Evdal Nuri: Politika, shprehje e përqëndruar e ekonomisë…!

271
Sigal

1-Roli aktiv i ekonomisë.

Në përputhje me gjendjen ekonomike, njërëzit krijojnë bindje politike, e në përputhje me këto zgjedhin forcën politike që dëshirojnë. Më pastaj gjykojnë nëse kjo forcë politike i ka “mbushur barkun” ashtu s’i kishte premtuar, duke arsyetuar: sa i ka plotësuar premtimet, apo i ka mashtruar? Pra politika drejton ekonominë, por kjo nga ana e saj loz një rol aktiv. Ajo ose “mban gjallë atë ose e përmbys “. Mirë thonë, që pushtetin mund ta marrësh, por është e vështirë për ta mbajtur. Kështu ka ndodhur tek ne në 32 vjet pluralizëm. Forca të ndryshme politike na kanë premtuar shumë programe për ekonominë. Me këto premtime herë njëra dhe herë tjetra e kanë drejtuar këtë vend nga tre katër herë, por pa plotësuar premtimet. Ata na gënjejnë dhe ne i besojmë! Tani ka një pakënaqësi të përgjithshme, që shprehet në fytyrat e ngrysura, në xhepat bosh, në largimet masive nga rritja e çmimev, nga krimi, droga, pronat, korrupsioni, drejtësia e tjerë.

2-Gjendja  e dëshpëruar . Barometri i Ballkanit në anketën e vitit 2022 ka vërejtur se, vështirësitë ekonomike janë një nga shqetësimet kryesorë të qytetarëve në Rajon, por në Shqipëri ky shqetësim është më i përhapur.
59% e të anketuarve në Shqipëri kanë renditur si problemin më madhor situatën jo të mirë ekonomike. Ja disa shëmbuj . 74.7% rrezikohen nga varfëria. Shqipëria vuan nga mungesa e produktivitetit në ekonomi, që është bërë shkak për pagesa të ulëta. 29 % e shqiptarëve mendojnë se, emigracioni është shqetësues për perspektivën ekonomike të vendit. Vetëm në vitin 2021 janë larguar 55 mijë vetë. Zhvillimi ekonomik dhe papunësia mbeten dy pengesat më urgjente në Shqipëri. Këto kanë çuar në një rritje të pakontrolluar të çmimeve. Rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve e ka përkeqësuar situatën për mijëra familje në kushtet e varfërisë në Shqipëri. Jeta është bërë e vështirë pasi çmimet janë rritur tej mase dhe është e pamundur ta përballosh.  Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me 30,6%, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithra” me 20,0%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 18,2% e tjerë. Një familje me katër persona shpenzon të paktën 6000 lekë më tepër në muaj nga rritja e çmimeve. Inflacioni mbi 7.5, më i lartë në tre dekada. Politika ekonomike duhet të shikojë nga bashkëpunimi mes qeverisë dhe tregjeve si plotësues të njëri-tjetrit, duke e bërë të qartë ndërkohë se tregjet janë thelbi i ekonomisë dhe kjo duhet të kufizojë rolin e qeverisë. Këtu m’u kujtua Adam Smithi, babai i ekonomisë së tregut që ngulmoi në një botë, ku qeveria të lozë një rol më të vogël në ekonominë e tregut. Këtë pikëpamje ai e ilustroi me historinë e një zyrtari francez që pyeti një fabrikant: Ç’duhet të bënte qeveria për t’i ardhur në ndihmë?” Ai iu përgjegj: ” Na i lini neve këtë punë” Edhe sot thënia: “Laissez-nous faire”( na i lini ne këtë punë) shpreh politikën e kufizimit të ndërhyrjes së qeverisë pë të rregulluar biznesin

3-“Dënohet i varfëri e përkëdhelet i pasuri” ! Rastet janë të shumta. Burgjet janë mbushur me të varfër për arsye ordinere. Dënim, që i ka shkakuar ekonomisë mijra të varfër nuk krahasohet me një të pasur të korruptuar! Ky është realiteti ynë. Kur i varfëri merr diçka, që s’i takon, quhet hajdut e futet në burg, kurse i pasuri quhet i korruptuar e kaq! I varfëri kursen gjithë jetën që të mos vdesë i varfër, e përsëri i varfër vdes. I pasuri shpenzon gjithë jetën e përsër i pasur mbetet. Fytyrën e njerëzve të pasur i sheh në dritë, kurse karakteri i tyre duket qartë në errësirë. Të pasurit mund të kenë gjithçka në jetën që dëshirojnë, nëse do të ndihmonni njerëzit e varfër të marrin ato pak pretendime që kanë! Dhe të pasurit gjithë ditën flasin për ndershmëri. Ata kanë “aftësi për gjithçka: Të japin “ mendime dhe të flasin në televizion, jo vetëm për politikën, por dhe për sportin, guzhinën, artin, kulturën, modën, mjedisin e gjithëçka, kurse për dipllomën që kanë ose e kanë blerë ngelen në klasë “! Mirë që nga shteti s’kanë frikë, por s’pyesin as nga Zoti! Ata s’besojnë në Zot, se po të besonin do të na kishin bashkuar e jo ndarë m’u përgjigj një miku im. Kush e ka vënë me djersë e ndershmëri pasurinë hallall e pastë. Të tjerët që kanë shfrytëzuar postin e në rrugë korruptive e janë pasuruar, harram ta kenë. Harrami është harram e do të vijë një ditë që do të zbulohet e dënohet!

 4–Politika është arti i të drejtuarit dhe jo arti i të pasuruarit si ndodh tek ne. Por ja që politikanët tanë janë kthyer në mjeshtra për t’u pasuruar e përfituar. Peshorja e drejtësisë deri tani është anuar kaq keq e kaq njëanshëm, saqë vetëm mendimi se mund të fillojë nivelimi i saj, është i pakapshëm. Institucionet e krijuara a do të mund t’i rrezistojnë presioneve që s’janë të vogla? Kanë një lidhje me krimin e organizuar, për pasuritë e tyre, të familjarëve apo të ortakëve të hapura apo të fshehura, brenda apo jashtë Shqipërisë. Ata përdorin forma nga më të sofistikuarat për të fituar, por dhe për t’i fshehur pasuritë e shumta që kanë vënë. Të dy palët e kanë patur pushtetin dhe kush më shumë e kush më pak e kanë shfrytëzuar këtë pushtet për t’u pasuruar. Fakti që të dy palët janë pasuruar, tregon burimin nga korrupsioni, trafiqet. Përgjegjësia për këtë situatë të dëshpëruar i bije klasës politike që në 32 vjet ka krijuar konflikte artificiale për të penguar reformat që prekin interesat  e tyre për korrupsionin. Të pasur i kemi të majtët, por dhe të djathtët! Para disa ditëve isha në Petrelë. Jo në vilat që janë pranë Tegut, ( edhe ato janë shumë të bukura), por më lartë! Ç’të shikoje. Me dhjetra vila “përrallore “. Shumë hektarë tokë të zëna. Pashë një botë tjetër. Shoqëruesi ( banor i zonës) më tregonte vilat që vetëm imagjinata mund t’i prek! Ai më thoshte me emra e mbiemra. Kjo është e filanit, kurse ajo e fistëkut. Ajo atje e x-it, kurse kjo e y-it. Të gjithë emra të dëgjuar të politikës, nga e majta dhe e djathta. Çmimet shkojnë mbi 700 mijë euro. Mendova, ç’aftësi të veçantë kanë këta njerëz? I kemi dëgjuar s’i flasin e ç’nivel diskutimi bëjnë. Janë mjeshtra për të abuzuar me këtë shtet: më sqaroi shoqëruesi. E” rropën” këtë vend. Shtetin e drejtësinë e kanë të tyre. Ca ata e ca këta. Kur i pyet për këtë vilë apo atë pasuri, të thonë: “Kam marrë kredi”! “Kredia” është rruga më “bindëse” dhe e sofistikuar për të mbuluar korrupsionin… Klima për biznes në Shqipëri ka nevojë për masa shtesë që do të promovonin eksportet dhe investimet e huaja direkte, të cilat janë kthyer në domosdoshmëri për mbajtjen e ekuilibrit të jashtëm dhe një rritje të qëndrueshme ekonomike. Ndryeshe keq i kemi punët …..!