Gëzim Zilja: Ana tjetër e festivalit të Këngës Magjike

396
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shumë shkëlqim, ngjyra e drita brenda dhe po aq mjerim jashtë

Ishte një festival plot drita, ngjyra, kostume rrezëllitëse, bizhu, shumë herë më i kushtueshëm se paraardhësi, ku skenografia e teknologjia e përdorur ia kalonte festivalit të San-Remos. Po të mendosh se jetojmë në një vend të varfër, plot probleme sociale, ku mbi 30% e popullsisë nuk ka të ardhura të përballojë jetesën, atëherë kujt i shërben gjithë ky luks e shkëlqim? Është propagandë dhe do të tregojë një realitet më të ngjyrosur, që në Shqipëri nuk ekziston? Do të bëjë propagandën e qeverisë se vendi po shkon në një bollëk të madh e nuk kemi ndryshim nga Evropa, madje jemi mbi të ? Për mua sidoqoftë, është tangërllëk dhe snobizëm i panevojshëm. Unë di se disa pjesëmarrës të festivalit, big e jo big, kanë marrë para borxh që të kapin “lartësinë e festivalit” për veshjet, bizhutë, grupin shoqërues e xhingla të tjera, përndryshe do të ishin  në fund dhe të përbuzur. Nuk jam kundër teknologjisë, të përparuarës, gëzimit gjithëpërfshirës, qejfit, pamjes, bukurisë së femrës e festave. Por kur kjo kthehet qëllim në vetevete, është jo e dobishme, madje e turpshme. Se u bë një festival me skenarist italian, ku shpenzimet janë të mëdha, plot dritë e ngjyra me një luks marramendës nga ‘a-ja te zh-ja’ kjo nuk do të thotë se jemi evropianë e kemi standart jetese të njejtë. Treguam si do ta shohim dhe më poshtë atë që nuk jemi dhe këtu qëndron ironia dhe boshi. Të dukej se ndodheshe në një festival evropian apo atë italian nga shkëlqimi, por kënga, muzika, poezia, orkestracioni, veshjet, skenari, baleti, etj, etj. duhet të ishin  në kulturën dhe traditën shqiptare. Por kjo nuk ndodhi në të 48 këngët dhe tre netët e festivalit.

Gjynah për shqipen tonë të bukur

Dukej sheshit se tekstshkruesit shpesh nuk kishin as njohuritë e arsimit nëntëvjeçar për gjuhën shqipe, e guxuan të shkruanin në gjuhë të çuditshme afër shqipes, se gjuhë shqipe ajo nuk ishte dhe nuk është. Pjesa më e madhe e tekstshkruesve, se poetë nuk janë, duket se nuk e kanë fare haberin se kush është Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Martin Camaj, Ali Podrimja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Azem Shkreli, Ismail Kadareja apo Dritëro Agolli. Nuk kanë dëgjuar për Kongresin e Manastirit, Petro Nini Luarasin dhe as e dinë që ekziston një libër me titull  “Gjuha Letrare Shqipe për të gjithë”, botim i vitit 1976. Ndryshe nuk do ta masakronin gjuhën shqipe në atë farë feje, që ajo të tingëllonte e pakuptueshme dhe pa ngjyrë. Në një festival të këngës shqiptare në përmasat e Këngës Magjike, tekstet e këngëve, duhet të jenë të njësuara sipas rregullave të aprovuara në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972. Thënë ndryshe, tekstet duhet të shkruhen në Gjuhën Letrare Shqipe, ose meqënëse është TV privat, të ruhet identiteti i plotë i toskërishtes ose gegënishtes. Janë dialekte plot ngjyra, bukuri e janë bekim për gjuhën shqipe. Por gegënishtja e përdorur nga disa këngëtarë në zhargonin e pabeve, bulevardit e kafeneve, të trishton. Nuk është përdorur gegënishja e Ali Podrimes, Azem Shkrelit, Fishtës e Martin Camajt.  Po citoj disa vargje me ndonjë koment të shkurtër.”… A pi she kto lot në sy/E kam mush kët got për ty/Edhe sun pe pi/Se m’kujtohesh ti dhe ma zi. (Lot)   Ose “…Nejse nata me gjeti esull/Edhe hurma asht e pjekun/…. Kena mbet krejt si dikur/pa korrent, drita është e fikun/Na nep veç një mundësi o burrë/mos u merr veç me çensurë. (Zemra e din…)” Në këto tekste, poezi nuk ka, po dhe shqipja e shkretë, duket kaq e sakatuar e për gjynah! Ka tekste ku fillohet në dialektin gegërisht e pastaj kalohet në atë jugor, mjafton që të rimojnë në një farë mënyre. Gjejmë mjaft fjalë, të cilat futen shëmtueshëm vend e pavend dhe ndonjëherë vetëm në funksion të rimës e shëmbëllejnë si një përkthim bajat: “…Mbase ke të drejtë)/mbase nuk të meritoj/ Mbase duhet kohë që unë/Të reflektoj./Jo mos fol ti për dashni/Se nuk e njeh e di/Me faj më bën tani/kjo të shkon e ke mjeshtri… “Udhëkryq”. Nuk mund të përdoren në poezinë shqipe, as në gjuhën zyrtare fjalë të huaja si tentoj, dubloj, moment, akoma, imponoj, reflektoj, predikoj, pretendoj, çensuroj etj etj. Vargjet ndonjëherë zgjaten e futen fjalë, pasthirrma e zanore të stërzgjatura sa duket sikur po fut me zor një pykë për të çarë një trung, mjafton  të plotësohet vija melodike (të çahet trungu).  Në këngën “E Para” veç varfërisë së fjalëve e figurave artistike, që mungojnë, e i japin jetë poezisë, dy vargjet e para janë në toskërisht e dy të tjerat në gegënisht : S’ma pranove dashurinë/Dashuri për mua s’ka/Me m’mshkatrru e me m’lëndu/Ti do jesh gjithmonë e para. Dhe pastaj vjen refreni lebetitës me një “a” kilometrike  “ Aaaaaa me momente/ Aaaaaa a ia vlente..” Vështirë të kuptosh se refreni është rrjedhojë logjike e katër vargjeve të para. Duket sikur teksti është krijuar duke luajtur bilardo  apo diku duke pirë kafe .  Si mund të lejohet kjo gjuhë shqipe në një festival aq të organizuar si Kënga Magjike: “…Asgjë nuk ish kon si paramenumun/ s’di se ku gabum/Lotët faqet mlojnë/e   kujtimet m’vrajnë/ veç ty tu t’kujtu…”Lakmi”!!! ”

Alban Ramosaj, fituesi i Këngës Magjike 2021

Tekste banale dhe jashtë realitetit shqiptar.

Në vitet  ‘60-’70 Italia përjetoi bumin e parë ekonomik pas luftës së dytë botërore. Ishte një revolucion që kapi të gjitha sferat e jetës përfshi dhe atë shpirtërore. Pati disa dukuri që po shfaqen sot në Shqipëri (jo bum ekonomik) si braktisja e fshatit, betonizimi i qyteteve dhe zhdukja e gjelbërimit. Këngët e kënduara në festival, patën jo pak ndikim (vazhdojnë dhe sot) në pakësimin e plagëve të kohës. Atëherë doli kënga e famshme e Adriano Çelentanos “Il Ragazo della via Gluck,” “Che sara”, “Vagabondo,” e shumë të tjera ku trajtoheshin tema të mprehta sociale. Atje ku kishte ajër të pastër e gjelbërim, u shndërrua gjithçka  në  beton e pluhur. Çelentano proteston në vargjet e tij të famshme: “ Eh no, non so, non so/ perché, perché continuano a costruire, le case/ e non lasciano l’erba,/ , Eh no, non so, non so perché,/Eh no, se andiamo avanti così, chissà come si farà, chissà… Kënga tjerër “Che sara” është lamtumira e një djali të ri që braktis vendlindjen për të shkuar në qytet, se jeta në fshat është e vështirë, madje braktis dhe  të dashurën “per qualcosa di piu”. Por ama jep një fjalë, një shprese në fund të këngës ku  i drejtohet vendlindjes e vajzës në vargje të spikatura: Ti do l’apuntamento come quando non lo so /Ma so soltanto che ritornero. Ka këngë që i këndojnë nënës, Italisë, gjithë krenari, (Lasciatemi cantare,) jetës së vështirë, endacakut dhe sigurisht dashurisë, që italianët duhet thënë janë kampionë në të shprehurit e ndjenjave. Një mrekulli ishte pjesëza e ndërtuar në perfeksion, ku Marsela Çibukaj shkëlqeu me zërin e saj magjik. Në të gjitha këngët italiane të kënduara jepeshin mesazhe të fuqishme për dashurinë njerëzore, për vendlindjen, rikthimin, dhe i thurrej himn njeriut. Pyes: Si është e mundur në një festival të përmasave të Këngës Magjike, në një vend si yni ku pabarazia, varfëria, pesimizmi, largimi i rinisë jashtë Shqipërisë, betonizimi i qendrave urbane, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe  korrupsioni lulëzojnë si lulet në pyllin tropikal, nga 48 këngë të mos ketë një të vetme të cekë plagët shoqërore të mësipërme? Le të dominojnë këngët e dashurisë. Por të ketë “njëckë” për nënën ose për varfërinë, për largimin e të rinjve dhe boshatisjen e Shqipërisë. Është harresë, pakujdesi, u verbuan dhe i dhanë rëndësi dukjes, dritave, luksit idiot? Në këtë vend, vërtet vetëm  dashurohen e ndahen, hanë, pinë, flenë dhe fillojnë sërish nga e para!? Vërtet “Klani” është një TV privat, por jo aq sa duket. Është e përcaktuar me ligj për televizionet që marrin financime nga shteti, (dixhitalizimi, reklamat e detyrueshme nga shteti etj,) dhe të tjerë, jo vetëm duhet të informojnë, por edhe të formojnë, edukojnë, e ndikojnë në shijet e njerëzve, të ruajnë trashëgiminë kulturore, zakonet, traditën, historinë, dashurinë dhe respektin për atdheun, gjuhën  e shkruar e të folur sipas standardeve të përcaktuara etj, etj. Dhe emisione e spektaklet me vlerat e mësipërme “Klanit” nuk i kanë munguar. Nuk po flas për cilësinë e teksteve, ku mungon në pjesën dërrmuese poezia, (shpesh në këngë fjalët nuk kuptohen,) ndjenja e hollë, finesa dhe eleganca e vargut, shqipja e bukur, e magjike. Vetëm lot, tradhëtira, vargje të shplara, pa nerv, pa pasion, të zvargura, (shih tekstin e këngës fituese, ‘Thikat’) që shpesh të vijnë në vesh si mjaullima macesh e maçokësh në kohën e shumimit. Për poezinë dhe dëgjuesit shqiptar, duhet respektuar tradita, dituria, nervi poetik, dashuria për njeriun e dheun e të parëve dhe sigurisht shumë talent. Jo çdo bibë e bibuq, që nuk di të flasë drejt shqipen e bukur, këtë gjuhë hyjnore, mund të lejohet të zhgaravisë e të paraqesë tekste në një festë të madhe e plot autoritet si festivali i Këngës Magjike. Kjo nuk duhej lejuar.
PS. Për ksehasje apo humor një gaztor intervistonte këngëtarët. E detyroi një këngëtare të huaj të thoshte disa herë frazën:  Polli pula e Lleshit, në kaçile të leshit. Dhe ajo e shkreta plot pafajësi: Poli pula, leshi leshi… Gaztori u kënaq dhe shikonte gjithë krenari vërdallë. Humor është ky?!