Viktor Bakillari: Përurohet busti i Antonio Gramshit nga Grëmshi i Tomorricës së Skraparit në Gramsh të Elbasanit

209
(PËR ANTONIO GRAMSHIN E TË TJERA FIGURA TË MËDHA TË TOMORRICËS / SKRAPARIT)
Antonio Gramshi lindi më 22 janar 1891 në Ales (Sardenjë/Itali) dhe vdiq më 27 prill 1937 në Romë.
Ishte shkrimtar, gazetar, politikan, teoricien dhe filozof marksist italian.
Ishte njëri nga themeluesit e Partisë Komuniste Italiane (Partito Comunista Italiano), më vonë Sekretar i Përgjithshëm i saj (Kryetar) nga viti 1924 deri në 1927. Nga 6 prilli 1924 deri në arrestimin e tij prej fashistëve më 8 nëntor 1926, ishte deputet i Parlamentit italian.
Gjatë kohës në burg, Gramshi shkroi 32 broshura me tekste me reflektime filozofike, sociologjike dhe politike. Ato janë bërë të njohura si “Fletoret e Burgut” dhe përbëjnë një vepër të rëndësishme të mendimit marksist.
Analizat e A.Gramshit përdoren edhe sot në teorinë politike.
Si një intelektual marksist, ai zhvilloi veçanërisht teorinë e hegjemonisë kulturore. Puna e tij, e kryer kryesisht gjatë njëmbëdhjetë viteve të burgut, mbulon gjithashtu historinë e Italisë, nacionalizmin, partitë politike, letërsinë (veçanërisht veprën e Makiavelit), Rilindjen, madje edhe materializmin historik.
***
Antonio Gramshi ishte fëmija i katërt i Françesko Gramshit dhe i Jozefina (Giuseppina) Marcias. Familja Gramshi u përkiste arbëreshëve, minoritetit shqiptar në jug të Italisë. Deri vonë, ngulitja e familjes Gramshi në Itali ka pasur dy versione.
Gramshi mendonte se stërgjyshi i tij ishte shpërngulur nga Epiri (Ballkani) në 1821 pas një kryengritjeje popullore.
Ky version mendohej në bazë të një peme familjare të ndërtuar gabimisht (Shih foton: Pema gjenealogjike e familjes së Antonio Gramshit nga Tiberio Occhionero).
Në fakt, kërkimet e mëvonshme e hedhin poshtë këtë version.
Paraardhësit e Gramshit patën ardhur në Mbretërinë e Napolit pas një vale të hershme të refugjatëve të krishterë shqiptarë, pasi stërgjyshi i Antonios, i cili quhej Nikoll Gramshi (1769–1824) është regjistruar si pronar tokash në Plataci në provincën e Kozencës (Kalabri) në shekullin e 18-të. (Burimi: Nuove notizie sulla famiglia paterna di Gramshi ; Guido Liguor.)
Don Nikolla Gramshi u shpërngul në Napoli me gjithë familjen në 1795. Atje familja e tij u integrua në shoqërinë e lartë dhe prej andej ajo menaxhonte pronat në Kalabri. Në qytezën Plataci lindi gjyshi i Antonios, Gennaro Gramshi (1812-1872), i cili u bë kolonel i xhandarmërisë së Mbretërisë së Dy Sicilive. Ky u martua me Tereza Gonzalesin, vajzën e një avokati të njohur napolitan. [Burimi: Giuseppe Fiori: Vita di Antonio Gramshi. Botim 1979, F. 13.]
Djali i tyre më i vogël, Françesco Gramshi, i lindur më 6 mars 1860 në Gaeta (Lazio) ishte babai i Antonio Gramshit. Françeskoja nisi të studionte për drejtësi, por iu desh ta braktiste fakultetin, pasi i vdiq i ati. Rezultati ishte rënia nga shtresa e lartë shoqërore. Në 1881 duke kërkuar punë, përfundoi në Sardenjë. U punësua në zyrën e gjendjes civile në Ghilarza. Në Sardenjë ai takoi gruan e tij të ardhshme, nënën e Antonio Gramshi, Pepinën (në fakt Jozefina (Giuseppina) Marciasin, me të cilën u martua në 1883 kundër vullnetit të nënës së tij. (Wikip. Antonio Gramshi, versioni në gjuh. gjerm.)
E shoqja, Jozefina Marciasi vinte nga një shtresë e ulët i klasës së mesme. Babai i saj ishte taksambledhës dhe kishte një shtëpi të të vogël. Jozefina kishte lindur në Ghilarza në 1861. Ajo kishte ndjekur shkollën fillore për tre vjet dhe ishte një nga vajzat e pakta të kohës së saj që mësoi të lexonte dhe të shkruante. Lexonte pa fund autorët e mëdhenj, midis të cilëve edhe Bokaçion.
Çifti Gramshi pati gjithsej shtatë fëmijë; fëmija i tyre i parë, Gennaro, lindi në vitin 1884. Grazietta, tre vjet më vonë, Ema në 1889 dhe Antonio më 22 janar 1891. Një vit më vonë familja u transferua në Sorgono (Sardenjë). Mario (1893), Teresina (1895) dhe Carlo (1897) lindën atje. (Wikip. Antonio Gramshi, versioni në gjuh. gjerm.)
Këto të dhëna i sollëm për të hedhur poshtë versionin e parë, që familja Gramshi ka ardhur në Itali pas revolucionit grek. Në të vërtetë, kjo familje është shumë më e hershme në Itali dhe nuk ka shkuar nga Arbëria në vendin fqinj jugor dhe pastaj, prej andej në Itali, por ajo është shpërngulur drejtpërdrejt nga Arbëria gjatë një ikjeje masivë të arbërve në Itali nën trysninë e pushtuesit turk, disa shekuj më parë.
***
Le të kalojmë tani te thelbi i çështjes.
Më 18 Shkurt 1960, Gramshi u shpall qytet sipas dekretit nr.3060, të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Pra, 18 shkurti – Festa e Krijimit të Qytetit të Gramshit.
Pra, këtë javë (18 shkurt, 2023) qyteti i Gramshit mbushi plot 63 vjeç.
Urime e përgëzime, Gramshi!
Po këtë ditë u përurua busti i Antonio Gramshit, një vepër kjo e Skulptorit të Popullit Mumtaz Dhrami – Nderi i Kombit. (Shih fotografinën e bustit.)
Ne nuk mohojmë aspak vlerat e personaliteteve të Gramshit qoftë në histori dhe në ndërtimtari, qoftë në kulturë, përkundrazi, i nderojmë dhe i vlerësojmë së tepërmi.
Ne e kemi tek administrata asimilonjëse e qytetit të Gramshit dhe tek ajo e qarkut (Elbasanit).
Administrata e qytetit të Gramshit ka bërë një punë të madhe si vëllim duke mbushur shkresa për përvetësim figurash madhore rrethesh të tjera. Dhe, fakt është: Ia ka arritur!
Ajo ka arritur deri atje sa përvetësoi internacionalistin, antifshistin e thekur Antonio Gramshi, duke i ngritur bust në qendër të qytetit.
Antonio Gramshi, sipas burimeve të administratës së Gramshi, sipas burimeve të qarkut të Elbasanit, dhe, mbështetur te këto dy burime administrative, sipas shumë burimeve të huaja, na dalkërka me origjinë nga …, nuk po themi qyteti i Gramshit, se e thamë që ky qytet sapo kremtoi 63 vjetorin, por nga Gramshi!!!
Po kështu edhe Arkitekt Kasëmi.
U ka mbetur edhe personaliteti i Ballit Kombëtar, prof. Abaz Ermënji.
Le ta marrin edhe atë, pavarësisht se prof. Ermënji është i tutushëm dhe thoshte kudo se ka lindur në Ermënj të Tomorricës / Skraparit.
Tek është një kryekomunist-internacionalit, le ta vënë përballë edhe një kryeballist, profesor…
***
Sqarojmë se të gjitha këto personalitete (jo Baz Ermënji) janë me origjinë nga qyteza mesjetare e Grëmshit të Tomorricës së Skraparit, jo e Gramshit rinor 63 vjeçar.
Shkurt e thjeshtë, Grëmshi i Tomorricës ka krijuar Gramshin e Elbasanit!
***
Pas rënies së Arbërisë nën pushtimin turk, për t’iu shmangur skllavërimit osman para shqiptarëve dilte trilema: 1. Luftë, 2. Largim, 3. Përshtatje.
Që të trija hallkat e kësaj trileme gjetën zbatim në Tomorricë.
Nga kjo qytezë/Grëmshi (i Tomorricës) në vite e periudha të ndryshme gjejnë zbatim të trija degët e trilemës.
Fillimisht, kush njeh deri diku historinë e Shqipërisë, duhet të ketë dëgjuar për kryengritjet e armatosura të Tomorricës gjatë shekujve 16-17 kundër pushtuesve turq.
Tjetër: Shumë tomorricarë nga Grëmshi, Gjerbësi, Zhepa etj., midis tyre edhe të parët e Antonio Gramshit morën udhën e mërgimit duke shkuar në Itali, për t’i shpëtuar dhunës së hodhive osmane. Të parët e Antonios vonë, ndryshuan formën shkrimore të mbiemrit të tyre nga Gramshi në Gramsci, duke ia përshtatur drejtshkrimit dhe shqiptimit sipas italishtes.
Tjetër: Kryearkitekti i Perandorisë Osmane Kasëmi i Grëmshit të Tomorricës (rreth 1570-1656) dhe vëllezërit Frashëri (Abdyl, Naim, Sami) po me origjinë nga qyteza Grëmsh e Tomorricës së Skraparit, njashtu si Antonioja, rrethanat dhe rrjedha e jetës u vërtitën të tilla që ata të tregoheshin pragmatistë duke punuar si për vendin e tyre (në Ujëmbret (Çorovodë) ndodhet edhe një urë e Ark. Kasëmit; s’ka njeri të mos dijë kontributin madhor të Frashërllinjve), ashtu edhe për Turqinë.
***
Tanipërtani, si Përmeti (pjesërisht me të drejtë), si Gramshi (a thua në këtë rast të ketë moralisht të drejtë?) i kanë kthyer e po i kthejnë vendet e tyre në njëfarë haxhi.
“Pelegrinë” nga brenda e jashtë kanë shkuar e do të shkojnë të vizitojnë këto vende e të shikojnë të derdhura bustet e monumentet e tyre.
U lumtë!
Veç durim, e vërteta vonon, po nuk haron – ka thënë një flokbardhë. Nesër do të forcohet edhe Tomorrica edhe Skrapari, të cilët do të merren seriozisht me këto figura shumë të ndiera, tejet të mëdha.
Dhe do të jetë vërtet një zhgënjim kur “dynjaja, alemi, hallku e mileti” , d.m.th. bota e robtë e saj do të marrin vesh të vërtetën se nga janë këto figura zulmëmëdha.
Veç atëherë, përvetësonjësit, me të drejtë, vetëkuptohet, do të thonë (justifikohen) se asgjë s’ndalon askënd të vlerësojë jo vetëm figurat mirëfilltazi të qytetit të tyre, por as edhe ato të fqinjëve.
Shënim: Ky shrim tingëllon paksa si lokalist, po ja që, kur flitet për dikë, kur jepen të dhëna biografike për dikë, krye-e-para, pra a-ja e gjithçkaje është të merren vesh rrënjët e tij.
Nga janë, që të mos jepen të dhëna shtrembarake.
Për çdo lumë kërkohet ama (burimi), për çdo njeri kërkohet origjina sa më e thellë.
Për rastet në fjalë, asgjë nuk u kushton të thonë, ta pohojnë, të shkruajnë se figurat e lartpërmendura janë me origjinë nga Tomorrica/Skrapari.
Pastaj , le t’ua ngrenë monomentin, në dashçin, më të madh se të Lekës së Madh.
Besomëni, nuk ka për të qenë shuuumë e largët dita që rreshti i fundit i pllakës me të dhënat e Antonios te busti i përuruar në Gramsh, i cili thotë “me origjinë nga Gramshi”, të hiqet se nuk i qëndron së vërtetës.
_____________
🤔✍️
Bom-22.02.2023-bej
Sigal