Frank Shkreli: Siguria e gazetarëve në axhendën e OKB- së

550
Përfaqësuesit më të lartë të dy organizatave më të njohura botërore për mbrojtjen e të drejtave dhe të punës së gazetarëve, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Organizatës “Korrespondentët pa Kufij”, Christophe Deloire dhe Drejtori Ekzekutiv i “Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve”, Joel Simon janë takuar javën që kaloi me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres për të biseduar mbi sigurinë e gazetarëve anë e mbanë botës. Gjatë takimit, dy organizatat për mbrojtjen e gazetarëve i bën gjithashtu thirrje shefit të OKB-ës që të emërojë një Përfaqësues të Posaçëm të organizatës botërore për t’u marrë ekskluzivisht me sigurinë e gazetarëve, anë e mbanë botës. Sipas një njoftimi të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, përfaqësuesit e lartë të dy organizatave për mbrojtjen e gazetarëve, siguruan angazhimin dhe mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm për kauzën e sigurisë së gazetarëve. Drejtori i Përgjithshëm i organizatës “Korrespondentët pa Kufij”, me qendër në Paris, Christophe Deloire u shpreh në emër të organizatës së tij se, “Mirëpret angazhimin e fuqishëm personal të Sekretarit të Përgjithshëm ndaj sigurisë së gazetarëve.” Christophe Deloire shtoi se shefi i OKB-ës beson se liria e shtypit dhe kauza e sigurisë së gazetarëve, “Janë themelore për funksionimin e demokracisë dhe për zbatimin e të drejtave të njeriut”, duke shtuar se si përfundim i takimit me ’të, ai është zotuar se do të ndërmarrë masat e nevojshme në këtë drejtim. Deloire u citua, në njoftimin mbi takimin e tyre me Antonio Guterres, të ketë thënë se u larguan nga takimi me udhëheqësin botëror, të bindur për mbështetjen e tij dhe se llogarisin që ai të bëjë veprimtarinë OKB-ës më efikase, ashtu që gazetarët të jenë më të mbrojtur në punën e tyre të përditshme, në mbarë botën. Ndërkaq, Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, me qendër në New York, Joel Simon, komentoi takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-ës duke thënë se, “Ndër gazetarët po sulmohen fizikisht dhe verbalisht anë e mbanë botës, është inkurajues fakti që të kemi mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara”, në lidhje me këtë çështje. Fushata për mbrojtjen e gazetarëve, që ishte subjekt i takimit me Shefin e OKB-ës, ka për qëllim përcaktimin e një mekanizmi që mundëson zbatimin e ligjit ndërkombëtar me shpresën për të pakësuar më në fund, numrin e gazetarëve që vriten çdo vit në kryerjen e punës së tyre. Statistikat e bazuara në hulumtimet e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve në lidhje me sigurinë e gazetarëve, tregojnë se me gjithë rezolutat e ndryshme të OKB-së për mbrojtjen e gazetarëve, në realitet ka pasur shumë pak rezultate konkrete, ndërkohë që kanë mbetur të vrarë me qindra gazetarë dhe shumë të tjerë janë sulmuar, thjeshtë për kryerjen e detyrës së tyre, si gazetarë. Ndërkohë që Organizata Korrespondentët pa Kufij njoftoi se vetëm gjatë vitit 2016 janë vrarë 78 gazetarë dhe se mos ndëshkueshmëria për këto akte kriminale për vrasësit e tyre, mbetet një problem i madh për vendet ku ndodhin këto vrasje. Në njoftimin mbi takimin në fjalë, thuhet se “Vrasja e gazetarëve është forma përfundimtare e censurës dhe se kur vritet një gazetar, rrezikohet njëkohësisht edhe e drejta e publikut të gjerë për tu informuar.( pë më shumë nesër në gazetën Telegraf)
Sigal