Flet Dr. Vladimir Mici: Nga politikat e gabuara të qeverive varfëria ka prekur rreth 23% të popullsisë

67
Sigal

– Duke parë të ardhurat e vitit 2024 dhe pagat minimale sipas vëndeve të rajonit ne përsëri jemi të fundit në rajon.

-Mbetet një hendek i madh në të ardhura midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku diferenca e të ardhurave është afërsisht katër herë më e madhe.

Shqipëria është vendi me të ardhurat më të ulta në Europë, por që shumë produkte i blejnë më shtrenjtë se në vendet me të ardhura të larta.

-Dëgjojmë trishtueshëm që ky mandat do të sjellë fat për shqiptarët dhe do bëhemi kombi më i lumtur i Ballkanit, ndoshta dhe  Europës

 

Intervistoi; Albert Z. ZHOLI

 

Varfëria është kryefjala e ditës në Shqipëri. Dhe pse qeveritë premtojnë shumë varfëria është e madhe. Të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat mbi indeksin e çmimeve të konsumit, me referencë mesataren e Bashkimit Europian për produktet kryesore të shportës për vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor kanë nxjerrë në pah disa nga produktet që shqiptarët i blejnë më shtrenjtë. Pijet alkoolike në Shqipëri kushtojnë 25% më shumë se mesatarja europiane. Alkooli më i shtrenjtë në Europë është në Irlandë, me 60% më shumë se mesatarja Europiane dhe më i liri në Maqedoninë e Veriut dhe Turqi, përkatësisht 33.7% dhe 26.4% e mesatares europiane. Pajisjet elektroshtëpiake janë gjithashtu të shtrenjta, teksa kushtojnë 22% më shumë sesa mesatarja europiane. Më të lirat në Europë, pajisjet elektroshtëpiake i gjen në Poloni dhe më të shtrenjtat në Islandë. Edhe një vend bujqësor, Shqipëria, qumështin dhe djathin nuk i ka më aq të lira. Familjet shqiptare i blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë sesa mesatarja europiane. Krahas qumështit dhe vajrat e yndyrat janë më të shtrenjta se mesatarja europiane Për të blerë një palë këpucë, që në Europë kushtojnë mesatarisht 100 euro, në Shqipëri duhen 105.5 euro. Këpucët më të shtrenjta janë në Zvicër dhe më të lirat në Turqi . Kjo panoramë tregon se çmimet në Shqipëri janë të shtrenjta, por të ardhurat mbeten të ulëta. Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat tregojnë se të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në Shqipëri janë sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian, duke bërë që vendi ynë të renditet i fundit. Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën, me 41% të mesatares europiane.

Flitet për bum në turizëm, por shqiptarët ende janë në varfëri! Pse Shqipëria edhe këtë vit është më i varfëri në Europë, por me çmimet më të larta në shumë artikuj? Cilat janë arsyet? Pse qeveria hesht për varfërinë, por reklamon vetëm turizmin?
Përgjigje:

Në vitin 2023, të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 8600 dollarë. E konvertuar në të ardhura ditore, të ardhurat mesatare ishin 23,5 dollarë në ditë, që është 3 dollarë më pak se standardi i vendosur nga Banka Botërore për një jetesë dinjitoze. Brenda rajonit, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë nivele të ngjashme të të ardhurave me Shqipërinë, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi gëzojnë një standard më të lartë jetese. Këto shifra janë treguese, pasi ato ndryshojnë në varësi të metodologjisë së përdorur. Megjithatë, mbetet një hendek i madh në të ardhura midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ku diferenca e të ardhurave është afërsisht katër herë më e madhe. Me rënien e popullsisë, siç pasqyrohet në të dhënat e Censusit 2023, dhe një normë rritjeje ekonomike prej rreth 4% në 2024, të ardhurat mesatare vjetore të shqiptarëve janë rritur në 9300 dollarë, duke arritur standardin e prosperitetit. Megjithatë, pavarësisht kësaj rritjeje, nivelet e varfërisë mbeten të larta, duke prekur rreth 23% të popullsisë. Pagat mesatare mujore mbulojnë pagat dhe mëditjet totale në para dhe në natyrë, përpara çdo zbritjeje tatimore dhe para kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ato përfshijnë pagat dhe mëditjet, shpërblimin për kohën e papunuar, shpërblimet dhe shpërblimet e paguara nga punëdhënësi për punonjësit. Për shumicën e vendeve, pagat mbulojnë ekonominë totale dhe shprehen për punonjës ekuivalent me kohë të plotë. Kjo mundëson krahasimin e vendeve të ndryshme pavarësisht nga kohëzgjatja e kohës së punës dhe përqindja e punëtorëve me kohë të pjesshme dhe të plotë.

Me të dhënat nga Eurostat  në lidhje me vëndet e rajonit ne jemi si më posht( të dhenat e viti 2023)

Nr Vendi Paga mesatre mujore në $ Diferenca
1 Shqipëria 700.8  
2 Bosnje Hercegovina 1076  
3 Kroacia 1713  
4 Greqia 1593.7  
5 Italia 2924.4  
6 Mali i Zi 1067.4  
7 Rumania 1609.9  
8 Serbia 1094.1  
9 Maqedonia e Veriut 964.7  

 

Por duke parë të ardhurat e vitit 2024 pagat minimale sipas vëndeve të rajonit ne përsëri vërejmë nivele të trishtueshme, ku ne përsëri jemi të fundit në rajon. Bashkangjitur të dhënat për pagat minimale mujore dhe maksimale. Këtu kujtojmë se pjesa më e madhe paguhen me paga minimale dhe disbalanca bëhet akoma me e madhe:

Shteti Paga minimale orare  $ Paga maksimale orare  $
Shqipëria 6.13 24.12
Italia 18.42 90.19
Greqia 11.67 53.79
Maqedonia e Veriut 4.6 26.93
Mali i Zi 6.28 33.79
Kroacia 13.94 53.62
Bullgaria 10.03 56.92

 

Kur ne i referohemi nivelit të pagave duhet të kemi parasysh edhe fuqinë blerëse me ato paga. Në Shqipëri ky indeks, i cili llogarit pagën sipas fuqisë blerëse rezulton se edhe me vënde të tilla si Maqedonia e Veriut, e cila ka paga nominale më të ulta se Shqipëria; në fakt pagat e llogaritura sipas fuqisë blerëse janë shumë më të ulta. Llogaritja e pagave sipas fuqisë blerëse  nënkupton që paga nominale në Shqipëri  blen më pak mallra se në Maqedoni, ose e njëjta shportë në Maqedoninë e Veriut është më e lirë, se sa në Shqipëri dhe kjo vjen nga dy faktorë: Faktori i parë është rendimenti i ulët i punës në Shqipëri, që lidhet edhe me një strukturë teknologjie dhe pune  jo adekuate, sistem tatimi jo efektiv dhe nga ana tjetër përdorimi i mekanizmave ekonomik që synojnë bllokimin e prodhimit vëndas, që vjen në formën e subvencioneve për bujqësinë blegtorinë dhe krijimin e kushteve për prodhime cilësore. Mungesa e kontrolleve dhe paaftësia e qeverisë për të garantuar standarte prodhimi dhe shërbimi,  detyron  që në vënd të ketë dyndje prodhimesh dhe shërbimesh të huaja, të cilat maskohen dhe materializohen  me çmime të larta.

-Por nga ana tjetër ndryshe thuhet në këtë fushatë në prag të zgjedhjeve të 11 Majit?

Sot që fushata pothuajse ka ndezur motorët çdo ditë dëgjojmë shprehje të ngjashme që ky mandat do të sjellë shqiptarët si kombin më të lumtur të Ballkanit, ndoshta dhe Europës dhe vuajtjet e tyre do marrin fund në 11 Maj. Në fakt degjenerimi i përditshëm moral i elitës politike, humbja e pespektivës dhe qasja ndaj problemeve ekonomike me diletantizëm na garanton se edhe katër vjeçari i ardhshëm do të jetë po një lloj; ne të fundit në pag , në pensione, me mbulime shëndetësore dhe kujdes shëndetësor mizerabël, (kur për të marrë ilaçet në spital që duhen duhet të gjesh mik ministrin ose kryeministrin, apo  shefat e opozitës). Për të marrë një vënd pune duhet të paguash , ku qasen përditë platforma të papërgjegjshme dhe të paprovuara të punësimit dhe kualifikimit. Gjatë gjithë kohës ajo që kërkohet është të paguash çmimin e hidhur të korrupsionit të zi. Sot një license është e lidhur me shuma nën dorë, që është vështirë të përballohet nga një qytetar i ndershëm  i këtij vëndi.

Sigurisht a mund të ketë qasje reale?

Po ne dëgjojmë nga krahët e politikës që do rrisim nivelin e investimeve , do rrisim pensionin, pagat . Kemi 35 vite . Ku jemi? Përsëri në fund! Pyetja që vjen është: Kur do dalim nga ky fund. A ka  pasur një strategji dhe për sa kohë strategjia do jepte efekte? Të dy palët duhet t’i përgjigjen publikut pse dështuan dhe çfarë kostoje morrën, sepse janë po ata. Ata vazhdimisht premtojnë, por premtime të tilla si pensioni minimal 200 euro është katastrofik, që do të thotë o popull vdis! Sepse tej kësaj shprehje nuk shoh se askujt nuk do t’i mungojnë ilaçet, shërbimi, skanimi apo mbështetja shëndetësore për popullin. Thjesht një premtim që nuk siguron jetë dinjitoze. Mungesat do t’i justifikojnë me mungesën e tenderit, planifikimin e gabuar , korupsionin etj etj. Kjo pavarësisht jetë e tjetrit shkon drejt vdekjes. Për të rinjtë çmimet e banesave që rriten 100 euro çdo vit dhe s’ka asnjë ndërhyrje në paga, apo në biznesin e shitësit. Përkundrazi duke u maskuar pas turizmit detyron njërëzit të blejnë shishen e ujit ½ litra në kioskën e plazhit 150 lekë dhe kafen në hotelin pa taksa lluksi 350 lek. Çmënduria është e pamëshirshme. Ku të shkoj populli? Na rrofshin turistët se për  popullin smendon kush. Një miku im më shkruante për fondin Sovran, sepse ishte naftëtar dhe meqë VB i naftës i Shpiragut nuk pati pritshmërinë e duhur ai s’mund të krijohej. I thashë e ke gabim.’! Fondin Sovran se krijon vetëm nafta si burim natyror. Burim natyror kemi edhe turizmin, po pse s’vendos taksë ky kryeministër për fondin Sovran, sepse të huajt po përdorin  burimin natyror të shqiptarëve? Përkundrazi kemi përjashtimin e tyre tatimor. Pra shqiptarët duhet të paguajnë hotelin 100 euro nata për një palo krevat njëlloj si turisti i huaj. Ky është perceptimi qeveritar dhe këtë kosto e paguan populli dhe jo përfituesit e hoteleve 100 euro nata.

Çfarë duhet të bëjë politika?

Shumë thjeshtë. Kemi 35 vite dhe ngelëm në fund. Kjo do të thotë që këta politikanë ose nuk dinë ose nuk janë të interesuar për këtë mirëqënie. Sot më shumë anon nga e dyta. Sot nuk janë të gjithë të paditur, pavarësisht se strategjia është për të krijuar sa më shumë të tillë. Sot duhet t’i thuash këtij populli të vërtetën. Nqs  marrim përshembull për model Francën, Franca e ka pagën mesatare mujore 3928 euro dhe ajo do të rritet ta zemë me 2% në vit  e jona do të rritet me 10% vit. Kjo mënyrë projekton që pas 10 vitesh paga do të jetë në Francë mesatraisht 4788 euro, ndërsa në Shqipëri 1818 euro. Pra raporti midis pagës mesatare Francë -Shqipëri do të jetë nga 5.6 pas 10 vitesh do të jetë në 2.6. Duhet të kuptojmë se rritja 2% e francezëve është 80 Euro në muaj, ndërsa tek ne 70 euro /muaj. Dhe pas 10 vitesh rritja e pagës mujore është 96 euro për francezët dhe 182 euro për shqiptarët. Pra këto projeksione nuk kuptohen, sepse po na fut në Europë dhe shqiptarët në emigrim, por kuptohen kur projekton futjen e teknologjisë dhe përdorimin efektiv të burimeve natyrore dhetë pa rinovueshme si dhe ngritja dhe zhvillimi i një sistemi arsimor që t’i përgatisë dhe  zhvillojë këto burime me efiçensë maksimale. Nëse nuk vendosen piketa të tilla ne përsëri në fund jemi dhe do ngelemi. Por për të vënë piketa të tilla duhet shpjeguar si? Kjo ka 35 vite që mungon dhe që askush nuk e artikulon. Edhe pa qeveri ritmi natyror është 2-3% , kështu  që arsyeja kryesore që ne kërkojmë qeverisje është tej kësaj rritjeje. A  duhet të besojmë se këta politikanë që për 35 vite na lanë të fundit duhet ende të komandojnë ekonominë dhe të sjellin prosperitet? Kjo është zgjedhja jonë tashmë. U kemi besuar 35 vjet.