Ëngjëll Musai/ Vezët e opozitës në Kuvend, lojë e Soros për të harruar qeverinë

531
Që të godasësh dikë me vezë, nuk do të thotë se ke për qëllim ta dëmtosh fizikisht personin, të cilin ti mundohesh ta shënjestrosh. Qëllimi kryesor dhe i vërtetë ndaj objektit, të cilin ti vendosë ta bësh pis është domethënës dhe një tregues për qytetarët e vendit, se këta njerëz e meritojnë të ndyhen. Dhe të godasësh me ushqime, vezë e domate një pushtetar apo më mirë të jemi të drejtpërdrejtë një qeveritar a grup qeveritarësh, ndërkohë që varfëria është ulur këmbëkryq përbën një dënim moral, por edhe një mallkim për mos mbajtjen e premtimeve. Sigurisht që unë nuk kam ndërmend të analizoj as llojin e vezën që qëlloi kryeministrin, as cilësinë e sajë, as kompaninë që e ka vulosur edhe pse ky i fundit mund të ketë qenë ndonjë biznesmen aleatë i “Rilindjes” në perëndim e sipër. Ajo që mua më shqetëson, duke qenë se i kam ndjekur me shumë vëmendje dhe qetësi zhvillimet politike të këtyre 25 – viteve demokraci në Shqipëri, ka të bëjë me faktin se objekti dhe ana objektive, subjekti dhe ana subjektive gjithmonë kanë ekzistuar dhe kanë funksionuar në një mënyrë të mirë-orientuar. Sigurisht nuk po flasim për një vepër penale, por po analizojmë një veprim, i cili është paracaktuar, përgatitur, janë gjetur edhe personazhet që me dashje kanë kërkuar dhe po kërkojnë ato pasoja, që i shkojnë për shtat një individi dhe grupimeve që ata përfaqësojnë brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Personalisht, më shumë preferoj taktikat për realizimin e një objektivi, se sa luftën dhe përplasjet, pavarësisht se kam qenë dhe do mbetem një adhurues dhe mbrojtës i zjarrtë i Luftës Partizane Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Dhe taktikat apo strategjitë në çdo fushë të jetës, politike dhe shoqërore kërkon të arrijë një rezultate të caktuar, i cili në fund të fundit përbën objektivin, premtimin dhe shpresën e elektoratit që të ka votuar apo mandatuar në krye të partisë. Pikërisht këto elementë duhej të analizonte Partia Demokratike, Kryesia e sajë dhe grupi Parlamentar i Demokratëve përpara se të ndërmerrte, disa të ashtuquajtura aksione, që jo vetëm kanë dështuar pa nisur mirë, por edhe po thyejnë shpresën e demokratëve, të mashtruarve dhe të qytetarëve pa parti, por që duan dhe dëshirojnë shtetin ligjor, drejtësinë pse jo edhe rikthimin e demokratëve në pushtet. Fatkeqësisht faktet janë kokëfortë. Vjedhje pa fund nga ministrat e “Rilindjes”, rendi i shpartalluar dhe i mbushur me kontingjente krimi, kriminelë që grabisin dhe rrëmbejnë me uniforma policie, vrasin duke u larguar në drejtim të paditur dhe opozita hesht apo mjaftohet me një konferencë shtypi. Vrasësit e komisarit të policisë lihen të lirë dhe arratisen jashtë shtetit, megjithëse duhej të ishin në arrest shtëpie dhe asnjë ndëshkim apo dorëheqje të ministrave, vritet kryebankieri në mes të Tiranës dhe asnjë gjurmë, terror i vërtetë në Elbasan para pak ditësh me të vrarë dhe dhjetëra të plagosur dhe autorët nuk dihet kush janë, pale të kapen. Tenderat e rrugëve po grabiten dhe aksidentet bëjnë kërdinë dhe opozita me departamentet është në gjumë. Koncesione ose për të qenë të drejtpërdrejtë tendera shumëvjeçarë, që nuk ishin parë as në ëndërr dhe përsëri opozita struket në strofkullën e koncesioneve që ka marrë vetë gjatë kohës që ishte në pushtet. Spitalet pa ilaçe, pa shërbime dhe kryeministri ironizon, duke mburrur ministrin më të papërgjegjshëm në historinë e njerëzimit. Edhe kur “Zëri i Amerikës” i tregoi vendin, opozita përsëri hesht. Merren tendera nga pushtetarët dhe familjarët e tyre dhe përsëri opozita përdridhet. E pra vjen një moment që elektorati të duron, të mbështet, por kur e shikon që ti tallesh dhe bën lojë të dyfishtë nuk mundet më të të mbështesë. Harxhohen miliona për fluturime jashtë shtetit, madje i bihet rreth e qark botës, ndërsa autoambulancat e urgjencës nuk kanë karburant për të sëmurët. Përmbyten toka dhe prodhime bujqësore, ndërsa qeveria i hedh paratë në hyrjet e qyteteve, për t’i bërë me pllaka të shtrenjta dhe neone ndriçimi, pavarësisht se shqiptarët struken sapo bie nata në shtëpi nga frika e krimit dhe e banditëve. U mblodhën me qindra – mijëra qytetarë në bulevard para disa muajsh, dëgjuan dy orë mikrofonistët dhe ikën. Po pse për këtë kishin ardhur nga çdo cep i vendit këta qindra mijëra qytetarë?! Futet në burg për energjinë, i zoti i lokalit që e kishte marrë ndriçimin nga e njëjta banesë, që shërbente edhe si shtëpi, edhe si dyqan edhe pse dyqani e ka pagesën me të lirë, se sa shtëpia. Futet në burg, duke varë veten hallexhiu, ndërkohë që shteti i Ramës dhe Gjiknurit bëjnë pazar 600 milionë euro në favor të CEZ-it. Dhe ç’ndodh? Përsëri opozita qëllon me vezë dhe domate dhe kthehet me bisht ndër shalë në ish-selinë e SHQUP-it, të cilën kryesocialisti Rama ua premtoi para zgjedhjeve ushtarakëve, se do ua kthente sapo të vinte në pushtet, mjaftonte që ata të votonin për të. Mbaj mënd që në një takim të zhvilluar në Vlorë para disa muajsh Edi Rama, pyetjes së një banori nga Borshi se jemi pa drita ju përgjigj: “Ju jeni pa drita, se shtyllat elektrike kanë moshën e Koço Kokëdhimës”. -Një pjesë qeshën me shakatë e ‘kripura’ dhe askush nuk e pyeti kryeministrin se, nëse shkaktare janë shtyllat, atëherë përse i dhatë 600 milionë euro CEZ-it, kur ky detyrimin e parë kishte rinovimin teknik të kabinave dhe shtyllave të rrjetit shpërndarës ? …Dhe të gjitha këto që ndodhin nuk janë rastësi apo mosdije nga ana e opozitës së çorientuar. Ato bëhen me qëllime të caktuara dhe të diktuara nga “ustallarët” e Sorosit, që aktualisht në Shqipëri kanë në dorë edhe gurin edhe arrën, kanë edhe pozitën, edhe opozitën. Ndryshe nuk mund të kuptohet fakti që opozita bllokon parlamentin, bën protesta para parlamentit dhe sapo mbaron mitingu, deputetët futen në Kuvend dhe votojnë pro ligjeve të maxhorancës socialiste. Edhe ditën e enjte deputetët demokratë shkuan në Kuvend hodhën vezë dhe lecka të lagura dhe prishën seancën si të vetmen tribunë që diskrediton qeverisjen e “Rilindjes”. Pra opozita harron se problemet e shumta të shqiptarëve, si rendin, krimin, ekonominë, financat, papunësinë, shëndetin, pensionet, asistencën i ka në dorë qeveria dhe çuditërisht që të gjitha këto i menaxhojnë ministrat e Rilindjes Socialiste. Atëherë përse destinacioni i opozitës është Kuvendi, ndërkohë që duhej të ishin ministritë dhe selia e Kryeministrit Edi Rama. Tre janë qëllimet e opozitës aktuale. E para, të goditet Kuvendi i Shqipërisë, ku me ligj ky Kuvend është vendi që përfaqëson shqiptarët pa dallim bindjesh, feje dhe krahine. E dyta, të përqendrohet sulmi ndaj ilir Metës dhe të harrohet Edi Rama, sipas udhëzimeve të Sorosit. E treta, t’i mbyllet goja liderit historik të demokratëve Sali Berisha, i cili është i vetmi zë që ngre peshë zemrat e demokratëve të pushuar nga puna, të njerëzve të varfër dhe atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë drita dhe ujin. ( sigurisht edhe ky i sulmuari i Sorosit ). Pikërisht duke realizuar këto tre objektiva opozita e Bashës me ose “padashje” e dërgon ujin në mullirin e Ramës dhe në vend që politika, analistët dhe qytetarët të merren me ministrat e korruptuar, merren me vezët dhe faktin, nëse do bllokohen komisionet parlamentare që bëjnë ligjet. Kjo është totalisht një papërgjegjshmëri. Ne duam ligje, – opozita thotë do bllokojmë komisionet, ne duam zbatimin e ligjeve nga ministrat, – opozita hesht, ne duam rend dhe siguri, – opozita bën show, si në Kosovë me vezë. E kujt ja ndjenë për këto gomarllëqe!? Pa pyeti demokratët dhe shqiptarët, se çfarë mendojnë dhe sa preokupohen për komisionet dhe vezët?!
Uragani popullor
Demokratët kanë protestuar dhe kanë treguar se kanë shpirt proteste dhe kur lideri di t’i motivojë dhe krijon besim, ata kthehen në uraganë, që nuk ka diktaturë që i frenon. Shembulli më i mirë është Lëvizja e Dhjetorit e viteve ’90 dhe protestat e udhëhequra më pas nga Lideri i Demokratëve, Sali Berisha. Ndaj Basha duhet të vendosë disa kushte dhe kritere dhe të instalojë çadrat para Piramidës dhe të qëndrojnë aty, deri sa të realizojnë qëllimet dhe objektivat e vëna. Aty të protestohet çdo ditë, të motivohen qytetarët dhe të ofrohet ndihmë për këdo që është pa bukë, që i janë prishur ndërtimet, që nuk paguan dot dritat, ujin, që ka emrin në listat e dyqaneve, që nuk përballon dot spitalet, që nuk ble dot ilaçet dhe kushdo tjetër që e ndjenë veten të poshtëruar, fyer dhe dhunuar. Dhe këtyre njerëzve t’u thuhet, se “sapo të vijë e djathta në pushtet të gjitha detyrimet do i marrim përsipër ne si shtet dhe do krijojmë minimumin jetik, ku çdo familje shqiptare nuk duhet të ketë më pak, se 200 mijë lekë të vjetra për njeri të ardhura në muaj”. Dhe kjo duket e vështirë, por realizohet shumë kollaj. Si, do të thoni ju? Mjafton praktika e shteteve fqinje, ku Greqia edhe pse është në krizë ka mënyrën më të mirë, sipas së cilës 300 kv energji janë falas për ata që janë në pamundësi për t’i paguar, janë me asistencë apo ndihmë sociale. Në lidhje me ushqimet, këtyre familjeve u jepet një kartë me 200 euro pranë supermaketit ku furnizohen me ushqimet bazë… U jepet uji falas, shërbimi mjekësor falas etj. etj. Ja pra, këto janë disa nga mënyrat e thjeshta, pa harxhuar shteti dhe pa mashtruar qytetarët, gjoja me kompensimin e energjisë etj, etj. Dhe nëse opozita e sotme do u premtojë tek çadrat këto gjëra qytetarëve dhe do i regjistrojë si hallexhinj, ata do mbështesin fuqimisht Opozitën dhe do venë në votime me vrull dhe të pa mashtruar nga paratë e krimit, që mund t’u ofrojë “Rilindja” aktuale. 
E vërteta trishtuese me vezët në Kuvend
E vërteta vonon, por nuk harron, thotë një shprehje popullore. Edhe vezët e të enjtes, as më shumë dhe as më pak përveç se lojës së lobingjeve sorosiane dhe serbe kanë nga pas edhe një sekret. Dhe ky sekret ka të bëjë me faktin se Nën/Kryetari i LSI Petrit Vasili apo më mirë të themi zëvendësi i Ilir Metës deklaroi, se asnjë koncesion që do jepet, kuptohet nga “Rilindja” apo atyre që do rifreskohen, pasi janë dhënë nga ish – ministrat e PD-së, Ritvan Bode, Genc Luli, Majlinda Bregu dhe të tjerë pas tyre, si Topalli, Patozi, Mima dhe klanet e “klaneve” të tyre, nëse do të jenë me afat mbi katër vjet do të marrë fuqi ligjore vetëm pasi të kalojë nga parlamenti. Pikërisht në këto çaste grupi Sorosian që ka uzurpuar këto koncesione dhe që kanë marrë me koncesion PS dhe PD u hodhën në sulm për të goditur Kuvendin dhe të tërheqin vëmendjen nga kërkesa e Petrit Vasilit, pasi propozimi i tij i heq miliona nga duart Ministrit Beqaj, Gjiknuri, Ahmetaj, Kodhelit, Nikollit, Peleshit, Tahirit, Haxhinastos ( i besuari i Ramës brenda LSI ), Kokëdhimës, Vilma Nushit dhe vetë kupolës së koncesioneve, Edi Rama. Aktualisht janë bërë gati disa koncesione të tjera në dogana, pikat e kalimit, ku për të vënë një vulë në hyrje dhe dalje do paguash përsëri për një kompani, e cila do i jepet një ministri dhe një ministreje të “Rilindjes”. 
Opozitë e keq-orientuar 
Nuk ka as më të voglin dyshim që opozita është çorientuar dhe po ecën si aeroplan pa bisht. Duket se fluturon, por fatin duket se do e ketë tragjik. Grupi i vjetër i çakejve, ata që u futën në burg dhe u proçesuan për trafiqet e drurit të arrës, Ruli me shokë, ata që lejuan firmat piramidale Bode me shokë , ata që i hapën rrugën korrupsionit dhe klientelizmit, si Topalli, Bregu, Patozi, etj, koncesionarët e Portit, Kolaudimit, Ngjyrosjes, Doganave, Skanimit, Pasaportave, pajisjeve të TVSH, vemje të tipit Selami apo Sorosianë me shumicë duan dështimin e Lulzim Bashës. Me këtë rast atë e largojnë nga drejtimi, duke i marrë partinë dhe mënyra më e mirë është moslejimi i koalicioneve dhe goditja e Ilir Metës. Duke goditur Metën, kreu i PD e ben më të fortë ekzistencën e Ramës me Metën, qoftë edhe nga e keqja. Me këtë rast funksionon më së miri strategjia që përmendëm më lartë e Sorosit për të mbajtur lehtësisht në pushtet qeverinë e “Rilindjes”. Klani sorsian mendon që Rama le të rrije në pushtet edhe 4 vjet të tjera, pas këtij mandati dhe ne 2021 vjen Basha, se djalë i ri është, ose rikthehet në PD Bamir Topi?! Po, a do e pranojnë demokratët një gjë të tillë ? Nëse po, si? Nëse jo, pse? Rikthimi i Topit është kërkuar nga ish – ministrat e PD, hajdutllëku i të cilëve, megjithëse jo në përmasat e rilindasve ishte në fund të fundit shkak për humbjen e thellë të PD në 2013-ën. Më katastrofike, humbjen e këtyre zgjedhjeve e bëri fodulliku i tyre, nepotizmi, dyert e mbyllura për elektoratin dhe shitja e votave PS, në këmbim të mosfillimit të proceseve penale ndaj tyre. Dhe koha tregoi, se nuk ka asnjë ministër të hetuar, përveç Spiro Kserës, grekut nga minoriteti, që u shit dhe u bë “kok turku” për të justifikuar luftën kundër korrupsionit. Ksera u dënua si Ministër i Punës për 300 mijë $, kur pasardhësi i tij bëri dasmë që i kushtojë 500 milionë me paratë e shtetit, por me këto do merremi pak me vonë, sapo të grumbullojmë të gjitha materialet që disponohen nga organet e specializuara. 
Koalicionet që e lënë PD në opozitë dhe ato që e rikthejnë në pushtet
Të kërkohet bashkëpunim me partinë e Bamir Topit, deklaroi njëri grup, në një nga mbledhjet e kryesisë para disa ditësh. Të kritikohet Meta dhe të deklarohet që tani që nuk ka koalicion me të, deklaroi një zë i lodhur, mbase edhe nga klithmat e gjata dhe të hershme të saj. Të fillojnë negociatat me Idrizin, tha një tjetër në një emision televiziv. Shkurtimisht le ti analizojmë me radhë: – Bamir Topi, është pa dyshim njeriu që do mbahet mënd, si President i zgjedhur me votat e Partisë Demokratike dhe që vendosi kuotat në emërimet në drejtësi. Ai erdhi nga ministër bujqësie, kryetar i PD për Tiranën, Nën/Kryetar i PD, kryetar i grupit parlamentar të PD dhe direkt në krye të shtetit. 
– Por ky zotëri ishte njeriu që ka përgjegjësi të rëndë morale për ngjarjet e 21 Janarit, ku u vranë 4 protestues dhe sipas PD-së, pjesë e lojës Ina -Edi -Bamir?! 
– Ish-Presidenti Topi ishte, sipas KQZ njeriu që ju gjend vota pro Edi Ramës dhe kundër Lulzim Bashës për kryebashkiak i Tiranës. . . ?! Kurse Meta në koalicion me PD-në solli Bashën në krye të Bashkisë së Tiranës. 
– Bamir Topi si Kryetar i një partie të re (FRD ) bëri propagandë kundër PD në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke bashkëpunuar me PS. 
– Bamir Topi ishte në koalicion me PS dhe mbështeti fuqishëm Veliajn, duke bërë propagandë dhe votuar kundër Dr. Halim Kosovës, në zgjedhjet e fundit për bashkinë e kryeqytetit. 
– FRD dhe Topi po marrin nënkryetar bashkie dhe drejtor në bashki dhe ministri, sikurse ndodhi para një jave në Durrës me Z. Sami Gjergji, që është emëruar nënkryetar i Bashkisë së Durrësit, një tjetër në Tiranë, një në Korçë, një nënkryetar (Kovaçi) u emërua para dy ditësh në Elbasan etj. me radhë… Atëherë, a duhet bërë koalicion me partinë e Topit? Sa vota i sjellë të djathtës kjo parti ? Më shumë i jep apo i merr, sikurse ndodhi me Shpëtim Idrizin e çamëve që morën mandatin nga listat shumë emërore të PD dhe ikën në mënyrë të turpshme dhe sot drejtojnë sigurimet shoqërore, shëndetësore, autoritetin ushqimor, nënkryetarë në bashki etj. Pikërisht këto drejtori janë ato, që po i shkaktojnë pakënaqësitë dhe vuajtjet më të mëdha shqiptarëve. E pra, sikurse shihet e vetmja aleancë e mundshme e PD është LSI, Aleanca Kuq e Zi dhe fronti i djathtë, (ish – të përndjekur dhe pronarë ) që u harruan nga ish – ministrat Ruli, Bode, Topalli, Bregu etj. Vetëm ky grupim bën realitet rikthimin e së djathtës në pushtet dhe përballjen me miliardat e krimit dhe deputetët banditë, kriminelë, vrasës dhe trafikantë të drogës dhe ilaçeve të skaduara. Nëse do analizojmë ministrat e LSI, Naço që dha dorëheqje, Prof. Panariti, Klajda Gjosha, Koka, Manjani, ish – ministri i shëndetësisë Vasili, Tavo dhe t’i krahasosh me Beqajn, Gjiknurin, Tahirin, Ahmetajn, Canin, Kodhelin, Kumbaron, Hariton, Peleshin të gjithë do binden dhe do thonë, se është njëlloj sikur të krahasosh shkumësin e bardhë me qymyrin e “Rilindjes”. Edhe nëse do i bëjmë të njëjtin krahasim po këtyre ministrave të LSI me ata të PD ( Ruli, Bode, Pollo, Noka, Pango, Topalli, Bregu, etj. ) është e njëjta situatë dhe duket sikur krahason ditën me natën… Ja pra këto janë faktet, të ëmbla apo të hidhura! Kryedemokrati Lulzim Basha duhet të mbaj një qëndrim kurajoz dhe t’u tregojë vendin të gjithë të korruptuarve të PD, që tërhiqen fshehtas nga “Rilindja” nëpërmjet presionit të koncesioneve të dikurshme. Të distancohet nga klanet Sorosiane dhe të mendojë rikthimin e shpejtë, pse jo dhe të parakohshëm të demokratëve në pushtet. Greqia, Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Serbia dhe vendet e rajonit kanë zhvilluar zgjedhje të parakohshme. Është koha që Basha të veprojë sot, pasi nesër do jetë vonë dhe atëherë uragani nuk do të kursejë as vetë kreun e PD…! Shpresojmë që të ndodhë më e mira për shqiptarët e vuajtur dhe të nëpërkëmbur! 
Po e mbyllim përsëri me Kuvendin
Situata e rëndë e emigrantëve Sirianë, kushtet e rënduara kërkojnë që forcat politike të tregojnë mbështetje për të gjithë emigrantët që do kalojnë tranzitë nga Shqipëria. Shqiptarëve nuk u ka munguar kurrë bujaria dhe kjo është treguar me çifutët gjatë Luftës së Dytë Botërore, më parë me komunitetin Boshnjak, me grekët në vitet 1948 dhe 1970. Por shqiptarët kanë një arsye edhe më të fortë që të mbështesin emigrantët, pasi nga vitet 1990 e deri më sot ne kemi mbi 1. 5 milionë shqiptarë të emigruar, kanë fituar lotari apo bashkime familjare. Ndryshe nga deklarata e nxituar e Edi Ramës, qëndrimi i Ilir Metës kërkon padyshim edhe zërin e fuqishëm të opozitës, e cila është garante e të drejtave humanitare dhe lirive themeltare të njeriut. Reagimi i Greqisë dhe i një pjesë të vendeve perëndimore, pas deklaratave të Ramës ishte domethënës. 
Sigal