Lavdosh Ferruni: Zhurma për zgjedhjet lokale dhe heshtja ndaj aferave me kompanitë globale

161
Sigal

Ndërsa zhurma për zgjedhjet lokale ka shpërthyer, disa punë të pista bëhen në heshtje të plotë, pikërisht në këtë kohë të zhurmshme. Kompanitë fosile globale; Excelerate Energy (US), Renco (IT), Exxon (US), Overgas (Bulgaria), ENAGAS (Spain), IAP (gazsjellësi Adriatiko – Jonian), TAP (Trans Adriatik Pipeline) me intesitet dhe në fshehtësi po pregatiten për të hedhur kthetrat mbi trupin e brishtë të Vlorës e më pas të shqyejnë territore të tëra në Shqipëri e shumë më gjërë në Ballkan. Qeveria shqiptare, por edhe opozita politike kanë zero kundërshtim me pushtuesit fosil global. Madje Qeveria në fshehtësi po hap dyert e pushtimit prej tyre një nga një. Znj. Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit ka nënshkruar deklaratën mjedisore për TEC-et lundruese në fshehtësi të plotë në muajin gusht, kur të gjithë ishin me pushime, pa e botuar atë asgjëkund, pa asnjë diskutim me publikun. ERE ka vendosur t’i jap lincencën KESH-it për përdorimin e TEC-eve lundruese më dt 27 mars dhe nuk e ka publikuar vendimin, siç bën zakonisht për çdo vendim, që e publikon pas 4-5 ditësh, edhe pse ky ishte një vendim, që ishte shtyrë për mungesë të lejes prej Agjensisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore.

Ndërsa nuk publikoi këtë vendim ERE publikoi vendimin pasardhës dt 30 mars, që miratoi kërkesën e gazsjellësit TAP. Ky vendim i miratuar 100% sipas kërkesës së TAP, i heq çdo pengesë kompanive globale të fosileve ta përdorin TAP sipas dëshirës së tyre, duke piketuar aty pika hyrje e dalje përgjatë nga Fieri, Kuçova deri në Bilisht. Sigurisht Qeveria, ERE dhe kompanitë janë interesuar që asnjë media të mund të thotë ndonjë fjalë për këto vendime, që kanë një efekt shkatërrues për disa dekada në shkallë vëndi sidomos në Gji të Vlorës, shkatërrim, që bëhet thjesht për të rritur fitimet e kompanive të naftës. Në këto ditë të etheve të zgjedhjeve në Shqipëri, këshilltari ligjor i kryeministrit Rama, z.Alket Hyseni njofton në faqen e tij në FB, se ka pasur një mëngjes pune me z. James Richard Perry, i cili është anëtar bordi që nga Janari i vitit 2020 i një kompanie të energjisë fosile të quajtur “Energy transfer”. Alketi shton: “Nën frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe USA, diskutuam për një sërë projektesh dhe investimesh të rëndësishme strategjike në sektorin energjitik të kompanive shumë serioze amerikane dhe partnerë të tyre që do të fillojnë së shpejti në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit.” Frika është se në fshehtësi po përgatiten kontratat, që përvec një shkatërrimi të mjedisit dhe turizmit në Vlorë e më gjërë, firmosja e këtyre kontratave mund të rezultojë me miliona dollarë të humbura të tipit “Bechetti”. Edhe pse u censurua nga mediat vizive, disa portale, dukshëm pranë Qeverisë e shitën si investim të Amerikës. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shikojnë seriozisht mundësinë e ndërtimit në Vlorë të një impianti për furnzimin me gaz të lëngët të rajonit. Në krye të një projekti të tillë është James Richard Perry, ish-Sekretar për Energjinë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Guvernator i Teksas për 15 vite”- shkroi gazeta TEMA duke u nisur nga postimi i z. Alket Hyseni për mëngjezin e punës me antarin e bordit te kompanise fosile z. James Perry, skepticistin sa i përket bazave shkencore për ndryshimet klimatike. Nuk mund të mos përmendim në këtë shkrim të shkurtër faktin që edhe Delegacioni i Bashkimit  Europian këtu në Tiranë i është bashkuar heshtjes, së këtyre ngarjeve që përkthehet “welcome fossil guys in Albania”.