-Thirrja nga liderët për kthim të emigrantëve tingëllon më shumë si një retorikë elektorale se sa një projekt serioz.
– Kryetari PS ju drejtohet emigrantëve me fjalë të përgjithshme, pa një program të shkruar, pa një strategji konkrete dhe pa asnjë argument të matshëm.
-Faktikisht premtimi “kthehuni, nuk do ju duhet pasaporta greke, do keni pasaportën e BE-së” është juridikisht i paqëndrueshëm.
– Shqipëria nuk është anëtare e BE-së dhe nuk ka datë të caktuar për anëtarësim, ndaj nuk mund të flitet për pasaporta të BE-së
– integrimi në BE nuk sjell automatikisht dhënien e pasaportave të BE-së.
-Shqiptarët do mbajnë pasaportën shqiptare, jo atë të një shteti anëtar të BE-së (p.sh. greke, gjermane etj.).
– Ekonomikisht i pabazuar – nuk përshkruan asnjë plan se çfarë do gjejnë emigrantët në Shqipëri kur të kthehen.
-Ndërkaq që ata që janë në Shqipëri luftojnë për punësim, mbështetje për biznes, kushte jetese, arsim, shëndetësi etj.
– Shqipëria nuk ka mungesë burimesh, por mungesë drejtimi, mungesë transparence dhe mungesë vullneti për të ndërtuar shtet.
– Shqipëria prodhon mbi 90% të energjisë nga hidrocentralet, çka e bën unike në Evropë pra mburremi me energjinë e gjelbër dhe të pastër, por me çmim të kripur.
– Politikës së“fasadës” – qendrat e qyteteve janë ideuar si vitrinë për turizëm dhe për mediat.
– Rrugët periferike shpesh hyjnë në projekt-buxhete, por nuk përfundojnë, sepse fitohen nga kompani që nuk i përmbushin detyrimet.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Partitë politike në Shqipëri kanë ditë që janë futur kokë e këmbë në fushatë, për zgjedhjet e 11 Majit. Në këto zgjedhje, Partia Socialiste në pushtet, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, kërkon mandatin e katërt. Për zgjedhjet e 11 Majit janë regjistruar 51 subjekte politike dhe disa koalicione. Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” udhëhiqet nga Partia Demokratike e Sali Berishës dhe ka në përbërjen e saj Partinë e Lirisë së Ilir Metës dhe 24 aleatë të tjerë. Koalicioni “Djathtas për Zhvillim”, ku bëjnë pjesë dy parti të drejtuara nga ish-përfaqësues të Partisë Demokratike. Koalicioni tjetër është “Nisma Shqipëria Bëhet”, që ka në përbërje parti të reja që vijnë nga shoqëria civile. Demokratët kërkojnë ndryshim politik dhe rikthimin në pushtet pas 12 vjetësh në opozitë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë njoftoi se 230.000 votues jashtë vendit janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në Shqipëri. Kjo është hera e parë që diaspora shqiptare mund të votojë në zgjedhje parlamentare në Shqipëri. Besohet se janë diku 23-25 që mund të ndikohen nga vota e diasporës. Si Rama dhe Berisha kanë muaj që vizitojnë vendet fqinje ku ka shumë emigrantë shqiptarë. Sidomos në emigarcion liderët e partive politike premtojnë shumë. Por a mund të mbahen ato premtime për ta? Po në Shqipëri si është gjendja ekonomike sidomos duke marrë parasysh të ardhurat e pakta për frymë, çmimet e prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe të energjisë? A do të mundin të mbajnë premtimet elektorale sidomos dy partitë e mëdha?
-Jemi në fushatë për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Po shohim që lideri i PS-së, Rama po bën shumë fushatë me emigrantët në dy vendet fqinjë ku janë ¾ e emigrantëve. Kryesisht ai këmbëngul në Greqi ku janë rreth gjysma e emigrantëve tanë, por vihet re se ai flet pa një program, pa letër, me fjalë të përgjithshme. Bën thirrje kthehuni, por nuk ka strategji, nuk ka platfomë por vetëm fjalë pa argument. A është bindës ai në këtë thirrje madje duke arritur deri aty sa të thotë nuk do keni nevojë për pasaportën greke pasi do keni pasaportën tonë të BE! Ku e bazon ai këtë premtim?
-Kjo është një pyetje me vend. Kjo pyetje shtron disa dilema të rëndësishme përkatëse si politika shqiptare në tërësi dhe në rastin konkret Rama i drejtohet emigrantëve, sidomos në prag zgjedhjesh.
- A të bind thirrja për kthim në atdhe?
Kjo thirrje tingëllon më shumë si një retorikë elektorale se sa një projekt serioz, sepse personi ju drejtohet emigrantëve me fjalë të përgjithshme, pa një program të shkruar, pa një strategji konkrete dhe pa asnjë argument të matshëm.
Faktikisht premtimi “kthehuni, nuk do ju duhet pasaporta greke, do keni pasaportën e BE-së” është:
- Juridikisht i paqëndrueshëm – Shqipëria nuk është anëtare e BE-së dhe nuk ka datë të caktuar për anëtarësim.
- Politikisht i pasaktë – integrimi në BE nuk sjell automatikisht dhënien e pasaportave të BE-së. Shqiptarët do mbajnë pasaportën shqiptare, jo atë të një shteti anëtar të BE-së (p.sh. greke, gjermane etj.).
- Ekonomikisht i pabazuar – nuk përshkruan asnjë plan se çfarë do gjejnë emigrantët në Shqipëri kur të kthehen, ndërkaq që edhe ata që janë në Shqipëri luftojnë për punësim, mbështetje për biznes, kushte jetese, arsim, shëndetësi etj.
Premtimi për “pasaportë evropiane” është simbol politik. Ai lidhet me aspiratën për integrimin evropian. Por realisht, ai:
- Nuk mbështetet në ndonjë marrëveshje konkrete me BE-në.
- Nuk ka afat kohor të përcaktuar për t’u bërë realitet.
- Nuk është pjesë e ndonjë programi të detajuar të qeverisë shqiptare për kthimin e diasporës, apo për politikat e integrimit.
Pra, me syrin e një emigranti që e ka ndërtuar jetën e tij dhe të familjes së tij në Greqi a diku tjetër, jashtë Shqipërisë, atdheut, ka dokumente atje ku ka shkuar, ndoshta ka edhe shtetësi (në rastin konkret – greke), nuk e merr një premtim të tillë si serioz dhe bindësvetëm nëse ky premtim dhe kjo kërkesë shoqërohet me:
- Garanci për punë në Shqipëri.
- Garanci për mbështetje në Shqipëri.
- Shërbime dhe infrastrukturë të krahasueshme me vendin ku jeton.
- Siguri ligjore, financiare dhe sociale.
- Vullnet të sinqertë politik, që shkon përtej fushatës elektorale.
Pra, si përfundim në lidhje me këtë pyetje mund të them se premtime të tilla si: “s’keni nevojë për pasaportë greke, do keni atë të BE-së”, etj të kësaj natyre, nga kushdo parti politike a lider i saj qoftë, janë shumëtë rrezikshme politikisht, krijojnë pritshmëri të rreme, shihen dhe trajtohen nga palët në garësi mashtrime elektorale, etj. Për të qenë të sigurt dhe seriozë në këtë çështje duhet dokumentacion, afate dhe angazhime konkrete.
Nëse kjo gjë do ishte serioze, atëhëre Rama (apo kushdo tjetër) do duhej të paraqiste:
- Platformë të detajuar për kthimin e diasporës.
- Paketë ekonomike për të nxitur rikthimin dhe investimin e emigrantëve.
- Paketë ligjore për të nxitur rikthimin dhe investimin e emigrantëve.
- Komunikim të sinqertë dhe realist, jo thjesht parrulla emocionale dhe simbolikë elektorale.
Në fund të fundit, duhet të jemi koshientë se pjesa më e madhe e emigrantëve nuk janë audiencë naive. Ata kanë ndërtuar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre në vende me standarde të tjera politike dhe publike krahasuar me standardet shqiptare të tepsisë e tallavasë, dhe e kuptojnë shumë mirë edhe faktin se dikush po “flet pa letra”.
– Vazhdon rritja e çmimit të energjisë elektrike megjithëse jemi vendi me burime ujore dhe hidricentrale në Evropë! Cila është arsyeja e rrijes së çmimit? Pse ky vend me të ardhurat më të pakta për frymë në Evropë ka rritje çmimi? E njëjta situatë edhe për çmimin e ujit. Rritje çmimi? Vendi me burime ujore më të mëdha për frymë? Pse kjo situatë? -Problem tjetër ngelen dhe rrugët në periferi të Tiranës, Durrësit dhe qyteteve të tjera të mëdha, Nëse shohim se punohet në qendrat e qyteteve nuk po bëhet në periferi. Rrugët janë aq me gropa saqë shumë makina kanë pësuar defetkte të rënda.
– Pyetjet që po bëni shkojnë në zemër të problematikave që shumë qytetarë ndjejnë çdo ditë – energjia, uji, dhe infrastruktura. Le t’i marrim me radhë dhe t’i analizojmë me fakte dhe logjikë të ftohtë.
Pse rritet çmimi i energjisë në një vend me hidrocentrale dhe burime ujore?
Shqipëria prodhon mbi 90% të energjisë nga hidrocentralet, çka e bën unike në Evropë. Mburremi me energjinë e gjelbër dhe të pastër. Kjo në teori duhet të nënkuptojë kosto më të ulët, por në praktikë ndodh e kundërta. Arsyet kryesore për rritjen e çmimit të energjisë elektrike janë:
- Varësia nga moti – nëse nuk bie shi, prodhimi i energjisë bie ndjeshëm. Në këtë skenar qeveria është e detyruar të importojë energji nga tregjet ndërkombëtare, në disa raste me çmime shumë më të larta.
- Mungesa e investimeve në ruajtjen/depozitimin e ujit dhe energjisë – duke i dhënë më pas mundësinë e mbrojtjes nga krizat sezonale të prodhimit.
- Keqmanaxhim dhe mungesë transparence – ka dyshime të forta mbi mënyrën si menaxhohet sektori, ku koncesionet, kontratat dhe mungesa e kontrollit publik mbi to çojnë në çmime më të larta.
- Ndikimi i tregut ndërkombëtar – edhe pse Shqipëria prodhon energji elektrike, në rastet e importeve, çmimet shpesh janës humë të larta, që ndikon në manaxhimin e situatave.
- Politikat fiskale / borxhi i operatorëve publikë të energjisë elektrike – ndërmarrjet publike të sektorit të energjetikës janë të zhytura në borxhe dhe shpesh përdorin rritjen e tarifave për të mbuluar keqmenaxhimin dhe humbjet dhe jo për investime dhe zgjerim veprimtarie.
Rritja e çmimit të ujit në vendin me burime më të mëdha për frymë në Evropë.
Shqipëria ka burime të jashtzakonshme ujore, një pasuri e pakrahasueshme me pothuajse të tëra vendet e tjera të Ballkanit, kontinentit dhe botës. E treta apo e katërta në Evropë dhe e shtata në botë për prurje ujore për frymë, ndërsa ne qytetarët e këtij vendi të bekuar paguajmë ujë me çmime, që nuk e reflektojnë këtë pasuri ujore dhe kjo ndodh për shkak të:
- Humbjeve në rrjet – mbi 60% e ujit humbet gjatë transportit, për shkak të rrjeteve të amortizuara dhe keq-menaxhimit.
- Krizës financiare të ndërmarrjeve të ujësjellës – kanalizimeve – shumë prej këtyre NUK- janë deficitarë, kanë të punësuar militantë dhe nuk funksionojnë me produktivitet. Këto NUK rritin çmimet e ofrimit të shërbimit skandaloz, për të mbijetuar.
- Marrjes së kredive për projekte ujësjellës kanalizimesh. Shumë investime në këto NUK janë bërë me kredi, hua të marra te ndërkombëtarët dhe këto kredi jo vetëm që duhet të shlyen, por janë edhe interesat. Këto kredi shlyhen përmes tarifave që i paguajmë ne qytetarët.
- Mungesës së monitorimit nga pushteti qendror dhe lokal – agjencitë në nivel kombëtar dhe rajonal si dhe pjesa më e madhe e bashkive nuk kanë kapacitetet e mjaftueshme për të mbikqyrur mirë sektorin, por edhe nëse do i kishin këto kapacitete, mendoj se përsëri do kishte abuzime.
– Flitet për autostrada po rrugët në periferi – pse harrohen?
Në fakt në lidhje me rrugët, edhe pse ka investime, duket se në punën me rrugët pjesa më e madhe e financimit dhe fokusi më i madh i mbikqyrjes ka qenë i fokusuar në zonat urbane dhe në qendrat e qyteteve, duke lënë pas dore periferitë, një realitet i dhimbshëm, i vërtetë, vrastar.
Kjo ndodh për shkak të:
- Politikës së“fasadës” – qendrat e qyteteve janë ideuar si vitrinë për turizëm dhe për mediat dhe kjo, sepse “investimi” në qendrat urbane është më “i dukshëm” dhe përdoret për propaganda.
- Mungesës së fondeve dhe prioriteteve – bashkitë kanë burime të kufizuara financiare dhe njerëzore dhe shpesh i drejtojnë këto burime drejt projekteve me më shumë “efekt votash – efekt elektoral” sesa te nevojat reale të qytetit, fshatit, banorëve atje.
- Problemeve me prokurimet publike – rrugët periferike shpesh hyjnë në projekt-buxhete, por nuk përfundojnë, sepse fitohen nga kompani që nuk i përmbushin detyrimet, sepse në fund të fundit në çdo skenar, paratë “zhduken”.
- Mungesës së presionit qytetar – në periferi, zëri i banorëve është më pak i dëgjuar dhe më pak i organizuar, pra s’ka presion, s’ka veprim.
Pra mund të themi se në një vend me të ardhura të ulëta ka çmime kaq të larta të këtyre shërbimeve në përgjithësi, por edhe të çmimeve të mallrave të konsumit në tërësi, sepse mungon një model drejtuesi / udhëheqësi / lideri, që punon për qytetarin dhe jo për interesat e ngushta politike, klienteliste, oligarko anarkiste. Shqipëria nuk ka mungesë burimesh, por mungesë drejtimi, mungesë transparence dhe mungesë vullneti për të ndërtuar shtet.
– Problem ngelen dhe shkollat. Gjashtë mijë mësues të arsimit fillor në vend, prej rreth një viti u mbahet 10 mijë lekë nga paga e tyre. Shkaku absurd i këtij skandali është një udhëzim i Ministrisë së Arsimit për njohjen e diplomave të mësuesve para dhe pas viteve 1990. Sindikata e arsimtarëve zhvilloi gjatë muajit mars protestë….Pse u kufizohen rrogat arsimtarëve , pse s’ka fonde për to?
– Kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Kemi të bëjmë me atë që unë e vlerësoj shumë, më shumë se çdo gjë tjetër, edhe pse shkak të një prej veprimtarive që unë ushtroj, atë të mësëim dhënies. E kam fjalën për dinjitetin e mësuesit shqiptar, që këtu ka shkuar në fund të dyshemesë, por në vendet e tjera përreth nesh dhe përtej vlerësohet si themeli i zhvillimit. Dinjiteti i mësuesit në asnjë vend të zhvilluar nuk trajtohet si barrë buxhetore. Po ashtu dhe arsimi në tërësi. Ju po sillni në vëmendje skandalin financiar të mbajtjes së shumës 10 mijë lekë nga paga për më shumë se 6 mijë mësues të arsimit fillor, një armatë e tërë edukuesish të fëmijëve, të së ardhmes. Po si mund të punojnë ata me këtë mungesë barazije në trajtimin e tyre financiar? Kjo lidhet me një udhëzim të MAS për të njohur dhe konvertuar diplomat që u janë dhënë arsimtarëve në periudha të ndryshme kohore. Pra, nuk ka njohje automatike të diplomave në periudha të ndryshme kohore dhe për këtë shkak grupe arsimtarësh sipas këtyre periudhave kohore duhet t’u nënshtrohen çertifikime, konvertime, etj dhe si rezultat, një pjesë e mësuesve klasifikohen në kategori më të ulët page, pavarësisht përvojës dhe kontributit shumëvjeçar në arsim, gjë që është absurd, sepse në këtë kategori bëjnë pjesë mësues me përvojë shumëvjeçare, të çertifikuar sipas ligjit të kohës, ajka e mësuesisë shqiptare, të cilën shteti me një veprim të papërgjegjshëm po i penalizon ata në pagë, kur atë pagë ata e kanë përfituar vite me radhë. Duket se ky “udhëzim” është hartuar dhe zbatuar pa konsultim me palët dhe pa një vendim gjyqësor për ndryshimin e kushteve të punës. Duket se këto buxhete kufizohen, sepse prioritetet e shpenzimeve qeveritare nuk janë për arsimin dhe fusha të tjera sensitive. Shpenzimet, meqë jemi edhe në kohë fushate elektorale shkojnë për propagandë, koncesione, prokurime publike me impakt të ulët prodhues, ekonomik e social dhe për pritje e përcjellje qeveritare e qoka punësimi militantësh politikë. Është e dukshme se për tërë këto vite, edhe pse kemi “reformuar” disa herë sistemin e arsimit, përsëri kemi ngelur në vend apo kemi bërë pas. Investimet për asete, trainimin e arsimtarëve, përdorimin e teknologjive, etj, janë të pakta dhe kjo paralelisht edhe me rënien e numrit të të punësuarve në këtë sektor, dhe kjo ka sjellë rritjen e ngarkesës së punës për ata që janë ende në këtë sistem, pa shtuar pagat reale. Kjo sepse qeveria aktuale asnjëherë nuk e ka parë dhe trajtuar arsimin si investim strategjik, ndërkohë që mësuesit sot paguhen me një pagë pak më të lartë se sa paga minimale (edhe pse ka një tentativë për përmirësim në këtë drejtim), edhe pse atyre ju kërkohet të jenë pedagogë, paralelisht u kërkohet që të jenë psikologë, punonjës social, administrator, etj. Pjesa më e madhe e kohës së ditës së punës të një arsimtari është bërja e letrave që nuk i kontrollon dhe lexon askush, ndërsa mësimdhënia (që është puna kryesore e tyre) mbetet në plan të dytë. Në rastin e arsimtarëve, ka qenë e dukshme edhe tentativa për rritje pagash në mënyrë selektive dhe politike, kur pagat janë rritur për efekt fushatash elektorale, duke përfshirë grupe të caktuara arsimtarësh dhe duke përjashtuar për shembull mësuesit e arsimit parashkollor dhe fillor. Mendoj se ngritja e këtyre problemeve edhe nga ana e sindikatave të arsimit në vend është e drejtë, edhe pse nga ana e autoriteteve nuk ka patur ndonjë reagim serioz dhe të qenësishëm, gjë që tregon mungesë dialogu social, përbuzje të figurës së mësuesit, frikë të përballjes me të vërtetën nga ana e qeverisë, e cila ende nuk ka një plan afatgjatë për arsimin në të tëra nivelet në vend, duke bërë që arsimtari në Shqipëri të paguhet më pak, të ketë më shumë ngarkesë në punë dhe kushte më të këqija pune krahasuar me arsimtarin evropian. Në një shoqëri ku qeveria nuk respekton mësuesin, nuk ka të ardhme, sepse e ardhmja është tashmë rrënuar që në themele, sepse është dëmtuar arsimimi i brezave.
– A janë përzgjedhur kandidatët për deputetë tek listat e mbyllura sipas aftësive, apo sipas preferencave të kryetarëve?
– Në fakt pikërisht duke ju përgjigjur kësaj pyetje ne mund të kuptojmë se përse kemi Parlament jo cilësor, të varur nga një a dy duar “të fuqishme”, dhe që nuk përfaqëson realisht qytetarë.
Në sistemin aktual me lista të mbyllura, është pothuajse e qartë se kandidatët për deputetë zgjidhen kryesisht sipas preferencave të kryetarit të partisë, jo domosdoshmërisht sipas aftësive, përvojës, apo besimit të publikut dhe kjo, sepse në praktikë:
Janë kryetarët e partive ata që kanë fuqi të pakufizuar për të përpiluar listën e emrave, si dhe renditjen e tyre. Qytetarët nuk zgjedhin kandidatin, por thjesht votojnë logon e partisë. Kush është i pari në listë, hyn në Kuvend – pavarësisht nëse është i aftë apo jo. Besnikëria e kandidatit për deputet ndaj liderit vlen më shumë se integriteti, aftësitë, njohuritë dhe kompetencat. Besnikëria e kandidatit për deputet vlen shumë më shumë se përfaqësimi real. Si pasojë kemi deputetë të “padukshëm”, të heshtur, fjalëpakë e punë pakë, se të ishte ndryshe le të ishin fjalëpakë e punë shumë, ku ta gjenim këtë fat! Shumë prej deputetëve, siç e kemi parë dhe ndjekur edhe ne qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, nuk kanë asnjë sekondë me zë dhe figurë në debatet parlamentare, edhe kur tentojnë të flasin bëjnë gafa gramatikore e drejtshkrimore dhe gafa profesionale. Ata nuk marrin pjesë në debat, nuk paraqesin ligje, nuk mbrojnë interesin e zgjedhësve dhe ajo që është më e dëmshmja, ata nuk japin llogari përballë qytetarëve, sepse në fakt ata janë të zgjedhur atje nga partia dhe jo nga qytetari dhe për këtë arsye atyre nuk ju intereson çfarë mendojnë qytetarët, por çfarë mendon për ta lideri i partisë, sepse në fund të fundit karriera e tyre varet nga lideri, jo nga votuesi. Shqipërisë dhe shqiptarëve u duhen lista të hapur, ku qytetari voton edhe partinë, edhe kandidatin që preferon, sepse kjo mënyrë:
- Rrit konkurrencën brenda partisë, sepse kandidatët duhet të punojnë për votën e qytetarit.
- Nxit përfaqësimin real, duke përzgjedhur kandidatë me ndikim në komunitet.
- Zbut pushtetin absolut të kryetarëve, sepse nuk kanë më monopol mbi renditjen dhe përzgjedhjen e emrave. Pra, sistemi aktual me lista të mbyllura i jep pushtet absolut kryetarëve të partive, zhvesh qytetarin nga e drejta për të zgjedhur përfaqësuesin real, prodhon deputetë të dobët, të varur, pa zë dhe pa llogaridhënie. Nëse duam një demokraci përfaqësuese të vërtetë, është e nevojshme një reformizim i sistemit zgjedhor, garantim i fuqisë së qytetarit për të zgjedhur individin dhe jo thjesht partinë.
– Të dy liderët e partive të mëdha premtojnë minimumin jetik 200 euro a mund të realizohet?
Premtimi për një minimum jetik prej 200 eurosh është një çështje komplekse, që varet nga shumë faktorë ekonomikë, politikë dhe buxhetorë. Për ta analizuar nëse është i realizueshëm, duhet të shohim disa pika kyçe: Gjendja aktuale e minimumit jetik dhe pagave – Në disa vende të Ballkanit, si Kosova, Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, minimumi aktual jetik llogaritet shumë më pak se 200 euro. Në Kosovë, për shembull, paga minimale është rreth 130-170 euro (varet nga grupmosha dhe sektori), por diskutimet për rritje kanë qenë të shpeshta. Në Shqipëri, paga minimale është 40,000 lekë (~370 euro bruto), por kjo nuk përkthehet domosdoshmërisht në një minimum jetik real. Kostoja për buxhetin e shtetit. Nëse minimumi jetik prej 200 eurosh aplikohet si ndihmë sociale për të gjithë ata që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, shteti duhet të ristrukturojë skemat sociale dhe të sigurojë fonde të mjaftueshme. Por për Shqipërinë kjo do të thotë qindra milionë euro në vit. Buxheti aktual nuk e ka këtë kapacitet, por mund të arrihet duke shtuar performancën buxhetore, shtimin e mbledhjes së parave në arkën e shtetit nga ekonomia e padukshme, që sipas organizmave ndërkombëtare është rreth 40 – 50% e ekonomisë së dukshme, duke ulur shpenzimet në zona konkurruese në buxhetin e shtetit, etj. Çështje politike dhe premtime elektorale. Shpesh, minimumi jetik 200 euro përdoret si premtim për të fituar vota, pa pasur një plan të qartë se si do të realizohet. Nëse liderët nuk ofrojnë një strategji të detajuar për financim dhe implementim, premtimi mbetet në letër. Inflacioni dhe fuqia blerëse. Nëse çmimet e ushqimeve, energjisë, qirave rriten, atëherë edhe 200 euro mund të mos kenë më fuqinë reale për të mbuluar nevojat minimale. Prandaj është e nevojshme të kemi politika që mbrojnë fuqinë blerëse dhe stabilitetin ekonomik, paralelisht me shtimin e të ardhurave të individit. Pra, kjo është tërësisht e mundëshme për t’u realizuar, por kërkon buxhet të mjaftueshëm, mirëmenaxhim të tij dhe aplikimin e politikave të qëndrueshme sociale dhe ekonomike dhe jo përdorimin e këtyre sloganeve për elektorat dhe aksione në bursën e politikës shqiptare, aksionet e së cilës kanë rënë përtokë për shkak papërgjegjshmërisë politike, që kemi si komb dhe si parti politike