Vlera që mer diçka që ke fituar, nuk ka të bëjë vetëm me atë që ju ofron; titullin, ofiqet apo respektin në shoqëri e në popull, por dhe me çfarë është sakrifikuar për t’i arritur ato. Në Skrapar, në fshatin Leshnjë, është një emër i nderuar fisi, ai i Yllajve. Është me rrënjë të thella, qyshkur shqiptarët nisën të ngrejnë krye dhe të rebeloheshin kundër atij që na robëroi për 500 vjet, pushtuesit otoman. I pari, ai që më pas do t’u jepte drejtimin e duhur çështjeve që kishin të bënin me kombin dhe fatin e tij, ishte Sinan Leshnja. Në memorjen e popullit të asaj zone janë rregjistruar shumë ngjarje e veprimtari madhore të cilat, për nga rëndësia dhe ndikimi në realizimin e kthesave të mëdha, përbëjnë nyje kyçe, faqe që i bëjnë nder historisë të Skraparit e më gjërë. Themelet e Yllajve, ata që bartnin mënçurinë dhe guximin, si kusht për të qënë në rrugën e përparimit, kishin si “arkitekt” Sinan Leshnjen. Në vitin 1911 Sinan Leshnja ishte antar i Komitetit për shpëtimin Kombëtar për Skraparin. Antizogist i vendosur dhe mik e bashkëluftëtar me Riza Cerovën, Muço Kapinovën e kapedanë të tjerë. Dy herë u interrnua nga regjimi i Zogut, deri sa më në fund do të bëhej pjesë e lëvizjes së madhe nacionalçlirimtare.

I madhi e fëmijve të Sinan Leshnjes ishte Kahreman Ylli, një emër i ndritur, i cili, siç e dimë të gjithë, ka dhënë kontribut të çmuar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, por veçanrisht në hedhjen e themeleve të arsimit dhe shkencës shqiptare. Në këtë çka po shkruajmë, nuk do të meremi me Kahremanin, por me vëllanë e tij Aqif Yllin djalin e dytë të Sinan Leshnjes.
Aqif Ylli u lind në vitin 1922 në fshat, në Leshnjë. Kur mbushi moshën për të filluar shkollën fati i tij ishte përcaktuar qysh më parë sepse i ati, Sinani, si patriot dhe arsimdashës, e kishte kthyer shtëpinë në shkollë. Pra shkolla e parë në atë zonë, e çelur në vitin 1934, ishte vepër e Yllajve. Aty u shkolluan dhjetra djem e vajza të zonës, duke përfshirë fshatrat Vlushë, Gostënckë, Tubëhovë etj. Ata vite dhe ajo kohë për Aqif Yllin kanë qenë të shenjta, gjë që ai do t’i mbronte e respektonte për të gjithë jetën. Por ëndrrat për djalin faqepadirsur paskëshin qënë vetë mrekullia. E thënë ndryshe Aqif Ylli, duke patur të gjithë mbështetjen e familjes, të dy prindërve dhe vëllait, Kahremanit, u bë pjesë e formacioneve të luftës nscionalçlirimtare. Në fillim, sipas këshillave të të atit, ai u aktivizua me çetat teritoriale të Skraparit deri sa erdhi e bekuara ditë, ajo e 17 marsit e vitit 1944 kur u formua Brigada e 7-të Sulmuese. Thuhet se fati, për të arritur te njeriu, kalon brenda kushteve që krijon karakteri i tij. Nuk ishte rastësi, por çështje tradite e vendosmërie që menjëherë pas formimit të Brigdës trupa komanduese të mblidhej në shtëpinë e Sinan Leshnjes për të realizuar organizimin e plot të këtij formacioni të madh luftarak sipas përbërjes nga vinin partizanët. Aqif Ylli u bë pjesë e Batalionit të Dytë, i cili kishte në radhët e tij luftëtarët e Grupit partisan të Skraparit. Aqif Ylli për një kohë të caktuar ishte komandant i detashmentit për ruajtjen e Shtabit. Nga dokumentat e gjetura për atë periudhë të luftës, dalin jo pa arsye, por me fakte, aftësitë dhe pjekuria e Aqif Yllit i cili, si një mjeshtër i njohjes së terrenit dhe popullatës në zonën e Skraparit, ka lënë gojëhapur shtabin drejtues të Brigadës. Kujtojmë se luftëtari shumë i ri në moshë, Aqif Ylli, kishte si drejtues dhe bashkëpuntor figura të shquara të Brigadës së 7-të Sulmuese si Gjin Markun, Ramiz Alinë, Adil Çarçanin, Sadik Bocajn, Mihal Bishën, Zihni Sakon, Behar Shtyllën, Myqerem Fugën, Niazi Demin, Tajar Grepckën, Niazi Çepanin, Adil Prishtën etj.

Falë aftësive dhe vlerave të çmuara si luftëtar dhe drejtues i zoti Aqif Ylli arriti të caktohej komandant batalioni, detyrë që e justifikoi gjatë gjithë aksioneve luftarake. Ai në kujtimet e tij ka evidentuar rast pas rasti sesi vdekja dridhej përpara trimit e që merte zemër përpara frikacakut. Rruga luftarake e Brigadës së 7-të Sulmuese është edhe rruga e formimit të Aqif Yllit si kuadër i vendosur, si ushtarak me karakter të fortë dhe njeri i virtytshëm. Aksionet luftarake të Brigadës së 7-të Sulmuese dihen dhe ata përfshijnë fillesën në Skrapar e mandej në Berat, Kuçovë, Fier, Mirditë, Shkodër e deri në Mal të Zi. Në këtë rrugë të gjatë, e cila ishte e vetmja që të çonte drejt lirisë, Aqif Yllit i mbetën si përmendore e lapidarë kuadrot e luftëtarët më të mirë të Brigadës, si Koli Myzeqari, Skënder Libohova, Haxhi Doko, Fahri Zaimi, Mehdi Vila, Loni Odriçani, Thimi Tani, Naim Guri e dhjetra të tjerë. Gjërat më të bukura pas çlirimit Aqif Ylli ndoshta nuk i shihte me sy, por i ndjejnte me zemër. Kur iu caktua detyra e lartë e inspektorit në Divizionin e Mbrojtjes ndërgjegja i thoshte që të mund të arrinte të ndjehej i qetë dhe i lumtur vetëm duke e kryer besnikërisht detyrën. Por për një gjë ai ishte shumë i sigurt: Kishte arritur deri në atë pozicion jo duke u përulur apo shpresur e lutur. Jo. Vetëm duke punuar fort dhe i përfshirë nga intuziazmi i njeriut që lufton për t’u bërë dikushi në jetë. Ai dinte edhe tjetrën: që njerëzit e suksesshëm duhet të jenë gjithmonë në lëvizje. Ndoshta ishte ky perceptim i suksesit dhe i rezultateve që mund të arriheshin gjatë udhëtimit si ushtarak që Aqif Ylli ta priste si dhuratën më të çmuar aprovimin për të studjuar në një nga akademitë ushtarake më me zë të BS, në Moskë.
Detyrën e ushtarakut Aqif Ylli e vlerësonte si të shenjtë ndaj vendit, ndaj vartësve, por edhe ndaj vetes. Ai që tradhton besimin tim, thoshte shpesh Aqif Ylli, nuk meriton as respektin tim. Ndërkohë lartësimin në detyrë dhe ngritjen në përgjegjësi ai e pa si një vlerësim që i bënte puna e tij, sjellja dhe bota e tij e sinqertë për ta kryer detyrën në nivelin më të lartë të mundshëm. Nëse ndjekim lëvizjet dhe stacionet ku qëndroi Aqif Ylli për të kryer detyrën e ushtarakut, dikush do ta përcaktonte si një shëtitës me “plaçka në krah”. Ai, si shumë të tjerë që shërbenin në sektorin ushtarak, e kishte të qartë dhe ishte i ndërgjegjshëm për sakrificat që i duhej të bënte, vetë ai dhe pjestarët e familjes, ndaj asnjëherë nuk u ndje i tradhëtuar nga çka i thoshte zemra dhe shpirti. Pas mbarimit të studimeve akademike në Moskë Aqif Yllit iu ngarkua detyra e inspektorit të Regjimentit të qytetit të Elbasanit. Ai, sipas ushtarakut Mustafa Bakiasi, një njohës i mirë i karakterit dhe i nivelit të përgatitjes të Aqif Yllit, thoshte shpesh kur ishte në procesin e kryerjes së detyrës se “ky është problemi që na shqetëson dhe këto janë mendimet e mia për të gjetur zgjidhjen më të mirë”. Ndoshta si njohës i mirë i artit ushtarak, por edhe zotërues i “artit tjetër”, atij të të qënit modest dhe këmbënguljes për të gjetur njerëzit nga të cilët mund të mësoje diçka, Aqif Ylli u emërua komisar Korpusi në qytetin e Korçës. Dhe ngritjen në përgjegjësi, si gjithmonë, edhe kur kryente detyra të larta në komandën e Brigadës së 7-të Sulmuese gjatë operacioneve që ajo ndërmori në luftën për çlirimin e vendit, e konsideronte të mjaftueshme për aq kohë sa ishte i aftë që detyra të kryhej mirë. Njeriu, thoshte ushtaraku Aqif Ylli, mund të ndalet duke u ngjitur, por jo kur bie. Figurën si njeri, por edhe vendi ku arriti të shpaloste aftësitë e tij si kuadër që dinte të kryente detyra delikate e të vështira, ishte ajo e kryetarit të Degës Ushtarake të Durrësit. Ishte viti 1974. Në këtë pozicion Aqif Ylli u stacionua për një kohë të gjatë, deri sa doli në pension. Njerëzit që e njohën dalluan tek ai dy gjëra që e bënin të ishte disi i veçantë: njeriun e qeshur dhe të heshtur. Ai, të thonë edhe sot e kësaj dite durrsakët, duke buzëqeshur të zgjidhte problemin, ndërsa me heshtjen shmangte shumë gjëra që nuk të çonin gjëkundi. Si luftëtar në një nga njësitë më të lavdishme, siç ishte Brigada e 7-të Sulmuese, dhe si ushtarak karriere për disa dekada, Aqif Ylli është nderuar me shumë dekorata, urdhëra e medalje dhënë nga instancat shtetërore e kohës. U nda nga jeta në vitin 2012



















