Frank SHKRELI/Amerika bojkotoi Jeremiçin Në OKB

509
Sigal

Shtetet e Bashkuara  ishin në krye të bojkotimit të të ashtuquajturit  “debat”, të organizuar  të mërkurën nga Vuk Jeremiç, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, (OKB) mbi punën  e  gjykatave ndërkombëtare. Por në të vërtetë, qëllimi i tij kryesor ishte të  nënvlerësonte, duke kritikuar ashpër në një forum ndërkombëtar, punën e deritanishme të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi.  Përdorimi i  OKB-së, në kapacitetin e tij si president ceremonial i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për qëllime personale dhe të interesave të Serbisë, shkaktoi kundërshtime të mëdha nga vende të ndryshme si dhe nga organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Vende të ndryshme bojkotuan mbledhjen dhe ato që morën pjesë simbolikisht, dërguan diplomatë ose zyrtarë  të rangut të ulët, ndërsa shumë organizata të ftuara jo-qeveritare refuzuan të merrnin pjesë. Javën e kaluar, një zyrtar i paidentifikuar i Shteteve të Bashkuara u citua në media të ketë thënë se sesioni në OKB, i organizuar nga Jeremiç, do të përdorej për qëllime propagandistike serbe. Ashtu edhe ndodhi. Presidenti i Serbisë, Nikoliç, për dyzet e pesë minuta  shfaqi helm e vrer ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, duke u ankuar për trajtimin e serbëve nga gjykata mbi krimet në ish-Jugosllavi dhe njëkohësisht kritikoi median perëndimore që, sipas tij, ka krijuar një imazh në botë se vetëm Serbia është fajtore.

Shtetet e Bashkuara, duke shfaqur pakënaqësinë dhe zemërimin e tyre me këtë të ashtuquajtur “debat”, ishin në krye të bojkotimit të sesionit, duke refuzuar të merrnin pjesë ndërsa kritikuan ashpër iniciativën e ish-ministrit të Jashtëm serb për mbajtjen e një mbledhjeje të tillë.  Në një deklaratë të lëshuar për  median  të mërkurën,  Misioni i Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, njoftoi se, pasi “Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë ashpër vendimin e Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme për të mbajtur sot një debat ndezës dhe të pa balancuar mbi rolin e gjykatave ndërkombëtare, si rrjedhim, SHBA nuk do të marrë pjesë.”  Në deklaratën amerikane për shtyp shfaqet gjithashtu, pakënaqësia e thellë e Uashingtonit, posaçërisht për faktin se debati ishte organizuar në atë mënyrë që të mos lejonte pjesëmarrjen e viktimave të barbarizmave të luftërave në ish-Jugosllavi.  Në deklaratë theksohet, gjithashtu, qëndrimi amerikan se ata që kanë kryer vepra të tilla tmerrshme gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre, duke shtuar se: “Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë së punuari, përderisa të gjithë ata që kanë kryer vrasje në masë, të përballen me drejtësinë….”  Ndërkaq,  kongresistja amerikane  Eddie Bernice Johnson nga shteti Teksas, në një deklaratë në Kongres  shfaqi shqetësimin e saj në lidhje me mbledhjen e të mërkurës në OKB, ndërkohë që, u bëri thirrje  Kombeve të Bashkuara të njohin gjenocidin e kryer në Srebrenicë, duke shpallur 11 korrikun, si Ditën Përkujtimore të viktimave të Srebrenicës.

Jeremiçi dhe Serbia nuk i shpëtuan as kritikave të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, i cili u paraqit shkurtazi në mbledhje, por kjo mjaftoi që ai të shprehte mbështetjen e tij të padyshimtë ndaj gjykatave ndërkombëtare dhe të kritikonte ashpër ata, që sipas tij, “përpiqen të minojnë punën e gjykatave”.   Sikur po u drejtohej udhëheqësve serbë drejtë për së drejti, Ban Ki Moon tha se, askush nuk ka të drejtë të minojë punën e këtyre gjykatave, sidomos, “për arsye, të cilat kanë më shumë të bëjnë me politikën- se sa me drejtësinë.” Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së vazhdoi duke thënë se, “pandëshkueshmëria për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidit dhe krimeve të tjera serioze ndërkombëtare, nuk është e pranueshme dhe as nuk do të tolerohet më”. Ai vazhdoi duke thënë se, personat  “që përhapin urrejtje dhe ndasi – qofshin ata udhëheqës shtetesh,  grupesh policoro-ushtarake, individë civilë ose ushtarakë –nuk kanë, ku të fshihen më prej drejtësisë”. Zoti Ban Ki Moon u takua më vonë më përfaqësueset e organizatës boshnjake, “Nënat e Srebrenicës”, të cilat në një veprim skandaloz,  rojet e OKB-së i detyruan të largoheshin nga salla  e mbledhjes sepse mbanin një pllakat në dorë. Srebrenica është vendi, ku në vitin 1995, forcat serbe masakruan mbi 8000-mijë burra dhe të rinj boshnjakë.

Kritikat ndaj kësaj mbledhjeje të organizuar nga Jeremiçi nuk munguan as nga vende të tjera. Ndër to, Britania e Madhe dhe Jordania, sipas agjencisë së lajmeve “Rojter”, shprehën shqetësimin e tyre se viktimave të Srebrenicës nuk iu dha rasti të flisnin.  Ambasadori i Jordanisë pranë OKB-së u shpreh para gazetarëve se qëndrimi i Serbisë ndaj gjykatave ndërkombëtare, “është një shkelje ofenduese e ligjit që meriton të censurohet”. Edhe përfaqësuesi i Lichtenshtajnit kritikoi ashpër presidentin e Asamblesë së Përgjithshme, duke shfaqur shqetësimin e tij se, “Jeremiçi  po shfrytëzon  pozitën për realizimin e objektivave të tij politike, që qartë nuk është diçka që ai duhet të bëjë si President i Asamblesë së Përgjithshme”. Ndërkohë, drejtori për drejtësi ndërkombëtare në organizatën e të Drejtave të Njeriut, “Human Rights Vvatch”, Richard Dicker, në një artikull për gazetën “Huffington Post”  shkruan se, themelimi i Gjykatës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi avancoi respektimin ndaj të drejtave bazë të njeriut, si dhe përpjekjet në përgjithësi, për vendosjen e një drejtësie ndërkombëtare, janë duke rishkruar  rregullat kyçe të marrëdhënieve dhe të diplomacisë ndërkombëtare”. Edhe ai kritikoi debatin e organizuar nga Jeremiçi, duke thënë se, duhet të gjenden mënyra më të mira për diskutimin e çështjeve të tilla.

Jeremiçi dhe Beogradi zyrtar organizuan “debatin” kundër gjykatave ndërkombëtare në OKB,  në të njëjtën ditë që Kryeministri  Daçiç u takua në Moskë me udhëheqësit më të lartë që, – siç u shpreh ai,- të popullit “vëlla” rus, Presidentin Putin dhe Kryeministrin Medvedev. Ishte kjo një fushatë frontale dhe mbarë kombëtare e diplomacisë serbe për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe njëkohësisht për të siguruar mbështetjen e Moskës për politikën serbe ndaj Kosovës.  Të dy këto objektiva siç duket dështuan. Kryeministri serb, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin rus, sipas medias,  falënderoi Rusinë për përkrahjen që Moska dhe populli rus po i japin politikës serbe ndaj Kosovës.  “Populli serb”, theksoi Daçiç, “e di dhe nuk harron se Rusia është mikja e tij më e madhe.”   Megjithëse, ai në sipërfaqe  u prit ngrohtë nga Putini, sipas agjencisë së lajmeve “Rojter”, Kryeministri rus Medvedev gjatë takimit me Daçiç, mund të ketë humbur durimin me qëndrimin serb ndaj  Kosovës, pasi citohet t’i ketë thënë udhëheqësit serb -se në lidhje me Kosovën- Moska ka përshtypjen se, serbët, “presin më shumë nga Rusia sesa nga vet Serbia”.   Ky është një qëndrim i gabuar, citohet t’i ketë thënë Medvedevi, Daçiçit dhe se, Serbia duhet të kujdeset vet për këtë proces dhe jo Moska, sipas Kryeministrit rus.

Kështu pra, mori fund edhe një përpjekje tjetër e shëmtuar serbe për të hedhur pluhur në sytë e botës mbi rolin e Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë, mbi politikën e saj shterpë ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera që përbënin ish-Federatën Jugosllave.  Por siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, humbjet dhe dështimet, historikisht Serbia i ka konsideruar si fitore. Edhe kjo përpjekje e dështuar në OKB mund të radhitet si një “fitore”.