Ergys ALLUSHI/Aromë kryeministrore në Vlorë!

750
Sigal

Ka nisur të ndihet vërtet. Të paktën në Vlorë. Jo vetëm tanimë, çdo fundjavë, kur Rama vjen në Vlorë, por edhe kur ai largohet, për të shkuar gjetiu tjetër, në Shqipëri. Kam një ndjesi të përditshme që në Vlorë, jeta e përditshme e çdo vlonjati nis më ndryshe. Për të majtë e të djathtë, thjesht si vlonjat. Të paktën nis me pritshmërinë intriguese se nëse fiton PS, Edi Rama, deputeti i Vlorës, do të jetë kryeministër. Sikur edhe vetëm kaq, është e bukur, ta nisësh të përditshmen, me një ëndërr të tillë. Një deputet i Vlorës do të jetë kryeministër!. Nuk ka ndodhur që nga koha e Ismail Qemalit. Dhe kjo ka nisur ta përkëdhel, ditë pas ditë, sedrën e çdo vlonjati, i majtë apo i djathtë qoftë ai. Dhe Rama ka nisur tu jap vlonjatëve të drejtën për të ëndërruar, për të përkëdhelur sedrën e tyre.

E filloi me kandidimin e tij në Vlorë, si i pari listës. Hamendësimet ishin të shumta dhe debatet vazhdojnë në lidhje se përse Rama zgjodhi Vlorën, për të kandiduar. Por kjo ishte “lëndë e parë” për politikanët dhe analistët, kurse për popullin e “Çoles”, “Kumes”, “Llonxhës” e lagje të tjera në qytet, mençuria popullore, tjetër motiv priste nga kandidimi i Ramës në Vlorë dhe e priste nga vet ai. Dhe Rama nuk vonoi ta kuptonte pritshmërinë popullore, për tu dhënë një shpjegim se përse në Vlorë? E shtuna e 18 majit, nuk do të niste si të gjitha të shtunat e tjera, në Vlorë, por me ndryshimin se në Vlorë kishte ardhur Rama. Dhe ndryshimi ishte vënë re dhe nga qytetari më i thjeshtë. Nuk ishte një ndryshim i thjeshtë ajo e shtunë. Ndoshta, shumë vite më vonë, do të kujtohet si e shtuna e parë e kryeministrit Rama, në Vlorë. Rrugët kryesore në qytet ishin ngjyrosur me lejlanë e ngjyrës së Partisë Socialiste, ndërkohë që makinat e pastrimit e të larjes së rrugëve, punëtorët e ndërmarrjes komunale e ata të ujësjellësit, ishin kudo në rrugët e qytetit. Atmosferë pune, thuajse sikur të ishte dita e parë e punës për kryeministrin e ardhshëm. Shumë shpejt, edhe në skutat më të largëta të qytetit, do të hapej lajmi se në Vlorë pritej të vinte Rama. Takimin e parë atë të shtunë, Rama e kishte kërkuar me veteranët e luftës dhe familjet e dëshmorëve. Ishin vota e sigurtë dhe themeli i votës për partinë socialiste, ndaj dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, puna e kryeministrit të ardhshëm, duhet të niste pikërisht me ata. U ul e foli shtruar me ta.
Shpesh vendoste buzën në gaz, kur dëgjonte sesi ata nuk kërkonin asgjë për veten e tyre, por kërkonin për varrezat e dëshmorëve, lapidaret, 29 Nëntorin, ndryshe nga sa ndodh rëndom në takime të tjera të këtij lloji, me të tjera kategori e shtresa shoqërore.
I ftoi në takimin e pasdites në pallatin e sportit. Insistoi t’i ftonte dhe kur disa prej tyre, i thanë se takimi duhet bërë në shesh e jo në pallat. “Ejani, ju tha, se do t’ju tregoj diçka të bukur”. Vetëm shumë pak veta e dinin arsyen se përse takimi i parë i prezantimit të kandidatëve, do të zhvillohej në pallatin e sportit. Flitej se shkaku ishte shfaqja e një dokumentari, por pak, shumë pak, e dinin se çfarë dokumentari do të ishte ai.
Gojët e liga flisnin se shkaku ishte ndoshta pjesëmarrja e ulët e njerëzve në çeljen e sezonit turistik, zhvilluar një javë më parë. Edhe pse i lajmëruar për në ora 18, pallati i sportit filloi të mbushej që në ora 17 e në vazhdim. Teksa i shikoja të dilnin nga rrugicat për në rrugën kryesore, me drejtim pallatin e sportit, mu kujtua filmi i dikurshëm i fëmijërisë “Rrugicat që kërkonin diell’. Në ora 18.20, kur autobusi me kandidatët për deputet, u shfaq para pallatit të sportit, pallati ishte mbushur plot e përplot. Teksa zbriste nga autobusi, Ramën e priste nëna e vet dhe bashkëshortja, ndërkohë që prania ime, vetëm disa hapa larg tyre, më krijoi mundësinë të shijoja kujdesin e atyre dy grave për njeriun e tyre të dashur. Më pas ndodhi ajo që ndodhi dhe që e panë të gjithë. Panë dhe dëgjuan dokumentarin, për të cilin ishin mbledhur në pallat e jo në shesh. Ata e morën dozën. Atë doze për të cilën kishin nevoje. Sepse Ata kështu e kane. E fillojnë me gërr-vërre, me inate, mërzitje, por sapo e marrin dozën, i harrojnë të gjitha. Bëhen bashkë, bëhen të papërmbajtshëm, të frikshëm dhe kundërshtari e di mirë këtë. Ata nuk mund të kuptohen ndryshe, nuk mund të jenë ndryshe. Ata e kanë të zorshme derisa të ndezin motorët se kur i ndezin, nuk ndalen më. Por këtë herë doza që kanë marrë është më e madhe. Është dozë lideri. Është dozë kryeministrore. Një lider, po aq vlonjat sa edhe ata. Atyre ju ka ardhur lideri në shtëpinë e tyre, në besën e tyre. Ju ka ardhur “nip në dajo” Dhe lebërit e kanë të shenjtë këtë marrëdhënie. Sa breza lebërish janë rritur, martuar e sosur nga kjo jetë me këtë marrëdhënie. Dhe kjo është më shumë se gjithçka. Ata janë rikthyer. Të shtunën e 18 Majit, u dha shenja e parë. Në pallatin e sportit ishte dhe shumë vapë, por ata e duruan. E duruan sepse ishin duke marrë dozën., adrenalinën që ju duhej e ju mungonte prej kohësh. Fillimisht, kur mësuan për dokumentarin, disa e quajtën diçka të tepërt, por pas sekuencave të para, ndërruan mendje, nisën të dëgjonin, të përloteshin, të mbanin frymën. Kuptuan se edhe jeta private e liderit të tyre ishte si jeta e secilit prej tyre. Me sëmundje fëmijësh, kërcënime fizike, nota të mira në mësime, ditë pushimi në Vlorë, sakrificë për pasionin e vet pikturën e plot të tjera si këto. Lideri i tyre ishte aty mes tyre. Me nënën e gruan e vet. Ata e panë vet se si nëna e fërkonte djalin e vet ashtu si çdo nënë fërkon e ledhaton fëmijën e vet
Edhe Ajo ishte e lumtur, ndihej në shtëpinë e vet. Kishte sjellë ashtu si dikur djalin në Vlorë. Por këtë herë jo për pushime, por për punë, për të bërë realitet disa ëndrra që fëmija ia kishte pasur që i vogël për Vlorën. Ndoshta dhe Ajo mendonte në ato çaste kujtimet e veta të bukura nga Vlora, kur kishte qenë vajzë e re. Aty në pallat, kur po shfaqej dokumentari, të gjithë po kujtonin e kishin humbur në nostalgjinë e fëmijërisë e rinisë së hershme. Gjenin veten tek ai dokumentarë, ndaj dhe ata kanë nisur t’i besojnë “nipit në dajo” se Ai do të bëj për Vlorën. Kuptuan se nuk ishin premtime të thjeshta elektorale të zakonshme. Se ai nuk po i gënjente për disa vota më shumë. Sepse Ai mund ta vendoste veten në çdo qark i pari dhe fitoren e kishte të sigurtë, por ja që kishte zgjedhur Vlorën. Ata në pallat, nuk e ndjenë lodhjen, vapën, orët e qëndrimit në këmbë. Nata kishte rënë mbi qytet dhe ata e shpërndanë lajmin në të gjithë qytetin, në familjet e tyre. Kishin qenë në takimin e parë me kryeministrin nga Vlora. Por lideri nuk nxitoi të ikte, të shlodhej edhe pse mund të ndihej i lodhur nga udhëtimet e gjata të fushatës. Lideri së bashku me familjen e vet biologjike shkoi në selinë e partisë së vet, këtu në qytet. Nuk mund të rrinte pa e prezantuar familjen e vet biologjike me familjen e re politike. Lideri “nip” nuk kishte më diferenca e distancë me “dajot” e vet. Qëndroi gjatë në seli atë natë. U largua me premtimin për tu kthyer përsëri sa më shpejtë, në Vlorë. I duhej të shkonte edhe në Tiranë, në Konventën Kombëtare të Partisë Socialiste, me të gjithë kandidatët për deputet, të të gjitha qarqeve. Nuk duronte dot sa t’i tregonte të gjithë socialistëve shqiptarë, por edhe mbarë shqiptarëve se “ishte në besën e vlonjatëve”. E ku ka simbolik më të bukur, “Dhëndër tirone” dhe “nip në Vlorë”. Njëri qytet, kryeqyteti zyrtar i shqiptarëve, tjetri, kryeqyteti historik i shqiptarëve. Rama shkonte në fshatra e qytete të Shqipërisë, por Vlorën e vlonjatët nuk i hiqte nga goja. Dhe shqiptarët bëheshin sy e vesh, kur dëgjonin të flitej për Vlorën. Kishin qenë në Vlorë, më shumë se kurrë më parë, në 100 vjetorin e shpalljes së shtetit shqiptarë, në Vlorë, në atë festë që u quajt “Shekulli i Vlorës”.
Shqiptarët anembanë, janë rritur me kërshërinë e kuriozitetin për Vlorën, por këto shtoheshin edhe më shumë, kur Rama, kandidati i ardhshëm për kryeministër, ju fliste për Vlorën. Dhe vlonjatët përkëdheleshin në sedrën e tyre teksa dëgjonin që ishin kthyer nga e para në qendër të vëmendjes, ashtu si në 28 nëntor të vitit 2012. Çdo të nesërme, në bisedat e tyre të përditshme, në mjediset e ndryshme ku mblidheshin, flisnin ashtu si zakonisht për politikën, ndaheshin për politikën, bënin tifo për politikën. Por bashkoheshin në një pikë. Pas 23 qershorit, kryeministri i ardhshëm mund të ishte deputeti i Vlorës, “nip në dajo’. Dhe nëse kjo do të ndodhte, shpresat për zhvillimin e Vlorës, do të ishin edhe më të mëdha. Rama si kryeministër, do të bënte shumë për Vlorën, sepse ai ua ka premtuar këtë në pallatin e sportit, por edhe sa herë binte fjala në takimet e tij nëpër Shqipëri. Skeptikët dhe kundërshtarët politik të Ramës, shprehin më pak besim, me justifikimin se shumë kanë premtuar për Vlorën, por asgjë nuk kanë bërë për të, duke sjellë si shembull ish-kryeministrin socialist Fatos Nano. Por Rama dukej sikur i dëgjonte të gjitha bisedat e dilemat që ngriheshin në shtëpitë e mjediset e ndryshme në qytet. Të dielën e 26 Majit, erdhi përsëri në Vlorë.
Zbriti në bulevardin Vlorë – Skelë, takoi biznesin, por mendjen nuk e kishte edhe shumë aty. Për tjetër motiv kishte ardhur në Vlorë. Diku e prisnin. Diku ku duhet të jepte fjalën e nderit, të betohej. Sepse vetëm atje zinte vend betimi. Atje, në Lumin e Vlorës. Atje, ku shkoi edhe Ismail Qemali, për të kërkuar besën e mbrojtjen, përpara se të ngrinte flamurin në Vlorë. Sepse atje u dha edhe besa e u bë bashkimi i madh kombëtarë në 1920, për Luftën e Vlorës. Në Lumin e Vlorës u dha fjala e besa edhe për Luftën e Dytë Botërore, për t’ju bashkuar frontit të madh antifashist botërorë. Atje shkoi dhe u betua sot edhe Rama. “Ju betohem edhe para memorialit të dëshmorëve të kësaj zone, se unë Edi Rama, nuk do ta tradhtoj kurrë Vlorën dhe nuk do t’i tradhtoj kurrë qytetarët e këtij vendi. Pas 23 qershorit do t’i kthejmë fjalët në vepra, do të bëjmë ëndrrat realitet për socialistët dhe demokratët e kësaj zone dhe të gjithë Shqipërisë. Shqipëria është amaneti i të parëve tanë, i Ismail Qemalit dhe dëshmorëve të luftës, amaneti i të gjithë gjyshërve të fëmijëve që sot meritojnë vullnetin dhe dashurinë më të madhe që nesër të jenë krenarë për Shqipërinë që do të trashëgojnë” Labëria e përcolli luginë më luginë e mal më mal betimin e tij. Si kushtrimin e radhës.
Erdhi dhe në qytet ai kushtrim. “E dëgjuat, ai u betua përsëri për Vlorën e vlonjatët”
Nuk kishte ndodhur që nga koha e Ismail Qemalit. Në Vlorë kishte nisur të ndihej aromë kryeministrore. Edhe njerëzit e Vlorës janë më ndryshe. Duket sikur janë më të qetë, më të përgjegjshëm, më të lidhur me njëri-tjetrin, më të dhënë pas qytetit, më të ndërgjegjshme për zbatimin e ligjit, më të dëgjuar e më të vëmendshëm ndaj të ardhmes së Vlorës. Dhe kanë të drejtë të jenë të tillë. Kanë nisur të ndihen e të jetojnë si një qytet kryeministror. Ashtu si të parët e tyre, në atë Vjeshtë të largët të vitit1912. Ndoshta edhe ky shekull i ri, pas shekullit të parë të shtetit shqiptarë, do të nis me Vlorën dhe nga Vlora.