– Në gazetarinë e tij spikat aftësia për të shkruar këndshëm madje edhe ndryshëm, me një stil pak Moikomian
Ai është në pensionin modest të mësuesit, por punon se ia do shpirti, ia do formimi, njeh mirë gjithë krahinën Lumi i Vlorës dhe më tej, ka shumë miq e shokë akademikë, politikanë, udhëheqës shteti, punëtorë, barinj, mësues, nxënës e bisedon me ta duke zotëruar të gjitha regjistrat e komunikimit, si ato politiko-shoqëroro-administrative edhe stilin e thjeshtë e familjarë, sikurse ia do puna.

Shoqëria njerëzore ka nevojë për njerëz të mirë, e të tillë sipas Makiavelit janë ata që kanë ide të mira dhe i realizojnë ato. Mirësia është rezultante e meritës personale plus kushteve prej nga vjen e ku vepron individi. Ky është koncepti dialektik për mirësinë.
Një ndër njerëzit e mirë është edhe Ahmet Demaj, kryetari i Shoqatës Labëria dega Vlorë, funksion, të cilin ka kohë që e mban, që prej 2011 e që besoj se do të ketë kohë që ta mbajë falë mirësisë së tij dhe kohezionit që mbart për t’i bërë njerëzit bashkë, madje të gjithë. Po shkurt, kush është Ahmet Demaj?
Ai ka lindur më 23 mars 1947 në një truall të shëndetshëm njerëzish me vlera atdhetarie, në Velçën e Vlorës, në Velçën e patriotit Selam Hasani që me Mahmud bej Vlorën e trima të Labërisë bënë Luftën për trojet çame të 1854, që e vendosën kufirin me grekun në Artë, ku do të dëshironim ta kishim edhe sot, e “u vra për veten e tija”, në Velçën e mësuesit patriot që kontribuoi në hapjen e shkollave shqipe pas 1908, Yzeir Skëndo, të patriotëve Veiz Brahimi e Ali Beqiri të 1920-ës, të burrave të tjerë trima e të mençur të mëvonshëm që luftuan për lirinë e punuan për kombin, ai është po aq edhe nga Velça mitike, epike, vizive dhe e vlerave të mëdha natyrore e arkeologjike, e njerëzve të punës. Është bir i një familjeje atdhetare që luftës i ka thënë luftë për vatan, mikut mik e bukës bukë.
Kreu shkollën 7 vjeçare në vendlindje, të mesmen pedagogjike Tiranë dhe fakultetin biologji-kimi në Universitetin Luigj Gurakuqi Shkodër. Shërbeu në arsim në Tepelenë, Vlorë deri drejtor shkolle, gjatë. Për urtësinë e tij të dyfishtë njerëzore dhe intelektuale u zgjodh kryetar i Shoqatës Atdhetare Labëria dega Vlorë.
Jemi një moshë, kemi të njëjtën linjë arsimimi madje edhe ish mësues Tepelene, jemi nga dy fshatra, që i ndan një lumë gjysmë i tharë në verë, por që edhe dimri nuk se i ka penguar për të shkuar te njëri-tjetri, edhe pse notin nuk e kanë zotëruar, e kanë kaluar atë lumë gjer në grykë kur e ka dashur gëzimi, hidhërimi a halli. Madje janë shumë vajza të shkuara nuse te njëri-tjetri fshat që në kohë edhe pse thonë se dikur ato dy fshatra kanë qenë dy vëllezër, që u ndanë edhe me pak lojë e shaka me njëri-tjetrin. Thonë, se që të ndanin territoret, hipën natën të dy në dy male përballë, njëri në Tartar e tjetri Qeramëngë, e ndezi njëri zjarrin, e ndezi edhe tjetri dhe u nisën, aty ku u takuan vendosën kufirin që kanë edhe sot. Bashkimi më vonë në një kooperativë bujqësore i forcoi shumë, sepse njëra palë kishte malin kullotë e tjetra ujin e vaditjes. Velçotë janë dalluar për thjeshtësi, bujari e mirësi, për patriotizëm e dije. Pak kontakte kam patur me Ahmetin, përjashto një drekë te Shkëmbi “Nuri Dalani” në Vajzë një vit më parë në të cilin ishim disa krahinorë, ku përforcova tërë atë bindje që kisha se Ahmeti ishte burrë i mirë, i qetë, i avashëm, i thjeshtë, fliste me radhë e kur duhej, trajtonte probleme që duheshin trajtuar, kurrë nuk u lëvdua, kënd nuk shau, ai përcillte edhe shaka me dollinë e tij të këndshme dhe m’u duk një burrë mitik. Ajo që mbizotëronte në karakterin e tij ishte urtësia e dyfishtë. Thonë se karakteri i njeriut ngjizet që shtatë breza më parë e Adn-ja e Ahmetit është e shëndetshme. Ai ka patur pasion mbledhjen e fjalëve të rralla nga visaret e kombit, ka botuar katër libra me tregime. Është i dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri”, “Ambasador i paqes”, ka qenë anëtar i këshillit të qarkut Vlorë.
Është gazetar i mirë, në gazetarinë e tij spikat aftësia për të shkruar këndshëm madje edhe ndryshëm, me një stil pak Moikomian, që mendimet i parashtron në formë tezash, idesh, është kritik i mirë, është polemist i arsyeshëm e racional. Ka shkruar për pavarësinë, për Luftën e Vlorës, për arsimdashësit vlonjatë, për dëshmorët, për shoqatat kulturoro-atdhetare, për burra të dëgjuar labë e kryesisht Velçiotë, për kryegjyshin botëror sot që i nderon shpesh me vizitat e tij, ka shkruar deri edhe për rrugën disa vjeçare FED, 2014 ku shprehet se Vlora ka uri për zhvillim.
Rri shpesh në fund ndër tubime, por evidentohet i parë në mendime, madje këtë ia kanë vënë re të tjerët dhe, në mënyrën më njerëzore e më shqiptare a labe, kanë përcjellë edhe ndonjë dolli për të. E shprehja” hë më të pifsha dollinë”, është për burrat e zotë e të mirë.
Jeton në Vlorë, por shpirtin e ka në fshat, në fshatin plot vlera njerëzore, dashurie, thjeshtësie, vullneti, vëmendjeje, urtësie. Ka hulumtuàr mirë historinë e krahinës dhe të fshatit të tij dhe është kurajoz në ato që ka thënë si: për shpellat pŕehistorike të Velçës, për kulturën e heshtur që ekziston në Trevën e Labërisë, për figura të pazbardhura mjerisht luftëtarësh që i ka mbuluar mjegullnaja, për dëshmorë, që ranë në luftën për liri që herë i qajnë e herë i shajnë, trajton probleme të zhvillimit dhe angazhohet vetë në zgjidhjen e tyre plot urtësi e durim. Mban lidhje të ngushta me njerëzit. Në këtë pikë thuhet se është një etalon, ka shumë njerëz rreth vetes e gëzon simpatinë e të gjithëve.
Ai është në pensionin modest të mësuesit, por punon se ia do shpirti, ia do formimi, njeh mirë gjithë krahinën, Lumin e Vlorës dhe më tej, ka shumë miq e shokë akademikë, politikanë, udhëheqës shteti, punëtorë, barinj, mësues, nxënës e bisedon me ta duke zotëruar të gjitha regjistrat e komunikimit, si ato pilitiko-shoqëroro-administrative edhe stilin e thjeshtë e familjar, sikurse ia do puna. Ka një të qeshur të këndshme që e zotëron në komunikim, është nga ata burra për të cilët thuhet ” ka pak fjalë e shumë punë”. Ai është njeriu i mirë që rrezaton që larg, ai është një verë që provohet në një gllënkë, ai është një oaz që i shikon edhe zallin. Vullnetarizmi i tij është një tjetër virtyt për të. Shoqatat atdhetare gjithmonë kanë qenë jashtëqeveritare e jo partiake.
Të ketë njerëz të tillë shoqëria njerëzore është më e mirë, por mjerisht jo te të gjithë vitrina me magazinën janë një. E përsa kohë do të kemi njerëz që fshehin atë që kanë ndënë lëkurë, do të na duhet të evidentojmë njerëzit e mirë si Ahmet Demaj i Vlorës. Shoqëria e mirë bëhet nga njerëz të mirë e, kur të kalojnë kohët, njerëzit e mirë do të bëhen edhe pak mitikë, më të mëdhenj do të duken, atëhere do të shkruajnë brezat për dijen e mirësinë e tyre sikurse kemi shkruar ne për brezin e jataganit e të pushkës. Njerëzit idealistë gjithnjë i ka dashur koha, por kur idealizmi dhe mirësia bëhen bashkë më e fortë bëhet shoqëria. Ahmet Demaj, pa frikë, është një i tillë, idealist dhe i mirë, njeriu që i duhet shoqërisë.