Frank Shkreli: Kujdes nga politika Putiniste në Ballkan!   

192
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

(Një paralajmërim i para 13-viteve më parë mbi ndërhyrjet ruse në Ballkanin Perëndimor, përballë krizës serioze të ditëve të fundit në Veri të Kosovës dhe bllokimit të rrugëve me barrikada për 20-të e sa ditë – që analistë dhe media ia kanë faturuar ndërhyrjeve të drejtë për drejta të Moskës gjatë viteve në rajonin e Ballkanit. Rusia ka mbështetur në vazhdimësi të gjitha kërkesat absurde të Serbisë ndaj shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës dhe ka mbështetur nismën “Ballkani i Hapur” – një krijesë kjo e Beogradit dhe Tiranës zyrtare – duke lënë jashtë Kosovën, pasi Serbia refuzon ta njohë shtet të pavarur).

————————————-

Kohët e fundit po flitet dhe po komentohet shumë në lidhje me përpjekjet e Rusisë për të rivendosur influencën e Rusisë në botë, nëpërmjet masash të ligjshme e të paligjshme. Një përpjekje e tillë u pasqyrua më së miri para disa javësh, kur Shtetet e Bashkuara arrestuan një dyzinë spiunësh rusë në disa qytete të Amerikës, të cilët duke u paraqitur si njerëz të thjeshtë, kishin infiltruar shoqërinë amerikane. Dje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u mbajt një sesion mbi Kosovën, ku ambasadori rus tha se asgjë nuk ka ndryshuar edhe pas vendimit të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, që shpalli legjitime pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu, ditet e fundit në shtypin shqiptar flitet për marrëdhënjet shqiptaro-ruse, duke u bazuar në një fjalim që paska mbajtur ambasadori shqiptar në Moskë, në fillim të këtij viti. Nuk dua të komentoj fjalimin dhe komentet e ambasadorit shqiptar në Moskë, pasi nuk kam tekstin e komenteve të tij, por dua të theksoj shqetësimet që janë shfaqur në Perëndim në lidhje me përpjekjet e Moskës për të vendosur influencën e saj politike e ekonomike në Ballkan, një fakt ky që, kryesisht, duhet të shqetësojë shqiptarët. Pasi ç’prej vitit 1991, Rusia u la mënjanë nga politika evropiane, politika e Moskës dhe strategjia e saj afatgjatë – nën udhëheqjen e Presidentit Putin dhe tani Kryeministrit Putin – vazhdon të jetë dominimi i tregut të energjisë në Evropë dhe në të njëjtën kohë është duke u përpjekur të përdorë burimet e saj energjetike për të rivendosur influencën politike që dikur e gëzonte Bashkimi Sovjetik në Evropën Lindore. Siç duket, kjo politikë nuk ka për qëllim krijimin e një blloku të ri, pasi realiteti i sotëm në Evropë është ndryshe, por synon prishjen e planeve amerikane për një “Evropë të tërë e të lirë”, si edhe politikën e sigurimit të përbashkët të Organizatës e Atlantikut Verior (NATO). Për më tepër, strategjia putiniste ka si qëllim përfundimtar vendosjen e një monopoli e kontrolli të plotë energjetik, e si rrjedhim edhe politik, duke përdorur kompaninë Gazprom për ndërtimin e linjave të shpërndarjes së gazit anë e mbanë Evropës.

Por ekspertë të ndryshëm thonë se strategjia (energjetike) ruse ka përmasa më të gjëra dhe përfshin elemente të tjerë politike e ekonomike. Siç dihet, Moska, ka patur dhe vazhdon të ketë lidhje të ngushta historike, kulturore dhe fetare në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me Serbinë dhe Malin e Zi. Sidomos Serbia ka qenë gjithmonë sytë dhe veshët e Rusisë në Balkan. Lojërat e Rusisë në Ballkan janë pjesë e një strategjie gjeopolitike të Moskës, që kanë për qëllim prishjen e tendencave pro-perëndimore në këtë rajon dhe të paktën balancimin, për të mos thënë pakësimin e influencës amerikane dhe të Bashkimit Evropian në këtë rajon. Influenca politike dhe financiare ruse në Ballkan sa vjen e shtohet në Serbi, në entitetin serb në Bosnje dhe në Mal të Zi, ku të ashtuquajturit bisnesmenë rus kanë marrë nën kontroll shumicën e firmave private e shtetërore dhe tani pothuaj kontrollojnë industrinë e turizmit në Mal të Zi, që është baza kryesore e të ardhurave të shtetit malazez. Gjithashtu, Rusia dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje që deri me 2012 të ndërtojnë në qytetin serb Nis, një qender “humanitare” të ndërhyrjes së shpejtë, qendër kjo që mund të ketë aplikime ushtarake, dhe do të ishte qendra e parë logjistike ruse jashtë territorit të ish-Bashkimit Sovjetik.  Për më tepër, gjatë muajve të fundit në shtyp ka patur lajme të pa-vërtetuara se Rusia ka në plan të vendosë një bazë ushtarake në jug të Serbisë, afër kufirit me Kosovën. Një angazhim më i madh i Moskës në Ballkan, inkurajimi dhe pranimi i këtij angazhimi rus nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për hir të marrëdhënjeve të mira e “normale” jo vetëm që nuk sjell asgjë të mirë për kombin shqiptar, por mund të shkaktojë probleme të pa-parashikueshme për stabilitetin e rajonit, po të merret parasysh përkrahja historike fanatike e Rusisë ndaj interesave sllave në këtë pjesë të botës, në kurriz të interesave shqiptare. Putini dhe bashkëpunëtoret e tij mafiozë të bizniseve ruse kanë vazhduar përkrahjen e tyre për Serbinë, ndërkohë që Moska, me të gjithë potencialin e saj diplomatik e politik, vazhdon të kundërshtojë pavarësinë legjitime të shtetit të Kosovës. Interesi i Rusisë është mos-stabiliteti i rajonit, me qëllim që të gjuajë peshk në ujëra të turbullta. Në debatin e djeshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Ambasadori rus Vitaly Churkin, i cili është këtë muaj dhe president i Këshillit të Sigurimit, nuk la asnjë dyshim se asgjë nuk ka ndryshuar në politikën ruse karshi pavarësisë së Kosovës – bile edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), në favor të pavarësisë së Kosovës. Rusia, si anëtare e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, nëpërmjet ambasadorit të sajë e bëri të qartë se Moska do të përdorë veton për të bllokuar çdo përpjekje për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, synim ky që Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni e quajti si njeëhap natyral. Shpresohej qe, siç tha edhe zevendës-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Rosemary Di Carlo, se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të shërbente si bazë për të kapërcyer përtej debateve të së kaluarës, në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në rajon. Kjo nuk ndodhi dhe duket se nuk ka të ngjarë se do të ndodhë në një të afërme të shpejtë, falë politikës anti-shqiptare serbe, të përkrahur vendosmerisht nga politika ruse. Rusia dhe Serbia, por edhe vende të tjera duhet ta kuptojnë se pavarësia e Kosoves, është siç tha edhe Rosemary Di Carlo, gjatë debatit në Këshillin e Sigurimit, e pakthyeshme dhe kufijtë e saj të padhunueshëm. Është mirë që aleatët e shqiptarëve si Amerika e Anglia perkrahin këtë parim dhe të drejtë të shtetit të Kosovës. Po cila duhet te jete politika shqiptare karshi kësaj politike të egër anti-shqiptare ruse në forumet ndërkombëtare, sidomos në lidhje me pavarësinë e Kosovës? Politika shqiptare duhet të thotë pa asnjë dyshim dhe me bindjen më të thellë se stabiliteti në Ballkan minohet nga obstruksioni ose pengesat ruse ndaj njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Duke heshtur ndaj këtij obstruksioni, ndihmohet përjetësimi i mos-stabilitetit në rajon, nga i cili shqiptarët do pësonin pasojat më të këqia. Drua se politika shqiptare nuk ka qenë aq e vendosur në kudërshtimin e këtij obstruksioni. Nuk më duket se është e arsyeshme që të quhen “marrëdhënie normale” ato me Rusinë, kur ky vend nuk njeh, lere më interesat jetike, por as ekzistencën e gjysmës së Kombit shqiptar. Kapitullimi para interesave të përkohshme ekonomike e financiare, në kurriz të interesave kombëtare është i papranueshëm.

Stabiliteti i Ballkanit është më i qëndrueshëm me pavaresinë e pakthyeshme të Kosovës, si edhe me kufizimin e politikës ekspansioniste serbe dhe me mos-ndërhyrjet obstruksioniste ruse. Është e pakuptueshme se pse lejohet pasardhësi i Stalinit të ketë një pikëmbështetje në Ballkan, duke e lejuar Moskën të vendos pengesa në rrugën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ndërsa vendet e atij rajoni nuk marrin asgjë në shkëmbim, bile as vullnetin e mirë. Pikësëpari u takon vendeve të rajonit të kundërshtojnë obstruksionin rus në Ballkan, pasi stabiliteti rajonal është në interesin jetësor të tyre. Vendet e Ballkanit duhet të zenë vendin që u takon si shtylla të sigurimit dhe stabilitetit evropian, në bashkëpunim me dhe antarësim në Bashkimin Evropian. Është e domosdoshme dhe në interesin kombëtar që si Shqipëria ashtu edhe Kosova të kenë marredhënje të mira, në të gjitha fushat, e me të gjitha vendet e botës — të mëdha e të vogla – duke përfshirë këtu edhe Rusinë e Serbinë, por këto marreëdhenjë duhet të ndërtohen e të kultivohen në bazë të interesit kombëtar të shqiptarëve dhe pastaj në interesin e përbashkët dhe të respektit reciprok midis vendeve.

 

*Ribotim nga data 04.08.2010.