Frank Shkreli: Të mos prishet harmonia fetare e shqiptarëve!

678
Media të ndryshme botërore, përfshirë edhe ato shqiptare kanë shpërndarë një lajm gjatë ditëve të fundit, të pakonfirmuar nga Vatikani, se Papa Françesku do të vizitojë Kosovën gjatë vitit 2016. Natyrisht se një vizitë e tillë në Kosovë nga udhëheqësi shpirtëror i Kishës Katolike, do të ishte një lajm i mirë për një vizitë, që do të ishte historike për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar. Besoj se ky lajm për një vizitë të mundshme të Papës në Kosovë, gjatë vitit që posa filloi është një lajm i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, krahine ose aleancash dhe qëndrimesh politike. Mirëpo, lajmi i gëzueshëm mbi një vizitë të mundshme të Papa Françeskut në Kosovë, megjithëse i pavërtetuar zyrtarisht, u pasua pothuaj menjëherë nga një lajm tjetër në mediat e Kosovës, një lajm që është njëkohësisht aq i keq, sa ishte edhe i papritur kur të merret parasysh harmonia fetare midis shqiptarëve gjatë shekujve, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan dhe në diasporë. Nëse ky lajm i keq dhe i hidhur ka të bëjë me vizitën e mundshme të Papës në Kosovë ose jo këtë vit, kjo mbetet për tu parë. Por sido të ta marrësh, ky ishte një lajm që nuk ishim mësuar të dëgjonim dhe i cili sipas shumë komenteve në portale të ndryshme, shikohet dhe po komentohet si një përpjekje për të goditur rëndë harmoninë fetare shekullore me të cilën shqiptarët janë treguar dhe tregohen edhe sot krenarë para botës. Konsiderohet si një lajm i keq ky i cili, sipas shumë reagimeve në portale të ndryshme, turbulloi shpirtrat dhe shkaktoi dhembje të madhe dhe tronditje shqetësuese në radhët e shqiptarëve vullnet të mirë, të të gjitha feve pa dallim dhe kudo. Bëhet fjalë për një lajm të turbullt të ditës së shtunë nga Kosova, i cili sipas mediave është konfirmuar edhe nga Policia e Republikës së Kosovës në Prizren, e cila njoftoi se ka filluar bërjen e hetimeve për kapjen e keqbërësit ose keqbërësve. Fjala është për prishjen e disa varrezave të komunitetit katolik shqiptar në fshatin Romajë të Hasit, Komunë e Prizrenit. Ndërsa kanë filluar hetimet, Policia e Kosovës nuk bëri ndonjë koment mbi arsyen e mundshme të prishjes së varrezave katolike, ndërkohë që deklaroi se deri tani nuk ka as të dyshuar. Prifti katolik Don Ndue Ballabani, përgjegjës për ato varreza, është shprehur për gazetën “Express”, se varrezat e banorëve Dedaj të Romajës kanë qenë objekt sulmesh edhe më parë, por sipas tij, nuk e kanë bërë të madhe këtë çështje, siç duket në përpjekje për të ruajtur harmoninë dhe marrëdhëniet ndërfetare të asaj zone. Don Ballabani ka deklaruar se “Çdo gjë që ka të bëjë me kryqin është demoluar” në varrezat e Romajës, të cilat sipas tij “janë 200 vjet të vjetra”, citohet t’i ketë thënë ai gazetës “Express” dhe shprehet se ka uzdajë se organet e drejtësisë do ta zbardhin këtë rast dhe që ata që kryen këtë vepër penale, të kapen dhe të marrin dënimin e meritueshëm nga drejtësia. Autoritetet e Republikës së Kosovës e dënuan menjëherë dhe ashpër dëmtimin e varrezave. Në reagimin e qeverisë së Kosovës thuhet se “thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës. Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Qeverisë së Kosovës. Ndër reagimet e tjera të para ndaj prishjes së varrezave të shqiptarëve katolikë në fshatin Romajë, ishte edhe komenti që bëri Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, në faqen e tij Facebook, i cili e karakterizoi prishjen e varrezave katolike në Romajë, si “një akt qyqan dhe si një përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë”. Ish-Kryeministri i Republikës së Kosovës e dënoi ashpër këtë akt dhe kërkoi nga “Organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, i cili i qet hije të keqe, jo vetëm kësaj ane, por gjithë Kosovës”, shtoi ai. Ramush Haradinaj shkruan se, “Varrezat janë objekte të shenjta dhe kushdo që ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë. Prandaj nuk do të lejojmë askënd që të na i rrezikojë këto vlera”. Z. Haradinaj shprehet se dëshiron të besoj se ky është një akt kriminel dhe keqbërësish ordiner, por përfundoi ai reagimin e tij duke thënë se “Pavarësisht prej kësaj, zbardhja e këtij rasti, është me interes të jashtëzakonshëm për të gjithë ne”. Në pritje të zbardhjes se këtij rasti të shëmtuar nga Policia e Republikës së Kosovës dhe pa dashur të arrijë në ndonjë konkluzion pa pasur fakte mbi motivin dhe mbi identitetin e personave që kanë kryer këtë akt të shëmtuar – akte të tilla si ky i javës që kaloi dhe herë të tjera më parë në fshatin Romajë të Hasit të Komunës së Prizrenit, janë shenja të këqija dhe përbëjnë sulme që godasin drejtë për drejtë mu në zemër të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare ndër shqiptarët, të cilët deri më sot ishin shembull për botën në këto marrëdhënie. Në interesin e kujt është që të mbytet harmonia fetare shekullore midis shqiptarëve dhe të zhduket respekti që shqiptarët kanë gëzuar dhe kultivuar gjatë historisë me njëri tjetrin? Ata që me akte të tilla, siç është prishja e varrezave katolike në Romajë të Hasit – dëshirojnë dhe shpresojnë të mbjellin urrejtje midis shqiptarëve në baza fetare, nuk besoj se do t’ia dalin, por ata duhet të izolohen dhe të luftohen na shoqëria sa më parë që të jetë e mundur, para se të jetë tepër vonë. 


Varrezat katolike të dëmtuara në fshatin Deda-Romaj, të komunës së Prizrenit

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 05.01.2016
Sigal