Një Skelë tjetër po “rilind.” Plani shqiptaro-turk për Skelën që saktësisht e di vetëm Rama dhe sipërmarrësit turq, formalisht po miratohet në Këshillin Bashkiak. Nën zë flitet se do të ndërtohet dhe një xhami moderne. Nëse kundërshtohet, vjen gogoli Rama, i heq nga puna si langaraq, si ata 21 drejtorët, që ikën me bisht në shalë dhe nuk guxoi kurrkush burrë ose grua (ndër ta kishte dhe që kishin punuar mirë dhe me atë rrogë ushqenin familjet e nuk ishin hajdutë) të kundërshtonte, të mos jepte dorëheqjen ose ta hidhte në gjyq për largim nga puna padrejtësisht. Por si thotë ajo kënga e vjetër:
Rruga jonë dreqo rrugë,
Zgjatet për një copë bukë.
Dhe ja tani plani i “vëllezërve” turq me sekserin shqiptar, përmbys gjithçka në Skelë. Deri tani kemi parë projektin me vetëm katër kulla nga pas stadiumit dhe dy përbindësha anash; nga ana e Jugut është parashikur të prishet stadiumi i lojrave me dorë, e të ndërtohet një i ri modern diku!? Po përse gjithmonë do të prishet një i “vjetër” dhe do ndërtohet një i ri, kur ai i vjetri mund të rikonstruktohet aty ku është?! Pallati i Ri i Sportit (Tirana po mbush gjashtë vjet pa Teatër Kombëtar) sa të ndërtohet, ekipet do stërviten nëpër hangarët e ushtrisë e ndeshjet do shkojnë t’i zhvillojnë në Fier e Durrës. Më këto përbindësha të rinjë, me kullat midis kalatave (moleve) që të merret fryma edhe kur i shikon në letër, kryhet betonizimi i plotë i Skelës. Në vitin 1990 Vlora ishte një qytet me 9m2 gjelbërim/për banor, pothuaj aq sa është norma ndërkombëtare Sot me ndërtimet midis dy moleve ( Vlora është qytet bregdetar pa port) dhe ato te stadiumi, raporti gjelbërim për banor, do të arrijë rekordin e ri 1.5m2 gjelbërim për banor. Bëjeni llogarinë vetë qofshi të kuq, qofshi blu ose pa ngjyrë, se në çfarë ambjenti do të jetoni e do të rrisni fëmijët tuaj!
PS. Në 1990 Vlora me gjithë rrethinat kishte rreth 220.000 banorë. Sot ky qytet i emëruar perla e Mesdheut, nga Balluku e KM-ja, sipas censusit (2023) numëron 80.000 banorë. Përse vazhdojnë të braktisin qytetin vlonjatët, sikur aty të ketë rënë kolera?!




















