Ilir Vata: A do kemi një president nga të përndjekurit politikë

584
Gara për presidentin në heshtje ka nisur, pasi dhe partitë politike kanë emrat e tyre dhe me gjasa do të jetë një nga emrat e mazhorancës qeverisëse sepse fundja demokracia është përfaqësim i shumicës. Por përtej numrave ekziston një mundësi e artë që presidenti të jetë një nga intelektualët e të përndjekurve politikë, madje dhe një nga ata që ka vuajtur në burgjet e diktaturës dhe emrat jo vetëm që nuk mungojnë, por janë mjaft konkurrues dhe të njohur për shqiptarët. Ka nga të përndjekurit shkrimtarë, artistë, juristë, biznesmenë, intelektualë të fushave të ndryshme që munden, jo vetëm të jenë në rolin e presidentit, por ta përfaqësojnë atë denjësisht, madje duke ruajtur ekuilibrat e tradhtuara e të prishura ndër vite dhe, në përputhje me vetë rolin e presidentit që sinjifikon unitetin kombëtar. Që nga koha e Ahmet Zogut dhe deri më sot, në të gjitha herët kemi pasur president nga diktatura, komunist apo ish-ushtarak të diktaturës, si dhe presidenti aktual dhe marrëzisht vazhdohet me të njëjtën klimë besimi tek e shkuara e diktaturës, mendësia e saj dhe sa herë ka nevojë vendi për emra përfaqësues, politika e vjetër vrapthi zgjatën dorën po tek emrat e vjetër të së shkuarës?!. Kjo klasë politikë në pozitë me moshë relativisht te re, ka kurajë të bëjë një zgjedhje të tillë dhe të propozojë për president një nga emrat e të përndjekurve politike, pasi mundet të jetë edhe emri që mund të marrë konsensusin e të gjitha palëve, por mbi të gjitha është një mesazh për pajtimin kombëtar. Politika i ka borxh kësaj shtrese, sepse ata vuajtën në diktaturë deri në fillin ku këputet jeta, madje për mijëra vetë ishte jetë e këputur, sa sot kemi 7200 njerëz pa varre, të vrarë tinzash dhe në fshehtësi nga sigurimi i shtetit dhe xhelatët e diktaturës. Të përndjekurit politikë nuk kanë përfaqësim, as pushtet, nuk kanë garanci politike, janë lënë në harresë, përtej çdo morali të vetë politikës dhe do ishte në nderin e politikanëve të ngrenë në rolin e presidentit një nga të vuajturit e diktaturës, sepse dhe Papa zgjodhi të ngrinte në altarin e lumturimit 38 martirë të ekzekutuar gjatë regjimit komunist. A do ketë kurajë politika shqiptare të ngrejë në podin e presidentit një të burgosur apo të përndjekur politik, dalë nga ferri i diktaturës, si një mesazh paqeje dhe triumfi mbi të keqen, krimin dhe persekucionin dhe në respekt të paqes, lirisë dhe shtetit të së drejtës dhe të demokracisë që pretendojmë se kemi?
Sigal