Ëngjëll Musai: Shqipëria digjet, Kuvendi krihet!

195
Sigal

Analizë nga Engjëll Musai, Drejtor i Gazetës “Telegraf”: Shqipëria nga Veriu në Jug ndodhet nën pushtetin e zjarreve, flakët e të cilëve nuk kanë kursyer banesat, bagëtitë, pyjet, frutikulturën dhe të mbjellat. E ndërkohë që Shteti është asfiksuar nga mungesa e zjarrfikseve, helikopterëve dhe avionëve për fikjen e zjarreve, Lindita Nikolli shpërdoron 310 milion lekë për kondicionimin e sallës së deputetëve me tender të manipuluar. Dëmet e shkaktuara nga zjarret arrijnë në 300 mln euro, por “kopeja e ujqërve” që shpenzon miliona për udhëtimet e tyre të luksit dhe satelitët, nuk kujtohet për 1 avion dhe 1 helikopter për fikjen e zjarreve, që kushtojnë sa 10% e dëmeve të shkaktuara.

Lindita Nikolla shpërdoron 310 milionë për kondicionerë në tenderin e manipuluar. Kemi avion dhe helikopter për qeveritarët, por jo për shuarjen e zjarreve

“Pra avionë për qejfe kemi, por avionë për shuarjen e zjarreve as që duhet shkuar ndër mend. Qeveritarët marrin me qira avion charter që u kushton taksapaguesve shqiptarë 18 milion lekë për 1 orë fluturim. A nuk udhëtuan me avionë privatë në Dubai, zyrtarët e qeverisë, ku hanin e pinin në lokalet më të shtrenjta për të shijuar duart e Nusretit…?”

I gjithë territori shqiptar nga veriu, në jug, dhe nga lindja deri në perëndim është përfshirë nga zjarret, të cilat po shkrumbojnë gjithçka që u del përpara. Themi gjithçka që u del përpara, pasi Shteti ka kapitulluar dhe mendon vetëm për tendera, PPP, grabitjen e pronave në bregdet dhe pikat turistike, duke ua shpërndarë ato oligarkëve pas të cilës fshihen vetë zyrtarët e shtetit, deputetët me gratë dhe burrat e tyre. Dikur thuhej që me “Shtetin dhe Zjarrin, mos luaj”. Pra i vetmi që mund të luajë dhe ti ndalë vrullin Zjarrit është Shteti, por jo shteti ynë mavri, i katranosur dhe i majmur deri në pangopësi. Kjo është arsyeja që shteti mendon si të rriten çmimet, si të shtohet varfëria, si të shpopullohet vendi nga rinia dhe qytetarët e saj, të cilët kanë marrë rrugët e kurbetit, për t’i shpëtuar skamjes që është ulur këmbëkryq. Shteti nuk i del dot përballë zjarreve. Shtetit i mungojnë zjarrfikëset, qëndrat e shuarjes së zjarrit: të lëvizëshme dhe të dislokuara. U mungojnë helikopterët, jo se nuk kemi harxhuar miliona për blerjen e tyre, por helikopterët përdoren për qeveritarët e partisë së Rilindjes, për fushata elektorale. A nuk ishte ministrja e Mbrojtjes Xhaçka që udhëtonte me helikopter nga Tirana në Dibër kur ishte Drejtuese Politike e Qarkut të Dibrës? Shteti duhet të ketë avionë për shuarjen e zjarreve. Dhe ne avionë kemi, por ata i kemi për të udhëtuar agallarët e qeverisë, të cilët po na bëjnë “politikën e madhe globale”. Ndërkohë që njerëzit udhëtojnë në rrugët e përgjakura të vendit, ku gjysma e aksidenteve bëhet nga drejtues të droguar, të cilët sipas premtimit të kryerilindasit, mezi po presin legalizimin e drogës. Dhe kur ka ndonjë avari Air Albania, qeveritarët marrin me qira avion charter që u kushton taksapaguesve shqiptarë  18 milion lekë për 1 orë fluturim. A nuk udhëtuan me avionë privatë në Dubai, zyrtarët e qeverisë, ku hanin e pinin në lokalet më të shtrenjta për të shijuar duart e Nusretit. Pra avionë për qejfe kemi, por avionë për shuarjen e zjarreve  as që duhet shkuar ndër mend. Madje avionët e zjarreve, mund të përdoren edhe për dezifektimet e tokave bujqësore dhe të frutikulturës, por kjo nuk është në prioritetet e qeverisë, pasi qeveria ka halle të mëdhaja dhe nuk ka kohë dhe mundësi të merret me zjarret, fermerët, shtëpitë që digjen, pyjet dhe ullinjtë që po shkrumbohen çdo vit. A ju kujtohet sekuestrimi i telefonit të një qytetari kosovar që filmoi kryeministrin Rama, që sapo kishte zbarkuar në Himarë për një drekë me diplomatët e huaj proqeveritarë që janë kthyer në avokatë të krimit, korrupsionit dhe narkoqeverisë? Ja pra që ky shtet harxhon milionat e taksave të qytetarëve, por jo për qytetarët, por për luksin e mendereve të tyre.

E ndërkohë që zyrtarët po nxihen e po theken në plazhet më të mira të rajonit dhe botës, në Shqipëri, çmimet e kontrolluara dhe të rritura qëllimisht nga qeveria për interes të fitimeve të saj nga TVSH-ja, e shoqëruar me varfërinë, papunësinë dhe pensionet qesharake të shqiptarëve kanë boshatisur plazhet dhe në vend të rrezeve të diellit po digjen nga flakët në shtëpitë e tyre. Dhe kur i pyet zyrtarët e qeverisë dhe kreun e saj për blerjen e helikopterëve dhe avioneve për shuarjen e zjarreve, na thonë se nuk ka para! Po për ‘satelitët” që do kontrollojnë territorin, shirat, do numërojnë bagëtitë e Bujqësisë së Krifcës, paska para? Po çi do “Satelitët”, kur vendi po digjet , pyjet dhe të mbjellat po shkrumbohen, bagëtitë që i shpëtuan përmbytjeve të dimrit po digjen në stalla nga zjarret e verës dhe, territori do kthehet në shkretëtirë dhe mjafton një palë dylbi të shikosh këtë pak territor që kemi. Hashashi për të cilën kryeministri pretendoi se do e kontrollonte me ‘satelit’, nuk ka më nevojë, sepse hashashin do e legalizoi, pas konsultimit publik me patronazhistët e partisë. Pra para ka , por ato janë për t’u përdorur në shërbim të oligarkisë, e cila ndan përqindjen me “pashallarët” e pushtetit. Para nuk ka vetëm për avionë dhe helikopterë për shuarjen e zjarreve. Sipas specialistëve dëmet që shkaktojnë zjarret në Shqipëri i kalojnë 300 milion euro çdo vit. Me këtë vlerë mund të bliheshin nja 10 helikopterë dhe po kaq avionë për shuarje zjarresh dhe që mund të përdoreshin edhe për dezinfektim edhe spërkatje të tokave dhe pemtarisë. Por ne do na mjaftonin: vetëm 1 helikopter dhe 1 avion, si dhe nga 2 apo 3 zjarrfikëse profesionale për çdo qark, të cilat nuk kushtojnë më shumë se 300 mijë USD dhe Shqipëria nuk do të kishte probleme zjarret. Pra për të blerë zjarrfikëset do mjaftonte fondi i kondicionerëve të Kuvendit të Shqipërisë, i cili jeton në mirëqenie dhe tashmë po kërkon luksin e shfrenuar si për verë, ashtu edhe për dimër. Po të kishim një shtet të përgjegjshëm dhe që e donte popullin e vet, këto 310 milionë lekë nuk do të shkonin për të “zgjyrat” e Parlamentit, por duhej të shkonin për mbrojtjen nga zjarret. Dhe është në nderin e Kryetares Nikolla, ta anullojë dhe me këto para të shpëtohen shtëpitë që rrezikohen nga zjarret.

“Dhe kur i pyet zyrtarët e qeverisë dhe kreun e saj për blerjen e helikopterëve dhe avionëve për shuarjen e zjarreve, na thonë se nuk ka para! Po për ‘satelitët” që do kontrollojnë territorin, shirat, do numërojnë bagëtitë e Bujqësisë së Krifcës, paska para? Po çi do “Sateltët”, kur vendi po digjet, pyjet dhe të mbjellat po shkrumbohen, bagëtitë që i shpëtuan përmbytjeve të dimrit po digjen në stalla nga zjarret?”


Lindita e Kuvendit, tender 310 milion për kondicionerët e S(t)allës së deputetëve !

Lindita Nikolla është aktualisht Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë. Por në vend që të jetë model në pozicionin e punës që ka, duket se edhe ajo ka filluar të veprojë si “shokët” e “shoqet” e saj në qeveri duke abuzuar me tenderat e institucionit, që ajo drejton. Kështu bëhet fjalë për një tender të organizuar nga Kuvendi në lidhje me ajrin e kondicionuar në sallën plenare. Tenderi në fjalë mban numrin e referencës REF-36075-07-12-2022 dhe ka si objekt “F.V TE SISTEMIT PËR TRAJTIMIN E AJRIT DHE KONDICIONIMIT NË SALLËN PLENARE”. Fondi limit i kësaj procedure është 26,281,128 lekë të reja pa TVSH ose rreth 315 milionë lekë të vjetra me TVSH. Por nëse shfletojmë dokumentacionin përkatës të këtij tenderi përballemi me disa fakte tepër të dyshimta që të shtyjnë të dyshosh se kemi të bëjmë me një tender të manipuluar. Shikohet se në garë kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomikë, nga të cilët dy kanë ofruar zero lekë. Rrjedhimisht ka fituar vetëm kompania, e cila ka dhënë ofertë, e që në rastin konkret bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve ekonomikë “ALTEC” SHPK dhe “B93 II” shpk me ofertë 25.725.593 lekë të reja pa TVSH ose rreth 310 milionë lekë të vjetra me TVSH. Jo vetëm mungesa e ofertave nga dy pjesëmarrësit e tjerë, por edhe fakti që oferta fituese është sa 97.88% e fondit limit, ngrejnë dyshime të forta se kemi të bëjmë me në fitues të paracaktuar.


Energjia elektrike: Administrata i ka borxhe OSHEE-së 183 mln euro

Kur qytetarët nuk paguanin energjinë elektrike, shteti ndërhynte me ashpërsi duke prerë energjinë, vënien e gjobave me kamatë dhe një pjesë e fakirëve përfunduan në burgje ku dhe u vetëvarën. Por krejt e kundërta ndodh me zyrtarët e shtetit, të cilët nuk paguajnë faturat e energjisë për kondicionerët që rrinë ndezur si në dimër edhe në verë duke e çuar borxhin në 183 mln euro vetëm në 4 muaj, ose 240% më shumë se koha kur e morën në 2013. Kësaj shume i thonë “punon kali dhe ha gomari”. Gjithsesi, ai që ha, është zgjedhur nga vota e atij që punon. Ndaj qytetarët kur të vijë dita e votimit të mos gënjehen nga 50 mijë lekëshi, thesi i miellit apo punësimi 3 mujor, por duhet të punojnë dhe të hanë për vete dhe mendojnë çdo ditë të vitit dhe të katër viteve që ka zgjedhje duke e peshuar mirë votën, nga e cila varet edhe fati i shtëpive të djegura, prodhimeve të shkatërruara dhe përcëlluara nga flakët e indiferencës së pushtetit.