Engjëll MUSAI/ “Kokë turku” për pazaret e Kurumit

274

Tolerancë zero, u deklarua gjatë fushatës elektorale nga e Majta shqiptare. Dhe kjo nuk ishte më çudi dhe as premtim elektoral, por një realitet i cili filloi të japë rezultatet e qeverisjes së Koalicionit për Shqipërinë Europiane. Mijëra ton naftë dhe miliona euro evazion fiskal ! Bravo! Ja, ky është rezultati që prisnim. Por, çuditërisht, kjo nuk rezulton e vërtetë dhe se kompania po kërkon në gjykatë dëmshpërblim për prishje të imazhit. Vazhdojmë me historinë e ikonave, e cila u trumbetua dhe se e vërteta na qenkësh krejt ndryshe. “U mbars mali dhe polli një mi”, kjo i shkon për shtat këtij aksioni, ku disa policë, sipas familjarëve, ngjanin më shumë me barbarët sesa me mbrojtësit e rendit. Dhe kur mëson se  disa persona VIP, jo vetëm që kishin njohje me koleksionistin, por edhe kishin shkëmbyer material dhe se nja dy deputetë dhe tre kandidatë që nuk fituan për deputetë, kanë më shumë ikona në shtëpitë e tyre se sa koleksionisti i arrestuar. Ky rast vazhdon të ndiqet me kujdes dhe brenda saj fshihet një  “pasaktësi”,  që është më e rëndë se të gjitha ikonat, edhe sikur të ishin të grabitura dhe të paregjistruara. Bëhet fjalë për përgjysmimin e tyre si numër nga Ministria e Brendshme, brenda 3 ditëve, me arsyen se i numëruam gabim. Po gabim numërohen 5 apo 15 ikona, po jo 700 ikona !!!! Besojmë që zgjidhja e kësaj  ngjarje do zgjasë dhe se Strasburgu, padyshim, do jetë streha e fundit e zgjidhjes së saj. E, po vajti atje, shteti do paguajë miliona dhe këtë rrugë do e ndjekin edhe persona të tjerë fizikë dhe juridikë duke e detyruar Qeverinë të marrë kredi për të larë gjobat. E fundit nga bëmat e miletit ishte ajo e “KURUM-it”  me evazionin fiskal në vlera marramendëse, që së bashku me gjobat shkonin rreth 2 miliardë lekë. Po shumë shpejt kjo situatë filloi të fashitej, të zbutej, pasi, sipas burimeve të sigurta, pas tyre fshihen garancitë e miliona eurove të premtuara për Shqipërinë. Po ç’e duam ne atë kredi, kur ne i kemi lekët dhe po na i vjedhin turqit, që kanë shtrirë metastazat në të gjithë ekonominë tonë? Rasti i firmës së hekurt turke, presionet dhe largimi i Drejtorit të Antikontrabandës tregon se koka e tij u bë “kokë turku” për pazaret e papaguara të Kurumit. Do shohim skandale më të mëdha me Bankat Turke, kompanitë telefonike etj. Të gjitha këto i zhvasin shqiptarëve 800 milion euro në vit. Ja, këta janë miqtë që po na kthejnë mysafirë në vendin tonë… Do shohim edhe më keq po ulëm kurrizin, ndaj duhet të veprojmë me mençuri  për të ndarë mikun nga batakçiu…