Ilir Vata/ Duka përfaqëson të djathtën apo xhepin e djathtë të Mediut?

708
Sigal

Fatkeqësia e politikës shqiptare është fakti se ish- spiunët e sigurimit, matrapazët, trafikantët e drogës, të korruptuarit, trafikantët e armëve, monopolistët e tregut po na shiten si të djathtë, madje shpesh herë dhe të përndjekur politik nga regjimi komunist.

 Ky fatalitet ogurzi ngriti kokë pikërisht sot me faktin që në mënyrë zyrtare republikanët sahanlëpirës na shesin Dukën si të djathtë e pikërisht në Durrës, ku ka qenë dhe vendi pritës i të internuarve të parë të diktaturës komuniste. “Duka i krimit kandidat i së djathtës në Durrës”, një ogur i zi për të gjithë intelektualët e Durrësit, partitë e djathta koalicion me PD-në dhe vetë Partinë Demokratike. A do ta lëpijë Berisha atë që ka thënë për Dukën “Duka i Krimit”!? Po Basha, çfarë manovre do të luajë, apo mos vallë Mediu di gjëra dhe ka për ti ecur presingu ndaj partisë Demokratike!? Sigurisht që durrsakët do ia japin përgjigjen, nëse ai del kandidat i përbashkët i PD-së, e nëse është vetëm do marrë votat e klloçkave të tij, se as shijakasit nuk ia japin, por është fatkeqësi që ai të marrë mandatin e demokratëve dhe të djathtëve shqiptarë për të përfaqësuar Durrësin. Shpallja në mënyrë të njëanshme e Agron Dukës, si kandidat për kryetar të bashkisë Durrës nga Partia Republikane është një farë presioni apo kushti që kërkojnë republikanët për të hyrë në koalicion më Partinë Demokratike, duke kërkuar llokmën më të madhe apo daljen nga koalicioni për të shpëtuar lëkurën vetë Mediu. Partia Republikane ka qenë një ndër partitë parazitare të Partisë Demokratike dhe këto 23 vite ka ndenjur si pjesë e pushtetit, duke u zvarritur pas PD-së dhe në zgjedhjet e fundit, Mediu është deputet i PD-së realisht, por siglën e mban nga pas si plotës për të luajtur lojën e tij. Në emër të mashtrimit me  pronarët dhe të përndjekurit, ka arritur të jetë pjesë e politikës dhe e parlamentit, pikërisht në përdhembjen e këtyre kategorive, por kapërcimet e tij nuk kanë të sosur pasi në zgjedhjet e qershorit 2013 bëri kapërcimin duke marrë Agron Dukën nga e majta dhe futur në të djathtën e Mediut, që në fakt ai nuk përfaqëson të djathtë por xhepat e tij, mbase Duka ngrohu xhepin e djathtë të Mediut jo të djathtën që pretendon. PD në 2013 preu në besë aleatët e tjerë për Mediun, duke i përjashtuar nga lista dhe përdorur si hamej për të mbledhur vota për kurrfarë garancie dhe ndershmërie në marrëveshje, një pabesi që po nxjerrë kokën pasi pas marrëveshjes që firmosi Berisha me aleatët, qëndronin aferat e armëve, drogës, miellit dhe vetë Duka i krimit siç edhe e quante vetë Berisha. Sërish Mediu guxon dhe ky frymëzim i erdhi pas Gërdecit, ku la të vrarë 26 jetë njerëzish, një çështje që nuk u zbardh kurrë dhe pasoja të pallogaritshme sociale, por bravo, sërish guxon përtej fjalëve, programit, siglës së të ndjerit Sabri Godo, mbi të djathtën në tërësi dhe madje dhe mbi partinë Demokratike që e ka suportuar për këto 23 vite në politike. A nuk ka tjetër Durrësi, pyet një i përndjekur, që Mediu na sjell një komunist, biznesmen të babëzitur që e nisi me miellin nga Turqia dhe e përfundoi më krunde, me vezë me dy të kuq, supermarkete, që ka mbërthyer parlamentin, sportin, kulturën e rrugës dhe çdo treg dhe tani duhet ti falim dhe Durrësin. Kur do të heqë dorë politika nga këta njerëz të babëzitur që paratë e “miellit”, kontrabandën, trafikun, ti shndërrojnë në pushtete parlamentarë dhe vendorë, si në rastin e Dukës që dikur lideri historik i Partisë Demokratike, ish- Presidenti, ish-Kryeministri, Sali Berisha e quante “Duka i krimit”,  pasi biznesi i tij u nderua nga hamajtë e “miellit” nga Turqia. Kjo është demokracia “allagërdec”, që kërkon që një ndër qytetet më të rëndësishme në vend ta marrë banda e monopolizmit në Shqipëri. A nuk ka Durrësi nga e djathta kandidat, djem e vajza të vlerave intelektuale dhe botës akademike, sigurisht që ka, por politika e inkriminuar kërkon përfaqësime politik pikërisht më këta të llumit që janë pasuruar nga zullumet e shqiptarëve, pehlivanllëqet politike dhe injoranca e thellë që kanë lançuar në përfaqësim. Presioni i Mediut që i bën Partisë Demokratike, që është dhe lideri opozitar i koalicionit të së djathtës, është një presion që në miniaturë politikanët e kapur kërkojnë ti bëjnë vetë të djathtës si një ogur i keq i të ardhmes zgjedhore në zgjedhjet vendore të qershorit 2015. Lajthitja e Mediut, si duket është dhe fundi i koalicionit me Partinë Demokratike sepse i duhet një aleat i ri për ti shpëtuar burgut, ose Partia Demokratike nuk është më ajo pjesë që përfaqëson shqiptarët, por bandat e tregut e të politikës që kontrollojnë gjithçka.