Haxhinasto: Shpopullimi, një problem serioz, një nga pikat kryesore të programit tonë rinia

412
Sigal

EDMOND Haxhinasto:

Është një kënaqësi t’ju takoj, pasi e di që jeni një organizatë shumë aktive dhe e zjarrtë. Absolutisht kështu është që problemet që duhet të zgjidhim janë të jashtëzakonshme. Sfidat që ka Shqipëria sot janë të jashtëzakonshme, ndoshta si asnjëherë tjetër. Kam parasysh veçanërisht shpopullimin e vendit, largimin e rinisë dhe kur largohet rinia, largohet e ardhmja e një vendi, kështu që një nga objektivat kryesore të gjithë programit tonë dhe gjithë veprimtarisë së LSI-së është pikërisht që të merret me këtë problem, me problemin e shpopullimit të vendit.
Po shikoja sot disa të dhëna shumë realisht edhe të besueshme, që 91.5 për qind e të rinjve  që mbarojnë studimet për mjekësi, duan të largohen. 75 për qind e të rinjve që mbarojnë shkollat e larta duan të largohen. Kjo është një tragjedi dhe nuk e ekzagjeroj kur them tragjedi sepse vendit i ikën e ardhmja. Është një investim i madh edhe në aspektin ekonomik, sepse shoqëria jonë investon shumë që të përgatisë disa njerëz që parashikohet ti shërbejnë qytetarëve shqiptarë, sepse kjo është një problematikë jo vetëm në aspektin demografik, që ikën rinia dhe bie, tkurret popullsia, por është edhe në kuptimin e shërbimit që do ti ofrohet njerëzve, sepse këta të rinj dhe të reja nesër do japin shërbimet e tyre në shëndetësi, arsim dhe në fusha të tjera.  Pra do të ketë më pak shërbime për qytetarët.
Pra është një problem shumë i madh, sepse ka të bëjë me mënyrën se si zhvillohet vendi. Ne vërtet themi programi, por programi nuk është vetëm një copë letër. Programi është një vizion politik i atyre që kanë marrë përgjegjësinë për ta çuar vendin përpara. Është ajo pika ku bën edhe vlerësimin kur vijnë zgjedhjet që çfarë ke thënë dhe çfarë ke realizuar.
Prandaj, këtu ka pasur dhe ka dy realiteti, është realiteti i problemeve të mëdha dhe ai realiteti i televizorit virtual që mazhoranca aktuale e ka përpunuar dhe e ka qa qejf, që ti mbulojë ato realet. Kështu bëri katër vite.
Këtë duhet ta kenë të qartë njerëzit, 25 prilli duhet të sjellë një ndryshim të madh dhe për të ndryshuar 25 prilli, duhet që të gjithë njerëzit të jenë të ndërgjegjshëm që gjërat duhet dhe mund të bëhen më mirë, prandaj ne duhet të shkojmë tek ata, ti takojmë ata, ti angazhojmë ata të dalin në votime. Le të shprehin vullnetin e tyre dhe të kuptojnë që vota e tyre është ajo që i ndryshon gjërat. Shikoni se çfarë ndodhi në Amerikë, një pjesëmarrje si asnjëherë në historinë e Amerikës për të ndryshuar një qeverisje që ata nuk ishin dakord.
Pra, njerëzit nuk duhet të dekurajohen dhe të largohen nga politika por të kontribuojnë ta përmirësojnë politikën. Pse LSI e ka si objektiv madhor çështjen e angazhimit të rinisë? Nuk e ka sepse do votën e të rinjve dhe hajde mbarojmë punë më 25 prill. Jo! Sepse do që rinia të ndjejë përgjegjësinë për të ardhmen, ta kuptojë që është pjesë e politikës dhe e politikave që do bëhen në të ardhmen, të marrë pjesë dhe të jetë ajo përfituese e politikave. Dhe unë përfitoj nga rasti të shpreh falënderimin e një kontributi të jashtëzakonshëm që ka ardhur për të bërë programin nga të rinjtë, veçanërisht në çështjet e arsimit sepse ata e përjetojnë vetë dhe e dinë se çfarë duhet dhe ne na kanë ardhur propozime shumë të mira prej tyre. Por edhe në fusha të tjera pa diskutim.
Prandaj ne i angazhojmë të rinjtë dhe i bëjmë pjesë të politikë-bërjes, prandaj i bëjmë pjesë të forumeve tona, pikërisht për këtë që ta ndjejnë që e ardhmja e tyre është në dorën e tyre. Është çështje madhore çështja e besimit të qytetarëve shqiptarë. Ata duhet të ndjejnë që ky vend bëhet dhe si bëhet? Duke u angazhuar vetë, dhe prandaj ne jemi kaq të hapur me strukturat. Dhe kështu do vazhdojmë të jemi.