Engjëll Musai/ Shoqata e Veteranëve tradhton gjakun e partizanëve

502
Sigal

*Drejtor i gazetës “Telegraf”

Kisha menduar të mos shkruaja për ardhjen e këtij 5 Maji, i cili njihet nga shqiptarët si Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Por, pengu i beut të ri të politikës, si dhe amaneti i gjyshes që sa herë kujtonte vëllain e saj të rënë në luftën antifashiste, i mbusheshin sytë me lot, nuk më la të qetë dhe më detyroi të shprehja pakënaqësinë për këta monstra dhe hipokritë të së Majtës. Ato lot që i rrëshqisnin Nënës sime (gjyshes) për vëllain e saj, më zgjuan, duke më thënë se ndërgjegjja nuk duhet të na lërë të qetë ne pasardhësve të partizanëve, që me gjakun e tyre çliruan atdheun, duke e renditur Shqipërinë ballëlartë, përkrahë vendeve që aspiruan liri e pavarësi. Pinjollët e ballistëve, kuislingëve dhe atyre që i vunë kurorën Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit, do të mbeten të njollosur në jetë të jetëve për tradhtinë e tyre. Sallonexhinjtë e Hitlerit, do të mbahen mend për krimet dhe masakrat e tyre ndaj luftëtarëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ata që veteranët i deshën vetëm për vota, as nuk nxihen më dhe as nuk do skuqen për këtë tradhti të dytë, sepse ata mbaruan punë dhe pasi kaluan lumin, mendojnë se një pjesë e veteranëve nuk do jenë më gjallë pas 4 vitesh. Kjo nuk është thashethem, por një e vërtetë e diskutuar në një tavolinë, diku në një nga lokalet e Tiranës që mbanë çuditërisht edhe emër tradhtari. Por le t’i kthehemi rastit konkret. Në këtë 5 Maj shohim një Shoqatë të Veteranëve të përçarë, të përgjumur, të lodhur, të shpërfillur dhe që si ka njeri në refene. Që të ndodhte në kohën e qeverisjes së Berishës nuk do përbënte ndonjë çudi sepse dihej që Berisha i zhvarrosi dëshmorët e kombit dhe i zëvendësojë me ministrat fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Por, kur një gjë e tillë ndodh nga e Majta, kjo është jo vetëm tradhti, por edhe rivrasja e të rënëve. Dy ditë më parë, një funksionar i së Majtës deklaroi pa pikë turpi se: “Ne nuk jemi si partizanët e 1945-s, të cilët i vinin pushkën në gojë çifligarëve dhe u merrnin floririn”. Po kush të tha ty mor zotëri që partizanët silleshin në atë mënyrë? Po pse të ardhka keq vetëm për çifligarët dhe nuk të vjen keq për mijëra të rinj, djem dhe vajza që u pushkatuan nga fashistët e Duçes dhe nazistët hitlerian? Po ata u vranë se shumica ranë preh e tradhtisë së bashkëpunëtorëve dhe spiunëve, të cilët e blenë gjakun e dëshmorëve me florinjtë e tradhtisë. Ja ky argument “o Rilindësit e turpit” të 2014-s. Ju pritët eshtrat e Ahmet Zogut, tradhtarit të kombit dhe harxhuat miliona për qivurin e tyre. Ju sollët ministrin kuisling, Eqerem Vlora dhe shumë e shumë tradhtarë të tjerë. Të gjitha me paratë e Rilindjes, ndërkohë që, ata që u vranë prej këtyre bastardëve, i kanë varret e prishura, sepse Ju nuk keni lidhje me ta dhe pasardhësit e tyre. Një këshilltar i Rilindjes deklaroi para ca ditësh se, do e kisha për nderë të isha ministër i qeverisë Kuislinge. Eh ky është një turp për ju, por më shumë për të gjithë Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste dhe familjeve të Dëshmorëve të Atdheut. Pse heshtni Ju zotërinj të Veteranëve të Luftës ndaj këtyre deklaratave  të “Rilindësve” të rinj që s’janë as të parat e as të fundit? U hoq emri i heronjve të 4 shkurtit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, u përgjysmua se u zëvendësua nga ai që e tradhtoi vatanin dhe ata që e mbrojtën dhe derdhën gjak, duhet të ndajmë meritat me një palo “Zog”. Qeveria e Majtë duhet urgjentisht me vendime t’i kishte zhbërë të gjitha këto marrëzira të kohës së Berishës. Por ajo nuk i bënë, se ata nuk kanë lidhje vetë me luftën dhe bëjnë pjesë tek çifligarët. Si nuk ju zuri meraku të vinit zotërinj Rilindës dhe të shikoni Heronjtë e Vigut, se si  i përdhosën pasardhësit dhe pasardhëset e kriminelëve?  Ndaj i takon Shoqatës së Veteranëve të reagojnë sa nuk është vonë dhe nuk kanë as pse tolerojnë dhe as pse të bëjnë kompromise me gjakun e familjarëve tanë. Në rast se, një pjesë e veteranëve nuk kanë ndjesi për familjarët e tyre, ne pasardhësit e partizanëve dhe dëshmorëve të  Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, do të kërkojmë riorganizim të një shoqate tjetër të Luftës Nacional-Çlirimtare dhe dëshmorëve të atdheut. Në këtë shoqatë nuk do të kenë vend servilët dhe deputetët e Partisë Socialiste, që kanë uzurpuar kryesinë e Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por vetëm ata që e duan dhe i respektojnë vërtetë dhe pa interesa heronjtë e luftës partizane. Si pasardhës i partizanëve të luftës Nacional-Çlirimtare, si dhe i dëshmorëve të Atdheut uroj nga zemra të gjithë familjet e luftëtarëve që kontribuuan në çlirimin e vendit. Qoftë i paharruar kujtimi i tyre! Lavdi përjetë 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut dhe luftëtarëve partizanë me yllin e kuq në ballë!