Ilmi Qazimi: Plagët e plakjes dhe shteti ynë

209
Sigal

 

 

Stina e pleqërisë në jetën e njeriut është më e bukura, për pasurinë e larmishme të  saj dhe për pozicionin që merr vetiu njeriu se, nuk bredh më nëpër udhë, por vijnë udhët tek ai. Ajo natyrshëm për gjatë tre muajve të saj ka edhe plagë. Sistemi shoqëror që po ndërtojmë, këto plagë konkretisht i mahis, i shton,  i gangrenizon dhe afron në kohë pritën që ka zënë vdekja aty, matanë bregut. Kujtoj disa prej pensionistëve që jetuan socializmin shqiptar, ashtu siç qe ai me të mirat e shumta e të këqiat e pakta. Pensionisti, plaku, ai ose ajo, merrte 4,5 deri 7 mijë lekë të asaj kohe dhe  e aktivizonin në shumë sfera të jetës shoqërore: me pionierët, me organizatën e frontit demokratik, me kulturën, me konsultime e këshillime  në fushat përkatëse, veçanërisht bujqësi e industri, me shkrime, tregim përvoje, në organizatën e veteranëve, deri edhe me lexim gazete kolektive…Se ai ishte niveli i  tyre si pensionistë pleq dhe i atyre moshave të tjera që e rrethonin. Nga ana tjetër, kujdesi shëndetësor shtetëror ishte më i  dukshëm, me ato mundësi që ofronte koha dhe ekonomia e centralizuar shtetërore. Dhe më kryesorja, pleqtë respektoheshin kudo, gjithnjë, në çdo rrethanë, pavarësisht nga personi apo niveli intelektual. Sundonte mendimi që plaku është hambar dijesh, prandaj dëgjoje dhe respektoje…Kjo ishte e përgjithshmja, po jo se nuk kishte aty-këtu edhe gabime e keqtrajtime.

Kurse në këto tridhjet vjet kapitalizëm, pleqtë, përgjithësisht janë kthyer në një shtresë shoqërore që shihet me përbuzje, me neveritje, dhe sikur ata janë bërë pengesë për zhvillimin galopant e të ç’akorduar me shkallëzimet  pasurore  të shoqërisë. Shumica syresh shikohen si  ara djerrë, të braktisur, të lënë në mëshirë të fatit, të pavlershëm dhe madje, të bezdisshëm deri edhe sa u vënë etiketën “parazitarë”. Varfëria e shumë prej pleqve të të dy gjinive, diskriminimi që u bëhet atyre nga moshat e reja e posaçërisht, nga segmente të caktuara të shtetit dhe administratës shtetërore, abuzimi me ta deri në fyerje, rrahje, vrasje  me mjete e mënyra makabre,- këto janë shfaqjet që  mbushin  gjerësisht ditë e netët e atyre që kanë kaluar mbi të shtatëdhjetat. Flas për Tiranën, por, nga sa kam biseduar me të afërmit e mi, kështu është edhe në qytetet e tjera.

Kapitalizmi bën jo pak studime nga të shumtat organizma pagëthithëse që të marrë masat më të rrepta kundër  kësaj shtrese parazitare, në pamje, gjoja për t’i ndihmuar. Them kështu sepse plakut, sipas konceptit kapitalist, i ka ikur cilësia e tij si mall që nxjerr mbivlerën maksimale që synon bosi. Ai mund të kontribuojë gjerazi, por  kapitali do  mbivlerën, e nuk do edukimin. Dhe e do në një kohë sa më të shkurtër.

Në një nga këto të studime trajtoheshin, sipas medias, të drejtat që iu janë ngrënë pleqve si: kanë rënë pre e diskriminimit; iu mohohet pjesmëmarrja në shoqëri; nuk kanë siguri sociale; dhunohen psikologjikisht; nuk kanë mbrojtje të veçantë nga shteti,etj. Pleqtë nuk lejohen që të punojnë, sepse u thonë:” “jeni të paaftë për të punuar ” ose  ” jo të aftë  për t’u punësuar”. Por pas studimit nuk ka masa reflektive. Që të jemi të saktë, Bashkia e Tiranës  ka premtuar goxha  filantropizma e “të mira për pleqtë”, por shumica e tyre kanë mbetur fjalë boshe, si gjithkund në politikë. Kështu p.sh,. u harrua kafja dy lekëshe, mencat popullore për një vakt falas, angazhime  në veprimtari vullnetare etj. Ndaj,shumica dërrmuese e pleqve mbeten në azilin paravdekjesor, tek tavolina e dominosë, stoli buzë Lanës dhe ndonjëri, edhe në kafe pesëlekëshe.

Konkretisht, në këto tridhjet vite, një punë jashtëzakonisht të efektshme po bëjnë vetëm Organizatat Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut dhe ajo e Veteranëve të LANÇ, të ndjekura nga organizata dhe shoqatat atdhetare e kulturore, si  edhe ato të veteranëve të  profesioneve të ndryshme  të ekonomisë, mbrojtjes e kulturës  si minierat, nafta, ushtarakët, etj. të cilat gjallojnë në tërë vendin, por me shumë vështirësi. Është njerëzisht  e domosdoshme që këto, të sponsorizohen nga shteti. Janë shumë vende në Evropë e gjetiu, si Kroacia, Polonia, etj. etj. që e parashikojnë këtë zë financiar në buxhetin e shtetit, si nevojë jetike për  grupin e të moshuarve. Kjo vjen  sepse qeveritë  e mençura në traditën e tyre, nisen nga koncepti i drejtë që, plaku nuk është mall për treg, por thesar i vazhdimësisë jetësore për mbarë shoqërinë.

Po qeveria shqiptare pse nuk e bën këtë? Përse kjo qeveri që  po kalon nëpër duar e xhepa aq e aq miliona, nuk planifikon fonde  për shoqatat e mirëfillta me taban kombëtar dhe potencë shoqërore, apo për organizata që  iu shërbejnë denjësisht  moshës së tretë, moshë e cila do të jetohet, vijimësisht, nga të gjithë njerëzit?