Formalizimi i ekonomisë dhe premtimi për mbështetjen e fermerëve

813
Koço Broka Ekonomist 
Nëse shikon faqen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nuk mund të shpëtojë lajmi se: -Ministri ka nënvizuar nevojën e një orientimi të drejtë të skemës së mbështetjes në sektorin bujqësor. “… Duhet t’i orientojmë ne, p.sh në skemën kombëtare të mbështetjes, që vitin që vjen do jetë më e larta që kemi pasur ndonjëherë. Do të jetë rreth 26 milionë dollarë, vetëm skema nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, që presim të hapet dhe IPARD-i, 93 milionë euro program. Pra mundësi financiare kemi të shumta, por duhet t’i adresojmë me shumë zgjuarsi…”-. I lexon këto reshta dhe të kujtohet programi i Qeverisë për 4 vitet, për mbështetjen e bujqësisë shqiptare dhe të fermerëve. Aty lexon “Do të reduktohet tatimi mbi vlerën e shtuar për farërat, fidanët, materialin gjenetik shtazor/Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme./ Do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural” Ndërsa më sipër thuhet se mbështetja e fermerëve për skemën kombëtare do të jetë 26 milionë dollarë. Në vend të shpallet se sa u realizua dhe cilat ishin drejtimet e kësaj mbështetje nga skema kombëtare për këtë vit shpallet se sa do të jetë ajo vitin tjetër. 
Kjo për faktin se fermerët duan të dinë: “Kur do t’u jepen fermerëve subvencionet e vitit 2017? Ky është viti i rrallë që ka ndodhur që fermerët në nëntor të mos kenë marrë akoma subvencionet e aplikimit fitues e të rezultuar pozitiv nga verifikimi. Mundet që të jetë çështje mungese fondesh. Nëse vërtet është kështu, përse të mos regjistrohen detyrimet e tyre në kontabilitet dhe fermerët të kenë të drejtë për t’i marrë kur të ketë fonde? Kjo është rruga e ligjshme financiare.” 
Ndërkohë 
Ndërkohë anëtarë të Qeverisë duke u ndalur në aksionin antiinformalitet kanë shpallur: – “Po ecim në dy korsi të rëndësishme. Korsia e anti-informalitetit, e cila do të jetë rigoroze dhe në bashkëpunim me sipërmarrjen dhe korsia tjetër, që është thjeshtëzimi i procedurave për të vazhduar nismën që patëm në fund të 2016-ës, me ligjin e thjeshtimit të procedurave tatimore… Kryeministri e ka quajtur mandatin e dytë, midis të tjerash, mandatin e anti-informalitetit… Anti-informaliteti ka si qëllim konsekuencën në rritjen e të ardhurave, por si qëllim të parë ka ndërgjegjësimin e sipërmarrjes, bashkëpunimin e sipërmarrjes me fiskun, rritjen e transparencës, zgjerimin e bazës tatimore dhe sigurisht që edhe rritjen e transparencës së punësimit që të mos ketë qytetar që punojnë gati-gati në skllavëri pa sigurime shoqërore… do të duhen të shihen shumë më me kujdes që nga zinxhiri i prodhimit apo importit, e deri tek familja e fundit që është konsumatori. Si funksionon zinxhiri fiskal që nga importi, tek prodhimi, inventaret, tek shitjet, tek shitjet nga biznesi i madh tek i vogli, që për hir së të vërtetës ka qënë një problem i vazhdueshëm, që nga ndërprerja e zinxhirit tek bizneset me tavan TVSH-je 5 milion ku ne tashmë jemi më të përgatitur se ku mund t’i adresojmë.” Le te ndalem në momentet kryesore të këtij pasazhi në radhë të parë lidhur me atë që Ministri e quan aksion apo luftë kundër informalitetit. Unë i bashkohem grupit të ekonomistëve që e quajnë këtë angazhim të qeverisë dhe të sipërmarrësve të mëdhenj si formalizimin e ekonomisë. Kjo nuk është thjesht një eufemizëm, por një çështje e qëndrimit dhe angazhimit të një pjesë e madhe e shoqërisë sonë, pa pretenduar mbarë shoqërisë se është për formalizimin e ekonomisë, duke përfshirë gjithë sektorët e saj. Kjo rrjedh nga vetë roli i konkurrencës si motor i zhvillimit të ekonomisë sonë. Pa formalizim të saj zor, se mund të ketë një konkurrencë reale dhe efektive. Është çështje tjetër se a është e munduar të realizohet ajo në gjithë sektorët e saj e sidomos në bujqësi. Kjo varet jo pak nga qëndrimi i Qeverisë ndaj tatim- taksave, se do i përmbahet de fakto mos rritjes së tyre gjatë vitit 2018 por dhe mënyra dhe metodat e realizimit të formalizimit. Koha kërkon formalizimin e ekonomisë por jo rritjen e tatim- taksave. Ajo që të bie në sy lidhur me metodat por edhe jehonën e zhvillimit të aksionit anti-informalitet është, se vendin e shkopit që ishte metoda kryesore e përdorur dy vjet më parë, po e zë një përdorim më i zbutur dhe më i drejtë i saj dhe harmonizimi më i mirë me metodën e karotës. Kujtdo nuk mund të mos i bjerë në sy p.sh në Tiranë qëndrimi ndaj shitjeve të fermerëve në qytet apo personave të veçantë në rrugë. Dhe në foton bashkëlidhur (Nr 2) mund të shihet qartë angazhimi i policisë, krahas dhe përveç angazhimit të organeve tatimore. 
Por në rastin e dhënë, qëndrimi i policisë ishte, vendosja e një gjobe dhe marrja e peshores. Kur të paguhet gjoba, qytetarit do i kthehej peshorja… Gjoba ishte 1000 lekë. Shumë apo pak? “Për mua që rri në mes të shiut apo diellit, thotë qytetari, kjo është shumë! Ndërkohë që me atë peshore mbaj familjen gjallë. Vetëm unë punoj…jemi 5 frymë.” Problemi i formalizimit shfaqet siç është kompleks.
Është e njohur nga psikologjia se njerëzit reagojnë ndaj shpërblimeve apo ndaj ndëshkimeve. Incentivat mund të jenë shkopi ose karota, që nga ana e tyre shoqërohen me një shumëllojshmëri dhe njëkohësish harmonizime të pafundme. Shkopi përfshin nga ndëshkimi me burg, gjobat, e deri tek detyrimi dhe frika. Me sa duket është hequr dorë nga burgu (që mori përmasa jo të vogla në vitin 2015) për shkelje në përmasa të vogla. Ndërsa nga ana tjetër “karota” janë shpërblimi monetar në formën e pagave, fitimit, lehtësimit nga tatim taksat, subvencionet, mita, ryshfeti etj. Në shpërblimet jo monetare përfshihen medaljet, certifikatat, lavdërime qoftë dhe nëpërmjet një shkrimi jo reklamë në gazetë apo në televizion. Informaliteti merr jete dhe shoqërohet nga mita e ryshfeti, ndërsa formaliteti merr jetë kur harmonizohen format e tjera të karotës apo të shkopit. Harmonizimi i tyre që është një çështje interesash, ballafaqimesh e përplasjesh midis grupeve të ndryshme të interesit dhe mazhorancës në pushtet, është në vetvete një art menaxhimi, që do të përcaktojë vetë ecurinë e formalizimit të ekonomisë.
Në këtë kuadër mendoj se transparenca (jo propaganda mediatike) është një element shumë i rëndësishëm si për evidentimin e gjendjes, problemeve por sidomos për zgjidhjen e tyre por edhe në pasazhin e sipërpërmendur të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Le të shohim fotot nr 3 bashkëlidhur.
Ajo dëshmon se nga kodrat e Liqenit artificial kishim një rrugë të asfaltuar ndërsa tani, krahas asaj ekzistuese është ndërtuar dhe po bëhet e një tjetër. Ndërkohë rruga e parë, cilësia e rrugës ekzistuese që mund të shihet në foton tjetër, dallohet qartë se duket mjaft e mirë, për buxhetin e Shqipërisë sonë të varfër dhe nuk përbente problem për admiruesit dhe vizitorët e shumtë të parkut të liqenit artificial, po prishet për t’u ribërë?! Shih Foton 4 
Megjithatë ajo do të pësonte fatin e prezantuar në foton tjetër 5 bashkëlidhur . 
Eskavatori e ka prishur. 
Natyrshëm lind pyetja ku u struk ofshama e znj Rigerta Loku, kur i bëri të ditur, jo vetëm Parlemtit Rural, por dhe Kuvendit e mbarë Shqipërisë, gjendjen e Kristinave dhe se.. Nuk kërkojmë asgjë tjetër: Ujë dhe rrugë!
Por për rrugë të dytë të asfaltuar në kodrat e Liqenit e deri tek pedonalja në Tamarrë, ka para, ndërsa për ujë…?! Në Ersekë, gjatë verës kishte vetëm një orë para dite dhe dy orë pas dite, tre orë gjithë ditën, dhe nuk paska para…!? Kështu mund të thuhet për dhjetëra fshatra të tjerë dhe për mungesën e rrugëve në to. 
Në këtë kuadër të bën përshtypje se shpesh thuhet që bujqësia jep 20 %, te PBB-së, ndërsa merr vetëm 1-2 %, nga Buxheti?! Por ndërkohë nuk saktësohet dhe nuk ka transparencë, se sa janë të ardhurat në buxhet nga tatim taksat e drejtpërdrejta nga bujqësia, nga fermerët?! Personalisht nuk kam parë, as një media që të japë një informacion apo të interesohet që të japë një informacion të tillë, se sa janë realisht tatim-taksat që paguajnë fermerët, cilat janë ato përveç taksës së tokës, apo taksave të bashkisë dhe sa janë ato në terma absolute dhe çfarë përqindje të të ardhurave të buxhetit të shtetit përbejnë? Në këto rrethana nuk ka një transparencë të plotë as për subvencionet e bujqësisë nga buxheti i shtetit. Dhe gazetarët që mbulojnë bujqësinë nuk e dinë ose nuk kanë pasqyruar në informacionet dhe lajmet e tyre se sa ishin në fakt fermerët që aplikuan për mbështetje e subvencione nga buxheti nga thirrja që u bë në fund të Majit të këtij viti? Cili është fondi që pritet tu alokohet atyre dhe në cilat drejtime?! E njëjta gjë është për pagimin e kontributit të sigurimeve shoqërore, që paguajnë fermerët (që në total dihet), por si është pagesa e tyre sipas bashkive publiku nuk është informuar. Po kështu nuk ka një informacion transparent mbi subvencionimin e pensioneve në përgjithësi dhe të fermerëve në veçanti. Në këto rrethana fermerët ankohen se askush nuk i ndihmon dhe se paratë jo vetëm janë të pakta sidomos krahasuar me vendet fqinjë si Maqedonia e Kosova por edhe ato që jepen nuk shkojnë tek fermeri etj Shqetësimeve të ngritura nga znj Rigerta Loku, se fshati nuk kërkon veçse ujë dhe rrugë po iu lihet vetëm fotografia e Ministrit me të dhe premtimet. E njëjta gjë ndodh me punonjësit e medias që merren apo mbulojnë bujqësinë e fermerët. Ata nuk informojnë se sa nga niveli i kredisë i akorduar nga BERZH-i për bujqësinë shqiptare, është disbursuar kanë përfituar bankat dhe sa kanë përfituar fermerët, dhe brendapërbrenda këtyre të fundit, kush ka përfituar konkretisht?!
Në programin e ri Qeverisës 2017-2021, në sythin 2.3 Bujqësia shkruhet mjaft qartë se Mbështetja financiare: Në katër vitet e ardhshme do të financohen në zonat rurale rreth 25.5 miliardë lekë në mbështetjen e sektorit bujqësor, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat rurale, mbështetjen e fermerëve dhe rritjen e aksesit në tregje… Do të përjashtojmë nga TVSH imputet bazë kryesore bujqësore.” Por futja në skemën e TVSH-së e biznesit të vogël, për mendimin tim duhet parë e lidhur me angazhimin e qeverisë për përjashtimin e TVSH së imputeve bazë, kryesore. A do t’i harmonizojë Qeveria dhe Ministria e Financave këto dy procese!? Është i njohur fakti se fermerët prej vitesh vazhdojnë të ngrenë shqetësimin, se paguajnë çmime më të larta krahasuar me rajonin, si rezultat i nivelit të lartë të TVSH-së për imputet bujqësore. Ky pretendim i tyre është i saktë dhe i drejtë. Mund të klikosh në Google e të kërkosh Studimi Ekonomik Koco Broka-ADAD Malore, dhe ai të shfaqet. Në të rezulton se krahasuar me vitin 2003, lidhur me imputet kryesore bujqësore vihet re rritja mjaft e lartë e tyre, ndërsa çmimi i produkteve bujqësore në përgjithësi ka stanjacion dhe ulje. Kjo do të thotë se kostot e produkteve bujqësore si rezultat i këtij faktori, vijnë duke u rritur, të ardhurat në vend ose me ulje dhe fitimi si rezultat i tyre ka ardhur duke u ulur. Edhe pa ndodhur kjo dukuri, me fermat dhe fermerët tanë ndodh kjo dukuri. Ata nuk paguajnë tatim fitimi apo taksa të tjera të drejtpërdrejta ose TVSH, se nuk paraqitin deri tani asnjë pasqyrë financiare, si bëjnë qoftë edhe bizneset e vegjël që nuk arrijnë pragun e TVSH-së. Megjithatë i marrin çmimet e imputeve bujqësore me TVSH. Në këto rrethana del e nevojshme që ata të hedhin hapin e parë të formalizimit Kartën e Fermerit ose Numurin Unik te Identifikikimit NIPT ose NUIS , proces që ka filluar dhe rreth 30 mijë fermerë janë pajisur me to. Këta fermerë duhet të kalojnë në një hap tjetër të përgatitin pasqyra të thjeshta financiare ashtu si biznesi i vogël në qytet, ku të pasqyrojnë TVSH-ne e imputeve të marra. Kjo kërkon që ata t’i blejnë të gjitha imputet bujqësore me fatura me TVSH. Natyrisht ky proces ka dhe do të ketë kosto për fermerët. Por kjo kosto kompensohet në se për ta përjashtohet TVSH për imputet bazë ashtu siç është premtuar. Ky proces që ka qenë shumë i komplikuar edhe për biznesin e madh, kërkohet që të jetë sa më i thjeshtë. Kjo do të thotë se thjeshtëzimi i procedurave tatimore duhet të marrë jetë, edhe për fermerët nën kufirin e xhiros prej 5 000 000 lekë dhe ajo nuk duhet të mbetet retorikë. Mbas prezantimit dhe realizimit të procedurave të thjeshta tatimore edhe për fermerët mbetet angazhimi për rimbursimin e TVSH, që ka paguar fermeri, mbi bazën e dorëzimit të pasqyrave përkatëse financiare dhe faturave të blerjes të imputeve bujqësore me TVSH. Fermerët e kanë ngritur në vazhdimësi shqetësimin mbi çmimet e larta, Qeveria e ka në programin e saj përjashtimin e TVSH-së të imputeve bujqësore për fermerët,ajo pretendon se shtrirja e TVSH-së për biznesin e vogël nuk ka kosto (në fakt ka), mbetet për tu realizuar në praktikë. E rëndësishme është se qeveria do të duhet të jetë e hapur dhe korrekte me fermerët Deri tani është mësuar se Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi gjatë një takimi me peshkatarë në portin e Durrësit u shpreh se, sot po punohet që në paketën fiskale për vitin 2018 të përjashtojmë, të fusim përjashtimin nga Tatimi i Vlerës së Shtuar për gjitha mjetet e bordeve të anijeve. Ndërkohë që gjatë viteve në vijim, qeveria do të shtrijë heqjen e TVSH-së edhe për imputet në të gjithë sektorët e bujqësisë.” Pyetja që shtrohet është në se qeveria ka vullnet real për këtë, përse mos fillojë ta eksperimentojë përjashtimin e TVSH-se edhe për imputet bazë bujqësore, në një ose disa bashki, qoftë për disa impute bazë siç janë karburantet, energjia elektrike, plehrat kimike? Ajo është e bindur për konsekuencën në rritjen e të ardhurave, të procesit të formalizimit apo të aksionit antiinformalit siç e quan ajo dhe njëkohësisht pa kosto shtesë për biznesin e vogël. Të paktën këtë ka deklaruar. Ajo që kërkohet në rastin e fermerëve është se përparësinë e shkopit duhet ta zërë karota A është e gatshme Qeveria për këtë?! Natyrisht duke thënë këtë kërkohet serioziteti i angazhimeve për përjashtimin e TVSH. Personalisht nuk jam të përsëritet ajo që u bë para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve të vitit 2013, lidhur me përjashtimet e TVSH në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ndërkohë nuk mund të vazhdohet gjatë me praktikën e ecurisë së ekonomisë duke rritur dukshëm borxhin publik. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Borxhi i Qeverisë Qendrore, Lokale dhe Borxhi i Garantuar rritur nga 4 947 milionë Euro në vitin 2009, në 6313 milionë Euro në vitin 2013 dhe 8048 milionë Euro në Shtator 2017. Secili mund t’i bëjë vete llogarinë. Por për lehtësi dhe pa u lodhur me konvertimet e kursit të këmbimit, çdo shqiptar apo lexues i këtyre radhëve le të dijë se borxhi publik në fund të Shtatorit 2017, arriti 1 trilion e 76 miliard lekë. Ndërsa me draft buxhetin e vitit 2018, deputeteve iu kërkohet që të votojnë një nivel ku “Stoku i borxhit publik total, përfshirë borxhin shtetëror të garantuar, vlerësohet të arrijë në 1 135 620 milionë lekë, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit.”, pra një shtese prej 59.6 miliardë leke krahasuar me fund Shtatorin e 2017. Natyrisht këtu kanë efektin e vet, shtesa e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit 2018, në masën e 14.3 miliardë lekë, qe kushtëzohet nga rritja e pagimit të principalit të borxhit të jashtëm, thellimi i skemës të sigurimeve shoqërore dhe rritja e interesave të borxhit publik. Pra nuk është je detyrë e lehtë për t’u zgjidhur si nga qeveria aktuale apo qoftë edhe nëse opozita e sotme e konsideron veten në pushtet për vitin 2018. Ndërsa PPP (Partneriteti Publik Privat), e cila shihet si zgjidhje nga qeveria aktuale, ndonëse mund të krijojë iluzione lidhur me ecurinë e borxhit publik, duke shmangur konkurrencën, nuk është një zgjidhje për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë, përderisa kredia bankare ka qenë de fakto në stanjacion për me se 5 vjet, duke filluar nga viti 2012. Por një gjë është e qartë. Fillimi i eksperimentimit të përjashtimit të TVSH-së për fermerët duke i shërbyer formalizimit të ekonomisë, do të shërbente për formalizimin real, jo vetëm të sektorëve që lidhen me fermerët e bujqësinë, por do të çelte dritën në fund të tunelit, për fermerët që nuk kanë vendosur të punojnë e jetojnë në fshat me bujqësi, por sidomos për të rinjtë që kanë dilema të forta për t’u larguar nga fshati si në qytet apo jashtë vendit . 
Sigal