Frank Shkreli/ Nderi dhe identiteti i kombit shqiptar, në shitje

661
I nderuar lexues, në qoftë se gjendesh në pushimet verore dhe nuk ke ndjekur lajmet e ditëve të fundit, duhet ta dish se nderi, identiteti dhe interesi kombëtar janë venë tallje, mund të thuhet janë venë në shitje, në ankand, për këdo që paguan më shumë. Kjo, në të vërtetë, nuk është diçka e re – e mbani mend deklaratën e Rexhep Taip Erdoganit se Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi? Por meriton të përmenden rastet e fundit të këtyre përpjekjeve anti-shqiptare, të cilat denigrojnë historinë dhe identitetin e kombit shqiptar, ndërkohë që përbëjnë edhe një ndërhyrje flagrante në interpretimin e historisë së shqiptarëve. Për më tepër, përfaqësues të këtyre rrymave anti-shqiptare, kohët e fundit madje lëshuan edhe kërcënimet e rastit. Si gjithmonë, në krye të radhës për të bërë ofertat në ankand janë të njohur, ata që historikisht nuk ndalen së turruri trojeve shqiptare kurdo që shohin një hapje, në kohë lufte e në kohë paqeje: sllavët, turqit dhe grekët. Kohët e fundit në Tiranë u mbajt kongresi i Partisë për Bashkimin për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), ku mori pjesë përfaqësuesi i qeverisë së kryeministrit grek, një i quajtur Makropulos. Ai foli në kongresin e PBDNJ-s në prani, jo më pak se të Kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare. 

Se pse ftohet një njeri i tillë të marrë pjesë në një takim politik të kësaj natyre është e pakuptueshme, por sidoqoftë, përfaqësuesi i qeverisë greke, ballë për ballë me krerët e politikës së Tiranës foli për shqiptarët e Çamërisë si bashkëpunëtorë të nazistëve, temë e preferuar kjo e grekëve për të mbuluar gjenocidin kundër shqiptarëve të Çamërisë. Ai citohet nga media vendase të ketë thënë se “Ajo që mua më shkakton problem është vullneti dhe dëshira e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me të gjitha forcat. Si është e mundur që pasardhësit e luftëtarëve kundër Gjermanisë të pranojnë dhe të tolerojnë pranë disa pasardhës të nazistëve”. Atëherë, përfaqësuesi grek, sikur po u drejtohej me një leksion nxënësve të klasave fillore, u thotë pjesëmarrësve në kongresin e partisë PBDNJ se “Ju e dini se cilët janë njerëzit për të cilët unë po flas. Nuk është e mundur që unë të fyej Shqipërinë me ato thënie që ato kanë ngritur, por ata fyejnë Shqipërinë dhe jo Greqinë, historinë e rezistencës së Shqipërisë dhe ky është një problem”, iu drejtua Makropulos, përfaqësuesi i qeverisë greke, Ramës dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare. Në minimum, sjellja e përfaqësuesit grek, të pakën në një shenjë simbolike duhej që kjo deklaratë të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla. Ndonëse dikush mund të thotë se ne shqiptarët nuk e kemi zakon të sillemi ndaj mikut në këtë mënyrë. E vërtetë, por miku i mirë nuk të ofendon në shtëpinë tënde, në sofrën të tënde. Makropulos nuk u suall si mik i mirë, por si provokues dhe si kërcënues dhe si tillë shkeli mikpritjen shqiptare! Rasti i dytë dhe i freskët këto ditët e fundit ishte edhe më shqetësues, pasi ishte një sulm i drejtpërdrejtë kundër kryeheroit, kryetrimit të historisë dhe simbolit të identitetit dhe të bashkimit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skendërbe.

 Pas vizitës në Turqi të Kryeministrit Rama, ku presidenti turk Erdogan shërbeu si shofer i tij, siç duket për të treguar respektin personal dhe miqësinë e ngushtë me kreun e qeverisë shqiptare – nga Lezha vjen lajmi se një i ashtuquajtur historian turk me emrin Talha Uğurluel paska vizituar varrin e Skënderbeut. Para se të citoj këtë halldup otoman për ofendimet ndaj heroit kombëtar të shqiptarëve, ia vlen të theksohet se nuk është një koincidencë se ky na qenka një përfaqësues i shoqatës Tika, organizatë kjo që financohet nga Erdogani e misioni i të cilës është të “zbulojë” rrënjët otomane në Ballkan. Sipas një videoje në youtube ai është shprehur, aty pranë varrit të heroit kombëtar të shqiptarëve në Lezhë se, “Skënderbeu nuk beri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur. Ai ishte sikurse është sot PKK-ja….” Por, ky farë historiani, i cili siç duket fletë me mbështetjen, me porosinë dhe në emër të autoriteteve të larta në Ankara, nuk e la me kaq. Pas ofendimeve që ndeshën në duartrokitje të pranishmëve, ai madje i kërcënon shqiptarët, aty në shtëpinë e tyre, në vatrën e kombit, në vendin më të shenjtë të historisë dhe të identitetit kombëtar të Arbërit, duke paralajmëruar me autoritetin e tij, se shqiptarët kanë një alternativë që ose të jetojnë “si Mehmet Akif Ersoy, shqiptar por besnik i Osmanëve, ose si Skënderbeu, tradhtar.” Në minimum, siç thashë më lartë, sjellja e përfaqësuesit grek në një takim politik në Tiranë, të pakën në një shenjë simbolike, duhej që deklarata e tij të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla. Ndërsa, përfaqësuesi i Erdoganit, Talha Uğurluel duhej të dëbohej aty për aty nga Shqipëria si ofendues i nderit, i historisë dhe i simbolit më të shenjtë të shqiptarëve. Dikush mund të thotë, më ngadalë se ne shqiptarët nuk e kemi zakon të sillemi ndaj mikut në këtë mënyrë.

 E vërtetë, por miku i mirë nuk të ofendon në shtëpinë tënde, në sofrën të tënde. Për më tepër, miku nuk të kërcënon në shtëpinë tënde, siç bënë këta dy halldupë. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, Makropulosi grek dhe turku Uğurluel nuk u sollën si miq të mirë, por si provokues, kërcënues dhe mohues të historisë dhe identitetit të shqiptarëve. Si të tillë, të dy këta e shkelën mikpritjen shqiptare! Si të tillë, ata ishin të pa besë dhe të pa dëshirueshëm në sofrën e shqiptarit. Këta dhunuan mikpritjen dhe bukën e shqiptarit, por për ata që dinë diçka dhe që duhet të gjykojnë më mirë, në radhë të parë përfaqësuesit e sotëm politikë të kombit shqiptar të cilët duhet të jenë të vetëdijshëm se me këtë rast u dhunua diçka më shumë se sa mikpritja shqiptare nga këta dy halldupë. U dhunua historia, identiteti dhe nderi i kombit. Këto, në të vërtetë ishin ato që turku dhe greku, secili sipas interesave të veta, donin të arrinin. Donin që mbi të gjitha të njollosnin dhe të dëmtonin historinë dhe simbolet e kombit shqiptar, para vet shqiptarëve, aty në trojet e veta autoktone shekullore. Ata ia dolën qëllimeve të tyre! Kombi shqiptar dhe historia e tij vazhdon të njollosët dhe njëkohësisht mbeten të dëmtuar dhe të dhunuar nga deklarata siç është kjo e përfaqësuesit të qeverisë greke në Tiranë dhe të përfaqësuesit të presidentit turk, Erdogan, aty pranë varrit të Skënderbeut në Lezhë.

 E gjithë kjo ndodhi kur në Prishtinë po celebrohej një meshë në Katedralen Nënë Tereza kushtuar viktimave të terrorit në Turqi dhe në të njëjtën kohë kur vet kryeministri shqiptar po pritej e gostitej nga Erdogani gjatë një vizite në Turqi, vizitë e dokumentuar krenarisht me fotografitë e rastit në facebook-un e kryeministrit shqiptar. “Something is wrong with this picture”! Diçka nuk është në rregull me këtë situatë! Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë e fundit, që jo vetëm përfaqësues të tillë turq e grek, por edhe zyrtarët më të lartë të këtyre dy vendeve kanë bërë, nga koha në kohë, deklarata fyese ndaj historisë së shqiptarëve, madje duke bërë thirrje për rishkimin dhe ri-shkrimin e saj, sipas epsheve të dobëta të armiqve historikë të shqiptarëve. Nuk e di se ç’është me keq: deklaratat ofenduese anti-shqiptare të këtyre halldupëve, apo heshtja dhe indiferenca ndaj këtyre ofendimeve prej vetë përfaqësuesve të shqiptarëve kudo, nga qeveria e Shqipërisë, nga Kosova ose nga institucionet e tjera të shqiptarëve, sidomos ato akademike. Pyetja që duhet bërë është, se kush i del sot zot historisë, nderit dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, përballë këtyre halldupëve që mbështeten dhe financohen nga nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore e që përfaqësohen nga njerëz të tillë dhe në emër të cilëve ata flasin. Po kush flet sot në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të historisë së shqiptarëve? Mos reagimi zyrtar i përfaqësuesve politikë të kombit shqiptar sot ndaj këtyre ofendimeve që fatkeqësisht tashti janë bërë të zakonshme kundër historisë dhe sidomos kundër simbolit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe, nuk është asgjë më pak se një dëshmi që flet për një dobësi morale dhe për një mungesë atdhedashurie të këtij brezi. Mos Zot më keq!
Sigal