Ilmi S.Qazimi: Me fqinjin e jugut jo inferior, por të barabartë!

Mbas përmbysjes të sistemit socialist, ashtu si mijra të tjerë edhe nipi im, Aliu, nisi udhën dramatike drejt shtetit fqinj jugor për kurbet, për fitim dhe jetë më të mirë. Ai nuk e dinte se para 35 vjetëve xhaxhai i tij, po në këtë moshë, 21 vjeçar, në një poezi pati shkruar mbase si paralajmërim për pasardhësit, duke profetizuar:” O Fqinji ynë i  Jugut, /Veç ti mbete siç qe ndër shekuj,/Malukat, cmirëzi, i pabesë’/”.

Shkon “ALI” dhe vjen “ALEKSIS”?!

Sigal

Dhe atje, nipi im, nisi aventurën me e pa punë, me e pa bukë, me e pa njeri, ‘pa’ burgim e pa liri, deri sa e kuptoi se nuk do të ishte më Ali! Iu martua motra, i vdiq babai dhe nuk erdhi dot në vendlindje se ‘nuk kish dokumente!?”Gëzimet dhe  hidhërimet e tij ishin të lidhura me atë që quhej ‘të integrohej si grek duke ndërruar edhe emrin e mbiemrin’. Vetëm pas pesë vitesh ai mundi të vinte por… tashmë ishte bërë Aleksis! Madje shkoi edhe në gjendjen civile të fshatit për ta ndërruar por ai çunaku atdhetar ofiqar vendosmërisht i tha:” Jo! Nuk ta bëj! Nuk e shkel ligjin shqiptar për ruajtjen e idenditetit të shtetasit!” Sa thamë është një e mijta e rrëfimeve të  transformimeve të  jetës, shpirtit dhe ekonomisë së emigrantëve tanë që provuan kurbetin famëkeq grek!  Manovra e masakra të njohura, të pafundme, deri monstruoze të të pabesëve qeveritarë grekë ndaj shqiptarëve vijojnë e do të vazhdojnë. Askënd nuk duhet që ta gënjejë mendja! Ujku ndërron vetëm qimen, por jo zakonin. Në forma të reja, në vende të ndryshme, në kohë të ndryshme qarqet sunduese greke kanë mbajtur e mbajnë të njëjtin qëndrim armiqësor ndaj  popullit shqiptar marrë në tërësi, apo në veçanti për banorë të krahinave, trojeve, fiseve, familjeve  individëve me idenditet shqiptar, me shekuj. Ky është realitet.Pastaj, janë qeveritë, strukturat organizative të të dy kombeve ato që duhet ta rregullojnë e ligjërojnë marrëdhëniet e pakicave kombëtare deri në miqësi, harmoni, mirëkuptim i ndërsjelltë pa cenuar njërin në kurriz të tjetrit.

Miqësi e harmoni, po secili në vendin e tij

Ishte vetëm sistemi i qeverisjes së dikaturës së proletariatit që u vendos në Shqipëri, dhe që u tradhtua në Greqi, ai që me struktura e specialistë të profilizuar përcaktoi saktë e qartë, mbi baza dokumentare, historike, shkencore dhe burimore të pakundërshtueshme, sasinë si numur, vend banimin brenda truallit shqiptar, gjuhën, origjinën dhe ecurinë e pakicave kombëtare jo shqiptare. Dhe për 45 vjet ato pakica, greke, maqedonase, vllahe, serbe, egjiptiane e rome, e bënë  jetën më të mirë se vetë banorët shqiptarë.Së pari, atyre iu garantuan të drejtat e gjuhës- si pasaporta e çdo kombi etj etj.A nuk ju kujtohet që atë kohë kishim ministra nga minoretiti grek, shkrimtarë të mëdhenj e deputetë  dinjitozë të minoritetit maqedonas, sekretarë të parë partie rrethi rom etj. etj? Ishte Enver Hoxha ai,që qarqeve shoviniste greke u ‘vuri kufirin te thana’ për gjatë periudhës sa furtunshme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kundër të të njëjtëve pushtues nazistëve gjermanë  dhe fashistëve italianë; ishte po ai udhëheqës i Shqipërisë që u tregoi vendin  monarko fashistëve grekë në  provokacionet e dështuara të armatosura të 2 gushtit 1949. Ishte po ai që  demaskoi dhe  ndaloi ‘vrullin’ e kolonelëve të zinj grekë të vitit 1967. Ishte po Enver Hoxha që kurrë nuk e ngatërroi, por e qartësoi fije për fije miqësinë e popullit shqiptar me popullin grek kur shkroi dhe botoi në disa gjuhë librin e tij  madhor”Dy popuj miq”. Ky libër me 436 faqe, botuar në vitin 1984 përmban pjesë nga ditari politik dhe dokumente të tjera  historike për marrëdhëniet shqiptaro-greke në vitet 1941-1984. Propaganda e grekërve dje dhe sot, hesht për këtë libër; propaganda anglo-amerikane e trajton sipas këndvështrimit të interesave të saj imperialiste, kurse politika e sotme dhe  propagandistët e zellshëm  të këtushëm antishqiptarë broçkullisin duke  u bërë iso sunduesve të huaj. Por ama libri është dokument, e zezë në të bardhë, dhe flet vetëm të vërtetën në çdo kohë e për këdo në disa gjuhë. E të kthehemi tek minoriteti grek:- sasia prej vetëm rreth 20 mijë vetësh në vitin 1940, u shtua  në raport më të gjithë  gjasat ashtu si dhe popullsia shqiptare, pa patur asnjë problem shqetësues. Ata ishin të vendosur historikisht në trojet shqiptare kryesisht në Dropullin e sipërm, duke gëzuar tërë  të drejtat e gjuhës, kulturës, traditës, familjes, zakonet, etj,etj dhe duke kryer tërë detyrimet ligjore njëlloj si banorët shqiptarë. Kujtoj që shkollat në këtë zonë ishin në gjuhën greke dhe fëmijët e vëllait tim ushtarak i punësuar aty, mësuan greqishten të parën e pastaj shqipen, sepse sasia e orëve ishte në raportin tre më një në favor të gjuhës greke. Dhe miqësia vijoi deri në vitet e vendosjes së kësaj pseudodemokracie.

Kush dhe pse e ngre flamurin grek në Himarë?

Sot na dalka një minoritet grek në Himarë?! Këtu, madje vjen edhe kryeministri grek e mban fjalime.Valëviten flamurët grekë dhe asnjë shqiptar. Këtu  punojnë ditë e natë organizata dhe parti filogreke dhe bëjnë propagandë sikur Himara është e i përket Greqisë. Sikur jemi në Vorioepirin e shumëndërruar! Këtu propozohet dhe arrin të zgjidhet kryetar bashkie një individ me biografi të dyshuar si pjesëmarrës në grup vrasës, me origjinë të saktë shqiptare e me shtetësi greke edhe pse person i përfolur. Janë të shumtë historianët, demografët, shkrimtarët duke nisur nga i madhi Petro Marko e gjer tek më i riu studiues Ardit Bido që kthjellojnë tërëçka për gjakun shqiptar të banorëve të Himarës.Z.Ardit Bido e qartëson bukur  kur  i thotë zotit Vangjel Tavo:” Sot, që rezultatet  e votimeve kanë dalë, ky tashmë është fakt. Dy vendbanimet që ke pasur rikuperim zero ose minimal është Himara fshat, ku shumica dërrmuese ka vetidentifikim grek dhe Gjileka, ku një pjesë e mirë e banorëve kanë vetidentifikim grek. Madje, Gjikuria ka shtuar në këto kuti votimi 5% të votave në krahasim me Belerin dhe nëse do të votonin edhe ata 50 veta me karta të skaduara që opozita u tregua e paaftë t’i nxiste t’i rinovonin do të rriste votat e tij me 15% ndër personat me vetidentifikim grek në Himarën fshat.” Studiuesi analist bindës nxjerr edhe termin interesant: ”vetidentifikim grek”. Le të ndalemi pakëz këtu: Identitet do të thotë : “të qenit i veçantë nga të tjerët dhe i njëjti vetëm me vetveten në disa veçori e tipare që shërbejnë për  t’u njohur pa vështirësi si i tillë, që është ai ose ajo. Pra që identifikohesh prej atyre që merren me identifikimin dhe njihesh si njeri, objekt, kafshë, klasë, lloj, origjinë, në bazë të të dhënave të ndryshme, gjurmëve që ke lënë”. Për këtë të pajisin edhe me një dokument të miratuar ligjor identifikimi. Po këta që janë vetidentifikuar nga kanë dalë? Nga censusi, le të shpresojmë! Apo nga ata individë të vetshitur te dhrahmia, euroja e dollari?! Po ja sa qenkan,15%! Në cilin fshat apo qendër të banuar të Greqisë me 15% banorë shqiptarë ka qenë Edi Rama apo ndonjë kryeministër tjetër në historinë shqiptare dhe ka folur për nevojën e bashkimit të tij me Shqipërinë? Kurrë! Ky yni vetëm se për ‘miqësi’ në një fshat në territorin shqiptar vendosi me ceremoni bustin e babait të kryeministrit grek! E në atë ceremoni i biri kryeministër nuk erdhi por ishte i pranishëm një shok grek i Ramës!?!

Jo vegël e të huajve, por shërbyes i popullit që të zgjodhi!

Më tej z.A.Bido me të drejtë thekson :”Teksa Gjikuria ka rritur votat e veta te të vetidentifikuarit grek, ai ka humbur dërrmueshëm në zona të tjera, sepse mesazhi kryesor i këtyre zgedhjeve ishte vota e protestës kundër vorioepirotizmit.”Pra qarqet e sotme  drejtuese greke kërkojnë të rikthehet vënia në jetë e teorisë së Vorio-Epirit, të rrëmbejnë Shqipërinë e Jugut, si troje, si pasuri, si natyrë dhe si identitet duke e kthyer në Greqi! Duke nisur nga një çikë e nga një çikë, çdo ditë e çdo natë, pa kursyer asnjë lloj veprimtarie antishqiptare e antinjerëzore. Kjo platformë u shfaq dhe u realizua edhe në Himarë, para e pas aventurave të një lloj individi pa din e iman si Fredi Beleri, të cilin edhe pse të burgosur për vjedhje votash Greqia e dërgon në Europë, dhe ai, me sa duket ‘si vlerë e shtuar’ zgjidhet eurodeputet e madje kryetar i një grupi!? Dhe do të vijojë kështu po qe se shqiptarët e vërtetë, jo vetëm të Himarës do të qëndrojnë indiferentë. Autopsia analitike që, z.Ardit Bido, iu ka bërë zgjedhjeve të datës katër gusht 2024  tregon më së miri se kush janë grekërit, kush janë individët shqiptarë të greqizuar, kush janë sehirxhinjtë e kush janë aktorët e vërtetë të ‘rrëmujës’ dhe ‘lumturisë’ për Himarën si bashki dhe si etnitet. Kjo analizë nxjerr në pah, por pa vënë emër njeriu, kush janë “Ata të Athinës” dhe cilët janë “Ata të Tiranës” që në akord  interesash materiale e morale të ndyra  të tyre,luajnë  armiqësisht mbi kurrizin e banorëve të bashkisë së Himarës. Jemi relativisht të qetë që nuk dimë tërësinë e marifeteve diplomatike të kryetarit shqiptar të qeverisë së tanishme Edi Rama, por ndjejmë dukshëm se ai është treguar tejet inferior ndaj kryetarit safi grek të qeverisë së tanishme të Greqisë, Mitsotaqis. Për të qenë të barabartë, nuk mjafton si argument anëtarësia në NATO, apo marrëdhëniet herë mirë e herë ngrirë, apo shfuqizimi i ligjit krejt absurd të Luftës, por edhe përvoja shqiptare e viteve1941-1985. Është politika e këtyre individëve drejtues dhe suitave të tyre në periudhën postkomuniste që ngatërron keqas idenditetin e himariotëve, tek të cilët zjen gjaku shqiptar. Jepu plazhin e grabitur, sillu ujin e pijshëm, jepu dokumentet e duhura të pronësisë, asfaltoju atë copë rrugë, rritua pensionin ashtu si në Europë, krijoju mundësi reale të ushtrojnë biznes shqiptar e jo grek- ja kaq duan shqiptarët e Himarës prej pragmatistit z.Tavo; dua të them prej pinjollit pasardhës të asaj treve Edi Rama, i cili sakaq me laps e letër ia vuri detyrat. Po nuk u plotësuan për një vit ato që kërkojnë himariotët, do të thotë se qeveria shqiptare ka tradhtuar interesat e kombit tonë.