Perceptimet e mia për të mos heshtur për një kauzë të madhe
Një mik, me dashamirësi më thotë “shumë po lodhesh duke shkruar për Çamërinë. Nuk ka të tjerë, veç ti duhet të jesh kaq këmbëngulës ? Çfarë fiton nga kjo ?”. Me qetësi iu përgjigja : – Fitimi është zero lekë, por t’i ndoshta ke të drejtë, – i thashë, – por unë kam shumë arsye që më obligojnë si pjesë e atij vendi. Dhe në meditimin tim dhe duke ia përcjellë mikut tim të nderuar që më ngacmoi përjetimin e momenteve, çka ai më tha, mendja futet në thellësitë e kohërave të shkuara.
Realisht nuk kam se si të bëj ndryshe. Unë jam fëmija i vetëm i dy prindërve i fisit të Zenelatëve nga Filati i Çamërisë dhe në fokusin e mendjes sime kam pikërisht ata, nënën Naile dhe babain Nuri. Në mejtimet e mia gjenden të skalitura momentet e rëndësishme, që lidhen me historinë e Çamërisë dhe me Filatin veçanërisht, dhe tërë atë hapësirë shqiptare, ashtu si për çdo çam, qyteti apo fshati që padrejtësisht nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913 mbetën administrativisht nën Greqi.
Ardhja familjarisht në Elbasan më dha mundësinë që të respektoj ligjet e vendit mes njerëzve autoktonë “elbasanllinj”, siç e cilësojnë veten ata. Por më shumë se kaq, kam menduar dhe gjykuar, po aq sa edhe kam shkruar për Elbasanin si qytet vlerash dhe për historinë e personalitetet e tij të nderuar. Dhe kam bërë shumë mirë.
Njëherazi nuk kam harruar dhe nuk e kam ndarë as obligimin tim për Partinë Demokratike së cilës i përkas, edhe pse vordullat e jetës partiake kanë kaluar nëpër rrjedha, që shpesh më kanë anashkaluar, por unë jam stoik në këtë drejtim.
Por më shumë akoma çështja çame dhe historia dhe personalitetet e saj, po aq sa edhe ngjarjet e dhimshme, që lidhen me këtë vend, më japin motivim të jem ekzigjent dhe superstoik ndaj kësaj kauze të madhe që meriton jo vetëm vëmendje, por edhe përkushtim. Është kjo arsyeja që jam këmbëngulës në çdo moment : ditë, javë, muaj e vite, sepse po nuk menduam ne çamët që jemi trashëgimtarë të shqiptarëve të ardhur nga Çamëria, para së gjithash, nuk ka sesi të mendojnë të tjerët.
Frymëzimin e marr sa herë shikoja në sy prindërit e mi në foton e celularit dhe në foton që i kam ata brenda shtëpisë, siç ndodh në çdo familje, sidomos kur shikoj atë bustin e babait tim, Nuriut që në thellësinë e syve të tij shoh përtej një shikimi. Nuk kam se si të harroj se tek portreti i babait tim, po aq sa edhe nënës sime, shoh të kaluarën e tyre, prindërit dhe gjyshërit e tyre, si dhe brez pas brezi gjysh stërgjyshi që jetuan, u pleqëruan, ndërruan jetë në atë tokë të Çamërisë dhe në atë Filatin e mbushur plot me ngjarje dhe personalitete.
Tek portreti i prindërve dhe në thellësinë e shikimit të tyre, thellohem për atë çka unë jam dhe që nuk bëhet ndryshe. Ngjarjet e jetuara në atë vendin tim janë të mëdha, të rëndësishme, që mbahen mend që nga Pirro i Epirit dhe deri më sot, që flitet shqip dhe kemi zakone shqiptare, që mendojmë se, si pjesë e trungut etnik shqitpar, jemi një krah i shqiponjës që u shkëput padrejtësisht më 1913.
Në portretin dhe sytë e prindërve të mi unë “takohem” me gjyshërit e mi edhe pse nuk i kam jetuar ata, takohem dhe bashkëbisedoj edhe me farefisin tim që e dua se jam trashëgimtarë edhe i tyre, bashkëbisedoj me ata që bënë histori të Filatit dhe të Çamërisë, ata që ishin burra të nderuar dhe me aq përkushtim rritën brezat që sot ne të krenohemi.
Shoh edhe shtëpinë time në Filat që gëlonte nga jeta e përditshme se janë copëzat e tregimeve të prindërve të mi se si gëlonte jeta në qytet dhe në shtëpinë e tyre, se si ndodhën shumë ngjarje të hidhura njera pas tjetrës dhe derisa ndodh gjëma e madhe e genocidit grek mbi të gjithë Çamërinë.
Edhe trishtohem, edhe ngazëllehem se në rrugëtimin e mendimeve të mia gjendet e gjithë jeta e një familje, e një qyteti, e një kazaje dhe e një krahine me një emër të madh si Çamëria që shkruhet në të gjitha hartat e Europës së vjetër dhe të re dhe nuk ka se si bëhet ndryshe, edhe pse grekët duan të mos përmendet emri Çamëri dhe qeverisja me emrin “rilindje” bie dakord që të mos përmendet në librat shkollorë.
Edhe në enciklopeditë e vendeve europiane lexoj se cilët janë çamët dhe Çamëria dhe bashkë me të edhe historia e familjes sime të nderuar të fisit të Zenelatëve, si një nga 6 fiset që përbënin lagjet e Filatit, mes tyre Sejkatët, Dematërt, Memkatët, Resulatë e Dojakatët.
Ndaj dhe falenderoj Zotin që më lindi dhe më dha mundësinë e orientimit ndaj origjinës sime, po aq sa falenderoj prindërit e mi që më edukuan me vlerat e një çami të mirë, po aq sa edhe njerëzit e afërt të familjes që me dashurine e vendit të tyre, më skalitën të gjithë këtë përjetim vlerash që kam sot për origjinën e trashëgimisë sime si edhe fëmijët e familja ime.
Besoj në këtë, sepse nuk ka se si bëhet ndryshe, se unë e di nga vij dhe nga kush vij, kush jam e ku jam, por edhe e di se ku shkoj dhe do shkojnë fëmijët e mi. Ishte kjo një përgjigje që i dhashë një zonjë amerikane më 10 maj 1999, në kohën kur në Elbasan si në të gjithë Shqipërinë ishin të pranishëm shqiptarët e Kosovës që u shpërngulën nga genocide serb, ashtu si çamët u shpërngulën pa dëshirën e tyre, por me zjarr dhe me hekur nga vatrat e tyre për shkak të kriminelëve të shtetit grek përmes Napoleon Zervës si drejtuesi i paramilitarëve antishqitparë.
Me veten i lutem Zotit që e ka bekuar Çamërinë dhe popullatën e saj, ata që ikën nga andej dhe e lanë për të mos e parë, por që ruajtën në mendje dhe në shpirt gjithëçka nga vendi i tyre. Pikërisht për këtë Kancelari gjerman Shrëder, ka thënë: “Një njeri mund ta largosh nga shtëpia e tij, por shtëpinë s’ia largon dot nga zemra”.
Gjendja e sotme në të cilën ndodhet Shoqata Çamëria e vakët dhe pa drejtues dhe nën një presion të politikës së një partie politike, që flet në emër të saj dhe ka fashitur gjithçka çame, është një dhimbje që më shqetëson mua dhe të gjithë çamët trashëgimtarë. Dhe kur i shikoj sytë e prindërve, më duket sikur më thonë “Po amanetin tonë ku e latë, ju kemi rritur dhe edukuar për të mbajtur gjallë emrin dhe drejtësinë për kauzën e Çamërisë dhe jo ta harroni e aq më keq të pajtoheni me presionet greke”!
Sytë më mbushen me lot se janë mesazhe që na vijnë nga thellësia e viteve dhe shekujve se Çamëria ekziston dhe do të ekzistojë, duan apo nuk duan ata që duan fashitjen e problemit që ekziston. Se ku t’i çoj kujtimet dhe përjetimet e mia, ku t’i çoj historitë dhe personalitetet, ku t’i çoj prindërit e mi e çfarë t’u them që nuk lindën dhe jetuan në Filatin e tyre të dashur si edhe gjyshërit e stërgjyshërit e tyre ?
Kam bindjen se këto përjetime i bën sot çdo çam që është me shpirt, me mendje e me gjak trashëgimtar i prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve nga Çamëria jonë e madhe dhe e bukur, e lashtë dhe krenare.
Është ky motivim i madh që më bën të shkruaj e të flas sa herë më vjen mundësia dhe tanimë pas botimit të librit tim të parë publicistikë “Çamëria – Toka pa njerëz, njerëzit pa tokë”. Kam një falenderim për gazetën Telegraf dhe drejtorin e saj Engjëll Musai për mbështetjen që më ka bërë. Sot mendoj që për shkrimet e 5 viteve të fundit nga janari 2020 e deri më sot t’i bëj bashkë në një libër të dytë publicistik me titullin e arsyeshëm “Heshtja për Çamërinë – Tradhëti kombëtare”.
Por njëherazi këtë përmbledhje publicistike do ia dedikoj në shenjë mirënjohje njeriut me të cilin kam bashkëbiseduar shumë në këto 15 vjetët e fundit sa herë botoja artikuj për Çamërinë. Ai është Resul Musa Demi nga Filati i Çamërisë që me eksperiencën e jetës së tij dhe moshën që kishte, dinte se çfarë të më thoshte dhe është njeriu që me një përkushtim të veçantë jo vetëm i lexonte të gjitha, por kishte edhe mendimet e tij që m’i sugjeronte kohë pas kohe. Kjo ishte arsyeja që në bisedën e fundit dy javë para se të ndërronte jetë më 02 maj 2024 me amanet më dha uratën që të vazhdoj rrugën që të shkruaj dhe të luftoj për kauzën e Çamërisë.