Elida BUÇPAPAJ/ Kush gënjen Ermelinda Meksi apo Këshilli Mbikëqyrës?

665
Sigal

 OKTAPODI PO IA MERR FRYMËN VENDIT, SE SISTEMIN E KA GLLABËRUAR

 Gazetat e Tiranës botuan dje në faqen e parë lajmin se, zonja Ermelinda Meksi, njëra prej anëtareve të Këshillit Mbikëqyrës dhe ish-deputete e PS-së, kishte propozuar shkarkimin e Guvernatorit. Por, propozimi i saj kishte shkuar kot, pasi ishte mundur nga shumica me rezultatin 1:6. Ja disa tituj gazetash: “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës rrëzon propozimin e Ermelinda Meksit. Dështon shkarkimi i Fullanit”; “Përplasja në Këshillin Mbikëqyrës: Ermelinda Meksi kundër Fullanit”;  “Këshilli Mbikëqyrës shpëton Fullanin”. Rrëzohet kërkesa e Ermelinda Meksit, për të vënë përpara përgjegjësisë drejtuesit e BSH”. Këtë temë e kishte marrë po dje në mëngjes, me të drejtë, edhe gazetari Artur Nura në programin e “Televizionit A1” REPORT “Shtypi dhe Ju”, në sondazhin se me kë ishte publiku shqiptar – me Meksin apo me ata të gjashtë që kishin votuar kundër. Dhe publiku shqiptar, ishte me Meksin, natyrisht, që kishte kërkuar largimin e Fullanit. Është e ditur që opinioni shqiptar është kundër Guvernatorit të Bankës Shtetërore. Këto arrestimet që bëhen tani, opinioni shqiptar nuk i ha. Sepse janë “koka turku“. Që dalin menjëherë të pafajshëm. Si dolën ata dy personat që u akuzuan për vrasjen e Artan Santos. Që shqiptarët janë kundër mogulit Fullani, mjafton të shihni “Facebook”-un si zien nga të gjitha anët. Kush e fiton bukën me djersën e ballit është për largimin e guvernatorit “Tycoon”. Kush e ka krijuar pasurinë me djersën e ballit është kundër kastave të privilegjuara me pasuritë kombëtare. Që do të thotë shumica e shqiptarëve. Jo vetëm ata 1 milion shqiptarët që votuan kundër qeverisjes së korruptuar të Sali Berishës. Kundër kapjes të shtetit janë 3 milionë shqiptarët brenda Shqipërisë Londineze; 3 milionë shqiptarët e dëbuar nga Shqipëria londineze gjatë regjimit kriminal çerek shekullor të tranzicionit. Plus edhe të gjithë bashkëkombësit nga trojet shqiptare dhe nga diaspora. Si gazetare nuk kam parë askënd që të mbrojë Guvernatorin. Vetëm kasta e mbron. Dhe njerëzit pranë kastës. Kasta është e rrezikshme. Shpëtojini shqiptarët nga kasta. Qeveria e Edi Ramës ta mbajë premtimin ose të japë dorëheqjen. Prandaj edhe sondazhi i Artur Nurës doli në favor të Meksit. Se Meksi na dilte si – thuhet në Testamentin e Ri – Gruaja Samaritane tek pusi – Samaritan (woman at the well) – që u takua me Jezusin. Sepse drejtësia nuk është fiksion, por obliguese. Por puna na del më vonë. Ermelinda Meksi nuk paska qenë Samaritania. Sepse Këshilli Mbikëqyrës nuk vonoi dhe i përgënjeshtroi mediat e Tiranës në të ashtuquajturën mbledhjen e apostrofuar nga gazetat, ku është propozuar shkarkimi i Fullanit. Se, në fakt, nuk qenka propozuar. Dhe mediat kanë rrejtur. Për ta mashtruar opinionin publik se këta të PS janë ata që duhen, meqë Ermelinda Meksi ka qenë ish-deputete e PS. Ose kanë dashur që të jetë ashtu, në fund të fundit. Që të dalë dikush me flamurin e drejtësisë, kundër klientelizmit, nepotizmit, kastës që si “oktapodus” po ia merr shpirtin vendit, sepse sistemit ia ka marrë frymën. Ja çfarë deklaron Këshilli Mbikëqyrës: “Në vijim të lajmit të publikuar sot, “Fullani, propozohet shkarkimi”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë informon publikun se ky lajm nuk është i vërtetë. Në diskutimet e zhvilluara gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Mbikëqyrës ju bëjmë me dije se nuk ka pasur asnjë propozim nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”.

Me këtë deklaratë edhe Këshilli Mbikëqyrës tallet me opinionin publik, sepse shtiret sikur ka integritet. Ky njoftim për mediat është një trushplarje për opinionin publik, sepse duket sikur i thuhet se fajin e paska pasur Meksi që nuk paska bërë propozimin se ata na paskan qenë gati për të votuar. Rrenë e gjitha. Sepse, nëse Këshilli Mbikëqyrës do të kishte integritet vërtetë, përfshi edhe zonjën Ermelinda Meksi, që nuk ka bërë kurrfarë propozimi për shkarkimin e “tycoon”-it Adrian, ata do të kërkonin takim të jashtëzakonshëm dhe do të kërkonin dorëheqjen e Fullanit në kor. Jo dje. Por ditën ku u lajmërua vjedhja e 7 milionë dollarëve. Ta jepnin edhe ata dorëheqjen. Ky është integriteti. Por, s’mund ta bëjnë se, janë në funksion të tentakulave të oktapodit.