës. Të gjitha këto luftëra, përplasje, vrasje, provokacione, kanë ardhur si rezultat jo vetëm nga jashtë, e nga Jugosllavia, Greqia, Italia, por edhe më shumë nga shqiptarët e arratisur jashte vendit, nën drejtimin e drejtpërsedrejti të tradhtarit, hajdutit e satrapit Ahmet Zogu, që   me thesarin e vjedhur investoi bandat dhe tradhëtarët e vendit ndaj popullit të vet. Por asnjëherë s’ia arriti qëllimit. Për arsyen e vetme se kuadrot e asaj kohe kanë pasur vetëm një qëllim: “Një BETIM, se do të japin jetën kur e do interesi i Atdheut e i Popullit tonë”.

Adem Ismaili

Ish-oficer i kufirit 1962-1992