Intervistë me shkrimtarin ISMAIL KADARE
Në këtë intervistë, Kadare flet për situatat e rënda politike që ka kaluar Shqipëria në vitet e demokracisë. Një vend të veçantë zënë ngjarjet e vitit 1997. Por ai ka besim se Shqipëria do të zerë vendin që i takon në kontinentin mëmë. Ndërsa kur flet për Pandeminë shkrimtari i madh thotë se ka ndikuar shumë te krijimtaria.
Ende dhe sot në retrospektivën e viteve tuaja, kujtoni ngjarjet e dhimbëshme të vitit të rëndë 1997. Si kanë qenë ato në shpirtin poetik të Ismail Kadaresë?
(Psherëtin lehtë). Në shpirtin tim këto ngjarje katastrofë, janë përjetuar me dhimbje në zemër. Kanë qenë ngjarje tepër të rënda në historinë tonë. Rrënimi i shtetit shqiptar, ishte vërtet një ngjarje makabre. Çdo luftë politike, nuk duhet të këtë veçse një zgjidhje politike. Që Shqipëria të ecë përpara, duhet të shpëtojë nga tensionet që elektrizojnë në çdo zgjedhje, trupin e saj.
“Nuk është vetëm Shqipëria, por edhe shumë shtete të tjera, që kanë rënë në baltë dhe janë ngritur sërish. Unë kam besim se Shqipëria, duke qenë në Europë do të bëhet, pa mbetur kurrë servile e saj.”
Dikur, keni kritikuar Partinë Socialiste, duke mos qenë dakord me shumë veprime të saj. Po sot, cili është mendimi juaj për këtë parti?
(Qesh) Unë nuk bëj pjesë në asnjë parti, por mendoj që socialistët nuk duhej të vinin në pushtet, pasi diktatura që lamë pas, ishte e freskët në kujtesën e njerëzve. Këtë gjë e them dhe tani për Partinë Demokratike.Të jesh në opozitë, është një gjë mjaft komode, pasi dihet se ndaj opozitës do të drejtosh shigjeta kritikash. Shqiptarët duhet të heqin dorë nga rendja pas pushtetit dhe lufta për të qëndruar sa më gjatë në pushtet.
Kanë kaluar vite të ashtuquajtur periudhë tranzitore, por ende Shqipëria nuk ka dalë në “breg”. Si e mendoni të ardhmen e saj?
Jam i bindur që këtë periudhë për vendin tonë do të kalojë. Nuk është vetëm Shqipëria, por edhe shumë shtete të tjera, që kanë rënë në baltë dhe janë ngritur sërish. Unë kam besim se Shqipëria, do të bëhet, madje do të shkojë me meritë në vendin që i takon. Dhe duke qenë në Europë, pa mbetur kurrë servile e saj. Shqipëria do të dije t’i adaptohet Kontinetit mëmë dhe të ecë në një hap me të.
Vitet e fundit jeni vlerësuar një nga shkrimtarët më të sukseshëm në Europë, madje jeni nderuar me çmime. Mos ndoshta duke patur prodhimtari të dendur sidomos në romane, dashuria juaj e parë, poezia ndjehet disi e braktisur?
(Buzëqesh) Eshtë e vërtetë që për shkak të obligimeve dhe përkushtimeve të mia, përgjatë një periudhe, për faktin që disa prej romaneve të mia, janë botuar në mjaft vende, me poezinë është e vërtetë që jam ndarë vetëm përkohësisht, jo përgjithmonë. Do të vij një ditë që do të rikthehem më shumë mall tek ajo.
“Nën kthetrat e pushtetit të Pandemisë
Për fatin e keq, kjo pandemi e padëshëruar nga çdo njeri, është bërë e pranishme në jetët tona. Ndoshta e kam parë disi më ndryshe, krahasuar, me stinët dhe vitet e tjera. Nëse do shprehem si shkrimtar, këtë periudhë e vlerësoj si shqetësim për krijimtarinë.”
Jeni kandiduar disa herë për çmimin ‘Nobel’. Mendoni se do të vijë dita që dhe letërsia shqiptare, do të shpërblehet me këtë çmim.?
Eshtë e vërtetë që emri im ka qenë dhe ka mbetur në letër si kanditat për këtë çmim prestigjioz. Ashtu si dhe më parë, ashtu si në shumë drejtime, edhe në letërsi, në vlerësimin e saj, Europa është treguar e kursyer. Ndoshta e ka kuptuar se nuk e ka drejtë.
Është e vërtetë, se nga Franca, ju keni kritikuar ashpër disa shkrimtarë kosovarë kudo që ndodhen, sepse i kanë mbetur besnik modernizimit?
Shkrimtarët kosovarë, prej vitesh kanë rendur drejt modernizimit, që nuk kuptohet nga populli. Ndaj dhe unë i kam kritikuar ata. Për fat të keq, kosovarët, nuk kanë dëshmuar për ato çka kanë ndodhur dhe po ndodh në Kosovë. Këtu kam parasysh dhe vitet e largëta, ngjarjet e mëdha të vitit 1981, të huajt shkruajtën shumë, ndërkohë asnjë shkrimtar i vendit nuk i pasqyroi me realizëm këto ngjarje. Kjo është arësyeja që unë kam kritikuar shkrimtarët kosovarë.
Sa francez njihet Kadareja?
Nuk e kuptoj kurrë këtë gjë. Nuk i kuptoj dot frazat: Francez, Shqiptar, apo gjysëm francez dhe gjysëm shqiptar. Asnjëherë nuk më bëhet e rrokshme një gjë e tillë.
Ndodhemi ende nën pushtetin e Pandemisë e cila ka shtrirë kthetrat e saj si metastazë në të gjithë botën. Si është përjetuar tek ju si shkrimtar kjo periudhë?
Për fatin e keq, kjo pandemi e padëshëruar nga çdo njeri, është bërë e pranishme në jetët tona. Ndoshta e kam parë disi më ndryshe, krahasuar, me stinët dhe vitet e tjera, duke ndjerë përjetime si çdo njeri tjetër. E rëndësishme është fakti, që unë nuk kam pësuar ndonjë shqetësim në jetën time personale apo familjare. Nëse do shprehem si shkrimtar, këtë periudhë e vlerësoj si shqetësim për krijimtarinë.
“Kritikat për PS-në dhe PD-në
Unë nuk bëj pjesë në asnjë parti, por mendoj që socialistët nuk duhej të vinin në pushtet, pasi diktatura që lamë pas, ishte e freskët në kujtesën e njerëzve. Këtë gjë e them dhe tani për Partinë Demokratike. Shqiptarët duhet të heqin dorë nga rendja pas pushtetit dhe lufta për të qëndruar sa më gjatë në pushtet.”
Ju vetë zoti Kadare, ndjeheni i ri?
Shiko, shkrimtari ka shumë mosha. Një shkrimtar është i detyruar të ketë disa mosha, natyrisht të përziera. Unë mund të ndihem edhe njëqind e njëzet vjeçar dhe (Qesh)…i përjetshëm.
Muaj më parë, mbushët 85 vite të jetës tuaj. Ju tremb ideja që një ditë do të…ikësh?
Ashtu si gjithë të tjerët, e kam parafytyruar këtë ndjesi, por kurrësesi nuk kam arësye të trembem. Edhe vdekja që bën pjesë në disa prej romaneve të mi, natyrisht do të jetë e pranishme edhe në jetën e shkrimtarit.
Sërish vazhdoni të botoni libra të rinj. Rast ky, unikal në botë, për një shkrimtar si ju, në këtë moshë. Cilin prej krijimeve tuaja të fundit do të ketë në dorë lexuesi shqiptar, dhe ai në mbarë Europën?
Nuk e di, por një gjë them me siguri, po punoj.
Intervistoi: Fadil Shehu