Frank SHKRELI / Mark Gjonaj fiton në zgjedhjet e përgjithshme për anëtar të Asamblesë së Nju Jorkut

541
Sigal

Mark Gjonaj, për fushatën e të cilit kam shkruar edhe më parë, është një aktivist i dalluar dhe i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe tani më në fund, mund të themi zyrtarisht dhe me krenari, edhe anëtari i parë me origjinë shqiptare në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut.  Mark Gjonaj, ka lindur në Amerikë, nga prindër shqiptarë që kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara nga Reçi i Ulqini.  Të martën që kaloi, në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën në Amerikë, z. Mark Gjonaj fitoi në listën e partisë demokrate me vota dërmuese (79%) në lagjen elektorale numër 80 të shtetit Nju Jork.  Në zgjedhjet e përgjithshme pardje, Mark Gjonaj u përballua me katër kandidatë të partive të tjera dhe shënoi një fitore historike, falë kryesisht angazhimit të plotë të komunitetit shqiptaro-amerikan që e mbështeti edhe financiarisht dhe publikut më të gjerë vendas, por  mbi të gjitha  duhet njohur edhe puna e rëndë dhe fushata që Mark Gjonaj, megjithëse për herë të parë në politikë, udhëhoqi me mjeshtëri të një veterani.  Gjatë fushatës, ai kaloi nëpër një site të imtë, që më në fund bindi banorët e lagjes elektorale 80 të Nju Jorkut se ai ishte kandidati më i mirë. Gjithashtu, duket se i bindi votuesit se ai do të jetë, siç ka thënë në një intervistë më herët për Zërin e  Amerikës, se “që të jesh zëri dhe fytyra e popullit, duhet të jesh syri dhe veshi i tij, të shohësh dhe të dëgjosh pra e të merresh parasysh nevojat dhe ankesat e votuesve”.  Siç kemi përshëndetur fillimisht vendimin e tij – jo të lehtë – për të kandiduar dhe për t’u angazhuar në politikën amerikane, tani  me kënaqësi dhe krenari ofrojmë urimet tona më të përzemërta që Marku të dalë me sukses në karrierën e tij të re dhe të jetë një përfaqësues i denjë jo vetëm i zonës së tij elektorale të cilën ai do të përfaqësojë në Albani, por që të jetë edhe një shembull krenarie për komunitetin shqiptaro-amerikan të Nju Jork-ut dhe më gjerë, i cili gjatë disa muajve të fundit ka treguar mbështetjen e tij të palëkundur, e sidomos për brezin e ri  të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Deklaratë e Zotit Mark Gjonaj pas Fitores në zgjedhjet e së martës

Dje, pas disa muajsh pune të rëndë dhe përgatitjesh, banorët e lagjës numër 80 të zgjedhjeve për Asamblenë e shtetit Nju Jork hodhën votën e tyre dhe më kanë zgjedhur mua për t’i përfaqësuar ata në kryeqytetin Albani të Nju Jorkut. Për mua, ky vendim i votuesve të kësaj lagjeje, është një nder i veçantë. Prandaj, të gjithë atyre që votuan për mua u jam shumë mirënjohës, si edhe falënderoj vullnetarët, stafin tim dhe secilin që ka punuar dhe kontribuar me qëllim që fushata ime të delte me sukses. Pres me pa durim të filloj nga detyra, kështuqë të ndërmarrim ndryshimet e nevojshme për të mirën e të gjithë banorëve të lagjes zgjedhore numër 80 të Legjislaturës së shtetit të Nju Jorkut.