Kanuni i Maleve ose Kanuni i Lekë Dukagjinit që mendohet të jetë nga më të vjetrit në botë, rreth 3000-3500 vjet më parë, ka një nen të veçantë për shitjen e tokës. At Shtjefën Gjeçovi, që i kushtoi mbledhjes së neneve të Kanunit gjithë jetën e tij shprehet: Po mësuem, studjuam të kaluarën kjo Kanu’ kje e vetmja mburojë që nuk e la fisin shqiptar i vogëluem përherë e ma tepër prej peripecive historike të mos shkrihej (humbte) të shuhej e asmilohej nga kombet e tjera.
Një nga nenet bazë të Kanunit është neni 145, “E drejta për blemje.” Po hedh këtë nen pa koment, vetëm me kuptue sesa e rëndësishme ishte dhe është shitja e tokës për ekzistencën dhe vazhdimësinë e kombeve të vegjël dhe si e kanë zgjidhur e zbatuar të parët tanë mijra vjet më parë. Kjo nuk do të thotë që sot të zbatohen këto ligje. Kanuni i Lekë Dukagjinit si i kodifikuar nuk u shndërrua asnjëherë në burimin kryesor të së drejtës shtetërore shqiptare, por si thotë At Benedikt Dema: “…Të gjitha kombet e qytetnueme, që kanë ligjë e kode të plotësueme a të përshtatuna kohvet të sotshme, kanë shrytëzuae e përdorë sa kanë mujtë ligjët e vjetra dokësore të popujve të vet, tue i shti mbrenda së drejtës ligjore në veprim e kështu janë trajtu ligjë, që iu përshtatshin ma tepër një populli a nji tjetri. (Kanuni,,, faqe 31)
TITULLI IV
DETYRIMET KREU I. TREGTIJA. (SHITBLERJA)
Neni 145, E drejta për blemje, faqe 91
Para se të shitet ndoi tokë a rendi i vadës a rendi i mullinit, do t’u çohet te dera kushrijvet, vllaznisë e fisit. Kufijari blen tokën e kufijarit po s’e bleu kushrinija vëllaznia e fisi.Po s’e blenë të permëndut e as kufijari, i zoti asht i lir me ia shitë cillitdo në katund. Po s’e bleu as katundi atëbotë je i lirë me ia shitë çdo besit.Po u çue kush edhe e shiti token, mullinin a rendin e ujit pa jau lëçitë kushrijvet, vëllaznisë, fisit e kufijarit tregu është i paligjshëm. Të përmendut kanë tagër me ba që të shkmehet aj treg. Blesi nuk mund të bëjë fjalë, tue e dijtë se bleu jashta udhet, por do t’i marrë të hollat e veta. Po tha blesi se ia ka vi ketë oroe shitsit para se ta blendte tokën edhe e vërtetoi ketë punë me dorë në be’, shitsi, përmbas randsis së fajit, do të gjobitet e tregu i tokës jet se jet i paligjshëm, e do të shmehet.Vëllai i dam e kushrinija e ngjatë e blen tokën 100 grosh ma lirë se vëllaznija e fisi i largët.Tokës së shitun a mullinit e rendit t’ujit kanu’ asht me u pijë rakin. Rakin do ta qes aj, që blen. Marrë nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit” Botime françeskane. Shkodër 2023.



















