Engjëll MUSAI/ 11 vjet nga 11 Shtatori i sulmit terrorist

523
Sigal

Sulmi terrorist i 11Shtatorit të vitit 2001 do të jetë një nga ngjarjet që do të mbahet mënd në historinë e njerëzimit . Kjo datë do të qëndrojë e pashlyer në kujtesën e brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë për faktin  se, terroristët  me sulmet që ndërmorën kundër shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkuan të mposhtin  simbolin e  demokracisë botërore. Rrëmbimi i avionëve dhe kthimi i tyre në kamikazë tregoi se shpirtligësia e këtyre njerëzve nuk njeh kufij. Mijëra njerëz të pafajshëm humbën jetën, por miliona njerëz  u solidarizuan me Amerikën. Mbarë kombi shqiptar e përjetoi në mënyrë dramatike dhe tregoi solidaritet të menjëhershëm me SHBA-të, aleatin dhe mikun e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Terrorizmi i kishte bërë gabim llogaritë, pasi Amerika dhe shpirti amerikan është i pamposhtur. Bashkë me Amerikën u solidarizua mbarë bota e qytetëruar dhe rripi i terroristëve dhe qarqeve që e mbështesnin po ngushtohej dita- ditës. Ish- Presidenti Xhorxh  Bush,  menjëherë pas ngjarjes vuri gishtin mbi kryeterroristin  Bin Laden,  i cili ishte përgjegjës për këtë fatkeqësi, e cila lëndoi zemrat amerikane, por kurrsesi nuk mund të mposhtte demokracinë dhe fuqinë amerikane. “Do ta kërkojmë në çdo skutë dhe do ta nxjerrim nga shpella, ku është strukur  gjallë ose vdekur”, deklaroi Presidenti Bush në fjalimin përpara rrënojave të Kullave Binjake. Terroristët planifikuan dhe sulmuan dhe goditën Kullat madhështore të Nju Jorkut, por ata nuk e mposhtën dot simbolin amerikan. Ata goditën Departamentin e Mbrojtjes, por nuk e mposhtnin dot ushtrinë amerikane, ata kishin planifikuar  të godisnin edhe objekte të tjera strategjike të sigurisë dhe qytetërimit, por nuk mundën dot se kombi amerikan është dhe do të mbetet i pamposhtur. Kishte ardhur koha që terrorizmit, terroristëve me në krye sadistin Bin Laden dhe vendeve që i përkrahnin dhe i sponsorizonin ata, të viheshin përpara drejtësisë. Nisma e SHBA-ve për luftë pa kompromise kundër terrorizmit tregoi se Amerika kishte të drejtë.  Vendi ynë u bashkua në nismën kundër terrorizmit dhe vazhdon të kontribuojë edhe sot me misionet paqeruajtëse në shumë vende të botës, përkrah ushtrisë amerikane dhe aleatëve që duan paqen dhe lirinë.  Ngjarjet e 11 Shtatorit treguan se, me terrorizmin dhe terroristët nuk ka kompromis dhe se ndaj tyre duhet luftuar me vendosmëri deri në zhdukjen e çdo qelize terroriste. Lufta mbi terrorizmin  tregoi se drejtësia  triumfoi dhe  nuk i fali ata që morën mijëra jetë njerëzish të pafajshëm. Sakrificat amerikane dhe paqja që ajo po vendos në çdo cep të globit, duke përfshirë edhe “pranverën arabe” që ende po vazhdon, tregon se Zoti e bekoi Amerikën për të vendosur paqen botërore.