Hyqmet Zane: Kryeministri i sakrifikuar

270
Sigal

E shihja gjithnjë të ulur gjunjazi me kurrizin të mbështetur tek muri të lyer me gëlqere. Spondilatroza kishte bërë të vetën në kurrizin e dalë. Veshur me një palë gjysma çizmesh, me një kovë metalike pranë vetes dhe me një palë syze të trasha nga hipermetropia dukej sikur bashkëbisedonte me veten, gjithnjë me kokën lart, sikur donte të drejtonte kurrizin e kërrusur. E gjeja aty tek banjat publike të burrave të qytetit. Kaloja në heshtje dhe i hidhja një sy duke menduar me veten “përse kështu me këtë njeri”. Sa herë kaloja më shtynte kureshtja të dija më shumë për këtë burrë  në një moshë të madhe. Një herë e gjeta duke ndezur cigaren me thyerjen e dritës së diellit me syzet e tij. Kishim mësuar që një lente konvekse mund ta mblidhte tufën e rrezeve të diellit dhe e përqëndronte në një pikë për të ndezur apo djegur diçka. Edhe xhesti kurioz më bëri që një ditë ta pyesja: Kështu e ndez gjithnjë cigaren? – dhe ai m’u përgjigj qetësisht si me buzëqeshje: Ngaqë më laget shkrepsja  nga uji që përdor për pastrim, përdor këtë metodë dhe vazhdoi me dëshirën për të më sqaruar – Kjo metodë është përdorur dhe në lashtësi për të çuar rreze të përqëndruara të diellit në kuvertat e anijeve armike për t’i djegur.

U habita dhe u largova duke e falenderuar. Më shtyu kurioziteti të dija se cili ishte ai njeri që në një moshë pleqërie ishte pastrues i WC publike. Ma shpjeguan dhe si djalë i ri që isha me kureshtje kaloja gjithnjë aty kur doja të shkoja në markatë më shpesh vetëm ose me shokë, vetëm që ta vështroja atë njeri. Si nëpër dhëmbë më thanë se ishte një personalitet, por që e kishin futur në burg pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore si kolaboracionist. Shfletova librat dhe gjeta se ishte djali i një personaliteti të Pavarësisë së Shqipërisë në Elbasan dhe që gjatë luftës kishte qenë kryeministër i Shqipërisë dhe kishte mbaruar shkollën e lartë në Austri për agronomi dhe mendohej se kishte qenë në një klasë me Hitlerin. Kishte sjellë edhe traktorin e parë në Shqipëri. Thoshin se nuk kishte bërë ndonjë vepër të keqe në atë kohë, por vetëm pse kishte qenë kryeministër në kohën e luftës, e kishin dënuar më shumë vite burg. Kishte dalë më 1962. Duke mos qenë banor i qytetit ku punoja, më hyri kureshtja të dija më shumë për këtë njeri dhe një ditë takova një mik familje dhe më tha se cili ishte. O Zot, thashë me vete, si ka mundësi, por miku i familjes më porositi që këto biseda mos t’i flisja me askënd, por t’i mbaja për vete. E kuptova rrezikun se mund të më qepeshin ata njerëzit e shtetit komunist të kohës dhe kushedi çfarë pasojash mund të kishe vetëm për faktin se përse mund të interesohesha për këtë njeri.! Dhe pastaj …. Vjedhurazi e shikoja se ishte burrë i rëgjuar me kurrizin e shtrembëruar, por i qetë dhe me shumë dije. Me gjithë kuriozitetin, nuk e bëja gabimin të merrja guximin ta pyesja se mund ta pësoja. Ishte kthyer në Shqipëri në vdekjen e të atit më 1926. Ruante lidhje me shumë miq të kohës në Austri e Gjermnai, në Itali e kudo  se kishte emër familja e tij.

***

Rasti e solli që një ditë vere, kur po shkoja tek markata për të blerë ndonjë frut, siç bëja gjithnjë para se të haja drekë, u përballa me një skenë jo të lehtë. Dëgjova dhe pashë një debat të këtij burri të mplakur nga pesha e viteve dhe e vuajtjeve me një djalë të ri rreth të 18 vjetëve. Mbajta hapin dhe po vëzhgoja debatin: Po nuk të thashë gja, or bir, unë rri gjithë ditën me kovë në dorë dhe me gëlqere lyej muret e banjës dhe ti shurron tek muri! Pse e ban këtë or bir. Ndërkohë që djali me një sjellje arrogante i bërtiste: Se dua ta bëj, hë çfarë do më bësh ? – i përgjigjej djali. – Matuf, ik se ta kërcita ! Nuk po më mbante vendi tek dëgjoja këtë debat. Po nuk të thash gja or bir, – i thoshte burri i moshuar me za të ulët dhe si me një lutje. U ndjeva keq dhe thash të ndërhyja se po përjetoja një padrejtësi. E thërrita atë djalin si miqësisht dhe ai m’u përgjigj – Hë re ça do ? Ai duke u afruar dhe unë duke menduar ta qëlloja me shpullë, por vazhdova t’i thoja se e njihte atë burrin që i përgjigjej ashtu, se nuk është mirë. Por djali ma ktheu me një fjalë; Ik ere pirdhu, do të pyes ty unë… Kaq u desh dhe atë që mendova se do ta qëlloja me një shpullë e ktheva në grushta të njëpasnjëshëm dhe me shqelma për disa sekonda sa djali nuk e mori vesh se nga i erdhi gjithë ajo furi goditjesh dhe u mundua të ikte rrokopujthi duke sharë nëpër gojë dhe duke shfryrë me “ooo nane, çfarë do të baj unë ty”. Këmbët nuk e mbanin. I thashë që të vinte e t’ia përsërisja atë situatë, por, sa bëra sikur do e ndiqja, iku me vrap. Burri me kovë në dorë mbeti i habitur se çfarë ishte kjo që pa me sytë e tij dhe duke belbëzuar se – nuk i thash gja për atë Zot-. Njëherazi dy a tre burra, që rrinin në krye të shkallëve nga ata që i shihja përherë aty dhe dukej se bënin biseda me plakun e gjorë, u shprehën si me dëshirë: – A të lumtë dora, ra në usta ai kopili. Ndërkohë që burri me çizmet gjysma dhe me kurrizin e dalë e syze të trasha sikur donte të justifikohej kur thoshte “nuk i thash gja për atë Zot, ai e ban përherë këtë punë dhe tallet me mu”. Nuk ka gja daj Ibrahim, mori atë që meritonte, – iu ktheva unë, – rri pa merak. Më njef ti m’u? – ma ktheu ai. Po të njof, ti je djali i Aqif pashë Biçakçiut, që ngriti i pari flamurin e Pavarësisë në Elbasna. I buzëqeshën sytë dhe më tha – Rrofsh! Të thotë daja dy fjalë? Po, – i thash, – m’i  thuaj. Të keqen daja, ruaje pak veten, duaje veten shumë se je i ri, – më tha dhe uli kokën e më ktheu kurrizin. Për një moment mbeta pa fjalë se doja t’i regjistroja ato dy këshilla që më tha. Unë isha 20 vjeç dhe merresha me sport të rëndë si ngritja e peshave dhe e dija forcën time, por nga këto fjalë mora një mësim, që duhet të mos tregohesha trim kudo.

***

Ikën vitet njëri pas tjetrit dhe në një natë të vitit të ri 1989 shkova tek shtëpia e nipit të këtij plaku të njohur, por edhe enigmatik. Kishte dy muaj që babai im ishte ndarë nga jeta dhe nipi i këtij ish kryeministri ishte mysafiri dhe i bënte shoqëri babait duke ardhur në shtëpi. Ishte një marrëdhënie miqsh nga një krushqi e bërë me djalin e tij. Ishte rradha ime ta respektoja atë burrë të shtruar dhe i prekur keqas nga privacionet në jetën e tij për shkakun e dajës. Aty gjeta një burrë që më dha përshtypjen e dajës së tij nga pamja me kurriz të dalë dhe në fizionomi të njejtë. I privuar dhe i vuajtur edhe ai me burgje dhe i lënë në vetminë e tij. Kur unë hyra në dhomën ku rrinin, biseda heshti mes tyre. U pashë nga ky mysafir si me dyshim, që e pikasi edhe nipi i kryeministrit, që nxitoi dhe i tha “është i joni dhe mik familje”. Atëherë u qetësua se mund të ishte gati të ngrihej e të shkonte. Në vështrimin e tij kishte zgjuarsi dhe po shfaqte kureshtje që të më dëgjonte dhe të më gjykonte nga fjalët. E lehtësova duke e marrë unë fjalën duke i thënë se më ngjasove me dajën e Zabitit se edhe ai kështu ishte në trup. Ai dha një psherëtimë se e futa në mendime të thella sa gjeti rastin të shprehej: E kisha idhull atë burrë se na përfaqësonte me dinjitet, por e poshtëruan keq. Më fute në të thella se kam shumë kujtime, – vazhdoi burri i moshuar që e kisha parë rrugës me duar pas shpine dhe me një ecje karakteristike, me kurriz të dalë nga spondilatroza. Zabiti u befasua dhe u fut edhe ai në bisedë: Eh daja, ishte një kryeministër, që bëri punë të mëdha edhe pse në kohë pushtimi. Ai shpëtoi hebrejtë se i pajisi me pashaporta shqiptare që të mos ndiqeshin nga nazistët. Nuk ia ditën vlerën, as Enveri vetë të cilin e futi në makinë kur e ndiqnin italianët, që e dinin se ishte tek kafe Flora në Tiranë. Vetëm makina e kryeministrit nuk kontrollohej. Dhe ai ia shpërbleu me burgim dhe poshtërim. U befasova nga ky tregim me pak fjalë. Mysafiri dëgjonte dhe psherëtinte me një ndjesi keqardhje dhe në një moment më pyeti: E ke njohur ti Ibrahim beun ? Po, – iu përgjigja shkurt. – kam një histori aty nga fillimgushti 1975, – dhe ua tregova atë ngjarjen tek banjat publike. Nipi gulçonte dhe i rrodhën lot nga sytë, kurse mysafiri vuri dorën në ballë dhe psherëtinte thellë brenda vetes, duke tundur kokën. Kurse nipi mes lotëve shfryu: Na e poshtëruan dajën e gjorë. E mbajta në shtëpi kur doli nga burgu, derisa ai donte të ikte prej shtëpisë së kalasë se nuk donte t’i bënte keq nipit se shtëpia survejohej. Me vete thash, mos bëra gabim që dhashë këtë kujtim se i preka, por më doli në shteg fjala e Zabitit që tha: Sa mirë bëre or bir që erdhe se të kam djalë miku. Por më shumë të falenderoj që m’i ke dalë në krah dajës. Ishte i biri i Aqif pashës ai dhe jo komunist. Ishte kryeministër që u sakrifikua keq dhe më keq. Nuk i bëri askujt një të keqe. I punuari plot, i shkuari kot. Kishte hyrë viti i një kthese të madhe. Kishte rënë muri i Berlinit. Ishin vendosur marrëdhënie diplomatike me Gjermaninë e bashkuar. Po frynte një fllad ndryshimi. Fjalët që u thanë në atë dhomë të vogël në shtëpinë e kalasë, më dhanë mesazhin e madh se do të kishte një lëvizje ndryshimesh. Im atë më kishte porositur që të heshtja se në kohë trazirash regjimi tërbohet dhe bëhet si bisha që nuk di se çfarë bën kur plagoset. Më ishin skalitur në mendje se një kryeministër shqiptar, ishte sakrifikuar më keq sa nuk mund të thuhet, edhe pse ishte biri i një personaliteti të madh të Pavarësisë, i pari në Shqipëri.