Florenc Hoxha dhe dhuna e Edi Ramës

756
Sigal

Ky vend i çuditshëm me banorë interesantë, të papërgjegjshëm, grindavecë, hajdutë dhe intrigantë, përpiqet në të gjitha mënyrat që dhe atje, ku dikush punon ndryshe apo është i spikatur në vlerat njerëzore dhe profesionale ta përbaltin me të gjitha mënyrat. Ka patur dhe do të ketë gjithnjë njerëz të përkushtuar të cilët e dimë mirë se, më shumë se sa përkushtimi  për detyrën do të jenë të detyruar për t’u mbrojtur nga sulmet absurde.

Njeri prej tyre, i cili është vënë në qendër të mallkimeve mediatike quhet Florenc Hoxha. Kryeinspektor i Policisë Bashkiake të kryeqytetit, ai ka ardhur në këtë detyre sapo kryebashkiaku Lulzim Basha zuri  vend në drejtimin e saj. Dhe zgjedhja e Bashës për t’i besuar Florenc Hoxhës, Policinë Bashkiake rezultoi tepër efikase e zgjuar dhe frutdhënëse. Në një kohë të shkurtër nën drejtimin e tij strukturat e Policisë Bashkiake i kthyen dinjitetin kryeqytetit dhe ndali anarkinë urbane. Zënia e hapësirave publike, ndërtimet e paligjshme, transporti kaotik dhe ndotja akustike nisen të njohin dhe të provojnë peshën e ligjit. Tani pas një viti Tirana dhe banoret e saj e dinë se kanë një institucion policie, ku të drejtohen për të marrë atë të drejtë që u takon. Nëse kjo polici me këtë cilësi drejtimi nuk do të ekzistonte, apo larg qoftë do të drejtohej nga një partiak nën petkun e policit, vështirë se ky kryeqytet i zhurmshëm dhe i pabindur, i dashur dhe rrëmujaxhi, ligjor dhe antiligjor, do të bëhej zap në pjesën antiligjore. Po për fat ndodhi më e mira sepse zgjedhja që bëri Basha ishte efikase. Kështu do të ndodhë kur në vendin e duhur shkon njeriu i duhur. Bashën e zgjodhi kryeqyteti me votë dhe ai zgjodhi me besim për respektimin e ligjit në këtë komunitet që quhet Tiranë, oficerin e policisë, Florenc Hoxhën.

Punonjës policie i përkushtuar, i drejtë dhe i prerë, njerëzor dhe i edukuar, ky jurist dhe oficer karriere i ka bërë nder asaj detyre që iu ngarkua. Atje në policinë bashkiake disa e thërrasin drejtor dhe disa shef, ndërsa qytetaret e njohin si kryeinspektor. Ashtu e ka dhe emërtimin zyrtar. Ky njeri i papërtuar ktheu besimin se ligji do të veprojë me të gjitha mënyrat mbi pakicën e keqe. U ndalen drejtimet pa leje, u liruan ambientet publike, ndërsa PUB-et tani i bëjnë mirë llogaritë nëse nuk respektojnë oraret për zhurmat. Florenc Hoxha nuk është një drejtor, shef, apo kryeinspektor që mbyllet në zyrë dhe pret orarin për të ikur në shtëpi. Ai është oficeri më i përkushtuar që ka nxjerrë shkolla jonë e kësaj fushe. Po ndërkohë ai është dhe koncentrimi më i mirë i vlerave dhe i trashëgimisë familjare dhe njerëzore të cilën e gëzojmë ende ne si komb. Ditë dhe natë në krye të punëve. Qytetarë, politikanë, shtetarë, gazetarë, emigrantë, biznesmenë, të ligjshëm dhe të paligjshëm, e njohin dhe e shohin në çdo orë anekënd metropolit tonë të pabindur, duke ndjekur zbatimin e urdhrave që lëshon vetë. Njeriu që kurrë nuk ankohet për lodhje, gjen kohen t’i thotë një mikut të tij, të cilit Policia Bashkiake e pati bllokuar makinën, se gjoba duhet paguar patjetër, ndryshe do të paguaj unë për ty. Dhe ky miku i tij ishte një deputet i njohur. Ky është Florenc Hoxha, të cilin në korridoret e institucionit që drejton  takon qytetarë, intelektualë, pleq e plaka dhe emigrantë që vijnë për ta falënderuar se ankesa e tyre është zgjidhur brenda ligjit. Me qindra raste falënderimi shkojnë edhe si mesazhe drejt kryetarit të bashkisë për këtë njeri që ka zgjedhur.

Por është një pjesë politike që nevoja u thotë se ky njeri duhet sulmuar dhe anatemuar. Duke sulmuar atë kemi sulmuar Bashën.  Dhe vigja esmere u gjet. Romët e shkretë, ky Florenc Hoxha nuk i lejon të ushqehen nga kazanët e plehrave! Të duash dhe të mbash qytetin tënd të pastër dhe të sulmohesh  në mënyrën më  absurde, të ligë e  të pabesë dhe mbi të gjitha politike. Ata që zhvatin fonde nga bota për integrimin e romeve, bërtasin perse kryeinspektori i Policisë Bashkiake nuk i lejon të jetojnë midis plehrave! E shëmtuar kjo ironi ciniko- politike. Ti e vjedh të gjorin, e pastaj akuzon të tjerët se perse nuk i lejon të ushqehen në plehra. Ky është integrimi i romeve dhe këtë e paska penguar Florenc Hoxha?! Nëse ai do e lejonte dhe për pak kohë që të nxinin qytetin ashtu siç e nxinë, sulmi do të kishte një argument tjetër: Basha dhe polici i tij Florenc Hoxha, e kanë kthyer qytetin në kazanë plehrash. Por andej nga PS-ja, kanë një moto: po punove je i keq po nuk punove kam argument të të sulmoj.

Megjithatë, Policia Bashkiake punon sipas urdhrave që dalin nga kryetari apo vendimet e Këshillit Bashkiak. Në krye të policisë është ai i sulmuari nga Edi Rama, i cili inatin e vërtetë e ka me Bashën. Këtë e dinë qytetarët, gazetarët, e dinë atje në PS. Sidomos atje.

Ky vend i çuditshëm me banorë interesantë dhe grindavecë e ka kuptuar se jo vetëm zgjedhja e Bashës paska qenë jetike për këtë qytet, por edhe zgjedhja e bashkëpunëtoreve të tij ishte tepër efikase. Florenc Hoxha dhe struktura e ligjit dhe rregullit që ai drejton, ishte zgjedhja më e efektshme. Policia e shtetit në kryeqytet ka 5 komisariate për të luftuar krimin, ndërsa Bashkia e Tiranës ka vetëm këtë komisariat për të bërë zap shkelësit e ligjit dhe për t’i kthyer dinjitetin qytetit. Sigurisht, edhe për t’u përbaltur me dhunën mediatike të Edi Ramës.

Po ata që e sulmojnë? Ata dihet, derisa të vijnë në pushtet do të paguajnë këdo për të sulmuar atë që nuk e duan dhe që u bëhet pengesë. Kjo ka lidhje me mashtrimin dhe jo me të vërtetën apo punën. Edi Rama provokon të bardhë dhe të zinj,  si shkelës të ligjit dhe pastaj akuzon ligjin se ushtroi dhunë. Një burrë i mençur që pati kaluar këtyre viseve shqiptare, shkroi diku: Shqiptarët janë njerëz bujarë, trima, të zgjuar dhe tepër mikpritës. Por kanë një të metë të vogël: nëse nuk ke bisht ata ta vënë atë, nëse e ke, ta presin. Ky burri i mençur duhet të ketë takuar ndonjë nga të parët e Edi Ramës tek pazari i ri në Tiranë.

PS. Parashikim im në një editorial të kësaj gazete para disa kohësh, se Avokati i Popullit, Igli Totozani është vegla opozitare e Edi Ramës, u vërtetua plotësisht. Përveç tij dhe disa romeve të gjorë që duan të fusim gjysmën e trupit në kazanin e plehrave, askush nuk ankohet, kurse për Florenc Hoxhën. Përkundrazi.