Ëngjëll Musai: Bashkë më 5 Maj

228
Sigal

Ëngjëll Musai

Drejtor i Gazetës ‘Telegraf’

Sot është dita e shenjtë, që simbolizon Dëshmorët e Kombit. Është 5 Maj! Kjo ditë është caktuar në nderim të vrasjes së Qemal Stafës, i cili ju bashkua lëvizjes antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht më 5 Maj 1942 në periferi të Tiranës fashistët italian, që kishin pushtuar Shqipërinë, rrethuan shtëpinë ku qëndronte kreu i rinisë antifashiste Qemal Stafa, i cili nuk pranoi të dorëzohej, por luftoi heroikisht deri sa u vra, për të mos u harruar kurrë. Por kjo ditë e veçantë u kushtohet edhe të gjithë luftëtarëve, bijave dhe bijve të kombit që luftuan për atdhe dhe jo për parti. Ata luftuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe jo për interesat personale të individëve të caktuar. Por kjo ditë e shënuar është një homazh edhe për ata heronj, të cilët luftuan me pushkë dhe penë për Rilindjen e vërtetë kombëtare, por edhe për ata patriotë dhe nacionalistë, që padrejtësisht lufta nuk u la kohë të bëheshin bashkë për interesin e madh kombëtar. Në 5 Maj duhet të nderojmë edhe heronjtë e punës dhe rindërtimit të vendit. Duhet të nderojmë edhe martirët, që kërkuan liri dhe demokraci për të gjithë. Duhet të nderojmë shtetasit e këtij vendi, në çfardolloj detyre dhe funksioni, që sakrifikuan jetën në luftë kundër krimit për të sjellë mirësinë në këtë vend. Ndaj sot vëllezër dhe motra kudo ku jemi brenda vendit dhe jashtë saj për një jetë më të mirë dhe më të begatë, të bashkohemi për të ardhmen e familjeve tona dhe të Kombit. Harrojini përçarjet e politikës. Sot politika po puthet e përqafohet me armiqtë shekullorë të Shqipërisë, serbo-grekë, por nuk pranon dhe nuk punon për bashkimin e kombit edhe pse ndarjet kanë ndodhur mbi 80 vite më parë. Kombi ynë i ndarë dhe i copëtuar në 5 shtete (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Çamëri), ka nevojë për amanetin e Fan Nolit, i cili thoshte:  “ Le të sulemi nën Flamurin e Kuq në flakë të luftës, që të na drithërohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shenjtë i lirisë dhe le të vdesirn duke thirrur: “Rroftë Shqipëria“!