Arsyet përse nuk realizohet vendimi i qeverisë për kompensimit të pronarëve për 2012-n

499
Sigal

INTERVISTA/Flet sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro

Vendimi i miratuar para dy ditësh nga Këshilli i Ministrave nuk mund të gjejë zbatim në praktikë, pasi ka disa handikape. Këtë na e bën të ditur në një intervistë të dhënë për “Telegraf” sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro. Sipas zotit Toro, vendimi për kompensimin e pronarëve të tokave për vitin 2012 nuk mund të zbatohet pasi ka boshllëqe të mëdha, pasi nuk janë përcaktuar akoma çmimet sipas metodikës së re. Ndërsa në lidhje me lirimin e banesave ai ka sqaruar se duhet që zyra e Entit Kombëtar të Banesave edhe për degët e rretheve të nxjerrin shkresat zyrtare dhe t’ja dërgojnë gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit.

-Zoti Toro, qeveria miratoi vendimin për kompensimin e pronarëve për vitin 2012, si e vlerësoni ju këtë vendim?

-Kemi dy gjëra, vendimi i qeverisë është për fondin e vitin 2012 për pronarët për subjektet e shpronësuara, i cili përcakton edhe sasinë e tokës që shteti ka marrë për sipër nga 200 deri në 600 metra katrorë për kategorinë e tokës. Pra është e njëjta mënyrë e shpërndarjes siç është bërë vitin e kaluar. Ndryshimi i sivjetëm është që kemi një boshllëk ligjor në këtë rast. Sepse në datën 1, u botua në Fletoren Zyrtare  metodika e re ndarjes së çmimeve dhe sot ne nuk kemi një hartë të çmimit të tokës që do të kompensohet.

-Më konkretisht çfarë do të thotë kjo?

-Kjo do të thotë që vendimi i qeverisë për kompensimin e pronarëve për vitin 2012, është i pamundur kur nuk ka çmime. Është një nga handikapet që po ndodh sepse edhe nëse aplikohet për të respektuar atë që thotë vendimi i qeverisë nuk mundet që të zbatohet në praktikë ky vendim. Metodika e re hyn në fuqi pas datës 15 dhe shfuqizohen të gjitha aktet që kanë përcaktuar çmimet e tokave që janë në fuqi deri më sot. Pastaj do ti duhen Agjencisë së Pronave 60 ditë për të miratuar një hartë të çmimeve që është e vështirë, por kështu është vendimi. Pra ne mendojmë që brenda vitit 2012 nuk mund të ndahet. E them këtë nuk mund të ndahet sepse nuk ka çmim.

-Çfarë po ndodh me aktin pas dhënies së vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

-Duhet që të zbatohet akti. Domethënë, duhet që zyra e Entit Kombëtar të Banesave edhe për degët e rretheve të nxjerrin shkresat zyrtare dhe t’ja dërgojnë gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit. Pastaj këto urdhra ekzekutimi i jepen pronarëve dhe këto më pas  pronarët i drejtohen Përmbarimit për lirimin e shtëpive. Kjo është praktika që duhet të ndiqet por kjo është pjesa e shtetit, nuk është pjesa që duhet të bëjnë pronarët.

-Ju si shoqatë e pronarëve a keni marrë ndonjë informacion se kur do të bëhen procedurat që përmendët nga Entit Kombëtar i Banesave?

-Duhet të dali urdhri i ekzekutimit si fillim dhe pastaj është detyrë e Përmbarimit për ta ekzekutuar. Por është shpejt për të thënë pasi ka pak ditë që ka filluar të dorëzohen kërkesat. Janë disa afate minimale që duhen zbatuar dhe me të cilat duhet proceduar. Pra është gjykata ajo që duhet të japi urdhrin për vendimin e banesës.

-Me këtë vendim që dha gjykata Kushtetuese a janë të kënaqur pronarët dhe kanë marrë atë që meritojnë?

-Vendimi i gjykatës është i drejtë, pasi ka njëzet vjet që shtëpitë e pronarëve nuk gëzohen nga pronarët e tyre as si pronë  dhe as nuk gëzojnë frytet e pronës. Ndërkohë që ato janë amortizuar dhe kurrkush nuk është kujdesur për rregullimin e tyre përgjatë tërë këtyre vjetëve.

MASA E KOMPENSIMIT PËR ÇDO KATEGORI TOKE SIPAS VENDIMIT

a) Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 (një mijë e pesëqind) m², masa e kompensimit të jetë deri në 200 (dyqind) m².

b) Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 (një mijë e pesëqind) m² deri në 3000 (tre mijë) m², masa e kompensimit të jetë 300 (treqind) m².

c) Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 (tre mijë) m² deri në 5000 (pesë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 400 (katërqind) m².

ç) Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 (pesë mijë) m² deri në 10000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 500 (pesëqind) m².

d) Për pronat e njohura për kompensim mbi 10000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 600 (gjashtëqind) m².

NIKO NESTURI: NUK DO REALIZOHET VENDIMI I QEVERISË, FONDI, I PAMJAFTUESHËM

Për kryetarin e kryetarin e shoqatës “Bregdeti”, Niko Nesturi, vendimi i qeverisë për kompensimit të pronarëve nuk është i mundur që të realizohet për arsye se është fondi i pamjaftueshëm. Këtë deklaratë zoti Nesturi e ka bërë në një prononcim për gazetën “Telegraf”. Ai ka theksuar se: “Nuk mund të realizohet sepse fondi prej 3 miliardë lekësh që ka vendosur në dispozicion nuk mjafton për të marrë as 100 pronarë, jo më të jenë 50 apo 60 mijë pronarë. Ndër të tjera ai ka shtuar se, përpara kompensimit financiar duhet të bëhet kompensimi fizik për pronarët.