Arian Jaupllari/ Revolucioni në universitete

460
Sigal

Pas viteve 2000, arsimi universitar hyri në rrugën e anti-intelektualizmit

Jemi mësuar që për 24 vjet në Shqipëri të mërmëritet nëpër shumicën e gojëve vetëm fjala reformë. Është kthyer në një fjalë super të ngopur nga lagështia e gojës, e cila nuk arriti të thahet asnjëherë, për të parë realisht një reformë të vërtetë. Edhe pse kanë fryrë shumë erëra gjatë këtyre viteve, kjo fjalë mbeti në gropën, ku fryn e vjen vërdallë dhe nuk arriti te dalë në majën e malit, ku fryn e shkon. Duke krahasuar reformat 20-vjeçare të bëra në vendin tonë me atë të fundit të mbylljes së universiteteve, që përfaqësonin për këto vite blozën e arsimimit universitar, ky është fillimi i një revolucioni.

Pas viteve 2000, arsimi universitar hyri në rrugën e anti-intelektualizmit, sepse dija nuk është më pronë e njerëzve të ditur, por edhe të paditurve. Shkolla e lartë nuk mund të ishte më vendi i atyre që mësojnë, por edhe atyre që nuk mësojnë dhe kanë para të paguajnë e blejnë diploma. Universiteti nuk ishte më vendi, ku frekuentohet nga individi për të mësuar, por individë politikë, oligarkë, mafiozë, që universiteti  iua dërgon diplomat në shtëpi. Hapja e universiteteve nuk duhej të bazohej te profesionalizmi dhe intelektualizmi, por nga llumi i injorancës. Profilizimi u zëvendësua me shumëllojshmërinë e degëve dhe masivizimin ekstrem. Mësimdhëniet e profesorëve, doktorëve u zëvendësuan më pseudo-profesorë  të graduar nëpër mejhane. Vendin e studentëve të rinj e zunë studentët pensionistë. Diploma e merituar u zëvendësua me diplomën e blerë. Nota mesatare u zëvendësua  vetëm me notën 10. Paraja zhvlerësoi çdo gjë, dija u ble me para. Kjo batërdi e dekadës së fundit degjeneroi mendjen njerëzore dhe vuri në pikëpyetje të ardhmen e kombit. Prandaj kjo nismë e Ministrisë së Arsimit e finalizuar nga qeveria me vendimin e djeshëm, është revolucion.

Revolucioni pavarësisht se sjell përmbysje të madhe dhe vdekjen e një të keqe, nuk është njëlloj si vdekja natyrale e një njeriu. Kur njeriu vdes, pasi varroset, bashkë me të i  jepet lamtumira dhe të mirave dhe të këqijave të tij. Revolucioni nuk përmbys çdo gjë, pasojat mbesin dhe ato mund te na molepsin të gjithëve përsëri. Faza e parë e këtij revolucioni universitar rrezikohet nga;  pakënaqësia e të përmbysurve oligarkë të këtyre universiteteve; rrezikshmëria që në universitetet  e mbetura, paraja, korrupsioni, sekserizmi, blerja e notës të kthehen në fenomen; baza prodhuese që pret  të diplomohet, e cila ka paguar dhe kërkon ta blejë me çdo çmim; prodhimi i hedhur në qarkullim, i cili ka kapur pozicionet kyçe të administratës publike, për të mbrojtur paaftësinë, por dhe të mbështesë prodhimin e përmbysur nga revolucioni.

Ky revolucion po shpëton të ardhmen e kombit, prandaj nuk duhet të këtë më kthim mbrapa deri në zhdukjen e pasojave të tij.