Ilmi Qazimi: Aventura drejt çmendurisë për karrige

Po shkruhet nëpër gazeta dhe tërë portalet, nëpër instagrame e tuitër e në tërë rrjetet sociale, se veprimi i nënshkrimit prej Edi Ramës, kryetar qeverie i një vendi me 2.8 milion banorë, të një marrëveshjeje me znj.Xhorxhia Meloni kryetare e një vendi me 59 milion banorë, për të strehuar emigrantë afrikano-veriorë në Shëngjin e në Gjadër, është çmenduri. Po flasin dhe pothuajse kështu po e quajnë edhe shumë individë, institucione, parti, organizata, organizma shtetërore e nga ato të biznesit, nëpër emisione televizive të Shqipërisë, të Italisë, të Gjermanisë e gjetiu. Ata thonë afërsisht: kjo është çmenduri! Dhe argumentet janë aq të shumta sa nuk i nxë defteri. ‘Bukuria’ vrasëse e kësaj trazire turbulluese dhe asfiksuese mediatike e praktike ballkanike, për mendjet e gjithkujt, arrin kulmin, sepse edhe vetë Edi Rama thotë: “Është çmenduri!”

Por ja në çfarë kuptimi dhe konteksti e thotë ai këtë: “Edhe kaq ditë pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje duhet t’i përgjigjem pyetjet për 3 mijë meshkuj afrikanë, që nuk ka qenë kurrë kështu. Kryeministrja italiane tha se gratë shtatzëna dhe të miturit nuk do të përfshihen në këtë program, do të merren dhe do të çohen menjëherë ku mund t’u jepet ndihma e menjëhershme. Nuk e di sa e sa herë gjatë këtyre ditëve më është dashur ta sqaroj dhe vazhdoj të mbetet e ngulitur në të gjitha ato fantazi që prodhohen nga këto gënjeshtrave për t’u përdorur pastaj për luftë politike. Do vijnë afrikanët këtu, të uritur seksualisht… Deri në këtë pikë. Pyetja për ju njerëz është si mund të luftohet kjo gjë, dhe ky është vetëm një shembull që ka përfshirë dy vende. Ajo që më shqetëson më shumë është se nuk ka më dialog, ka llogore nga ku më pas kryhen sulme…Unë e di që italianët janë shqiptarë të veshur me Versace, por është në Itali sidoqoftë, është kudo, kështu është, është çmenduri!” A kuptuat ndonjë gjë nga këto që tha kryetari ynë, veç shprehjes fyese “italianët janë shqiptarë të veshur me versaçe”?

NOA

Në rastin konkret të krijohet përshtypja se edhe kryetari ynë, pas berihajit bërtet “është çmenduri”, si ai që thosh “kapeni hajdutin”, duke qënë vetë njeriu që ka bërë veprim krejtësisht të përfshirë në atë që shumica dërrmuese e atyre që janë vetafishur në dhënie mendimi e kanë emërtuar ‘çmenduri’. Të prononcuarit janë individë të niveleve të ndryshme nga ai i rrugës, gjer tek ai i kolltukut dhe fronit, nga ai që nuk di të shkruajë deri tek ai që ka një kalë më shkollë e një mur me diploma.Thuajse 99% të tyre thonë se kjo lloj marrëveshje është e turpshme dhe në dëm të popullit shqiptar e  tërësisë territoriale të  Republikës së Shqipërisë. Këtë, edhe Edi Rama e kupton. Por e maskon! Krijon një mjegullnajë maskuese të halleve të vërteta të Shqipërisë,siç janë boshatisja, plakja, mungesë e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese,mungesa e plotë e mbrojtjes së vendit,goditjet që po i jepen gjuhës shqipe dhe truallit me banorë shqiptarë etj.Po a mund të mbulohet dielli me shoshë? Kurrë!

Sepse realisht, duke folur vetëm me mendje e jo me kafkë boshe,marrëveshja Rama-Meloni për devijimin e rrugës së emigrantëve,tashmë plotësisht të mundshëm në sasi të mëdha,  nga drejtimi për në Itali që është shtet i tetëshes më të fuqishme botërore, drejt Shqipërisë së vogël, por  relativisht të boshatisur, është, në këndshikimin më të gjerë, një lloj vetshitje, një rast vetdalje në ankandin europian për të tjetërsuar vendin tënd të shpopulluar,në një kohë kur të kanë zgjedhur kryetar për ta mbrojtur atë popull e atë truall. Të kemi zgjedhur për të na përfaqësuar me dinjitetin e shqiptarit e jo të lipsarit, as të tregtarit, as të të nënshtruarit.

Le të mos ia hamë kohën lexuesit duke shpjeguar se kush quhet çmenduri e kush vlerësohet mençuri. E domosdoshme është që të cilësohet me zë të lartë se këto dy gjendje, fakte, veprime, përkufizime janë dy skajet e një litari që ka të bëjë me mendjen e njeriut e jo të kafshës. I mençuri rrezaton zgjuarësi, dituri e aftësi për t’i vënë ato në shërbim të familjes, shoqërisë, atdheut duke u pozicionuar plotësisht në vendin që ka për të realizuar rolin që i takon. I çmenduri as që i ‘shkon këtij sinori’, por mendon me megallomani vetëm për vetveten, interesat e tij personale duke u udhëhequr nga delire që nuk kanë të bëjnë me mençurinë. Nuk duhet harruar se kur në krye, të një grupi njerëzish apo të një shteti, ke një person që zotëron aftësi komunikuese, joshëse, oratorike, njohuri të pjesëshme të pak fushave, që synojnë fitimet, dëshirat, instinktet, ai ka më shumë mundësi që të kthehet në njeri të djallëzuar se sa të mbetet thjesht i lajthitur apo i roitur.

Përveçse te mungesa e atdhetarisë dhe e mençurisë, ku e gjeni guximin, z.Kryetar, që pa pyetur askënd as këtu e as atje, asnjë organ epror dhe madhor, kolegjial e popullor, shqiptar dhe europian, që të tjetërsosh pjesë të tokës shqiptare, të larë me gjak e djersë, në territore italiane  për përdorim  për të jetuar afrikanët!? Ata janë popuj shumë të mirë, luftarakë dhe të dashur por nuk ka pse t’u krijohen kampe në Shqipëri. Nuk mund të marrë mbi supe Shqipëria barrën për të strehuar afrikanët. Kurrësesi jo! Kjo është një aventurë tej çmendurisë!

Kryetari i qeverisë sonë është në vitin e dytë të mandatit të tretë të tij në këtë karrige. Që të themi të vërtetën e bardhë, ai ka bërë jo pak gjëra të mira për popullin, vendin, në drejtim të  ecurisë sa më të mbarë të mundshme kapitaliste të Shqipërisë. Mirëpo ai harron plotësisht të kaluarën luftarake, shpirtërore, punëtore shqiptare; retushon të sotmen në telajo si ‘përditësirë të zakonshme duke kapur aq sa të kapësh’; eklipson të tjerët individë, opozitë dhe institucione: “vret e pret  e gjak nuk krren”.Ama për disa nga veprimet e tij  shumëkush ia kthen përgjigjen me urrejtje. Ai harron(?!) plotësisht se shqiptari e do punën, por do edhe shpërblimin sipas punës. Ai harron se ky popull, e do dhe e mbron tokën më shumë se kokën.Madje aq sa ka mbetur,por nuk toleron që t’ia cungosh jetën, t’i heqësh të drejtën e tokës e të  prodhimit bujqësor e blegtoral dhe sidomos të  armës për të mbrojtur ato. Z.Kryetar, kush harron të kaluarën, shkatërron të tashmen dhe nuk ka të ardhme. Këtë aksiomë e dini fort mirë edhe ju.