Gentian Çala: Mesazhet e dyfishta të KM-së!

925
Sigal

Mesazhet e dyfishta të KM-së!

KM sot dha një mesazh kundër krimit në politikë dhe në ekonomi, por po i njëjti me sjelljen dhe qëndrimet e tij na ka “folur” ndryshe. Mesazhet e dyfishta, as i kanë bërë punë dhe as nuk do ti bëjnë punë! Kjo ka vetëm një qëllim, propagandë në funksion të përmirësimit të imazhit të tij dhe të tarafit të tij qeverisës, sepse…po afrojnë zgjedhjet. Nëse ka pasur një kampion të kriminalizimit të politikës ai jeni ju Z. Rama dhe besoj se shqiptarët nuk do të ta falin këtë gjë.

Ekonomia u bë lëmsh dhe oligarkët janë krah jush duke marrë pjesën e luanit, biznesi i mesëm u rrudh, të vegjëlit u ngarkuan me taksa sa nuk mbajnë më, krimi bëri para dhe disa syresh u shndërruan në biznesmenë, lejet e ndërtimit i komandonit ju, tenderat si mos më keq. Nuk ke ku ta zesh e ku ta lesh! Ndaj propaganda tuaj më e re nuk pi ujë, madje ajo qelbet era demagogji fund e krye. Ju vratë konkurrencën dhe informaliteti vazhdon të jetë më i lartë, u mbyllët derën investimeve të huaja dhe krijuat një terren të vështirë për biznesin.

Tashmë jeni vonë, i pabesueshëm dhe krejtësisht i pavërtetë. Sa herë që ju flisni për krimin, në mendje të vijnë parcelat e hashashit të mbjella kudo, oficerët e policisë të larguar nga vendi se thanë të vërtetën për lidhjet tuaja me krimin, oficerët dhe drejtuesit e policisë të përzier në trafiqe dhe kultivim droge të pa arrestuar ende, fotot e juaja me kriminelë në tryeza fitoresh elektorale, Kryetarët e Bashkive të ikur të zgjedhur prej jush. E pra, janë shumë mëkatet, më shumë se përbetimet tuaja për luftë ndaj krimit.

Në fakt, ti vetë KM, je një mesazh i dyfishtë, i hyre kësaj pune për tu bërë misionar dhe po del thuajse si tradhëtar. Tradhëtar jo vetëm i aspiratave të shqiptarëve, por i kombit, të rrudhur si mos më keq, të varfëruar, të pashpresë. Ndaj përbetimet e tua nuk frymëzojnë më, as fjalët e thëna butë, as duart e ngritura dhe as trashja e zërit. As të tutë nuk po i frymëzojnë më, madje po i trashin të gjithë. Mesazhet e tua u ngjajnë vetëm klithmave pas një ëndrre të keqe, ku personazhi kryesor jeni ju. Ndaj na kurse ca këto kohë nga përbetimet e tua, jo për ndonjë gjë, por je duke e harxhuar frymën kot se nuk të dëgjon kush.